Reagim për vonesat në projektin e Muranës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prizren

0
152
Murana e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Reagim i shoqatës “Trojet e Arbrit” lidhur me vonesat që po i shkakton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës projektit të Muranës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prizren

Shoqata e Intelektualëve shqiptar “Trojet e Arbrit” si iniciuese e projektit kombëtar për Muranën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Prizren, njofton opinionin e gjërë gjithëshqiptar se kanë kaluar gjashtë muaj që e kemi dorzuar të kompletuar projektin për ndërtimin e Muranës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ne Prizren, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, për marrjen e lejës në qendrën historike të Prizrenit dhe vendosjen e Muranës.

Projektin e kemi dorzuar pas përfundimit të një debati një mujor i cili ka qenë shumë interesant dhe mjaftë frytdhënës. Në këtë debat me këshilla dhe sugjerime patëm mijëra të interesuar që dhanë propozimet e tyre që do të mirren parasysh në të ardhmën. Por fatkeqësisht ka gjashtë muaj që edhe ministrja e kaluar Vlora Dumoshi edhe ministri aktual Hajrullah Çeku janë duke e neglizhuar dhe duke e vonuar në pafundësi marrjen e vendimit lidhur me kërkesën e kompletuar të Shoqatës” Trojet e Arbrit” lidhur me Muranën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Prizren. Shoqata “Trojet e Arbrit” për shkak të ndërrimeve që janë bërë në këtë Ministri do të presë edhe disa muaj përgjigjjën dhe nëse ne injorohemi dhe nuk marrim përgjigjje pozitive nga ana e Ministrisë do të fillojmë me planin tonë rezervë i cili do t´iu bëhet i njohur me kohë opinionit gjithëshqiptar.

Ne nuk do të lejojmë asesi që një shtet tjetër, të përzihet në marrjen e vendimeve në institucionet e Republikës se Kosovës të ndalon e të bllokon projektet e figurave tona madhore gjithëkombëtare. Në këtë periudhë kohore kemi marrë mijëra mesazhe urimi nga të gjitha trojet etnike shqiptare lidhur me këtë projekt, i cili do ti jep madhështinë qytetit historik Prizrenit ku në një sipërfaqe të afërt do të gërshetohen tri periudha historike ajo e mesjetës me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, ajo e kohës se re me lidhjen shqiptare të Prizrenit me figurat udhëheqëse të kësaj Lidhje, si dhe periudha e kohës më të re me Adem Jasharin komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Çdo ministre apo ministër duhet ta dijë shumë qartë, se pozitat që ata bartin në institucionet e Kosovës janë kalimtare, kurse figurat tona historike janë të përhershme sa do të ekzistojë shqiptaria.

Në emër të 150 Intelektualëve shqiptarë të shoqatës “Trojet e Arbrit”, reagon Mr. sc. Nue Oroshi Kryetar