Xhemail Peci
Në romanin e Ramadan Bozhlanit e veçanta shkrihet me të përgjithshmen, individualja me kolektiven, fati i djeshëm me ankthin për të sotmen dhe me shpresën për të nesërmen; ballafaqohen fate njerëzish, pikëpyetje dhe mëdyshje, shqetësime dhe preokupime që tejkalojnë vetëm një kohë, e që shtrihen në hapësira mijëvjeçarësh të shumtë, madje deri në ato përmasa sa historia përsëritet në ciklin e saj sa të pamëshirshëm po aq edhe shumë shpesh, të paspjegueshëm:
“Nga vështrimi i njëqind e tetëdhjetë e nëntë palë syve u ndie i mbërthyer. E lëvizi shikimin ngadalë nga më i riu, deri te më i moshuari. Në fytyrat e tyre të ngjeshura gjeti lloj-lloj ndjesie. Ndijimin që nuk e hasi tek ata, i erdhi ta provonte vetë, por pa lot. Po ashtu, me ritëm të ngadaltë filloi t’i rishijonte ato pamje njerëzore dhe posa u ndal aty ku e kishte filluar, ndieu një shtrëngim në gjoks. “Heshtja juaj e gjatë ka hapur plagë të pashërueshme, vuajtje të thella dhe brenga torturuese te mijëra qenie njerëzore, për të mos thënë, te një popull i tërë. A jeni të gjallë apo të vdekur?”, tha me vete dhe i vrojtoi nga fillimi deri në mbarim, sikur të kërkonte atë që do t’i përgjigjej pyetjes së tij.”
Në simbolikën e emrit të kryepersonazhit të romanit (të Atdheut) dhe të torturës më të veçantë psikologjike që nënkupton sa ankthin po aq edhe makthin për mosgjetjen e të zhdukurve, Bozhlani ka konceptuar shtjellimin artistik të një romani që në procedimin e tij ka tablotë e një drame kolektive, të një tragjedie përmasash të papara.
Në romanin e shtresimeve të ndërgjegjes snjerëzore, ballafaqohen ankthi për të zhdukurit dhe byrokracia e pashpirt vendore dhe ndërkombëtare, shpresa dhe zhgënjimi, ëndrra e bukur dhe realiteti i vrazhdtë:
“Disa herë, bashkë me të ëmën ia kishin përtërirë fotografinë Fisnikut, meqë dielli ia çngjyroste, kurse shiu, bora dhe era e grisnin, pavarësisht se ishte plastike. Sa herë e hiqte fotografinë e çngjyrosur dhe të grisur të djalit të vet nga grilat, për të vendosur fotografinë e tij të re, nëna e Atdheut, Vesa, thoshte: “Edhe sa herë duhet ta ndërrojmë derisa ta gjejmë të gjallë apo të vdekur Fisnikun?”. Pastaj lutej me përgjërim për gjetjen e tij.”
Ramadan Bozhlani
Shumëçka shpaloset nën prizmin e narracionit për xhamat e zi (kryetari i komunës dhe veturat e zeza, eskorta e tij si një simbolikë që gjithsesi të përkujton atë të shpurës mbretërore) si dhe për rrezet ndriçuese të diellit, përmes një rrëfimi racional e në retrospektivë, ku rikujtohen figurat e të zhdukurve, si ajo e të vëllait Fisnikut (“ishte me të njëjtat rroba kur e rrëmbyen paramilitarët serbë nga gjiri i nënës”), e Besnikut, e një plaku me plis, dhe e gjitha kjo sërish në petkun e një simbolike tjetër: Komuna e Shpresanit!
Fjala vjen, xha Bardhi është një personazh protoptip përmes të cilit autori ka shpalosur mjaft bukur dashurinë e popullit për vlerat e luftës, për njerëzit e gjakut. Ndërkaq, përballë dhembshurisë që ndjenë kryepersonazhi për qentë (gjë që ata e ndjejnë fare mirë), autori ka vënë pashpirtësinë e një shtrese njerëzore të kalbur, të cilët nuk ndjejnë asgjë, madje as edhe ndaj vetë gjinisë së tyre! Një paradoks i tillë në konturet e romanit shpaloset herë si parodi e herë si ironi e kohës.
Në poetikën e ligjërimit gjithashtu janë ndërthur me mjeshtëri edhe pamjet e natyrës me gjuhën e nëntekstit e cila vete në funksion të zbërthimit të fateve të shumëfishta, individuale dhe kolektive:
“Dielli iu duk i trishtuar para se të fshihej nga retë, të cilat e perënduan para kohe. I ndoqi me sy rrezet si u shfaqën sipër reve dhe u shtrinë deri larg. Iu duk sikur rrezet tentuan të kacavareshin në to për të nxjerrë edhe një herë në pah fytyrën e dëshpëruar të diellit, por në fakt treguan dhëmbët e frikshëm. “Edhe këto e dashkan fundosjen e diellit, për ta zotëruar qiellin sa më parë”, mendoi Atdheu. Toka së bashku me kodrat e largëta u ngrysën kur iu fashit shpresa për ta parë edhe një herë diellin. “Iku pa na lënë porosinë përshëndetëse për hënën dhe yjet”, tha me vete. Rrezet notonin pa shpresë në horizont.”
Përballë pamjeve të ngrrysura të natyrës, qëndron simbolikisht edhe kryeppersonazhi Atdheu, portreti i të cilit shpaloset përmes një përshkrimi poetik:
“Iu duk se retë e tjera ngjiteshin gëzueshëm nga skajet drejt kupës së qiellit, për të kremtuar triumfin. Errësira zhvendoste hareshëm ndriçimin dhe hapësira qiellore i ngjau si një ekspozitë me piktura lëvizëse që ia kallnin tmerrin tokës dhe banorëve të saj. Sytë e pikëlluar filluan të thithnin trishtimin e hapësirës, për ta zbritur në zemrën e vogël tërë peshën e saj.
“Ato nuk do të davariten pa ia nxjerrë lotët qiellit”, tha me vete.
U ngushëllua kur mendoi se lotët e trishtuar të qiellit e gjallërojnë tokën dhe u ngrit ngadalë nga shkalla e dytë, për t’i ngjitur shkallët e tjera, duke pyetur veten nëse do të kishte yje atë natë”.
Në një procedim të tillë narrativ, herë përmes monologut që bën Atdheu e herë përmes përshkrimeve poetike, shpaloset me një gjuhë të një stili të pjekur narrativ, tabloja tepër e veçantë e varrezave:
“Ky ballkon duhet të konsiderohet froni i lagjes, meqenëse nga këtu është nën kontroll e gjithë lagjja”, mendoi. Vështrimi i mbeti te çatitë e shtëpive, të cilave ua nuhati frikën nga stuhitë që mund të përndizeshin nga çasti në çast dhe të hidheshin mbi to. Edhe banorët poshtë atyre çative nuk kishin asnjë arsye për të mos qenë në harmoni me atmosferën e jashtme. Në lagje nuk lëvizte askush, ndërsa në fund të saj pa një veturë që kaloi vetëtimthi në drejtim të fshatrave. Pas pak iu shfaq përmes çative vetura e kuqe që e ngjiste rrugën e lakuar me shpejtësi drejt fshatrave. E pa derisa u fsheh mbas kodrave të largëta. Pasi pa në të dyja anët e tij, iu përforcua mendimi se lagjja ndodhej në vijën ndarëse mes të rurales dhe urbanes, meqë ishte lagjja periferike e qytetit.
Në të majtë kishte pamjen kodrinore, ndërsa në të djathtë, pamjen urbanistike. Për ta parë qytetin i duhej të ngrihej mbi gishtërinjtë e këmbëve, kurse malet i shihte me lehtësi. Përballë shtëpisë, mbi sipërfaqen e një kodrine, ndodheshin varrezat, të rrethuara nga fushnajat e gjelbra, në të cilat gati çdo ditë mbinte nga një shtëpi. Varrezat përbëheshin nga disa kategori: Varret e dëshmorëve, varret e civilëve të vrarë dhe të masakruar në luftë, varret e të zhdukurve, si dhe varret e qytetarëve që vdisnin nga vdekja natyrale. Atdheu në varret e dëshmorëve kishte të varrosur babain, në varret e vdekjeve natyrale kishte të varrosur nënën, kurse në varret e të zhdukurve, priste të varroste vëllain, nëse nuk do ta gjente të gjallë.”
Në përvijim të këtij ligjërimi, Bozhlani ka paraqitur mjaft bindshëm figurën e avokatit (“të mallkuar”) që mashtron dhe merr para duke premtuar familjarët se do të ndihmojë për të gjetur të zhdukurit, pabesinë e dëgjuar të serbëve të shfaqur edhe përmes recepcionistes e cila dërdëlliset se “nuk ka qasje në numër”, por edhe zotimin e kryepersonazhit dhënë të ëmës:
“Nënë, ndoshta tani të dukem i vogël për një premtim kaq të madh, por një ditë do të rritem dhe të ardhmen do ta vë në shërbim të gjetjes së Fisnikut”.
Një element tjetër që bie në sy është ai i detyrimit për ta shitur tokën me qëllim që të paguhet avokati për të gjetur të zhdukurit, pa dyshim një remenishencë me kohën e aksionit të armëve por me konotacione të reja, si rezultat i politikave të pushtuesve të tokave tona.
Nën simbolikën e shprehjes, autori ka shpalosur të vërtetat e kohës së tij: “Ora ishte e vendosur në gjoksin e shqiponjës së gdhendur me mjeshtëri”, “Në mes të oborrit u pozicionua me kokën lart për të parë yjet, çdonjërin nga të cilët e kishte pagëzuar me emrat e të zhdukurve, ndërsa hënën e ndriçuar e kishte quajtur popull.” Me po kaq sukses ai e ka gdhendur edhe portretin e nënës së Atdheut, e cila do ta shikonte rrugën “derisa vdiq, se mos po i shfaqej djali.” Ndërkaq, në gërshetimin e motiveve të ndryshme, është kapur mjaft bukur një dukuri tepër shqetësuese, ajo e emërimit të rrugëve (adresave) dhe rrahagjokësve të shumtë:
“Ato ndërroheshin sa herë vinin në krye të komunës dhe të drejtorive, njerëz të rinj. Emërimi që u përfol dhe ngjalli polemika të shumta, ishte ai i një njeriu që kishte vdekur në shtrat jashtë periudhës së luftës, por komuna insistonte se ai ishte dëshmor. Shpejt u verifikua motivi; ishte një politikan që donte të rriste lavdinë e emrit të familjes përmes vëllait të tij të vdekur, gjoja se kishte qenë pjesë e luftës.”
Kjo përmasë e llahtarshme shtrihet deri tek përfitimet me tenederat e shumtë, gjë që sërish paraqitet si një paradoks i llojit të vet: “Këta e kanë mendjen te paraja, kurse ne shpresojmë të na gjejnë të afërmit e zhdukur…”
Ballafaqohen kështu banorët e padjallëzuar dhe zyrtarët mashtrues e të dhjamur (si drejtori e kryetari). Në mes rri krypersonazhi, i cili në pasqyrë kujtimesh pyet: “Asfalti do ta tjetërsonte pamjen e kësaj rruge… “Por, nëse ndonjë ditë Fisniku do të kthehet, a do ta njohë këtë rrugë?”
Njëlloj ballafaqohen edhe dhembshuria e Atdheut dhe Teutës për qentë e lënduar në aksident, me talljen e drejtorit dhe të kryetarit (të komunës) të cilët qajnë hallin e makinës dhe jo të viktimës! E përmasave të tilla është sfida e shpalosur mes dy brezave: njëri brez (i përfaqësuar me drejtorin, kryetarin, apo edhe me profesorin i cili e godet me shuplakë Atdheun – madje në klasë, duke i shkaktuar gjakderdhje) nuk e ka për bezdi gjakderdhjen, ndërkaq brezi i ri (i përfaqësuar me Atdheun dhe shokët e klasës së tij) ngriten kundër gjakderdhjes, kundër një mendësie me shfaqje egërsie dhe pangopësie. Bozhlani shpalos kështu atë që ai e ka quajtur me të drejtë “ankth tragjik”. Pa dyshim, një ankth me dimensione të shumëfishta, ankth i cili megjithatë paraqitet edhe në linjën e një bashkëbisedimi që nën petkun e simbolikës ia del të mos e bjerri shpresën:
“Yllin polar e kishte emëruar me emrin e vëllait të tij, të cilin nuk e pa më, prej ditës që ia rrëmbyen policët serbë nga krahët e nënës. Që nga ajo kohë, kryeyllin e quajti Fisnik dhe komunikoi me të përmes heshtjes e herë-herë edhe përmes zërit. Ashtu fliste për çdo detaj të jetës me të para se t’ia zhduknin e t’ia fshihnin nën tokë apo mbi të. Që nga koha e luftës ata mijëra njerëz vazhdonin të mos gjendeshin dhe vetëm Atdheut i shkoi ndërmend t’i ngrinte në qiell dhe t’i zëvendësonte me yje. Mendoi se një ditë, të gjallë apo të vdekur, ata do t’u ktheheshin familjeve.
“Do të vijë dita kur ju do të quheni të gjetur”, tha me vete. “S’mund t’ju mbajnë përgjithmonë të ngujuar nëpër zgafellat e tyre. Edhe nëse keni mbetur vetëm si kocka nëpër gremina, eshtrat tuaja do të klithin ditë e natë duke ua trazuar përbindshave ndërgjegjen, jetën dhe ëndrrat, derisa t’ju sjellin nëpër familjet të cilave brenga nuk u ndahet për asnjë çast”.
