Rama paralajmëron mbylljen e Institutit të Agron Tufës, për krimet e së shkuarës

0
424

Agron Tufa

PËR MEDIAT!

Dhe Kryeministri Rama foli: “…në pikëpamje të luftës për çlirim deri në 29 nëntor 1944 nuk mund të jetë objekt i një instituti, që paguhet me taksat e shqiptarëve. Çfarë erdhi pas ka qenë objekt i punës së atij instituti dhe i takon Kuvendit që të bëjë vlerësimet e nevojshme në raport me ligjin apo shkeljen e ligjit, apo dënimin (dëmin?) E shkaktuar nga një i tillë institut…” (5 maj 2019).

Nëqoftëse ndërmjetës qenka Ligji dhe respektimi i tij, atëherë qenkemi krejtësisht në rregull, vetëm se Kryeministrin e paskan rrêjt dhe rrêjt besa keq. Siç thoshte poeti i ndjerë Ali Podrimja Kryeministrit i paskan servirë një “rrenë klluqe”. Duket qartë që Kryeministri nuk e ka parë ende këtë nen specifik të ligjit.

Kryeministri i Shqiperisë, z. Edi Rama, nuk duhet t’u zërë besë as enveristëve përreth tij, që e gënjejnë kaq vrazhdë e trashë në lidhje më periudhën që ligji i jep në shqyrtim ISKPK; nuk duhet të më zërë besë as mua, që mund të kem “konflikt interesi” në këtë çështje. A ka punë më të thjeshtë e më të pastër sesa të shohësh vetë ligjin nr. 10242 për Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit”? Aty thuhet gjithçka qartë e shqip:

“a) “Periudha e komunizmit” është periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990, si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944, gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila, më pas, u shndërrua në Partia e Punës e Shqipërisë”. (Neni 3, përkufizime, pika “a”).

Pra si t’ia bëjmë asaj pjesës “si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944”?
Kryeministri për këtë periudhë – para 29 nëntorit 1944 – përdor pjesëzën mohuese “nuk mund”. Po ja pra, që Ligji thotë “mund” dhe ne e kemi zbatuar atë sipas standarteve europiane. Le ta marrë pra përgjegjësinë ai që e ka informuar qëllimisht gabim Kryeministrin.

Dhe pikërisht në këtë mundësi, që hap Ligji për të studiuar krimet e komunizmit edhe para 29 nëntorirlt 1944, ka vend (e them ndershmërisht) realizimi i një prej ideve antikonformiste të shprehura në fillim të viteve ’90 nga Kryeministri vetë, si ky citim pikant:

“Duhet pranuar më në fund hapur, që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile… shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste shqiptare, e drejtuar nga emisarët jugosllavë”
(“Refleksione”, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992, f. 180-181).

Asokohe unë isha student i Letërsisë në Filologjik, i dehur me lirinë dhe miqtë e grupit poetik “E për-7-shme”, mendoja se komunizmi dhe enverizmi kishin rënë, vdekur pëfundimisht. Nuk ia vlente të merreshe përveçse me art, poezi e karagjozllëqe të moshës. Por “Refleksionet” dhe gazetën “Albania” të Ramës dhe Klosit si dhe publicistikën a’la kubofuturiste të Ramës, e lexonim me qejf, sidomos çmitizimin e tabuve, ndër to dhe të luftës së kanonizuar sipas biblës së kuqe enveriste.

Por sot, me 5 maj 2019, Kryeministri më përmendi në mesazhin e tij qetësues për të shqetësuarit e kotë. Përmendi hetimin parlamentar, nëse ne jemi konform ligjit. Dhe… nëse puna jonë ka sjellë dëm…

Dëm kujt? Të vërtetës, apo enveristëve? Ne me punën tonë po provojmë se tezat e tij të vitit 1992 në Refleksione, janë absolutisht të drejta e të vërteta, sepse konfirmohen në arkiva. Edhe këte e kemi bërë konform ligjit, siç e patë më sipër.

Sidoqoftë, Kryeministri duhet të ri-informohet, të mos shurdhohet nga kori enverist dhe përfytyrimet e tyre të përçudshme mbi lirinë dhe pavarësinë shkencore të institutit tonë të Pavarur.

Misioni i tyre është vëtëm shëmtimi. Një katastrofë estetike si ata, përcakton dhe katastrofën etike ku janë katandisur.

Nuk bëhet aspak fjalë këtu për fyerje a cënim të vlerave të luftës. Nëse shëmbëllimi del monstruoz, s’është fajtore pasqyra. Enveristët dhe ish oficerët e Sigurimit, këto dy tumore në trupin e drobitur të Shqipërisë, kërkojnë pushtetin, kanë synimet e tyre (vizione antiutopike për ne), sepse duan të ngjallin së vdekurish kohën e Lugatit.

Nuk mendoj se është e hijshme e as e mundshme për shoqërinë tonë të shkurtohet distanca me Europën dhe BE me këto krijesa të Qoftëlargut.

