AV. XHABIR ZEJNUNI
Këto ditë (dhe netë!) po diskutohet lart e poshte dhe majtas e djathtas mbi problemin(!) që po krijon (mos)dekretimi nga Presidenti Meta i Sandër Lleshit për Ministër të Brendshëm.
Në fillim, u shtrua problemi i afatit kohor 7 ditor kushtetues, brenda të cilit Presidenti duhet të dekretojë një ministër.
Afati kohor 7 ditor kushtetues është mjaft i paqartë. Mjafton të lexohet Kushtetuta, ku neni 98, par. 1, disponon se “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”. Cilat janë këto 7 ditë brenda të cilave residenti duhet të vendosë?
1. Janë 7 ditë:
kalendarikë apo
pune?
2. Janë 7 ditë:
nga momenti që firmos Kryeministri dekretin për emërimin e një ministri;
nga momenti që dekreti arrin në Presidencë;
nga momenti që Presidenti vihet në dijeni?
Pasi mund të ndodhë që dekreti arrin në Presidencë, por ai të ndodhet jashtë shtetit për ndonjë vizitë institucionale, ose të jetë edhe i sëmurë me raport mjekësor në shtëpi! Në rastin në fjalë, jemi me shumë fat, pasi Presidenti Meta gëzon shëndet të plotë dhe ndodhej në Shqipëri ditën që ai mori kërkesën në fjalë. Kështu, vlen pika 3, pasi ai firmosi me datën 27.10.2018 Dekretin Nr. 10922 të shkarkimit të Fatmir Xhafajt (të dorëhequr!).
Nga ana tjetër po brenda 7 ditëve (pra brenda orës 24 të datës 3 nëntor) Presidenti Meta duhej të vendoste edhe për dekretimin e Lleshit. Duke qenë se brenda datës 27 tetor Kryeministri Rama dorëzoi dy dekrete në Presidencë për të firmosur, kuptohet lehtë se dorëheqja(!) e Xhafajt dihej shumë ditë më parë.
Për të mos thënë se ajo dorëheqje ishte “dakordësuar” me kohë! Kështuqë, Rama kishte gati edhe emrin e zëvendësuesit të Xhafajt. Po sikur larg qoftë Xhafaj të ishte dorëhequr papritur, çfarë do ndodhte? Mos vallë do i thonte Rama atij: “Aman o Fatmir, më qafsh prit edhe pak sa të gjej zëvendësuesin tënd?” Por, nëse Xhafaj do ngulmonte në dorëheqjen e papritur, atëherë Rama më parë do çonte në Presidencë dekretin e shkarkimit të Xhafajt dhe me vonë pasi të gjente zëvendësuesin e tij edhe dekretin e emërimit të ministrit të ri.
Në lidhje me afatin 7 ditor, edhe Gjykata Kushtetuese nëse do investohej, do e kishte të vështirë të shprehej! Por, Gjykata Kushtetuese për momentin nuk ka si të shprehet, pasi ajo nuk ekziston për fat të keq! Ndërsa në lidhje me problemin që sjell mosbindja(!) e Metës për të firmosur, arsyetimi bëhet ndryshe. Sandër Leshi aktualisht mban gradën e Gjeneralit dhe ishte këshilltar i mbrojtjes pranë Ramës. Lleshi pas propozimit, është
dorëhequr nga posti i këshilltarit të Ramës. Grada gjeneral, tregon një vlerësim dhe jo një post aktiv pune. Pasi gradën gjeneral e mban edhe një oficer në lirim, apo në pension.
Kushtetuta, në nenin 103, par. 1, disponon se “Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet”. Ndërsa neni 69, par. 1, disponon se “Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
b) ushtarakët e shërbimit aktiv”. Në rastin në fjalë, kemi një kandidat për ministër, i cili ”ka cilësitë për deputet” dhe që “ka hequr dorë (me kohë) nga detyra e ushtarakut e shërbimit aktiv”. Atëherë, shtrohet pyetja: “Ku bazohet mosbindja e Presidentit Meta për të mos dekretuar si ministër Lleshin”? Ky nuk është precedenti i parë i Metës në lidhje me mosbindjet e tij (të pa arsyetuara!) duke pasur parasysh edhe faktin e mos dekretimit të Shefit të SHIKU-t(!). Por, për fat të mirë pas takimit të djeshëm mes Ramës dhe Metës, sot Meta dekretoi shefin e SHIK-ut! Diçka vlejti edhe ai takim, edhe pse tjetër gjë kërkoi Rama dhe tjetër gjë i dha Meta atij!
Dihet se çdo veprim sot duhet të ketë një (ose disa) arsyetim kur kryhet. Askush nuk ja ndalon të drejtën Presidentit për të dekretuar apo jo një ministër. Por, nga ana tjetër duhet që ai (mos)bindjen e tij ta arsyetojë dhe jo të deklarojë se “As 10 apo 20 persona nuk i dekretoj nëse ata nuk më bindin”!
Pasi këtu krijohet idea sikur Presidenti Meta po flet me titull personal dhe jo institucional! Me çfarë “metri” e mat Presidenti Meta mosbindjen e tij?! Pasi problemi nuk qëndron tek deklarimi i një mosbindjeje, por tek arsyetimi i saj! Ndërsa krahasimi që bën Meta me Presidentin Italian Mattarella, nuk qëndron aspak. Pasi Mattarella e justifikoi politikisht mos dekretimin e kandidatit për ministër Savona. Me anë të këtij mos dekretimi (i sugjeruar nga LART!), Mattarella tejkaloi kompetencat e tija kushtetuese dhe dëshmoi se cilit krah politik i përkiste ai! Kurse Meta nuk justifikon se përse Lleshi mund të kompromentojë apo cënojë sigurinë kombëtare nëse ai bëhet ministër. A ka tagër për t’u shprehur mbi problemin e “mosbindjes presidenciale” Gjykata Kushtetuese?!
Nëse neni 90, par. 1, disponon se “Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”, ky fakt nuk do thotë se mosbindjet e shpeshta dhe të paarsyetuara të Presidentit të mos merren në konsideratë deri në atë pikë sa të mos vihet në diskutim aftësia e tij kushtetuese për të përmbushur rolin e tij si President.
Papërgjegjshmëria e këtyre akteve, që kanë si objekt mosbindjen e paarsyetuar të Presidentit Meta, mund të sjellë që ai të vihet edhe nën “impeachment” në zbatim të par. 2, i cili disponon se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”.
Për hir të së vërtetës, ¼ e deputetëve nuk mungojnë për të nisur procedurën e shkarkimit të Presidentit. Por, problemi qëndron në faktin se par. 3, disponon se “Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”. Shtrohet pyetja: “Si mund të deklarohet Gjykata Kushtetuese (nëse më parë gjenden 2/3 e votave!) për (mos)fajësinë e Metës kur ajo tashmë nuk ekziston”?
Këto fakte, i din shumë mirë edhe Meta. Prandaj që ai ndjehet shumë komod në poltronën e Presidentit, pavarësisht (mos)bindjeve të tija!
Komplimenti.