Në romanin e Ramadan Bozhlanit, ka heshtje dhe errësirë, por gjithashtu ka edhe meditime të thella si reflektim i një realiteti gjithë vija dhe vrragë:
“Mos vallë zërat kanë fuqi të tillë ushtuese kur dalin nga nëntoka, apo kur formohen nga kockat trumbetojnë kështu?”, mendoi prapë. E shkundi kokën duke e qortuar veten se përse po bëhej kaq ndjellazi duke e bërë Fisnikun banor të nëntokës. “Sikur të ishte Fisniku, pyetja do të ishte familjare”, mendoi. Pyetjet e tilla të pazakonshme, misterioze dhe të pazbërthyera, nga mund të vijnë?! Kjo pyetje e thelloi aq shumë në mendime saqë përgjigjen nuk e gjeti, por gjeti gjumin e ëndërrueshëm.”
Në kapitullin e dytë, autori ka bërë thyrjen e narracionit, duke e bartur syzheun e romanit në sfondin e një ballafaqimi të ri, përmes paraqitjes së personazhit të profesor Vegimit (sërish nën simbolikën e shprehjes-pagëzimit), dhe të Azmiut. Vegimi paraqitet në gjirin e atmosferës familjare dhe duke medituar për misionin që duhet të ketë një shkrimtar:
“Filluan ta shuanin urinë duke shijuar gjellën e shijshme. Vegimi përtypej mendueshëm. Mendja i shkoi te romani, pikërisht aty ku e kishte thyer fletën. “Gjysmën e lexova, ndërsa gjysmën tjetër sikur jam duke e përjetuar”, tha me vete. “Aftësia e shkrimtarëve qëndron në ngjeshjen e realitetit brenda kopertinave të romanit”, mendoi. Errësira sa vinte e bëhej mbizotëruese.”
Ndërkaq, Azmiu paraqitet nga një sfond krejtësisht tjetër, si një prototip i shokëve të tij të shumtë, një përfaqësues tipik i armatës së mediokriteteve:
“Vegimi shfryu dhe e futi celularin në xhep. “Personazhet e tilla si Azmiu, e sfidojnë edhe imagjinatën e shkrimtarëve”, mendoi. Atyre kurrë nuk do t’u shkonte në mendje të sendërtonin një karakter të tillë njerëzor në veprat e tyre. Por, edhe sikur t’ua kishte pjellë imagjinata, lexuesit do t’i merrnin për trillanë të shfrenuar.”
Në procedimin narrativ të Ramadan Bozhlanit, ekspozita mortore e të dymbëdhjetë të gjeturve të kujton ekspozitat e kokave që kanë bërë pushtuesit shekullorë të tokave tona, në ndërkohë që autori ka ndërthurur rrëfimin me përshkrime të detajuara të tablove, të sfondeve, të pamjeve të natyrës, por edhe të personazheve, si fjala vjen:
“Na jepni votat dhe rrugën do ta keni të shtruar me kalldrëm”. Pasi i dëgjonin me vëmendje llafazanët entuziastë, fqinjët e tensionuar, duke përmbajtur veten me zor vështronin Vegimin, i cili me dy fraza të shkurtra u përgjigjej çdo herë: “Ne nuk japim vota me kushtëzime. Ato do t’i japim në bazë të vullnetit, atyre që do të na bindin me moral, ndërgjegje dhe dinjitet”. Pastaj fqinjët i shikonin të acaruar agjitatorët politikë se si skuqeshin dhe iknin me bishtin ndër shalë.”
Krahas personazhit të Vegimit, Bozhlani ka paraqitur me sukses edhe portretin tjetër, atë të Kushtrimit i cili sfidon me vendosmëri zyrtarët plangprishës:
“Kot e keni, nuk më joshni sikur në presidencë të më punësoni, sikur ky asfalt prej floriri të ishte, le pastaj që do të prishet shumë shpejt! Fqinjët e mi ranë në grackë, por unë kurrën e kurrës. Tokën e dua kështu të përbaltur e përmes kësaj lopate do të ushqehem. Ju nuk do të arrini t’i shndërroni në dobësi virtytet e mia. Vota ime dhe e familjes të pashfrytëzuara do të mbeten, ndërsa kërkesat tuaja të pamoralshme, nuk i përligj dot. Ju paralajmëroj se po guxuat edhe një herë ta trazoni familjen time atje ku pushon me dinjitet në varreza, do t’ju gjejë belaja, kokat me këtë lopatë do t’jua shtyp. Morët vesh, kusarë?! Ja, me këtë lopatë ditën e zgjedhjeve do të shkoj ta ruaj familjen dhe të gjithë të vdekurit e tjerë”.
Pastaj i gjori filloi të tërbohej edhe më shumë duke ua thyer xhamat automjeteve që shërbenin për shtrimin e rrugës, në prani të zyrtarëve të komunës, derisa erdhi policia për ta prangosur dhe për ta mbajtur në burg deri kur u shtrua dhe u tha ky asfalt. Porsa e kishin liruar, kishte ardhur te Vegimi për t’i kërkuar një dërrasë të cilën sot e kësaj dite e shtron kur hyn dhe kur del nga shtëpia e nuk pranon ta shkelë asfaltin.”
Më tej, këtë portret Bozhlani e ka plotësur nëpërmes narracionit në retrospektivë, procede ky që bie në sy përgjatë gjithë romanit:
“Kushtrimi në kohën e luftës ishte luftëtari më i shquar, madje sfidonte edhe komandatin për nga trimëria dhe oratoria. “Ai na jepte zemër kur ishim të zhgënjyer, të demoralizuar, të lodhur, të pangrënë dhe të pabarabartë me armikun në armatim dhe municion. Në ato çaste na kujtonte të bëmat e Skënderbeut dhe të të gjithë heronjve të tjerë. Aq shumë na pati frymëzuar njëherë sa lodhjen na e shndërroi në forcë, urinë në ngopje, frikën në trimëri dhe demoralizimin në një moral të pathyeshëm. “Atëherë çohuni burra këtë tokë e kemi amanet nga Zoti ta mbrojmë me forcat që kemi”, pat thënë. U nisëm të gjithë pas tij si të ishim luanë të tërbuar, duke çliruar një zonë të rrethuar nga serbët me tanke, duke shpëtuar shumë vajza nga dhunimi dhe shumë vetë nga vrasja e masakrimi”, kujtoi.”
Sërish nën petkun e simbolikës së emrit, autori ka shfaqur në sfondin e ngjarjeve historike tragjedinë kolektive nëpërmes asaj individuale:
“Të gjithë menduan se e kishin vrarë, derisa një ditë erdhi një ushtar nga qyteti i pikëlluar për të njoftuar se Kushtrimi ishte çmendur, pasi i kishte gjetur babain, nënën, gruan shtatzënë dhe djalin të masakruar në shtëpi. “Eh, i gjori Kushtrim!”, tha me vete me dhimbje dhe kaloi rrugën.”
Në një prizëm të tillë të përfshirjes së ngjarjeve në rrjedhën e viteve të vështira, është paraqitur edhe ballafaqimi i brezave, e në mënyrë të veçantë është paraqitur Vegimi si personazh i cili dëshiron të ulet përballë shqiponjës, duke ditur se do ta ketë përpara një byrokrat si Azmiu. Ndërkaq, përmes evokimit të kujtimeve që bën personazhi tjetër (Fatosi – personazhi i cili flet për një “çlirim ndërgjegjeje”), Bozhlani ka shpalosur figurën e njërit prej profesorëve model dhe të respektuar nga breznitë orëmira, duke u shprehur për të në mënyrë superlative:
“Profesori më i mirë i shkollës, Bedriu, që ne e kishim kujdestar të klasës, ishte i vetmi që u përmbajt nga fyerjet, qortimet dhe akuzat. Më mori me kujdes dhe më drejtoi drejt banjove, ndërsa unë ecja më gjysmë shpirti. Kur arritëm atje, sapo hapi çezmën për të më pastruar fytyrën, i thashë se nuk isha i dehur, por kisha dhimbje dhe zbatha këpucët. Çorapet e gjakosura ia dëshmuan fjalët e mia. Nga sytë e tij të shqyer nga habia i rrodhën lotët që përfunduan në këmbët e mia. Shpejt e mbylli portën, ma pastroi gjakun duke pasur kujdes se mos më lëndonte. Pastaj më tha të hyja në tualet e të qëndroja derisa të vinte. Pas pak çastesh dëgjova derën kur u hap. Mendova se ishte kujdestari dhe dola. Vajza më e bukur e asaj mbrëmjeje kishte qenë duke fshirë lotët dhe u trondit kur iu shfaqa në pasqyrë. Ktheu kokën pas dhe ne u gjendëm ballë për ballë. Ajo pa këpucët që mbaja në duar e pastaj këmbët e zbathura me plagë. U lemerit duke menduar se deri në atë gjendje më kishte degjeneruar pija. I thashë: “Mos u frikëso, nuk jam i dehur. E kam nga numri i vogël i këpucëve”.
E një dimensioni të tillë ku skamja sociale shërben si një paraljamërim për tragjikën e robërisë, është edhe tabloja e rrëfimit për Lauretën, rrëfim të cilën romancieri e zbërthen edhe më shumë në detaje të tjera, nëpërmes personazhit të Fatosit. Nuk ka dyshim se një lidhje e tillë, një dashuri e përmasave të tilla dhe me një fund tragjik, flet për fatin e mijëra dashurive të tjera të këputura përgjysmë:
“Kam shpresuar se do ta gjej të varrosur Lauretën në oborrin ku u ndamë tragjikisht, por atje nuk kishte asnjë varr. Për një kohë e kam konsideruar të zhdukur, madje e pata regjistruar te shoqata e të zhdukurve, derisa një natë më erdhi në ëndërr dhe më tha se, pasi e kishin dhunuar, e kishin vrarë dhe e kishin hedhur në pus të atij oborri… Iku duke më thënë: “Mirupafshim në përjetësi”. I tmerruar nga ajo ëndërr, shkova te pusi i atij oborri. Nga thellësia e pusit e kam nxjerrë me ndihmën e ushtarëve të KFOR-it dhe e kam varrosur pranë prindërve…Pasi e varrosa Lauretën, hapa varrin tim pranë saj. Komuna disa herë ma mbushi me dhé varrin, kurse unë e hapja. Ata më thonin se nuk kisha të drejtë të varrosesha aty, sepse aty janë varret e të vrarëve në luftë, por unë u thoja se mua më kanë vrarë atëherë kur vranë Lauretën dhe prindërit e mi. Pavarësisht se jam gjallë, unë nuk jetoj më që nga ajo ditë, prandaj kam nevojë të shtrihem çdo ditë pranë tyre, në atë varr të hapur…”
Në romanin e Ramadan Bozhlanit, fati i individit është fati i kolektivit. Megjithatë, përballë dhembjes dhe tragjikes, ky brez i ri ka një mentalitet të vjetër i cili është i zhveshur katërcipërisht nga çdo ndjenjë, paradoks ky që është paraqitur mjaft bukur:
“Vegimit iu duk Fatosi si një pre e denjë për Azmiun. “Ai ka aftësinë e një njeriu mizor që t’i nuhasë fatkeqësitë e të tjerëve dhe pastaj me mjeshtëri t’i shfrytëzojë skajshmërisht. Kështu ka qenë përherë, edhe si nxënës”, tha me vete.”
Vegimi është profesori që përfaqëson krenarinë e ligjshme përballë Azmiut, i cili përfaqëson vijën e vjetër sipas të cilës duhet bërë çkado që thotë partia, prandaj edhe ballafaqimi i Vegimit me të është mjaft i hapur:
“Karrigia të cilën e pretendoni ju e shumë të tjerë, kërkon virtyte, zgjuarsi dhe synime fisnike, për t’i bindur të tjerët që t’ju votojnë. Shpërblimi i duhur ndaj atyre që ju votojnë është puna e ndershme mbas zgjedhjeve dhe jo blerja e votës. Unë dhe banorët e lagjes sime nuk kemi pranuar kurrfarë privilegjesh në emër të votës. Pranojmë që fëmijët tanë të luajnë nëpër baltë, por vota nuk pranojmë të shesim ose t’i japim për hatër të miqësisë. Nëpërmjet votës shpresohet dhe shprehet besimi për ta avancuar individin ose partinë e denjë në krye të popullit, për të administruar shtetin më mirë sesa familjen e vet. Përgjegjësia para votës është sikurse përgjegjësia para Zotit. Ajo është aq e shenjtë dhe hyjnore sa përmes saj përcaktohet fati i popullit për katër vite.”
Nëpërmjet ligjërimit të Vegimit, Bozhlani ka shpalosur anën tjetër të qenies njerëzore, duke mbrojtur kështu me vendosmëri parimin dhe dinjitetin njerëzor:
“Ndërgjegjja do të më shtynte ta votoja dikë më të denjë sesa vetja. Vota mund të kthehet në mallkim ndaj vetes dhe popullit nëse nuk i jepet njeriut që e meriton. Sikur për një mandat të legjitimohet njeriu i pamerituar në pozitën që kërkon përgjegjësi, është baraz me dëmet e pallogaritshme të së tashmes dhe të së ardhmes. Nuk ka shuma parash që arrijnë ta justifikojnë peshën e përgjegjësisë së votës. Vallë, a janë çmendur këta njerëz që i vënë çmim votës, madje me një ekstrem nënçmues?! Kjo është skandaloze. Kthjellohuni se jeni shumë larg qenies në trajtën e së cilës keni zbritur në këtë tokë. Ato i gëzojnë vetëm ata që i përfillin kërkesat e karriges, por ata janë aq të ndershëm sa nuk shndërrohen në lypsarë, nuk e bastardojnë këtë proces jetik për popullin dhe ata do të fitonin bindshëm sikurse ju e shumë të tjerë po të mos kishit pretendime t’ia prishnit mendjen popullit përmes parasë.”