Kryeministri mund të urdhërojë me pushtetin që ka gjithë ingranazhet e qeverisë dhe Parlamentit. Mund ta mbyllë dhe Institutin tonë, që studion krimet e komunizmit. I ka këto mundësi. Të gjitha. Thellësisht potente. Thellësisht jodemokratike. Sidomos në këtë periudhë kur Parlamenti është monist. Kur vëzhguesit e huaj thuajse nuk ekzistojnë. Kur institucionet dhe shoqatat për të drejtat e njeriut, thjesht janë servilë, tejet të neveritshëm.

Ne s’kemi askënd krah, përveç të drejtës dhe ligjit dhe… po, vetëdijes për ta administruar shkëlyeshëm sferën e lirisë sonë, të cilën, së paku formalisht na e garanton Kushtetuta.

Por ne do të provojmë të mbrohemi me logjikë, arsye e dinjitet, kundrejt një kryqëzate fanatike enveriste, deri më tash, vetëm me solidaritetin e pjesës më serioze të shtypit.


Gazeta Shqip, 5 Maj 2019

Përveç Spartak Brahos që e konsideron “vrasës me pagesë”, edhe kryeministri Edi Rama i ka shfaqur hapur sot në një takim me veteranët e LANÇ, rezervat e tij ndaj kreut të Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa.

Në vazhdën e debatit të ashpër, që vijon prej mëse një muaji, Rama ka sulmuar drejtpërdrejtë në ditën e dëshmorëve Tufën, duke parlajmëruar edhe mbylljen e institutit që ai drejton.

Shefi i qeverisë tha se nuk i beson historisë së shkruar nga fitimtarët dhe se veprimtaria e institutit të drejtuar nga Agron Tufa nuk duhet të shtrihet përpara datës 29 nëntor 1944.

Unë nuk i besoj historisë së shkruar nga fitimtarët, por domosdoshmërisë që ta kapërcejmë atë histori duke mos rënë në grackën e asnjë rehabilitimi të bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe nazizmit dhe mos lejuar që në emër të studimeve të krimeve të komunizmit të cenohet një fije floku kujtdo që mori armët për të luftuar fashistët e nazistët. Qëndrimi është shumë i qartë, çfarë ndodhi dhe si në pikëpamjet të luftës për çlirim deri në 29 nëntor 1944, nuk mund të jetë objekt i një instituti që paguhet nga taksat e shqiptarëve. Çfarë erdhi pas ka qenë objekt i punës së atij instituti dhe i takon Kuvendit që të bëjë vlerësimet e nevojshme në raport me ligjin apo shkeljen e ligjit, apo dënimin e shkaktuar nga një i tillë institute”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se ne “nuk e vlerësojmë si duhet luftën antifashiste dhe gjakun e dëshmorëve, nëse i hyjmë në hak kujtdo, që ka qenë në një pozicion ndryshëm dhe ka synuar çlirimin e vendit nga okupatorët e huaj”.

Dhe fjalinë e mësipërme e pati për figura të caktura, ku siç tha ai bën pjesë edhe Mit’hat Frashëri. Për të, Rama thekksoi se do ta bënte sërish ceremoninë e rivarrimit.

Unë do ta bëja prapë, njësoj ceremoninë për Mid’hat Frashërit. Vija është e qartë. Nuk ka asnjë ekuivok. Ne kurrë nuk do të jemi si socialistë të gatshëm të mbyllim sytë përpara asnjë vepre kolaboracionizmi dhe kolaboracionisti, që pikërisht se ka hyrë në rrugën qore, nuk ka vend në nderimet tona. E vërteta është pak më komplekse dhe është mirë që sot t’i ndajmë me sa mundemi që të mos ua trashëgojmë brezave të tjerë, asgjë nga e keqja që regjimi komunist futi”, tha Rama.

Kryeministri duket se me sulmin e sotëm ndaj Tufës eci në linjën e shtruar nga deputeti Braho, i cili në Komisionin e Ligjeve, kërkoi në fillim të muajit prill edhe shkarkimin e drejtorit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, pas qëndrimeve të tij në lidhje me Luftën Antifashiste dhe dëshmorët e saj.

Janë “vrasës me pagesë”. Unë të thashë se ata nuk janë për pushkë, pasi edhe të parët e tyre nuk dinin të zbraznin pushkë. Por këta janë shumë të djallëzuar dhe i bëjnë atentat historisë. Duan ta shuajnë të kaluarën tonë historike, pikërisht pjesën tonë më të lavdishme. E kjo me dy fjalë don të thotë: të zbresim nga piedestalet heronjtë dhe dëshmorët dhe të ngjisim anti-heronjtë dhe kolaboracionistët si Mit’hat Frashëri, Pater Anton Harapi, Hamit Matjani e kriminelë të tjerë. Ta thashë pak më sipër që Tufa është një shpifës ordiner. Etiketimet që bën nuk e bëjnë atë aspak të besueshëm”, shprehej Braho pak ditë më parë në një intervistë për gazetën “Dita”.

Nga ana tjetër, shkrimtari Tufa, publikoi reagoi duke thënë: “Miq të nderuar, Dhuratën më të çmuar sot për ditlindje ma ka bëre direkt nga salla e Kuvendit bash perfaqësuesi i zi i ish Sigurimit të shtetit, deputeti Spartak Braho. Dëgjojeni dhe, ju lutem, shpërndajeni sa më gjerë ta dinë të gjithë, se si na rezikohet jeta nga këta neandertalë të komunizmit!”.