“REBUSI” HAJDARI!

0
636
Rudina dhe Azem Hajdari

AV. XHABIR ZEJNUNI

Këto ditë, në kampin opozitar po vlon diskutimi i “zjarrtë” rreth zgjidhjes së “rebusit” Hajdari, i cili lidhet me (mos)”djegjen” e mandatit parlamentar nga Rudina Hajdari. Ajo tashmë është pozicionuar për vazhdimësinë e mandatit të saj parlamentar, të cilin e justifikon edhe me mbështetjen, që asaj po i jepet nga ana tjetër e oqeanit. Dhe reaksioni ndaj veprimit të saj, erdhi me forma të ndryshmë, si me “këshillime”, “paralajmërimë për përjashtim nga PD-ja”, “ofendime publike”, “kërcënime për djegje në turrën e druve” apo edhe me “fermane”, ku ja vlen të theksohet “fermani”, që Vili Minarolli i dërgoi dje Rudina Hajdarit.

Që në fillim, Minarolli i tërheq veshin Rudinës kur i shkruan asaj se “Ju sot jeni deputete e Kuvendit të Shqipërisë, jo falë ndonjë merite apo vlere ndaj partise që ju kandidoi, por për shkak të detyrimeve morale që PD-ja ka ndaj themeluesit të saj që është nga babai yt”.

Sipas Minarollit, do të thotë se Rudina duke qenë se nuk ka “ndonjë merite apo vlere ndaj partise që e kandidoi atë”, duhet që si rrjedhojë ajo t’i bindet PD-së menjëherë duke “djegur” mandatin e saj, duke bërë kështu të kundërtën që bëri babai i saj dikur. Pra, nëse dikur Azemi Hajdari e nisi karrierën politike në rrugë dhe e përfundoi në Parlament, e bija e tij atë karrierë që e nisi direkt në Parlament, duhet ta mbyllë në rrugë.

Më tej, Minarolli i heq vëmendjen Rudinës, duke i thënë se “Ti ke edhe një detyrim tjetër, karshi asaj zone elektorale, ku mund të jeni formalisht emëruar nga partia. Shkoni pyesni ata dhe vendoseni”. Minarolli ka shumë të drejtë kur thotë se Rudina është emëruar formalisht në listën elektorale (dhe arsyen e din shumë mirë Minarolli!). Por, ai harron se ky formalitet emërimi ka bërë që shumë votues falë mbimerit Hajdari të votojnë në zonën e saj për PD-në. Shtrohet atëherë problemi se cilin elektorat duhet të pyesë Rudina, kur këtë gjë nuk e bëri as grupi parlamentar i PD-së, i cili i “dogji” njëanshmërisht mandatet!

Minarolli vazhdon më tej se “Babai yt kurrë nuk do e braktiste atë forcë politike që e krijoi”. Por, Minarolli harron se ka qenë pikërisht forca politike që krijoi Azem Hajdari, e cila e braktisi disa herë themeluesin e saj! Dhe këtë gjë e din shumë mirë edhe Rudina Hajdari, pavarësisht moshës saj të re.

Por, Minarolli tregohet shumë cinik dhe grotesk kur shton se “Unë e kam bindjen që atij (Azemit) i morën jetën për të korigjuar atë, që nuk e bënë në ato ditë dhjetorit të 1990”! Por, Rudina e din shumë mirë (përfshirë edhe Minarollin!) se vrasja e babait të saj, nuk u bë për hakmarrje politike(…)!

Në fund, Minarolli e mbyll “fermanin” e tij me një “këshillë”: “Mos u nda nga ata njerëz, që edhe sot në ndeshje me padrejtësinë e pushtetit, kanë emrin e babait tënd në gojë dhe vazhdojnë të frymëzohen nga vepra e tij, që ende ka mbetur e parealizuar”.

Pavarësisht hiperbolave që përdor Minarolli, është fakt i pamohueshëm që demokracia e vërtetë në Shqipëri akoma nuk ka ardhur, për fajin kryesor të elitës politike, që ka qenë në fuqi pas vitit 1990 (pozitë+opozitë).

Si rrjedhojë, i takon Rudinës që të përpiqet të luftojë për një demokraci të vërtetë perëndimorë, pavarësisht nëse do ia arrijë apo jo. Rudina pavarësisht se është e re në moshë dhe në politikë dhe i mungon elokuenca politike, ajo ka në favor të saj shkollimin në perëndim, investimin perëndimor, mungesën e kompleksitetit të saj me të kaluarën. Dhe më kryesorja është se ajo nuk është një “fosil” i konsumuar politik dhe parlamentar!

Tani, vetëm Rudina Hajdari e ka në dorën e saj që të mbajë të pastër të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e saj.

Suksese Rudina Hajdari.