Edhe figura e xha Bardhit shquhet për tiparet fisnike: “Ka një pamje madhështore e një urtësi të rrallë”, ndërkaq që kryepersonazhi Atdhe Arbëri, është pinjoll i një familjeje atdhetare: “Sypatremburi ka qenë babai i Atdheut?!”.
Sërish autori ka përdorur simbolikën tepër domethënëse të emrave. Adriatik, ky është emri i bababit të kryepersonazhit, në ndërkohë që një sfond tjetër shfaqet në horizont, një sfond që shëmbëllen me valët e kreshpëruara të bregdetit shqiptar:
“Qielli ishte mbushur aty-këtu me re gjigante ngjyrëbardha. Ato udhëtonin me ngut në drejtim të veriut. Dielli disa herë u fsheh pas tyre për t’u rishfaqur përsëri me rreze të ngrohta. Atdheut, ndërsa shkëputej nga rruga kryesore, iu duk se ato rreze po ia ngrohin kockat e zhveshura nga mishi njerëzor.”
Re me bubullima përshkojnë qiellin e Kosovës martire e koha ka lënë vija dhe vrragë në fytyrat e njerëzve, gjë që Bozhlani e paraqet mjaft bukur me një lëvije të lehtë të penës së tij të mprehtë:
“Thinjat e aty-këtushme në kokën e hijshme të Fatosit ia tërhoqën vëmendjen. Për të parën herë ia vërejti. Ato iu dukën si ambasadore të mjerimit të tij.”
Në këtë vorbull ngjarjesh tragjike, autori ka nxjerrë në shesh edhe personazhin e Teutës, një persoanzh të skalitur gjithashtu bukur e me gjithë shtresimet e shpirtit njerëzor: “unë kam vdekur prej ditës që më helmuan dhe kur të dashurin tim ma vranë policët serbë. Shpirti im ka fluturuar. Më nuk kam shpresë se ai do t’i rikthehet trupit. Më parë do t’i bashkangjitet trupi im atij që ndodhet përtej varrit, sesa ai trupit tim. Edhe në këtë botë do të isha e lumtur sikur të mos më merrnin për të marrë dhe sikur të mos më tallnin rrugës.”
Teuta është personazhi që evokon shoqet e dhunuara në luftë, të hedhura në pus e të nxjerrura që andej nga KFOR-i. Ajo kujton plojën e gjakut e të gjamës, ndërkaq që Atdheu flet me dhimbje për të dhe për simotrat e saj:
“Përbindëshat serbë nuk u ngopën, edhe pse e helmuan kur ishte nxënëse në shkollë të mesme, duke i shkaktuar çrregullime mendore, por ia vranë të dashurin student, e dhunuan në luftë dhe ia vranë shoqet në praninë e saj.”
Përmes futjes në roman të dukuirsë së helmimit të një fëmiu përmes çokollatës, autori ka përfshirë edhe një dimension shtesë dhe shumë shqetësues të sfidës së shumëfishtë:
“Shteti serb e ka shtuar dozën e urrejtjes ndaj Kosovës, qëkur u çlirua nga kthetrat e saj me ndihmën NATO-s dhe ne vazhdojmë të ushqehemi nga prodhimet e tyre të dyshimta. Ja, deri ku shkon çmenduria e udhëheqësve tanë”, tha me vete Vegimi.“
Akoma më trishtuar është pamja e radhës, e cila flet vetvetiu teksa personazhi përkujton krimet makabre:
“Edi u ngrit për të shkuar te gremina. I vështroi me vëmendje përmasat e saj dhe mendoi se sa i gjerë mund të ishte ky varr. Në buzë të greminës u ul këmbëkryq duke thithur cigaren herë pas here. Gropa e zhyti në mendime të thella. “Përballë kam shumë eshtra njerëzore që i ka zhveshur nga mishi ky dhé, por as dheu nuk qenka aq i aftë sa t’i gëlltitë eshtrat, mendoi. Shpirti ju ka dalë nën torturat çnjerëzore të atyre bishave që kanë bërë eksperimente me ju, kurse mishin jua paskan tretur këto vite nën dhé, duke mbetur vetëm këto kocka që shërbejnë për tregimin e ekzistencës suaj”.
Nëpërmes personazhit të Edit, autori ka shtruar një varg pyetjesh, të cilat gjithsesi se do të duhej të brenin ata që kryen ato krime, por natyrisht që logjika e tyre nuk ka menduar si ajo e një shkrimtari, i cili bën thirrje për klithje të ndërgjegjës:
“Barbarëve nuk u ka shkuar ndërmend ta vënë dorën mbi zemër dhe për një çast t’i mendonin si nënat, gratë apo vajzat e tyre. Por, barbarët jetojnë pa zemër. Atyre çdo qenie shqiptare ua ka ngjallur oreksin e gjakpirjes dhe prandaj kemi kaq shumë të vrarë, të masakruar, të dhunuara dhe të zhdukur. Mendjen e kanë pasur se në çfarë mënyre mund të shaktonin sa më shumë dhimbje, duke i dhunuar femrat në prani të prindërve, të burrave dhe të familjarëve. Duke i keqtrajtuar djemtë para familjes, duke i masakruar e pushkatuar. Mizorët e kësaj masakre njerëzore si jetojnë sot? A ndihen të kënaqur për këtë mision makabër apo ndihen me ndërgjegje të mykur? Për disa kam dëgjuar se kanë përfunduar në psikiatri. Mallkimi i kësaj dhimbjeje raftë mbi shpirtrat e tyre mizorë!”
Monologu i Edit ka një shtresë krejtësisht të veçantë ndiesie: “Sytë femërorë janë të gjithë të bukur, mendoi. Ata sy kanë mundur ta shohin tmerrin e kësaj bote, para se të mbyllen përjetësisht”.
Gjithashtu, në këtë roman mbizotëron zemër-klithja për t’u “çliruar nga ndërgjegja e rënduar”, por gjithashtu mbizotërojnë skenat me mbetjet mortore, por gjithashtu përdoret në funksionin narrativ edhe poetika e shprehjes lirike, fjala vjen kur paraqitet Kushtrimi duke medituar: “Disa pika shiu të imëta e prekën lehtas në fytyrë dhe e bënë të ngrinte kokën për të kërkuar diellin, por atë e kishin fshehur retë e rënda.”
Shiu bëhet kështu pjesë përbërëse e poetikës dhe e simbolikës shprehëse:
“Atdheun, përgjatë tërë rrugës, e kishte lagur një shi i imët, i cili vetëm sa e kishte përgjumur më shumë. Tërë natën e kishte kaluar në mendime rreth zërit që e kishte pyetur: “Kur do të klithë kjo pritje?”. Ai zë i fuqishëm që e kishte frikësuar deri në asht, nuk i ishte rishfaqur më dhe kjo e kishte bërë të dyshonte se kishte qenë thjesht një halucinacion. E megjithatë, ende shpresonte ta dëgjonte atë zë, qoftë edhe në atë gjendje kllapie.”
Atdheu është kryepersonazhi, gjendja psikologjike e të cilit përballë fotografive flet shumë, madje flet në emër të brezave të tërë:
“Lëshoi një psherëtimë të gjatë dhe tha me vete: “As kësaj radhe nuk qenke gjetur, Fisnik!”. Duke iu afruar, filloi t’i shikonte me vëmendje, ndërsa kërkonte me ankth fytyrën e të vëllait. Të gjitha ato fytyra i njohu, i kishte shikuar me mijëra herë, u kishte folur dhe i kishte pastruar nga njollat e baltës. Po ashtu, ua dinte historinë e çastit të zhdukjes. Fiksoi datat e lindjes së dy djemve…zeshkani kishte qenë njëzet e tetë vjeç, kurse ai me flokë të verdhë, tridhjetë, kur policët serbë i kishin nxjerrë nga kolona së bashku me nuset e tyre. Nuset njëzet e gjashtë vjeçare u qëndronin pranë, të buzëqeshura. Nga shoqja e nënës së tij, Valbonja, Atdheu kishte dëgjuar rrëfimin për atë ditë të kobshme dhe të gjitha ato fjalë i vinin fuqishëm në kujtesë, ndërsa qëndronte përballë fotografive…”
Në ndërthurjen e rrëfimeve nga koha e luftës, Bozhlani ka shpalosur të vërtetën e hidhur për atë që në shumësinë e interpretimit shpesh quhet si bukuri e nemur:
“Atë ditë, një polic me fytyrë të vrazhdë, në gjuhën serbe, u kishte dhënë urdhër kolegëve të tij që ta ndalnin kolonën e të përndjekurve që sa vinte e zgjatej lagje pas lagjeje dhe të gjenin njëmbëdhjetë femrat më të bukura. Bukuria e vajzave atë ditë u shndërrua në mallkim”, kishte thënë e përlotur Valbonja.”
Shumëçka shplaoset në ca pamje të cilat sikur vijnë nga mitet dhe legjendat, e që në të vërtetë është një realitet i hidhur e tragjik, i cili mjerisht ka ndodhur:
“I shkëputën edhe nëntë vajza të tjera nën moshën njëzet vjeçare nga familjet e tyre dhe dhanë urdhër që të ecte kolona.”
Në poetikën e ligjërimit shoqëruar me pikat e shiut shfaqen portretet e atyre që mizorisht u shkëputën nga trualli ku u lindën dhe u rritën: “Atdheut i erdhën para syve të trembëdhjetë fotografitë e tyre, me pikat e shiut që u rridhnin përsipër.” Ndërkaq, nëpërmjet ligjërimit të Vegimit, autori ka projektuar në teknikën e narracionit të tij, mbrojtjen e të drejtave të një kombi, lirinë e tij të shumëpritur:
“- Eshtrat e tyre kanë peshën e thesarit, – shtoi me zë të lartë Vegimi. – Dhe me këtë thesar ne blemë gjënë më të shtrenjtë të kësaj jete, lirinë. Sot me nderime shtetërore do t’i rivarrosim eshtrat e gjetura, ndërsa nesër është 24 marsi, një datë e rëndësishme për këtë tokë ku jetojmë. Zoti na bëri pjesë të kësaj toke, por fqinjët nuk deshën të pajtohen me vullnetin e Tij dhe u sulën mbi ne sikur t’u pëlqente gjaku ynë për pije, mishi ynë për ngrënie dhe toka shqiptare për trashëgimi. Kur u liruam nga kthetrat pesëqindvjeçare otomane, na kapën kthetrat serbe në mënyrë dinake, duke na copëtuar dhe qëndruam nën torturën e tyre për njëqind vite. Gjaku ynë nuk pushoi së derdhuri asnjëherë në emër të lirisë dhe për shijimin e kësaj lirie të shtrenjtë sa vetë jeta, na ndihmuan shtetet nën aksionin e NATO-s, që nesër dhe për çdo vit tjetër do ta rikujtojmë me shumë nderime dhe mirënjohje.
Vegimi i largoi duart nga mbështetësja e karriges dhe nisi të ecte nëpër klasë me duart e lidhura pas.
– Vite të kobshme kanë përjetuar paraardhësit tanë, kur u bë copëtimi i trojeve shqiptare. Në atë kohë, fuqitë e mëdha ua ngopën stomakun fqinjëve tanë me tokat tona. Fuqitë e mëdha ua kishin legjitimuar zërin armiqve tanë, sepse e kishin formuluar kërkesën për pushtim dhe copëtim në mënyrë manipuluese dhe propaganduese ndaj tokës dhe racës sonë.”
Heroizmi dhe sakrifica e breznive orëmira bëhet kështu pjesë përbërëse e një romani i cili dëshmon për historinë, për të djeshmen dhe për të sotmen, në mënyrë që tragjika e së kaluarës të shërbejë si mësim:
“Në krye të kësaj ushtrie ishte Adem Jashari, njeriu që i tejkaloi sakrificat njerëzore dhe e zgjeroi konceptin e guximit përmes angazhimit të tij dhe luftës triditëshe mu në shtëpinë e tij, të cilën ia kishte rrethuar ushtria pushtuese. Bashkëluftëtarë kishte gjyshërit, prindërit, gruan, fëmijët e vegjël, vëllezërit, motrat, kunatat, nipat e mbesat në djep dhe fqinjët. Adem Jashari e sakrifikoi këtë familje të madhe për hir të lirisë që ne sot gëzojmë.”
Nuk është rastësi pse autori ka mbrojtur luftën çlirimtare përmes njërit prej personazheve, poetika e emrit të cilit flet vetë:
“Vegimi u ngrit nga banka dhe filloi të ecte në mes të rreshtit të parë dhe të dytë të bankave.
– Kësaj lufte për çlirim, – tha, kur iu afrua murit, – i erdhi në ndihmë formacioni i lavdishëm ushtarak ajror i quajtur NATO, i cili pas bombardimit e riktheu lirinë në vendin tonë së bashku me formacionin e lavdishëm tokësor ushtarak të quajtur KFOR. Pra, u deshtën njëqind vite torturë, vuajtje, keqtrajtime, persekutime, vrasje, si dhe u desh një luftë me njëzet mijë të vrarë e të masakruar, me njëzet mijë femra të dhunuara, me pesëqind foshnje të masakruara, me 5000 të zhdukur dhe me një milion të persekutuar, për të rënë kambana në këtë planet dhe për të filluar ky aksion shpëtimtar.
Vegimi iu drejtua përsëri bankës së vet nga e cila mori shkumësin dhe u kthye në drejtim të tabelës për të shkruar: 24 mars 1999. Filloi aksioni i NATO-s.
