Jeta Xharra
U qova tu e pyet veten sa here në historinë e rasteve të dështuara të drejtësisë, vrasjeve e tragjedive që kanë ndodh në Kosovë (prej të cilave kemi shumë), na ka ra me pa familjarë që dinë me kaq elokuencë, pa patetikë, pa vajtim, pa mllef, pa hakmarrje por me maturi, me njohuri të hallakave institucionale e politike, me barazi gjinore mes veti me fol për një tragjedi të veten duke na dhanë neve mësim qysh duhet me u sjell, me luftu e me u organizu edhe kur të ndodh një tragjedi e përmasave epike?
Përderisa ka komentues që po thonë që po ju dhemb shpirti tu i ndëgju prindërit e Astrit Deharit, mu besomni e kundërta më ndodhi tu i ndëgju ata: ma ngrohën zemrën tu m’dhanë mësim se si mundet njeriu me e shëndrru traumën e vet në një luftë dinjitoze për drejtësi edhe me kriju rezultat me qat këmbëngulje duke refuzu me u mshel në veti, me shujt, me duru, me u traumatizu edhe mos me vepru. Qe disa prej lekcioneve që mu m’i dhanë qëky çift i jashtzakonshëm, Z. dhe Znj. Dehari:
1. Po të mos kishin qenë ata qaq vigjilent, insistues, këmbëngulës e të zhurmshëm, prokuroria jonë kurrë s’e kishte bo publik raportin zvicerran. Po i jap vetes të drejtë me e konstatu këtë sepse nuk po më kujtohen raporte të tilla që janë bo publike deri tash. Dhe në anën tjetër, unë njoh plot familjarë që kërkojnë drejtësi por shumica
a) mendojnë që nëse janë ma pak të zhurmshëm autoritetet kanë me ju dhanë çasje në rastin e tyre ma shumë,
b) ju vjen marre me e bo të madhe,
c) edhe kur marrin raporte, preferojnë me hi në guacën e vet e me thanë ‘o çështje private’ gjë që na pamundëson neve publikut me msu prej këtyre rasteve për familjet e tjera që munden me u gjet në rrethana të ngjashme.
Pra, suma sumarum, mos të lasht zoti pa nanë, babë, motër, vlla të shkollum, shpirtnisht të fortë, e pa pardon!
2. Ja kam nis me mendu që edhe pa u formu qeveria e re, ja kanë nis do do mu tut e pi çelin letrat bajagi shpejt, hala pa ardh këta të ritë në pushtet. Andaj, zgjate zot këtë mot!
3. Hmmm, mos po ja nisin me i çel letrat jo vetëm për këtë raport por edhe për do raporte tjera të ngjashme që deri tash i kanë pas mshel? Për krejt ju që dini për raporte të tilla qëtash o rasti mi lyp se gjasat janë që prej tutës, kanë me ju dhanë sendet që me privilegj, imunitet e mendjemadhësi i kanë mshef deri tash. Ka gjasa që tuta e tanishme o ma e madhe se kur të vinë VV në pushtet sepse imagjinata e njeriut se çka mundet me ju ndodh atyne që kanë bo hile, mundet me qenë më e frikshme se realiteti i asaj çka ka me ju ndodh përnime! Mos pritni qeverinë e re, qëtash o momenti, provojeni me i lyp qëto sende TASH, krejt ju qytetarë që i keni pas dyert e mbyllura në drejtësi se tuta han dardha të buta.
4. Qajo shkolla e LPK-së që koxha përçmohet sot, po kallxohet që s’o bash e demodume! Rrallë shoh njerëz që sot flasin publikisht për atë që kanë qenë pjesë e LPK-së, dhe që shkathtësitë që i kanë kriju atëherë në atë lëvizje mujn me lehtësi me i konvertu në oratori kompatibile me të sotmen, me fol pa komplekse për shokët e vet të luftës, edhe mos me ju thurr vargje e lavde krejt këtyre shokve por me fol drejt! Pra mos të lasht zoti pa njerëz me përvoja historike të epokave të ndryshme e që janë hala gjallë sot!
5. Burri grusë as nuk ia merrke fjalën, as s’ja nalke fjalën, as nuk e nënçmojke analizën e saj. U sillshin me njëri tjetrin si partnerë, jo vartës. Shumë pak çifte tona janë kaq të barabartë e me respekt të ndërsjellë në bisedë. Msoni burra që gruaja s’o pronë por partner në krejt betejat që i keni, edhe kur dilni vet në televizor qitni edhe gratë edhe lejini me fol!
6. Nuk duhesh me qenë i pasun për me i shti do sende me shku për së mari. Nëse vet ja nis me lexu, me përfaqësu, mos me pritu me rrëfy, me kriju narrativën, me bo presion, mos mu nal, me fol me kondicion vit pas viti – kjo s’paguhet me pare! Sepse ajo pala e kundërt që gjithashtu o tu e kriju narrativën, (narrativën e rrenës në këtë rast), edhe me pas krejt aparatin e shtetit mas veti, edhe paret edhe kravatat e dynjasë, siç po shihet, ka mu lodh para teje. Pra edhe mos me ndodh kurgjo prej tash e tutje me këtë rast, narrativa e familjes Dehari ka fitu kundrejt narrativës shtetërore. Kjo është e mira. Ana tjetër e medaljes është që, fatkeqësisht po dëshmohet që në Kosovë, me të mbrojt familja o hala ma sagllam se me të mbrojt shteti.
7. Për me i besu unë shtetit prej tash e tutje që o tu bo hetime si duhet, pas këtij raporti që dul në publik, nuk e ha mo nëse i ndëgjoj tu thanë vetëm “Hetimet vazhdojnë”. Prej tash du me i ni kravatat tu na thanë ma së paku “Pasha kryt e nanës dhe babës, hetimet vazhdojnë”?
8. Në fund, po më duket lehtë o për disa prej nesh me kërku drejtësi në fb, veç shumë rrallë ndodh që njerëzit munden me e shti një shoqni të tanë BORXH për me jau siguru drejtësinë. Po më duket që qëta prindër, me mënyrën qysh ju kanë drejtu mbramë institucioneve të sotme, dhe qeverisë së ardhshme, duke jau vizatu çka duhen me ndërmarrë që sot, i ka shti institucionet me u kuq nëse nuk janë 500 herë ma seriozë, e ka shti qeverinë e ardhshme me u përvjel e me mendu mirë qysh dojnë me ja bo me këtë rast kur të vinë në pushtet. Krejt neve na paramendoj që jemi gdhi sot, dikush ma shume e dikush ma pak, të futun në borxh prej momentit që jemi qu me i la syt dhe e kqyrim veten në pasqyrë, e derisa kalojmë minutat tu fol me të afërm gjatë ditës. Deharët na e kanë rrit çmimin e dështimit institucional. Përjetësisht falenderuese për këtë!