Shkruan: Florim Zeqa, 09.11.2019
Pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së, edhe zyrtarisht LVV-ja doli të jetë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit. Për dallim nga zgjedhjet e vitit 2017, kur LVV-së, edhe pse ishte subjekti më i votuar, iu pamundësua qeverisja e vendit nga koalicioni PAN.
Nga paslufta e deri më sot, është hera e parë që qytetarët ndëshkojnë me votë mashtruesit dhe abuzuesit e pushtetit.
Edhe pse partia e dytë më e votuar në vend, edhe LDK-ja u ndëshkua keq nga qytetarët e vendit për shkak të koalicioneve të panatyrshme dhe qëndrimit të gjatë në pushtet, pa përmbushur asnjë premtim elektoral dhe pa i sjellë asnjë të mirë qytetarëve të vendit.
Kësaj radhe votuesit u përcaktuan për LVV-në dhe atë për një arsye të vetme. Për arsye se kërkesat e këtij subjekti politik ishin në përputhje me kërkesat dhe dëshirat e qytetarëve.
Shkallët e njëjta të ngritjes apo rruga e kundërt e zbritjes
Paralelisht zhvillimit ekeonomik të vendit, janë edhe disa aspekte kruciale në të cilat Albin Kurti duhet të dëshmohet si kryeministër i përgjegjshëm dhe reformator i suksesshëm, si; sistemi i drejtësisë, arsimi, shëndetësia dhe dialogu me Serbinë.
Ashtu sikurse dikur Hashim Thaçi që erdhi në pushtet përmes kartës së nacionalizmit, së fundmi Ramush Haradinaj kishte ardhur në pushtet me kartën e Demarkacionit, edhe ngritja deri në majat e pushtetit e Albin Kurtit ndodhi përmes temave të ndjeshme politike, si; decentralizimi etnik, demarkacioni me Malin e Zi dhe “Zajednica” serbe në veri të vendit.
Pra, edhe ngritja e Albin Kurtit në karrierën politike kaloi përmes kundërshtimeve të fuqishme të temave të sipërpermendura, me forma dhe metoda krejtësisht antiligjore dhe demokratike në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij.
Edhe pse forma dhe metoda antidemokratike, bën që LVV-në të bëhet subjekti opozitar më i fuqishëm në vend.
Ndryshe nga pararendësit e tij (Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj), Albin Kurti fuqizimin politik e arriti edhe përmes “luftës” së pakompromis kundër korruspionit dhe krimit të organizuar, gjegjësisht përmes premtimeve elektorale për luftimin e të gjitha dukurive negative në qeverisjen e vendit dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi.
Sikurse Hashim Thaçi, ashtu edhe Ramush Haradinaj, me marrjen e pushtetit u larguan nga premtimet elektorale, tani na mbetët të shohim veprimet e Albin Kurtit si kryeministër, se a do të qëndroj i palëkundur në raport me dialogun me Serbinë, përkatësisht temës së ngritur të “minishëngenit” që faktorizon Serbinë në Ballkan.
Për më tepër se kaq, kryeministri në ardhje Albin Kurti duhet të jetë më i qartë dhe më transparent para qytetarëve të vendit rreth idesë së “minishengenit” apo “Ballkanisë së re” në zemër të Gadishullit Ilirik.
Qeveria e re me Albin Kurtin në krye e ka rastin historik të dëshmimit për ç’montimit të te gjitha dukurive negative, sikurse e ka momentin më kritik të humbjes së gjithë kredibilitetit politik të arritur me shumë mund për më tepër se një dekadë.
Anulimi i vendimeve të dëmshme dhe rofroma në drejtësi
Premtimet elektorale të liderit të LVV-së, Albin Kurti janë obligime dhe borxh i madh dhe i pashqlyer ndaj qytetarëve.
Qeverisë së Albin Kurtit i mbetët që në mbledhjen e parë, të anulojë të gjitha vendimet e qeverive paraprake të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, gjegjësisht marrëveshjen fatale për “Zajednicën” me Daçiqin, përkatësisht me Vuqçiqin në Bruksel dhe të gjitha vendimet e kryeministrit Ramush Haradinaj filluar nga Demarkacioni me Malin e Zi, ngritjen skandaloze të pagave për stafin qeveritarë e deri tek vendimet dhe nominimet në periudhën pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit.
Jo vetëm kaq, premtimi elektoral i Albin Kurtit për shkarkimin e Hashim Thaçit dhe burgosjen e kryeprokurorit Lumezi janë janë “alfa” dhe “omega” e grumbullimit të votave nga elektorati kosovarë. Andaj çdo zvarritje dhe ikje nga ky premtim, Albin Kurtit do t’i kushtojë me rënje drastike të kredibilitetit dhe humbje të fuqisë politike në terrenin politik.
Pa barazi ligjore, asnjëherë nuk do të ketë barazi qytetare dhe liri e demokraci në këtë vend, prandaj nevojitet ndërhyrje urgjente nga qeveria e re për ta reformuar këtë sistem të kalbur e të kapur nga mafio-politika, në mënyrë që të shmanget marrja e drejtësisë në duar të qytetarëve-drejtësia kanunore.
“Përderisa sistemi i drejtësisë të jetë i kontrolluar nga bandat e inkriminuara partiake dhe nëntoka e tyre kriminale, qytetarëve nuk do t’u kthehet besimi në drejtësi dhe as dashuria për shtet. Përderisa të vazhdon të jetë kështu, qytetarët do ta përdorin “Kanunin” si mjet për zgjidhjen e problemeve, duke vazhduar së ëndërruari një shtet ndryshe nga ky që e kemi sot.
Andaj, sfida e parë e qeverisë së re duhet të jetë reforma e thellë në sistemin e drejtësisë, përkatësisht shkarkimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të inkriminuar dhe nominimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të guximshëm me integritet dhe etikë profesionale.