– Ky planet ndieu dhimbje, – tha duke e lënë shkumësin mbi bankë. – U plagos, rrodhi gjak, u copëtua, u robërua dhe u pushtua përherë mu aty ku Zoti e kishte bërë të banueshëm me racën tonë humane. Dhe mu në plagën e këtij planeti, me 12 qershor 1999, u vu kurora e çlirimit, e cila ia ndali lotimin vajin dhe ia ktheu buzëqeshjen e dinjitetit karshi trupave tjerë qiellorë.
Përsëri e mori shkumësin dhe shkoi në tabelë: 12 qershor 1999. Çlirimi i Kosovës.”
Liria si një koncept universal, si një dhuratë hyjnore është ngritur në piadestalin që i takon, dhe së këtë koncept Bozhlani e ka mishëruar si një testamenmt brezash, sërish nëpërmjet ligjërimit të Vegimit:
“- Çlirimi i Kosovës, – tha duke e lënë shkumësin mbi bankë, – ishte kërkesë e tokës, e qiellit, e ajrit, e shiut, e diellit, e hënës dhe e vetë Krijuesit të këtij universi. Prandaj, mirënjohje racave të tjera që e dëgjuan kërkesën e tokës dhe të qiellit, si dhe homazhe gjakut fisnik të racës sonë.”
– Faleminderit, – tha Vegimi. – Juve ju mbartet amaneti për ta kompensuar kohën e humbur të dijes, shkencës dhe kulturës me angazhim të dhjetëfishtë, sikurse bënë paraardhësit për lirinë. Dhe, nëse ju nuk e përfillni këtë amanet, do t’ju ndjekë edhe në varr mallkimi i paraardhësve dhe pasardhësve.”
Vegimi është personazhi që mbase edhe në vete ka referenca autobiografike të shkrimtarit, i cili në mbrojtje të parimeve universale i ka lënë hapësirë edhe penës së shkrimtarit më të shquar shqiptar:
“- Dua të citoj një frazë të fuqishme të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadaresë, që e kam hasur në romanin “Kështjella”, – tha duke iu afruar bankës së mesit. – “Ata që do të jetojnë më vonë mbi këtë truall, do ta kuptojnë se ne nuk e patëm lehtë të ngrihemi kundër përbindëshit më të madh të kohës dhe me sa duket, ne nuk do të kemi kohë t’u lëmë shtatore dhe monumente madhështore, por në vend të tyre do t’u lëmë këta gurë të rëndë të lagur nga ky shi i vjeshtës”. Të dashur nxënës, përmes kësaj fraze, shkrimtari ynë Kadare i justifikon paraardhësit tanë dhe i vë ata para përgjegjësisë pas çlirimit. Siç e dini edhe ju, sot, në këtë vend, disa politikanë janë shndërruar në gogol të popullit duke shpërdoruar dhe abuzuar me përgjegjësitë e tyre. Me rritjen tuaj po e shoh se si po u mbaron koha atyre. Nuk u ka mbetur shumë kohë; ashtu siç i mbushën xhepat në kurriz të popullit, ashtu do t’i zbrazin.”
Bazhlani është treguar mjeshtër në gërshetimin e historisë, në mishërimin e të djeshmes me të sotmen dhe me të nesërmen. Ai është trgeuar mjaft i kujdeshëm që pena dhe armët të qëndrojnë bashkë në mbrojtje të idealeve më të shenjta që mund të ketë një komb. Së këndejmi, Vegimi nuk le pa përmendur edhe kryeheroin Gjergj Kastriotin:
“- Bëmat e tij e bënë pjesë të historisë botërore, – u tha duke u kthyer me trup në drejtim të tyre. – Për këtë arsye e kemi vënë në ballin e çdo klase. Ai çdo ditë kërkon nga ju të jetoni në gjirin e nënës suaj të quajtur Europë . Ai ishte djali më besnik i Europës, por disa herë u zhgënjye nga nëna e tij, që i la fëmijët e saj në mëshirën e të tjerëve…”
Në një procedim të këtillë të narracioni, historia bëhet bashkudhëtare e rrugës së gjatë dhe të mundimshme, kurse dhembje shpaloset e shoqëruar me riga shiu. Historikja dhe tragjikja bashkëjetojnë me njëra-tjetrën:
“Retë që kishin lëshuar shi, ecnin të lodhura si mbas përfundimit të një misioni. Vende-vende, ngjyra e kaltër e qiellit ishte shfaqur bashkë me disa rreze, ndërsa dielli qëndronte i fshehur mbas reve të zbrazura nga shiu. Nën këtë qiell, në praninë e një numri të madh njerëzish u lëshuan nëpër varre trembëdhjetë arkivolet e mbushura me eshtrat e të gjeturve, me ndihmën e familjarëve të përlotur. Posa copat e dheut filluan të përplaseshin nëpër arkivole, e qara femërore u bë më e zëshme, ndërsa nëpër fytyrat e zbehura të meshkujve, lotët e heshtur u shtuan.”
Është edhe një luftë tjetër shafqet në horizont, shumë më tinzare dhe shumë më speciale se lufta në kuptimin klasik, gjë që është shpalosur përmes bashkëbisedimit me nënën:
“Nënës i shkoi buza në gaz dhe më tha: “Jo, biri i nënës, politikanët e mallkuar, mirë që përfitojnë në kurrizin e të gjallëve, por i trazojnë edhe të vdekurit për interesat e tyre banale”.
Dimensioni i kësaj lufte paraqitet në të gjitha format e saj të mundshme sa të tragjikes po aq edhe të absurdit. Ramadan Bozhlani shpalos kështu edhe një të vërtetë tepër të hidhur e me pasoja tragjike të cilat shtrihen deri më sot:
“Që nga koha kur ishte ngritur ajo ndërtesë, Vegimi e kishte konsideruar si një monument të atyre tri shpirtrave. Pronari i asaj toke në vitet e mëhershme kishte qenë një shqiptar i quajtur Dardan, i cili ishte vrarë duke mbrojtur truallin e vet nga uzurpimi i një serbi të quajtur Dragan, të cilit i ishte legjitimuar pronësia nga gjykata serbe. Mbas luftës, djali i Draganit përmes avokatëve e kishte shitur dy herë në të njëjtën kohë, për të përfituar dyfish dhe duke i lënë në sherr dy blerësit shqiptarë, kurse ai vetë ishte zhdukur. Me të drejtë, secili nga të dy blerësit e quante vetën pronar të asaj toke. Ky konflikt mori përmasa tragjike kur njëri blerës, Adriatiku, e kishte vrarë blerësin tjetër, Jetmirin në kohën kur këmbëngulnin të ndërtonin mbi atë tokë njëkohësisht. Pastaj vëllai i Jetmirit kishte vrarë djalin e Adriatikut. Mbas dy viktimave dhe dy të burgosurve nga të dyja palët, familjet ishin pajtuar me ndihmën e pleqërisë.”
Paradokset janë pjesë përbërëse të jetës pas luftës, të lirisë së shumëpritur, e gjithsesi edhe pjesë përbërëse e një romani që flet me gjuhën e arsyes duke i bërë për të satën herë thirrje ndërgjegjes njerëzore:
“Kushtrimi heshti për një kohë, pavarësisht se Vegimi ia bëri një pyetje.
– Jo vetëm mua, por edhe ty mund të të burgosin, – tha duke e ngritur zërin Kushtrimi. – Ne të dy kemi luftuar për ta çliruar këtë vend nga pushtuesi i dhunshëm serb dhe tashmë ndërkombëtaret kanë filluar t’i arrestojnë ata që kanë qenë ushtarë, në bazë të kërkesave të atyre që na kanë dhunuar, dëbuar, vrarë dhe masakruar përgjatë një shekulli.”
Tabloja e bashkëbisedimit të kryepersonazhit me të ëmën e tij është pjesë e kësaj thirrjeje të përsëritur në vijimësi, për drejtësi dhe për paqe shpirtërore:
“Ajo përsëri nuk kishte lëvizur nga karrigia që ndodhej përballë dritares, nga e cila e shikonte përherë fundin e rrugës se mos po shfaqej Fisniku. Atdheu kishte ecur drejt saj me brengë, duke menduar se e dinte arsyen e heshtjes së saj. Me ndrojtje ia kishte shtrirë duart rreth qafës dhe pastaj me kujdes i kishte thënë: “E di pse nuk kthehesh dhe nuk më flet. Ti je duke qarë dhe nuk dëshiron që unë ta kuptoj se je e pikëlluar. Nënë, mjaft u mundove t’i fshehësh lotët nga unë. Ti në këtë mënyrë do që të më kursesh nga dhimbja, por gabohesh, nënë. Edhe unë kështu si ti fshehtas qaj, për të mos të të trishtuar ty. Mundohem ta fsheh dhimbjen që kam për Fisnikun, por kot, ajo na lexohet ty dhe mua në fytyrë. Ti vetë më ke thënë se njerëzit durimtarë i do Zoti. Nuk i dihet… E ardhmja mund të na e sjellë në gjirin tonë Fisnikun. Po e përsëris premtimin: gjithë jetën time do ta vë shërbim të gjetjes së Fisnikut”.
Në penën e Bozhlanit shfaqet rruga dhe gjurmët e saj, kujtimet që bartë koha në fotografi dhe zemër-klithja për nënën si mishërim i një dashurie kulmore sa dhe simbolike për truallin e shqipeve:
“Pastaj e kishte puthur nënën në faqe lehtas. Buzët i kishin ndier një të ftohtë, sikur të kishin puthur një akullnajë. I tmerruar kishte brofur në këmbë dhe menjëherë i kishte dalë para i shastisur. Ajo shikimin e kishte të ngulur në fundin e rrugës, por ishte e zverdhur në fytyrë si asnjëherë më parë. Në prehër, mes dy duarve, kishte fotografinë e Fisnikut. E kishte prekur në krah i shqetësuar, por ajo nuk kishte lëvizur. Pastaj, me zë të lartë, kishte thirrur disa herë “nënë”…
Dromca të kujtimeve shpalosin përmasat e tragjedive njerëzore, shpalosin atë që autori e quan “dhimbja e planetit”. Vrojtuar nga ky prizëm, nuk ka dyshim se Ramadan Bozhlani ka paraqitur në ndërthurjen narrative tepër të veçantë edhe fate njerëzish të cilat brenda strukturës së konceptuar të ligjërimit, shërbejnë edhe si romane të vogla brenda romanit për fatin tragjik:
“Në mendje i erdhi njeriu që mbante fotografinë e njërës prej vajzave të gjetura përgjatë përcjelljes së arkivoleve për në varreza. Ai e kishte pasur të fejuar dhe nuk kishte pranuar të martohej me askënd tjetër duke shpresuar se ajo një ditë do të gjendej e gjallë. Në zemrën e atij njeriu i ishte dukur sikur banonte e gjithë dhimbja e planetit. Deri sot e kishte mbajtur mjekrën, kurse sot e kishte rruar. Për herë të parë kishte veshur kostumin që e kishte blerë së bashku me të fejuarën. Ai sot dëshironte të dukej si dhëndërr dhe të shpallte martesën me eshtrat e asaj vajze, foton e së cilës mbante në dorë. Ai ishte njeriu më i vështruar dhe më i përfolur nga përcjellësit. Atdheut për atë njeri i kishte folur edhe nëna. Ai e kishte shitur shtëpinë dhe çdo gjë tjetër që kishte, për ta vënë në shërbim të gjetjes të saj. Herë pas here nxirrte dhe e fuste në xhep një copë letre. Thoshin se nëpërmjet asaj letre ai do të shpallte martesën para se ta varroste të fejuarën, por ende pa shkuar te varret, e lëshuan këmbët dhe u shtri si i pajetë në rrugë. Mjekët vrapuan drejt tij dhe ia bënë me shenjë ambulancës që të afrohej për ta dërguar në spital sa më parë. Pritja e tij e kotë e kishte ftohur deri në palcë Atdheun. Vuajtja e atij njeriu të mjerë i ishte dukur si një mal karshi vuajtjes së vet dhe për herë të parë e ndiente veten të sfiduar për nga pesha e dhimbjes. “I gjori”, tha me vete.”
Shtresimet shpirtërore janë shpalosur me një gjuhë ligjërimore tepër të rrjedhshme, por gjithashtu në këtë kod të rrëfimit, simbolika e gjërave ka marrë përmasat e zbërthimit shumë domethënës sa dhe të detajuar:
“Gjatë qëndrimeve të gjata në karrige e dëgjonte shpesh nënën duke u lutur: “Zot, bëja vdekjen e lehtë dhe pa dhimbje djalit tim. Zot, sa të jem gjallë, bëma të mundur t’ia përqafoj trupin ose eshtrat”. Edhe një ditë vdekja e privoi nga lutjet, nga shpresat dhe nga soditja e fundit të lagjes. Premtimi që i kishte bërë nënës i erdhi furishëm në mendje: “Gjithë jetën time do ta vë në shërbim të gjetjes së Fisnikut”. Ora me pamje të shqiponjës i nxori gjashtë tinguj të cilët e shkundën nga kujtimet. U mundua t’i shmangte mendimet në atë gjendje të mjegulluar, por ato nuk i shqiteshin; ndërronin vetëm kahje. Tingujt e shtynë të kujtonte Fisnikun dhe xha Bardhin si mjeshtër të skalitjes. Ata e kishin gdhendur këtë orë në dru, duke i dhënë formën e shpendit fisnik. Xha Bardhi i kishte treguar se çfarë simbolizonte kjo shqiponjë në atë kohë. Dy kokat e saj që shikonin me mllef simbolizonin vigjilencën për të identifikuar rrezikun. Dy sqepat e kthyer, forcën për të goditur. Krahët e hapur, gatishmërinë për t’u hedhur në sulm. Këmbët me kthetra, vendosmërinë për ta çrrënjosur pushtuesin. Ora e vendosur në mes që i lëvizte akrepat me ritmin e zemrës, simbolizonte zgjimin në çdo çast dhe tingujt e saj pas çdo tri ore, thirrjen për liri në kohën e pushtimit. Xha Bardhi pas luftës e kishte nxjerrë këtë orë nga dheu ku e kishte fshehur me Fisnikun dhe ia kishte dhuruar nënës. Këtë shqiponjë, nëna dhe ai e konsideronin një ndër gjërat më të shtrenjta të jetës së tyre. Kambana e saj nuk i bezdiste asnjëherë, pavarësisht se në këtë dhomë e bënin gjumin. “
Pyetja e shtruar sërish merr përmasat e zgjimit të ndërgjegjës, e vetëdijësimit të turmës, të masave të gjëra. Ajo është përmasë e zgjimit dhe e ndërgjegjësimit jo vetëm e individit por edhe e kolektivit:
“Atdheun këta tinguj e bënin të mendonte shpesh se mos vallë kjo ishte ndonjë thirrje e shqiponjës për zgjimin e ndërgjegjes, vetëdijes dhe ndjenjave. Por, çfarë thirrjeje mund të bënte shqiponja në kohën e lirisë vallë?! Kështu, duke medituar, e zinte shpesh gjumi sikurse sot.”
