Reçensë për “Dromca jete”, të Jakup Jahirit

0
436
Jakup Jahiri - Dromca jete

Isak A H M E T I

Dsh: Dromca jete, i autorit Jakup Jahiri, kolegut tim shumëvjeçar në Gjimnazin e Vitisë, vatër edukativo-arsimore e shumë brezave, e kam lexuar me shumë kureshtje, me përkushtim dhe pasion edhe për faktin se aty kemi jo vetëm “dromca jete” siç e ka titulluar fillimisht autori dsh e tij, por një rrëfim dhe histori të një KOHE TË PAKOHË, me shumë sfida, sa tragjike aq edhe komike, nëpër të cilën ka kaluar kryepersnazhi, autori Jakup Jahiri, dhe jo vetëm ai që është një intelektual i mirëfillt, një patriot dhe veprimtar i dalluar jo vetëm në Anamoravë.

Dorëshkrimi në fjalë, të cilin po e marr në shqyrtim, sipas vlerëssimit tim, gjithsesi edhe profesional, është shkruar me shumë kujdes dhe pedantëri; aty përshkruhet, në një mënyrë të veçantë, si zhanër, një KOHË E PAKOHË, por edhe shumë ngjarje dramatike që ndërlidhen, në një mënyrë ose tjetër, jo vetëm me jetën e kryepersonazhit, që është profesori shumëvjeçar i fizikës në Gjimnazin e Vitisë, Jakup Jahiri, por edhe të popullit shqiptar të Kosovës dhe me kauzën e Lirisë, në ç’drejtim kontribut të çmueshëm, kush më pak e kush më shumë, kanë dhënë shumë personalitete, ndër ta edhe Jakup Jahiri. Dhe shumë breza.

Dorëshkrimi në fjalë, që është një rrëfim dhe histori e gjallë, e dokumentuar dhe përjetuar thellë jo vetëm nga kryepersonazhi, do mbetet një dëshmi, shumë reale e një KOHE TË PAKOHË, dhe paraqitje, ndonëse jo e plotë, e jetës së kryepersonazhit, roli i të cilit, sidomos edhe gjatë trazirave të vitit 2004, ka qenë vendimtar.

Sipas vlerësimit tim, Profi Jakup, është dëshmuar parimor, i guximshëm, i patrembur, i pathyeshëm moralisht edhe në momentet më të vështira të jetës, shumë herë, jo vetëm gjatë trazirave të vitit 2004…

Edhepse i vëzhguar nga sigurimi shtetëror serbosllav, ku kishte edhe “sigurimca” shqiptarë edhe nga Komuna e Vitisë (që dihen me emër dhe mbiemër, emrat e të cilëve autori i di fare mirëi, por nuk i thotë për srsye të cilat ai i di më se miri !?), ka qenë i përndjekur, i burgosur, i izoluar dhe brutalisht i keqtrajtuar nëpër burgjet serbosllave… megjithëkëtë ka qëndruar burrërisht, ndonëse fizikisht i dërmuar, por moralisht i pathyer dhe kurrë nuk iu ka shmangur idealit të jetës për Atdheun, për Lirinë e Kosovës…

Të gjitha vuajtje dhe sfidat i ka përballuar me stoicizëm, sepse, siç e thotë edhe Ai vetë te dsh në fjalë, ka pasur mbështetje dhe frymëzim nga Krijuesi. Dhe jo rastësisht ai këtë e thotë në një vend të dsh, citojmë: “Lavdia dhe falënderimi i takon Krijuesit!…”.

Dorëshkrimi në fjalë ka 219 faqe dhe që në fillim aty është:


ARI DHE HEKURI

për të vazhduar pastaj me dialogun mes ushtruesit të dëtyrës së drejtorit (serbo-malazez, Rade Vllahoviq – vër. ime) dhe kryepersonazhit, Prof. Jakup Jahiri, të cilit i bëhet me dije se (e enjte 21 gusht 1980) duhet të lajmërohet në polici, kohë kjo kur fillon peridha e marrjes në pyetje dhe përndjekjes së tij nga ana e sigurimit shtetëror serbosllav, ku kishte, siç e ceka edhe më lart, edhe” sigurimca” shqiptarë nga territori i Komunës së Vitisë…

Në dsh në fjalë, që reflekton njëkojësisht edhe bagazhin kultutor, mjaft solid, të kryepersonazhit, kemi plot të dhëna interesante: aty, veç tjerave, përmenden, jo rastësisht, edhe emra njerëzish të njohur, si: Dervish Shaqa dhe Demush Neziri(edhe në foto), që i japin një sharm të veçantë këtij dorëshkrimi.

Përndryshe dsh ka plot informacione në lidhje me ngjarjet dramatike në Kosovë, në lidhje me keqtrajtimet, në lidhje me izolimet e intelektualëve shqiptarë të Kosovës, në mesin e të cilëve ishte edhe kryepersonazhi i këtij dsh., jepen shënime edhe për të vrarët në Kosovë në periudhën mars – prill 1989. Të gjitha këto dhe të tjera që janë përfshirë në dsh. në fjalë, të bëjnë ta lexosh atë me një frymë.

Prandaj krejt në fund, pa hyrë në analizë më të thellë të këtij dsh., i rekomandoj autorit që, pas një lekturimi të tekstit në fjalë, ta botojë atë si libër të veçantë edhe për faktin se do mbetet dëshmi e gjallë e NJË KOHE TË PAKOHË!…

Në Durrës,
Dhjetor 2020