Fytyra e nënës është ajo që shafqet dhe rishfaqet aq shumë në roman. Lidhja e kryepersonazhit me të, monologu i tij me të dhe evokimet e kujtimeve, zotimet dhe betimet dhenë asaj, nuk janë një rastësi:
“Nën rrezet e diellit pa shpatin e kodrës. Atje shkëlqenin mermeret e varreve. “Edhe njëzet e një varre së shpejti do të bëhen pjesë e atij bregu”, mendoi duke u ulur në shkallë për të mbathur këpucët. Lëshoi zarfin dhe sytë i shkuan tek adresa e shoqatës së të zhdukurve. Në atë vend kishte qenë me dhjetëra herë me nënën e pas vdekjes së saj edhe vetëm, për të pyetur rreth Fisnikut. Një herë kishte pasur rastin të protestonte para saj në mesin e mijëra të tjerëve, për të shprehur pakënaqësitë lidhur me punën e tyre të ngathët në gjetjen e të zhdukurve. Por, ajo protestë vetëm sa e kishte ulur ritmin e gjetjes së mbetjeve mortore. Herën e fundit kur kishte qenë atje me ftesën e tyre, kryetari i shoqatës u kishte thënë se ka raste kur të zhdukurit i kanë djegur nëpër termocentrale, miniera, fabrika e po ashtu i kanë hedhur nëpër lumej dhe liqene si në vendin tonë, ashtu edhe në Serbi. Nga ajo ditë, Atdheu kishte pësuar një rënie shpirtërore që e kishte bërë të pendohej për betimin që i kishte dhënë nënës. Gjatë këtyre ditëve shpesh e kishte menduar Fisnikun duke lundruar nëpër lumej e liqene, si dhe duke u shkrirë nëpër termocentrale, miniera dhe fabrika të të dyja vendeve.”
Krahas figurës së nënës, autori ia dalur me mjaft sukses për të paraqitur krahas Atdheut si kryepersonazh, edhe njerëzit e thjeshtë me gjithë humanizmin e tyre, duke shpalosur kështu virtyte dhe tipare:
“Vetëm gjatë asaj kohe e kishte kuptuar se sa të varfër dhe sa bujarë janë njerëzit e këtij qyteti. Ata prekeshin thellë kur u kërkonim para për karrocat e invalidëve të luftës. Disa përloteshin, për shkak të pamundësisë për të kontribuar për invalidët. Disa e mallkonin komunën së bashku me shtetin që nuk investonin për mirëqenien e tyre. Sa herë kujtonte atë kohë, i vinte ndërmend njeriu me rroba të arnuara dhe me çizme deri në gjunjë, kur u kishte hyrë në klasë mbas trokitjes. I kishte përshëndetur dhe ishte nisur drejt kujdestarit, duke i nxjerrë paratë nga xhepi i setrës. “Posa i shita drutë dhe këto para i kam bërë nijet për karrocat e invalidëve”, i kishte thënë duke ia dorëzuar në dorë dhe ishte nisur menjëherë për të dalë jashtë. “Na duhet emri juaj, zotëri”, i kishte thënë kujdestari. Ai kishte thënë: “Janë nga një shitës drush” dhe e kishte mbyllur portën shpejt. Aq thellë i kishte prekur saqë atë orë mësimi ia kishinn kushtuar zemërgjerësisë së atij të varfëri. “
E veçanta e këtij romani është fakti se e kqeja përballet me të mirën, lufta me paqen, jeta me vdekjen, por që në esencë gjithmonë është masa ajo që përfaqëson prirjen për të ngadhënjyer e reja dhe pozitivja: “Përgjatë rrugës takoi njerëz të tjerë që ishin ftuar për përurimin e rrugës dhe të cilët e shikonin me kureshtje.”
Një përshkrim të veçantë e në detaje, autori i ka kushtuar hapësirave ku zhvillohen ngjarjet e romanit, si dhe shaplosjes së kujtimeve shkallë-shkallë:
“Atdheu vazhdonte të ndihej sikur të ishte mbi thumba, duke u munduar ta hiqte mendjen nga salla e sportit dhe ta sillte në atë klasë. Disa herë e shmangte shikimin ndaj kujdestarit, se vazhdonte ta brente ndërgjegjja për gënjeshtrën që ia kishte sajuar që nga viti i parë, kur i kishte kërkuar leje që, në vend të babait, të vinte në mbledhje gjyshi i tij. Në atë kohë e kishte të vështirë t’u tregonte të tjerëve se babain ia kishin vrarë në luftë. Nuk e duronte dot që të tjerët ta shikonin me syrin e mëshirës e sidomos të jetimit, madje nuk e pranonte dot as krenarinë që ishte djali i dëshmorit. Për t’u zhveshur nga kjo peshë torturuese, Bardhin ua prezantonte të tjerëve si gjyshin e tij, gjë për të cilën kishte rënë dakord lehtë me Bardhin. Disa herë ia kishte lexuar kujdestarit këto pyetje në sytë e tij: “Përse nuk më ke treguar që ta kanë vrarë babain në luftë? Përse më the se Bardhi është gjyshi yt?”.
Në mes të tragjikes dhe ndeshtarshave të shumta që kanë sjellur padrejtësitë e luftës dhe të jetës, e bardha ka marrë sërish vendin që i takon në sfondin e romanit të Ramadan Bozhlanit:
“Në oborrin e sallës së sportit qëndronin në grupe familjarët me fotografitë e të zhdukurve në duar. Shamitë e bardha shkëlqenin në kokat e nënave, grave, motrave dhe vajzave të të zhdukurve. Shamitë e bardha vihen zakonisht kur ka raste vdekjeje, por sa herë ftoheshin për t’i identifikuar anëtarët e familjes, ato vinin me to në kokë. “Kështu vinte edhe nëna”, tha me vete Atdheu.”
Me një përshkrim të përqëndruar, autori ka proceduar rrëfimin e tij për anët e shumta të përmasave të një tragjedie që ka lënë gjurmë në fytyrat dhe në shpirtat e njerëzve:
“Vëmendjen ia rrëmbyen automjetet e KFOR-it që qëndronin në kolonë në oborrin e sallës, i cili ishte i rrethuar me grila të zeza. Kamionët që i kishin mbartur njëzet e një arkivole prej shtetit serb deri këtu, iu duken të dërrmuar dhe të zymtë. Duke shikuar ata, u radhit mbas atyre që prisnin të hynin brenda. Oborri me grila iu duk si një burg shpirtëror. Fytyrat e zbehta të atyre që ishin brenda dhe që prisnin për t’u futur, shprehnin vuajtje të thella.“
Poetika e ligjërimit është e shfaqur me përshkrime të natyrës, simbolika e të cilave flet vetvetiu ashtu siç flasin mes veti edhe mishi me ashtin, si pjesë të pashkëputura të një etnie, të një dëshmie të pakontestueshme:
“Pas këtyre fjalëve u ligështua shpirtërisht edhe Atdheu. Shpesh kishte menduar se kur do ta merrte lajmin që Fisnikut i ishin gjetur eshtrat, çfarë kohe do të ishte, me bubullima, me shi të rreptë apo stuhi të fuqishme. Shikimin e ngriti në qiell. Atje pa një re gjigante që nxitonte për ta ndërprerë rrezatimin e diellit. Nga skajet e qiellit kishte filluar të nxinte dhe pritej që shpejt do të pushtohej edhe kaltërsia e kupës. “Sikurse tani ishte qielli edhe kur ia morën nga duart nënës serbët e pamëshirshëm Fisnikun, por para se të nisej kamioni në drejtim të panjohur, filluan shkrepëtimat në qiell”, mendoi duke shikuar atje ku zakonisht shfaqej ylli polar. “Ti, nga sot, më nuk e ke emrin Fisnik”, tha me vete dhe e lëshoi shikimin në fytyrën e Bardhit.
– Ç’ke që qan, xhaxhi Bardhi? – i tha me një zë qortues.
Bardhi u nxitua t’i fshinte lotët me shaminë që e mbante në duar dhe e shikoi çuditshëm, duke menduar se çfarë pati kështu.
– Ti duhesh të qëndrosh i fortë, – i tha Atdheu duke ia vënë dorën mbi krah, – sikurse ke qëndruar stoikisht edhe para situatave më të vështira. Në fakt, riatdhesimi i tij mua më gëzon. Pavarësisht se mishi iu tret në tokën e atyre që ia morën jetën, kockat e tij nuk e kanë duruar dot atë dhé. Vetëm do të kisha dashur që sot të ishte edhe nëna këtu e t’ia përkëdhelte eshtrat, siç ëndërronte kur i humbte shpresat për ta gjetur të gjallë… – i tha duke menduar se tanimë ajo po çmallej shpirtërisht në botën tjetër me Fisnikun.”
Nëpërmes një monologu mjaft të gjallë, paraqitet mjaft bukur ana emocionale e kryepersonazhit i cili nuk rresht së menduari për të vëllanë: “Ne shpresuam se do të na vish i gjallë, por sot na erdhe në arkivol nga ai shtet i mallkuar” dhe shpërtheu në vaj. Nga ai vaj, Atdheut iu shter forca për të qëndruar në këmbë dhe u përplas pas shkallëve.”
Retrospektiva e kujtimeve bëhet kështu pjesë përbërëse e këtij regjistri narrativ: “Kaq shumë njerëz të përlotur kishte parë vetëm atë ditë kur policët serbë ua kishin marrë djemtë dhe burrat familjeve shqiptare. Sot, mbas disa viteve, po ata po i dëgjonte duke qarë aq hidhur sa atëherë. Edhe pse ishte i vogël, atë ditë të lemerishme e mbante mend me të gjitha detajet e saj tragjike, që i shfaqeshin herë pas here fuqishëm. Shikimin e lëvizi nga njëra fytyrë te tjetra, me shpresën se mos po i kujtoheshin nga ajo kohë, por në shumicën e atyre pamjeve lëviznin rrudhat trishtueshëm duke i shtuar dozën e dhimbjes. “Ato fytyra të ndriçuara, vuajtja i paska mplakur para kohe”, tha me vete.”
Kodi i ligjërimit shpalos nëpërmes simbolikës së shprehjes edhe shkëlqimin e një bukurie të vrarë barbarisht:
“Në fytyrën e gruas që ishte në fillim të rreshtit dhe që kthehej herë pas here prapa, gjeti gjurmë të njohjes. “A është ajo nusja e re që shkëlqente nga bukuria në atë ditë fatkeqësie, pavarësisht se ishte veshur me rroba plakash, për të mos u rënë në sy policëve serbë?”, pyeti veten. Turma e njerëzve ishte e madhe atë ditë e po ashtu policët ishin të shumtë përreth saj, duke mos i lënë nënat, gratë dhe fëmijët të vraponin pas djemve dhe burrave që ua merrnin dhunshëm, për t’i futur në kamion. Çiftin e ri dhe simpatik ishin përpjekur të gjithë ta fshihnin në mes të turmës, por më kot. Bishat e kishin vënë re dhe u kishin ardhur rrotull si ujqërit qengjit.”
Duke paraqitur në sfond tragjikën e një çifti shqiptar tek përpëlitet në mënyrë lemeritëse mes jetës dhe vdekje në thonjtë e shpirtkazmave mesjetare, Bozhlani ia kadalur të kapërthejë përmasën e tragjikës së përsëritur padrejtësisht, tragjikë kjo e rënë mizorisht mbi tokat tona dhe mbi kokat tona:
“Pastaj e kishte tërhequr dhunshëm burrin e saj, Besnikun, për ta nxjerrë jashtë turmës së njerëzve. Nusja me barrë i vrapoi pas dhe ia lidhi fort duart përreth gjoksit, duke thënë se nuk do ta lëshonte derisa ta vrisnin. Polici shpirtkazmë kishte qeshur me zë, duke thënë: “E shikoni Romeon dhe Xhuljetën shqiptare sa marrëzisht janë të dashuruar, sa duan edhe të flijohen për njëri-tjetrin?! Më vjen keq që këtë dashuri e ndjek çdo herë një fat i hidhur…” dhe e kishte goditur me këmbë fuqishëm mu në bark nusen, e cila kishte rënë pa ndjenja përtokë, pa lëshuar asnjë britmë. Burri i saj, i tmerruar nga goditja fatale që iu duk se ia shkaktoi vdekjen njeriut të tij më të dashur, kishte marrë forcë për t’iu kthyer me grushta policit trupmadh, derisa e kishte lënë të shtrirë përdhe. Më pas, mbi djalin trim u hodhën dhjetë gjakpirës që e kishin goditur pa mëshirë derisa nëna e tij e mori gurin nga toka dhe e goditi në kokë njërin polic duke e lënë të shtrirë, por shpejt mori një plumb në ballë.
Edhe një plak tentoi t’u shkonte në ndihmë, por e qëlluan disa herë me plumba, ende pa arritur të godiste askënd. Breshëritë me automatik mbi kokat e njerëzve i bënë që të uleshin të gjithë. Pas pak arritën policët e tjerë që filluan të qëllonin me shkopinj mbi pleq, gra dhe fëmijë. Më pas kishte rënë heshtja. Vetëm një e qarë pati guximin ta thyente atë rregull që mund të kushtonte me jetë. E qara ishte aq e dhimbshme sa nuk la trup njerëzor pa e rrënqethur, përveç policëve që shikonin të tërbuar se nga vinte. Pastaj filluan ta shikonin qiellin se mos vinte nga lart ai zë. Fytyrat e tyre tregonin frikë kur i panë retë e zeza që kishin marrë formë kërcënuese si asnjëherë tjetër dhe bënë kryqin, duke pëshpëritur lutje në gjuhën e tyre. Nëna kishte thënë me zë të ulët: “Si ka mundësi të besoni në Zot dhe t’i bëni krijesat e tij eksperimente dhimbjeje?”. Pastaj i kishte marrë batanijen që i kishte vënë sipër supeve dhe qe nisur pa iu trembur syri drejt nuses së alivanosur. Të gjithë policët ia drejtuan automatikun dhe e ndiqnin të hutuar, por ajo e mbuloi trupin e nuses e pastaj nën të ia zhveshi dimitë e plakave dhe e nxori foshnjën.
Nëna e kishte mbështjellë me setrën e saj, por foshnja kishte nisur një të qarë edhe më të fuqishme, sa ta shkëpuste shpirtin, duke arritur ta zgjonte nënën dhe babain e vet të alivanosur. Ata nuk patën mundësi të ngriheshin dha ta përkdhelnin se ishin të rraskapitur, por vetëm e shikonin. Pastaj shikimi i tyre u ndesh dhe në faqet e tyre rrodhën lotët. Të gjithë policët e kishin shënjestruar nënën që e mbante foshnjen në duar. Njëri ndër ta u afrua dhe me tytën e automatikut e kishte zhveshur foshnjen dhe kishte thënë: “Aha, qenke vajzë! Sa keq më vjen që nuk do ta shijosh këtë jetë, ku të solli barku i kësaj bushtre simpatike!”. Babai dhe nëna e saj provuan të ngriheshin, por nuk kishin fuqi më shumë sesa të lëviznin qepallat. Polici qeshi me zë dhe u tha: “Turp që nuk jeni në gjendje t’i vini në ndihmë foshnjes suaj!”. Në atë çast në qiell shkrepi një vetëtimë me zhurmë tmerruese, saqë policit iu shkëput automatiku nga dora dhe i ra në këmbë, duke e bërë të rënkonte. Një zë i kishte thirrur nga larg: “Kemi urdhër ta nisim kamionin sa më parë”. Dy policë kishin ardhur shpejt për ta tërhequr zvarrë babain e foshnjës, i cili i zhvendoste sytë herë te nusja, herë te vajza, herë te nëna e vrarë, derisa e vendosën në kamionin që u nis menjëherë. Nisja e kamionit i rizgjoi të qarat vajtuese. Polici me fytyrë të prishur e shkrepi automatikun përsëri sipër turmës, mandej e shikoi foshnjën duke i thënë: “Paske fat që nuk qenke çun, por fati yt s’ka ç’të jetë tjetër, përpos i lavires. Pastaj iu afrua nuses e cila ishte alivanosur përsëri nga dhimbja që kishte për burrin e saj dhe tha: “Kjo paska marrë fund”.
Nuk do mend se në një pasazh kaq të gjatë dhe kaq të detajuar, autori ka paraqitur përmasat e qëndresës në rrethim. Ora e ligë ka rënë mbi kokën e nj kombi të lashtë, dhe se në orën e ligë armiqtë kanë qenë aq shpesh po të njëjtit. Të njëjtat kanë qenë edhe metodat, edhe qëllimet. Zhdukja, shfarosja, gjenocidi!
Tabloja e ndjekë tablonë tjetër. Kujtimet nuk kanë të ndalur mes ankthit dhe makthit që përjeton kryepersonazhi duke shpresuar se do ta gjente të vëllanë e zhdukur:
“Atdheut nisi t’i ringjallej shpresa se mos ai ishte gjallë diku, meqë në grupin e tij nuk ishte. Ndoshta vërtet mund të ishte skllav i ndonjë fermeri serb, siç u kishte thënë avokati. Një valë gëzimi ia përshkoi trupin. Të dy u nisën me këtë ndjenjë për ta rikërkuar që nga arkivoli i parë. Sapo hodhi hapin e parë, Bardhi ndieu një prekje në krahun e majtë. Njeriu që e preku, e thirri Atdheun që të ndalej.
– Më falni, si quhet i zhdukuri i familjes suaj? – i pyeti burri me mustaqe.
– Fisnik Arbëri, – i tha Bardhi duke e shikuar me kureshtje.”
Është drama e individit shqiptar në kapërcyell të shekujve e mu në zemër të Europës. Është përmasa tragjike e një populli nga më të lashtët, që bëhet objekt preje në luftë, por mjerisht jo rrallë edhe objekt talljeje në një paqe të përgjakshme:
“- Edhe unë si nëna juaj bëra çdo gjë për ta gjetur burrin, – tha pas pak duke shikuar arkivolet. – Madje në fund e shita edhe shtëpinë e ia dërgova paratë një avokati serb që më gënjeu se do të ma sillte burrin, por ai nuk m’u paraqit asnjëherë. I qofshin mallkim në këtë jetë dhe në tjetrën! Tash kemi mbetur edhe pa shtëpi. Vetëm edhe një javë e kemi të siguruar banimin, kështu na tha qiraxhiu sot. Nuk po kemi si t’ia paguajmë… Nuk ka faj as ai, mjaft na la pa para.”
Prandaj, romani gjithashtu karakterizohet nga një frymë humanizmi dhe bamirësie për njerëzit në nevojë, për ata që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe që nuk kanë se ku të fusin kokën, siç është fjala vjen gatishmëria e Atdheut për ta ndihmuar zonjën Valentina:
“- Edhe nga komuna kam kërkuar ndihmë, – tha duke shfryrë. – Por, zyrtari përgjegjës kishte qenë i pamoralshëm dhe më bëri ta pështyj në surrat. Prej asaj dite, më nuk desha të shkoja në dyert e tyre. Ndërsa nga shoqatat bamirëse kam marrë herë pas here ndihma.
Atdheu me Bardhin vazhdonin të shikoheshin.
– Zonjë, – tha Atdheu. – Unë jetoj i vetëm në shtëpi dhe atë ambient, që nga sot, shpreh vullnetin ta ndaj me ju.”
E veçantë dhe mjaft e realizuar është edhe pjesa në të cilën Atdheu përballet me ekspertët e huaj. Ndonëse i ri në moshë ai dëshmon një pjekuri për lakmi:
“- Zotëri, edhe unë kam të drejtën për t’i parë eshtrat, – tha Atdheun. – Nuk konsiderohem më i mitur, jam në prag të të tetëmbëdhjetave.”
Edhe përshkrimi i kërkimit të eshtrave në vete ka një psikologji të veçantë dhe ku romancieri dëshmon pjekurinë e verbit narrativ:
“Atdheu u fut në mes të dy skeleteve dhe filloi të vështronte kafkën e skeletit të majtë, kurse Valentina iu afrua kafkës së skeletit të djathtë. Duke parë zgavrat e syve në kafkë, Atdheut i erdhën në mendje sytë e Fisnikut. Nga pamundësia për të gjetur diçka në to, shikimin e kaloi në zgavrat e hundës, pastaj e ktheu kokën nga Bardhi dhe me sy e pyeti se ku e kishte vendosur fotografinë e Fisnikut. Ia shikoi me shumë vëmendje fytyrën e buzëqeshur dhe pastaj u përqëndrua në formën e asaj fytyre. Menjëherë e zhvendosi shikimin te kafka. Pas pak kohe shikimin e kaloi mbi kafkën tjetër, pranë së cilës ishte Valentina, duke e shikuar si e hutuar. Nga brendësia e tij iu ngjit në mendje fjala “e pamundur”. Shikimin e ngjiti në fytyrën e Valentinës, që e vështronte kafkën me përkushtim. “E shkreta, tha me vete, në këtë kafkë po kërkon sytë që dikur ia kishin rrëmbyer zemrën, buzët që dikur e ngrohën shpirtërisht”. Ajo në ato çaste e ngriti shikimin për ta parë Atdheun dhe që të dy i ngritën supet në shenjë pamundësie për t’i identifikuar. Valentina kaloi te skeleti tjetër, kurse Atdheu filloi të shikonte dhëmbët. Bardhi me Jetën, po ashtu, i shikonin me kureshtje nga distanca, bashkë me doktorët.”
Vetë pyetja që shtron e bija për të ëmën (Valentinën), përbën një tragjedi të një brezi të tërë, një makth të papërsëritshëm dhe një ankth që vazhdon deri në përmasat e një agonie të thuash, kolektive:
“- Nënë, cili është babai?- e pyeti Jeta duke iu afruar.
– Ky këtu është babai juaj, – i tha Atdheu duke bërë me gisht. – Kurse ky tjetri është vëllau im, Fisniku.”
Nëpërmjet dialogut të përshkallëzuar, autori ka shpalosur edhe ndjeshmërinë e theksuar dhe shtresimet e shumta shpirtërore përballë tragjedive të përjetuara, e gjithë kjo e projektuar nëpërmes rrëfimit në retrospektivë:
“- Po, ai është babai yt, Jeta, – tha Valentina duke ndier ligështim në zemër. – Ato këpucë ia kam blerë për ditëlindje. Sa herë bënim shëtitje në bulevard, ai e kthente kokën t’i shikonte ato në vitrinën e dyqanit, por mua asnjëherë nuk ma tha se i pëlqenin. Kur ia dhurova për ditëlindje, mbeti i befasuar dhe atëherë më tregoi se sa i kishin pëlqyer. Ato i ruante për raste të veçanta dhe kur atë ditë policët serbë u futën në lagjen tonë për të na nxjerrë dhunshëm nga shtëpitë, ne ishim duke ngrënë. Shpejt kam vrapuar që të vishesha me rrobat e vjehrrës dhe këto këpucë ia kam vendosur para këmbëve Besnikut. Kur i thashë: “Mbathi”, ai më shikoi i habitur, por nuk kundërshtoi…”
Pa dyshim një pamje ngjethëse, nga e cila njëra prej personahzeve lëshon mallkimin e të gjithë brezave:
“- Ime bijë, s’ke pse dyshon, ai është babai yt, – tha Valentina me zë të dridhur. -Edhe pse është në këtë gjendje, sa më shumë e shikoj, aq më shumë po e njoh se ai është. Ata që i katandisën deri në këtë gjendje, Perendia i sjelltë në këtë situatë!”
Po me këto ngjyra është paraqitur edhe alivanosja e kryepersonazhit, i cili tek e merr veten lëshon zemër-klithjen e radhës: “Ditën e mirë njëzet e një yjet e mi”, një gjendje psikologjike kjo mjaft e rënduar, dhe e cila në sfondin e saj shoqërohet me rrezet e diellit pas një shiu të rreptë:
“Kur rrezet e diellit e bënë t’i mbyllte sytë, u çudit duke kujtuar se nga dritaret kishte parë të binte shi i rreptë. “Rrezet i ka të forta dielli mbas shiut”, tha me vete, duke i zbritur shkallët bashkë me Bardhin.”
Kryepersonazhi vazhdimisht shoqërohet nga një ankth, gjendje kjo e cila ka të bëjë jo vetëm me fatin personal por edhe me fatin e të tjerëve. E veçanta e këtyre personazheve është fakti se ata përplasen në mes dallgëve të jetës dhe mëshirës së fatit:
“Nesër Valentina do ta varrosë burrin, kurse Jeta babain dhe bashkë me të, do ta varrosin shpresën e cila i mbajti për shumë vjet në pritje, në mendime, në vuajtje, në kërkime dhe në stërmundime. Atij varri nesër do t’ia dorëzojnë kockat e njeriut më të dashur, që më pas të shkojnë ta nderojnë me vizita të shpeshta. Këto dy qenie të bukura, të ndershme, bujare dhe fisnike i katandisi pritja e ankthshme, duke ua vjedhur kohën nën torturën mizore dhe duke i shpërblyer mbas shumë viteve me lajmin e zi dhe me sjelljen e kockave të njeriut të tyre më të rëndësishëm.”
Mjaft ngjethëse është edhe atmosfera e pritjes në sallën sportive, ku janë vendosur arkivolet me flamuj përsipër, tablo në të cilën Bozhlani e dëshmon aftësinë e përshkrimit të një romancieri që e laton fjalën dhe i kushton kujdes edhe detajit më të vogël, gjithmonë në funksion të efekteve psikologjike që për qëllim kanë zgjimin e ndërgjegjes, sidomos të ndërgjegjeve të fjetura:
“Salla e sportit buçiste nga fjalimet e politikanëve. Atdheu ishte kredhur më shumë se kushdo tjetër në këtë atmosferë, duke menduar se nën këtë çati asnjë ndeshje sporti nuk arrinte të grumbullonte kaq shumë njerëz. Brenda atyre mureve asnjëherë s’kishte pasur njerëz kaq të heshtur dhe të pikëlluar që nxirrnin lot trishtimi. Njëzet e një arkivole të mbuluara me flamujt kuq e zi e ndryshuan rrënjësisht atmosferën për të cilën ekzistonte ajo ngrehinë. Që ditën e parë që i sollën këto arkivole, salla përjetoi një tronditje në themelet e saj dhe vazhdonte të ndihej e tmerruar si nëpër ëndrra të ankthshme. “E shkreta nuk është mësuar me drama të tilla, prandaj e ka marrë këtë pamje gjysmë të trishtë dhe gjysmë të zemëruar”, mendoi ai. Ajo është gati të shpërthejë përmes vajit, duke thënë: “Nëse keni vendosur t’i zëvendësoni lojërat sportive me këto lloj dramash, po filloj të plasaritem deri në rrënim, se nuk mundem ta duroj këtë dhimbje njerëzore, pavarësisht se jam prej betoni”.
Në këtë atmosferë dhembjeje dhe pikëllimi, Atdheu sërish përballet me turmën e përbërë nga njerëzit e përvuajtur, por edhe nga të dhjamurit të cilët qëndrojnë gjakftohtë:
“Të nderuar të varfër, të mjerë, të vuajtur, fëmijë, prindër, familjarë të të pagjeturve dhe të këtyre njëzet e një të gjeturve, invalidë e ushtarë të lirisë dhe ju të pranishëm, deri te kryepërgjegjësi politik i këtij qyteti të trishtuar!”
Kryepersonzhi shtron një varg pyetjesh të cilat janë aktuale edhe sot e edhe mot:
“Çfarë lloj përbindëshi pa zemër paska zbritur në këtë planet? Me çfarë motivi i paska sakatosur deri në këtë nivel? Në emër të kujt? Cili ishte faji i këtyre viktimave?”
Përballë turmës së emocionuar, ai me të drejtë kërkon fajtorin, dhe se kërkesa e tij për të gjetur fajtorin nuk është gjë tjetër veçse kërkesë që ata që kanë bërë krime të përballen edhe me ndëshkime:
“Këtë krim ndaj djemve, vëllezërve dhe etërve tanë shqiptarë e bënë krijesat e llojit tonë, por që i takojnë racës tjetër, asaj serbe. Toka mund të tronditet deri në bërthamën e saj duke nxjerrë nga atje me habi një: “përse?”. Fajin kryesor e ke ti o tokë e bekuar, që këta janë masakruar deri në këtë gjendje! “Mos u tallni me mua sidomos sot, kur vetëpërmbajtja është tepër e vështirë”, do të thotë ajo.”
Nëpërmjet fjalimit të kryepersonazhit, Ramadan Bozhlani i ka thurur një apologji të tërë tokës shqiptare:
“Duke bërë kërdi ndaj nesh, duke tentuar të na shpopullojnë përmes dhunës, torturës, masakrave, vrasjeve dhe persekutimeve, por ne përballuam çdo gjë vetëm që të qëndrojmë këtu ku na zbriti vullneti i Zotit. Ja, edhe këto njëzet e një arkivole e dëshmojnë dhe e faktojnë këtë që po them. Dhe toka do të na thotë: “M’i dhuronime nderime, këta qenkan heronjtë e mi, ndërsa përbindëshave njerëzorë u thoni se nuk u ka mbetur edhe shumë kohë të ecin mbi mua dhe se fundin e kanë tek errësira ime”.
Në një ligjërim të përshkallëzuar emocional, autori gradualisht ia lë vendin ironisë dhe pastaj edhe sarkazmës, duke shpalosur kështu në strukturën e romanit, tragjiken e përmasave të veçanta:
“- Përpos që na i rrëmbyen nga krahët, – tha duke i shikuar arkivolet Atdheu. – I torturuan e i vranë me gjakftohtësi dhe përsëri nuk u ndienë të ngopur. Për ta mbushur këtë vakum egërsie, na lanë të presim gjatë, të shoqëruar me ankth, me shpresë, me dhimbje, me lot, me lutje dhe në fund, duke na bërë që t’i shesim shtëpitë ose tokat për t’ua dërguar paratë që të na i kthejnë të gjallë, por ata na i kthyen në këtë gjendje siç i kemi tani para. Kjo do të thotë që ne i blemë këto eshtra. Dhe ata, presin që ne t’u themi: “Faleminderit që na i kthyet eshtrat e familjarëve tanë”. Atëherë edhe këtë dëshirë po ua plotësojmë: “Faleminderit Serbi!”.
Fjalimi përpara turmës që është mbledhur për të nderuar të zhdukurit, kalon vetvetiu në një akuzë të fortë, akuzë që në mënyrë fare të natyrshme thërret për drejtësi:
“- Edhe pse na e zgjatën kaq kohë dhimbjen për këto njëzet e një arkivole, – tha pikëllueshëm, – ata ende ndihen të etur dhe vazhdojnë të mbajnë edhe mijëra të pagjetur të tjerë, duke i lënë edhe shumë familje shqiptare në pritje, siç ishim ne. Ata që përmes akteve çnjerëzore u shndërruan në figura barbare për ta tronditur deri në shfarosje llojin e vet, errësira e nëntokës po i pret me padurim. Vetëm toka e ka fuqinë e shpagimit, sepse pavarësisht se na ka pushtuar dhimbja dhe na ka gjunjëzuar dëshpërimi, zemrat tona nuk janë të afta të hakmerrën duke ua hequr kokat, t’i gjymtojmë, t’i lëmë të vdesin ngadalë dhe t’i mbulojmë me dhé për së gjalli, siç vepruan ata me më ta dashurit tanë.”
Secila pjesë e fjalimit në vete shpalos një të vërtetë të hidhur, përmasat e së cilës shtrihen edhe pasi që autori e ka përfunduar romanin:
“- Sot, me gjithë nderimet që u takojnë, do t’i lëshojmë nëpër shtretërit e tyre të paqes, – tha pasi mori frymë thellë. – Do t’i mbulojmë me dheun e tokës mëmë, për t’i vënë në gjumin e parajsës së përjetshme. Këto familje mbi dhé që mbartin dhimbje të fuqishme në zemrat e tyre fisnike, a meritojnë që përpos kësaj dhimbjeje të madhe të kenë edhe halle të tjera?! Neve, sot e tutje, na shtohet edhe një brengë, se si t’i sigurojmë paratë për lule kur të shkojmë t’i vizitojmë varret e këtyre njëzet e një trupave heroikë. Por, ka vullnetmirë brenda këtij universi. Natyra sot përmes zemërgjerësisë së saj premtoi të na dhurojë lulet e saj më të bukura pa asnjë qindarkë, për t’i nderuar këto varre. Stina e dimrit u zotua se përmes borës do t’i bëjë këto varre të ndriçojnë më shumë se çdo gjë tjetër. Po ashtu, dielli dhe hëna u zotuan se do t’i nderojnë përmes rrezeve dhe dritës së tyre.”
S’do mend se drama e shpalosur shpirtërore në vetvete shtron edhe pyetje të shumta për përgjegjësinë e elitave politike në gjithë hapësirën shqiptare, në gjithë trojet ku u zhvillua kjo tragjedi në aktet e saj më makabre:
“- Këtë trupa që i kemi para vetes, njëzëri po shprehin mirënjohje për gjithë gatishmërinë e qiellit, tokës, diellit dhe natyrës, – tha pasi e ngriti kokën nga letra. – Kurse nga eshtrat e tyre formuan një kërkesë për njerëzit që janë të veshur me petkun e përgjegjësisë politike, që nënave, baballarëve, nuseve, fëmijëve, motrave dhe vëllezërve të tyre t’ua lehtësojnë barrën duke ua siguruar kafshatën e bukës, strehimin, arsimimin e fëmijëve dhe moscënimin e dinjitetit dhe të moralit të tyre.”
Atdheu me të drejtë kërkon përgjegjësi nga ata që e kanë neglizhuar fatin e të zhdukurve: “Ruajuni mallkimit të këtyre familjeve, se ai mallkim i plasaritë edhe shkëmbinjtë!”
Një oratori e llojit të rrallë me të cilën është dëshmuar Atdheu, e ka impresionuar turmën, në ndërkohë që kryepersonazhi ecën mes reve të kujtimeve:
“Në arkivolin e parë që e mbanin katër ushtarë ishin eshtrat e Fisnikut, kurse në të dytin të Besnikut. Pastaj, të tjerët mbas tyre shkonin drejt varreve.
“Radhitja qenka bërë në bazë të moshës”, tha me vete, ndërsa nisi të ecte pas tyre.”
Me po të njëjtën zotësi, autori ka paraqitur kolonën me arkivolet mbi supe (e cila parakalon nëpër qytet), si dhe pamjen e një fytyre tjetër që bën sehir:
“Fotografitë e politikanëve të pispillosur në të dyja anët e bulevardit që mbanin numra dhe slogane, e nevrikosën. Nëpër ato postera fytyrat e buzëqeshura shkëlqenin nga makijazhi. I erdhi t’i mallkonte, por përsëri e përmbajti veten. Posterat përgjatë tërë rrugës ndodheshin midis flamujve në gjysëmshtizë. Atdheut iu duk për një çast se ata flamuj po mbanin zi për këtë qytet, se çfarë njerëzish pa dinjitet po kandidonin për të marrë administrimin e tij. Në atë çast vërejti duke u nxituar jashtë kolonës Vegimin, të cilin e ndoqi me shumë shqetësim. Ai iu afrua Kushtrimit, i cili kishte qenë duke i hequr fotografitë e politikanëve dhe më pas duke i hedhur nëpër koshat e mbeturinave.
– Sot ka ditë zie, – thoshte me zë Kushtrimi. – Nuk dua t’i shoh këta hajdutë duke buzëqeshur.”
Në mënyrë të përmbledhur është skalitur sërish drama e kryepersonazhit, i cili gjatë gjithë kohës qëndron në krah të popullit, prizëm ky në të cilin Bozhlani e ka dhënë të mishëruar aq shumë dashurinë e ndërsjelltë në binomin Atdheu-Populli:
“Vëlla, tha me vete Atdheu, ky qytet po mban zi për të gjithë ju sot. I sheh flamujt kombëtarë se si e shprehin dhimbjen në gjysmështizë ? Ti dikur e skalite me dashuri një shqiponjë, në gjoksin e së cilës e fute një orë që e mbaje të fshehur nga pushtuesi serb. Atë orë sot e mbaj të varur në murin e dhomës së ndejës dhe e konsideroj si gjënë më të shtrenjtë. Shikoj shqiponjat se si janë shfaqur nëpër flamuj në çdo vend të këtij qyteti. I sheh sa shumë janë? Të gjitha kanë dalë për ju, për t’ju përcjellë me pikëllim dhe nderim për në varr. Para jush keni një burrë patriot që vuan psiqikisht dhe moralisht për hir të familjes që iu masakrua në luftë. I sheh se si ju mbajnë në krahë ushtarët tanë dhe mbrapa jush keni një kolonë të gjatë me fshatarë e qytetarë, invalidë e veteranë të luftës, familjarë të të pagjeturve, jetimë të luftës, profesorë, studentë dhe nxënës?
Në këtë kolonë të gjatë ndoshta ke kërkuar babain dhe nënën, tha duke iu mbushur sytë me lot, por sot fatkeqësisht jam vetëm unë nga familja jonë. Babai u vra në një betejë në luftë. Nëna vuajti shumë për ty. Prej ditës kur të rrëmbyen nga duart e saj, më nuk e kam parë duke qeshur. U tjetërsua në qenien më të trishtë të këtij planeti. Kohën më të madhe e kalonte pranë dritares duke shikuar çdo çast fundin e udhës se mos po i shfaqeshe. Çdo herë bënte lutje të gjata për ty e pastaj ato i vazhdonte edhe kur shtrihej në shtrat.
Pavarësisht se u mundua t’i fshihte lotët nga unë, shumë herë e pata zënë duke qarë. Ajo çdo ditë shkonte te shoqata e të zhdukurve për t’u informuar për ty. Një ditë më tha: “Sikur edhe eshtrat e tij të m’i sjellin sa jam gjallë, do t’ia mbuloj me dhé me këto dy duar dhe pastaj do të shkoja të çmallesha pranë varrit të tij çdo ditë”. Kur një ditë u ktheva nga shkolla, e gjeta te dritarja duke shikuar fundin e lagjes, e thirra disa herë, por ajo nuk m’u përgjigj dhe kur hyra brenda, e kuptova që kishte vdekur. Atje ku do t’ju varrosim, nuk i ke larg as nënën, as babain. Kur të takohesh me ta, përqafoi nga ana ime dhe thuaju se unë vazhdoj t’i zbatoj virtytet të cilat m’i kanë ushqyer me shumë dashuri. Kujtimi për të gjithë ju më jep kurajo ta vazhdoj jetën me ndershmëri”, tha duke i ndier lotët se si i rridhnin nëpër faqe. Kolona vazhdonte pikëllueshëm dhe me rënkime drejt varreve…”
Një dimension të veçantë ka shpalosur autori edhe përmes bisedës që bën njëri nga ngushëllimtarët me xha Bardhin, e ku poenta është sa e qartë po aq edhe aktuale:
“- Faleminderit bacë, – tha Mensuri. – Ju paskeni mbetur pa familje, por po e shijoni së bashku me ne lirinë për të cilën ata dhanë jetën. Liria e këtij vendi ka nevojë për njerëz të ndershëm e të arsimuar dhe modelin e denjë e pashë te ju përgjatë fjalimit. Ju jeni vazhduesi i misonit fisnik të familjes suaj, por në kushte të tjera, që nuk i quaj të lehta, pavarësisht se nuk po na qeveris më pushtuesi, por ne vetë. Mua mbas luftës m’u dha një post në një institucion dhe jam tmerruar kur kam hasur në egoizmin e tërbuar të politikanëve. Ato sjellje dhe qëndrime shpërfillëse në lirinë e ëndërruar me shekuj, më mbërthyen në një skutë të heshtur. Nga pozita që isha e kisha të pamundur ta ndaloja atë ego në kurriz të popullit. Duke mos e pranuar bashkëjetesën e tillë, si përfundim, vendosa të tërhiqesha.”
Duke e nxjerrur në sfond figurën e protagonistëtit të ri (Mensurit) fare në fund të romanit, Bozhlani nëpërmes prozës poetike i ka thurur një himn lirisë së mirëfilltë, për të dëshmuar se liria e mirëfilltë është liri e merituar dhe se si e tillë ajo nuk mund të jetë kurrë nj iluzion apo një farsë:
“ – Ideali për lirinë, – tha, pasi e tymosi cigaren, – më bëri t’i kem katër luftëra mbi supe, betejat e të cilave më hapën plagë të shumta e në të njëjtën kohë, më dhanë forcë që t’u përkushtohem më shumë, deri në shijimin e lirisë në ato vende dhe në fund, në vendin tim. Misioni im ishte liria njerëzore në Gadishullin Ballkanik dhe pavarësisht se sot nuk kam para për t’i shëruar plagët që më rrjedhin nga luftërat, përsëri do të luftoja për hir të lirisë, sepse ajo është më e shenjtë se çdo gjë tjetër mbi këtë dhé. Prandaj ne kemi nevojë për njerëz që e çmojnë dhe e konsolidojnë këtë liri.”
Atdheu si kryepersonazh është zëri i ndërgjegjës dhe i arsyes, zë të cilin Bozhlani e ka artikluar sa me sukses po aq edhe me kjudes të dëshmuar:
“Unë synoj me gjithë qenien time mirëqenien e këtyre njerëzve të mjerë, tha me vete Atdheu, por nuk e di a do të jem në gjendje në të ardhmen ta pranoj një barrë kaq të shenjtë mbi supet e mia të dobëta. Kam frikë se mos po djallëzohem në të ardhmen, meqë na kanë ngjallur frikë këta që me lehtësi kanë marrë përgjegjësi dhe kanë abuzuar me të pastaj në kurriz të popullit. Fatkeqësisht, na kanë mbetur shumë pak njerëz për t’u ndjekur si modele”.
I tillë është edhe personazhi tjetër – Kushtrimi, i cili mishëron dashurinë për atdheun dhe për njerëzit e thjeshtë të popullit, dhe i cili sërish në simbolikën e emrit qëndron krah për krah me Atdheun dhe me Vegimin:
“Mbas izolimit, po rrugëton përsëri nëpër udhët e këtij qyteti”, mendoi Atdheu duke rendur pas tij. “Ky qytet pa ty ishte i zbrazët, ishte veshur me rroba të zeza prej ditës që të burgosën, prandaj çdo hap ia shton lumturinë”. Vuri re se si e shikonin me habi qytetarët nga të gjitha anët. “Ti ishe i njohur, tha me vete Atdheu, por tani je bërë i famshëm për çdokënd në këtë qytet, për fshatrat përreth dhe për të gjitha vendet e këtij shteti. Sot nuk je hero vetëm i të gjallëve, por edhe i të vdekurve. Me aktin tënd të vdekurit i çlirove nga një e keqe që i stërmundonte dhe nuk i linte të qetë atje ku janë. Pas bëmës tënde, nuk besoj më se politikanët do t’i gëzojnë votat e të vdekurve. Më, të vdekurit nuk do të jenë pjesë e listave të votimit”.
Portreti i Kushtrimit është plotësur duke e paraqitur atë edhe nga një dimension tjetër, dimension i cili sa vie e po bëhet gati përditshmëri në mjerimin e një mjedisi të katandisur mes ankthit dhe shpresës:
“I gjori, tha me vete, meqë kishte dëgjuar se politikanët e sotit i bëjnë edhe të vdekurit të votojnë, kishte pasur frikë se edhe familjen e tij do ta bënin të votonte, prandaj pa zbardhur dita e zgjedhjeve politike, kishte shkuar te varret me një lopatë dhe karrocë. Atje i kishte zhvarrosur arkivolet e familjarëve dhe më pas i kishte mbartur deri në shtëpi me karrocë që t’i mbante aty, derisa të kalonte dita e zgjedhjeve, për t’i ruajtur sa më mirë nga grabitja e votës. Kur kalimtarët e kishin parë duke i bartur arkivolet sipër karrocës, kishin menduar se ishte mjeshtër i arkivoleve. Ndërsa sillte arkivolin e fundit në shtëpi, i ishte rrëzuar nga karroca dhe eshtrat ishin shpërndarë nëpër rrugë. Kalimtarët ishin tmerruar dhe kishin lajmëruar policinë se “dikush po vidhte të vdekurit”. Nga ajo ditë, sot bëhen tre muaj që Kushtrimi në burg”, tha me vete duke ndier dhimbje në shpirt. “Në burg duhet të ishin ata që luajnë me dinjitetin e të vdekurve”, mendoi duke shikuar atje ku i kishte vendosur fletët me njoftime për protestën e së mërkurës.”
E gjithë kjo ka edhe një aspekt tjetër që mba vulën e paskrupullt:
“- I paskan hequr njoftimet e protestës! – tha Atdheu me pikëllim.”
Në sfond të këtij realiteti të hidhur shfaqet një formë e re dhe tepër e sofistikuar, e cila doemos se të kujton diferencimin e dikurshëm ideo-politik që zbatonte nomenklatura komuniste për të dëshmuar lojalitetin dhe servilitetin e mjerimit të vet:
“Vegimi nuk u habit aspak nga lajmi që i dha Atdheu dhe u kthye me qetësi tre hapa pas.
– Nuk ke pse habitesh, – i tha duke buzëqeshur. – Azmiu, shoku im i shkollës së mesme është në gjendje të bëjë çdo gjë për t’u hakmarrë ndaj meje, vetëm pse kam kundërshtuar ta votoj. Paaftësinë e tij mundohet ta zëvendësojë me hakmarrje ndaj atyre që e kundërshtojnë atë dhe partinë e tij. Ai më shkarkoi nga detyra e profesorit dhe shumë pak shpresa kam për t’u rikthyer në atë shkollë sa të ketë fuqi politike ai, edhe sikur çdo ditë të bëhen protesta.”
E djeshmja rishfaqet në rrethin e saj vicioz, maskat bien sepse romancieri ua ka çjerrë maskën kameleonëve të shumtë:
“Njoftim, për protestë! Ju ftojmë të na bashkëngjiteni në protestën e së mërkurës nga ora 13:00, përballë komunës, për të kthyer në vendin e tij të punës profesorin e denjë Vegim Berisha, të shkarkuar pa asnjë arsye nga Drejtoria e Arsimit. Përkushtimi i tij madhështor la gjurmë në luftë dhe në edukimin e brezave të këtij qyteti, prandaj ndihemi të obliguar moralisht dhe kombëtarisht që t’i kthejmë shkollës mësimdhënësit me dinjtet, për të mos na rënduar pesha e mallkimit në të ardhmen”.
Përveç zemër-klithjes “Partia në pushtet” (e që paralajmëron sërish zymtësi dhe babëzi të trashëguar nga mendësia komuniste), Atdheu shfaq edhe zemër-klithjen tjetër: “Edhe njëqind e pesëdhjetë e pesë kanë ngelur të pagjetur në këtë qytet, duke i mbajtur në makth familjet e tyre, ndërsa populli ynë ka gjithsej dy mijë të zhdukur aktualisht”.
Gjithë shqetësim dhe ankth është edhe zemër-klithja e Kushtrimit, i cili gjithsesi në vete mishëron idealistin e paepur:
“- Më liruan nga burgu, – thoshte me zë të lartë. – Tani çdo ditë do të më keni pranë. Zgjedhjet e mallkuara ikën dhe juve ju shpëtova nga vota. – Pastaj u ngrit dhe filloi të përqafonte secilin varr të familjes.”
Nëpërmjet Kushtrimit, autori ka paraqitur nderimin që duhet të ketë shoqëria për të rënët e lirisë:
“Kushtrimi ua rrëmbeu vëmendjen përsëri. Ai i kapërceu disa varre dhe u ndal përballë varrit të Fisnikut. E kërrusi shpinën dhe e puthi ballin e tij. Pastaj u ngrit dhe shkoi pranë varreve të dëshmorëve, duke i përshëndetur me dorë në zemër.
– Kushtrimi qenka i lumtur vetëm në mes të varreve, – tha Atdheu duke e ndjekur.
– Këtë lumturi nuk ia ofrojnë të gjallët, prandaj, – tha Vegimi, po ashtu, duke e shikuar se si i përshëndeste dëshmorët. – Madje të gjallët po e bëjnë të vuajë, duke e bërë pjesë të burgut dy herë.”
E veçantë është përmasa e paraqitjes së këtij personazhi: “Kushtrimi kishte harruar që ata ishin duke e pritur dhe ecte mbi varre si duke vallëzuar.” Kështu e ka paraqitur Bozhlani gëzimin tepër domethënës të njërit prej personazheve, ndërkaq që ka shfaqur në sfond edhe fatin tragjik të Teutës:
“Atdheu ia nguli shikimin varrit që ishte jo larg atij të Fatosit, i cili para një muaji ishte bërë pjesë e varreve të të vrarëve në luftë. Mezi kishin rënë dakord me komunën që ta varrosnin aty Teutën, pasi e kishin nxjerrë me mundime nga pusi.
“Ajo e meriton të pushojë në atë vend, pasi e helmuan, serbët ia vranë të dashurin student, pastaj e dhunuan në luftë dhe ia mbytën shoqet në pus”, tha me vete. Ajo ishte e vrarë para gjithë këtyre të tjerëve, pavarësisht se frymoi edhe mbasi ishin varrosur të gjithë ata që u vranë në luftë”. Teuta i kishte thënë xha Bardhit: “Po shkoj te shoqet” dhe atij, pavarësisht se i kishte tingëlluar çuditshëm, nuk e kishte marrë seriozisht. Por, ajo vërtet erdhi te shoqet duke hyrë përmes portës së pusit.”
Romani i Ramadan Bozhlanit në kornizat e strukturës së tij kohore, ka përfshirë historinë dhe përsëristjet e saj ciklike me sfonde tragjike. E djeshmja përplaset me të sotmen, e sotmja paralajmëron të nesërmen. Ankthi dhe makthi janë pjesë përbërëse e jetës tragjike të një brezi, të cilit gjëma dhe gjaku i qëndrojnë mbi kokë si shpata e Damokleut. Autori me të drejtë ka shtruar pyetjen se përse ranë kaq shumë tragjedi mbi ne, madje në mënyrë të përsëritur?! Varrezat masive dhe fati i të zhdukurve e të pagjeturve, bëhen pjesë përbërëse e një realiteti të hidhur, e asaj që me të drejtë është quajtur paqja e përgjakshme. Hipokrizia e disa qarqeve të caktuara, bëhet dora e djathtë e këtij realiteti, pa të cilën dorë ky realitet vështirë se do të mund të ekzistonte.
Përballë janë dy breza, dy botë, dy kahje, dy mendësi. Në njërën anë qëndron Atdheu me shokët e tij, e në anën tjetër qëndrojnë shpirtat e vdekur. Idealizma dhe makiavelizma. Ëndrra për liri dhe orekset e shfrenuara për t’u pasuruar me çdo kusht, madje edhe me çmimin e dinjitetit kombëtar e njerëzor! Në sfond është gjithashtu populli, është shpresa e tij ajo që triumfon përmbi të gjitha katrahurat. Është zemër-klithja e shkrimtarit i cili ua kushton romanin “brezave që do të vijnë”. Duke dëshmuar për krimet makabre, shkrimtari sfidon mizoritë dhe barbaritë e bëra mbi një popull të lashtë e të shumëvuajtur. Duke i bërë thirrje arsyes njerëzore, Ramadan Bozhlani përmes veprës së tij artistike, i ka bërë thirrje ndërgjegjës njerëzore. Duke shfaqur prirjen e tij krijuese, ai ka ka dëshmuar atë që ka paraljmëruar nëpërmes njërit nga personazhet e tij: ”Aftësia e shkrimtarëve qëndron në ngjeshjen e realitetit brenda kopertinave të romanit”.
Nuk ka dyshim se Bozhlani ia ka dalur mjaft mirë në paraqitjen e një relaiteti të tillë të hidhur, madje e ka bërë një gjë të tillë duke thyer klishetë e pa ngarkesa emocionale. Prandaj, nuk është rastësi pse epilogu i romanit në vete mbartë titullin e tij:
“Këmbana e orës e nxori nga ajo botë ëndërruese dhe përsëri po e linte të dremiste përmes tingujve të saj.
– Unë jam klithja e ndërgjegjes! – tha zëri misterioz me oshëtimë.”
Pa dyshim, një epilog i cili jo vetëm që në sfond ka errësirën e cila shpërndahet nga rrezet e hënës, por që shërben si një zemër-thirjje për një katarsis të domosdoshëm:
“- Kush ishte vallë? – pyeti Fatosi.
“Klithja e ndërgjegjes”, tha me vete Atdheu, duke shikuar hënën se si ndriçonte.”
Gjithsesi, ajo që është thënë prej kohësh në Librin e Shenjtë:
“DHE MË THA ËNGJËLLI: NUK DO TË KESH ASKË PRANË, POS VEPRAVE TUA!”…