“QYTETI I FUNDIT” I PETRO MARKOS NJË ROMAN MODERN DHE ME VLERA TË MËDHA POETIKE

0
1388
Anton Nikë Berisha

Anton Nikë Berisha

Vazhdimësi e traditës së prozës së lirë dhe artistike

Kush e lexon me vëmendje romanin e Petro Markos “Qyteti i fundit”, të botuar në Tiranë më 1960[1], dhe e njeh prozën që u botua para tij, nuk e ka vështirë të thotë se kjo vepër është një vazhdimësi e mirëfilltë e përftimit të prozës së lirë dhe artistike, që u zhvillua në traditën shqiptare, duke filluar nga parathëniet dhe pasthëniet e veprave të Pjetër Budi: “Doktrina e krishterë” (1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), të pjesëve të prozës në dramën “Emira” të Françesk Anton Santorit, dhe mbërriti një rrafsh të lartë sidomos me tregimet dhe novelat e Mihail Gramenos, Ndoc Nikaj, Ernest Koliqit, Dhimitër Paskos (Mitrush Kutelit), Migjenit etj. Në mënyrë të veçantë Koliqi dhe Kuteli e ngritën dhe e pasuruan prozën tonë me përbërës të qenësishëm, të cilësuar me një frymëmarrje të gjerë dhe me një art të madh. Në këtë rrjedhë duhet të përmendet veçmas romani “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, i botuar në Tiranë më 1965, një nga kryeveprat e prozës shqiptare të gjitha kohëve.

Romanet “Qyteti i fundit” i Petro Markos dhe “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës përligjin një dallim të madh brenda gjithë letërsisë shqipe që u krijua në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit ose, si thuhet rëndom, të letërsisë së realizmit socialist. Po përmend këtu dhe romanin e Ramadan Rexhepit “Udhëkryqi”, të cilin autori filloi ta shkruajë nga viti 1957, po u botua më vonë në Suedi. Mjerisht, ky roman komunikoi pak me lexuesin dhe në qenësi mbeti i panjohur dhe pa ndikim në prozën tonë.

E kundërta ndodhi me romanet “Qyteti i fundit” dhe “Lumi i vdekur” që në një periudhë përjetuan një komunikim të madh dhe bënë një ndikim të dukshëm në prozën tonë shqipe në përgjithësi, përkundër faktit që kjo gjë u hesht dhe nuk u tha në përmasën e duhur për arsye se sistemi komunist – socialist propagandoi veprat që i përfillën dhe u dhanë jetë përcaktimeve dhe ideologjisë përkatëse dhe i lanë në heshtje ose i vunë në listën e zezë veprat e tjera, që nënkuptoi mos komunikimin e tyre.

Romanet e përmendura të Markos dhe të Xoxës përligjin largimin dhe shkëputjen më të mirëfilltë nga veprat letrare që u krijuan në Shqipëri gjatë gjithë kohës së komunizmit. Ato, para së gjithash, i cilëson një frymëmarrje e gjerë, përkatësisht një rrëfim i lirë dhe i degëzuar, ku shpërfillen gjedhet dhe kufizimet e shtjellimit dhe të shqiptimit poetik të dukurive përmes tekstit si strukturë gjuhësore shprehëse.

Shqiptim i dramës shpirtërore dhe i dramës shoqërore politike

Në romanin “Qyteti i fundit” shqiptohen dramat shpirtërore të një varg personazheve dhe drama shoqërore dhe politike në Shqipëri në mbarim të Luftës së dytë botërore, kur fashizmi në Itali mori fund dhe qytetarët italianë që ishin vendosur në Shqipëri presin (në portin e Durrësit) të kthehen në atdheun e tyre. Pra, Petro Marko bëri objekt trajtimi poetik një kohë historike plot drama e pësime shpirtërore, po gjithë kjo do të mbetej një kronikë e rëndomtë sikur autori gjithë këtë të mos e shqiptonte përmes rrëfimit dhe strukturës gjuhësore shprehëse të menduar, të mos i krijonte vetë ai dramat dhe pësimet në jetë dhe pësimet shpirtërore të personazheve. Me pak fjalë, brenda dramave, kolektive e individuale, Petro Marko i përftoi dramat që si të tilla bëhen më të veçanta e më rëndësishme. Ai nuk është përshkrues i asaj që ndodh, po e krijon atë që e shqipton, atë që e rrëfen.

Petro Marko niset nga konkretja, niset nga ngjarje që shiheshin e përjetoheshin, që mund t’i ketë përjetuar dhe vetë autori, por ajo që krijoi ai përmes tekstit është fryt i mendjes dhe i botës së tij të brendshme, i asaj që ndieu, i përfytyrimit dhe i imagjinatës së botës së tij të pasur. Njëmend ai zgjodhi atë që është më e rëndësishme dhe më dramatike nga gjithë ajo që ngjante në rrjedhë e jetës së përditshme; i zgjodhi çastet më dramatike dhe pësimet më të mëdha shpirtërore të atyre që kishin ardhur në Shqipëri nga shtatë prilli i vitit 1939, bashkë me eprorët, me ushtarët, ose kishin ardhur për qëllime të pasurimit etj., po të gjitha këto marrin ngjyrimin dhe qenësinë e botës së brendshme e të shpirtit të autorit, i cili rrëfen për atë që njëherit është edhe drama e shpirtit të tij që si e tillë ndikon më shumë në marrësin. Dhe ai që e lexon me vëmendje romanin “Qyteti i fundit” bindet se Petro Marko dëshmohet mjeshtër i madh rrëfimit, i fjalës poetike.

Strategjia e shqiptimit të dramës shpirtërore dhe të dramës shoqërore, dëshmohet edhe tek personazhet e tek pësimet e tyre në rrafshe të ndryshme, jo vetëm të italianëve: Karlo Perone (Arnoldo Massa), Ana Maria Monte, Ipaemri, Danillo, Çekatoni, Ugo, Xhuzepe, çifti Gaetano dhe Franka Monti, Rodolfina dhe Xhordani etj., të cilët për t’u kthyer në atdhe, i presin anijet në portin e Durrësit, ku kanë ndërtuar qytetin e fundit me tende, me batanije etj., po dhe të shqiptarëve, veçmas të partizanëve Raqi, Bejko, Mara, Bedrija dhe të eprorëve të tyre, majorit, Agronit dhe togerit, Lekës.

Romani të trondit para së gjithash për shumësinë e zërave dhe e të dyshimeve të individëve, po dhe asaj që ndodh brenda një njeriu. Në veprat e letrare që u krijuan në Shqipëri për gati gjysmë shekulli kjo ishte e huaj.

Në konceptimin e rrëfimit dhe të sistemit shprehës poetik Petro Marko njëson kohët, ngjarjet, pësimet, tragjikat; në shumë raste i jep jetë kohës subjektive, që nuk i kundërvihet asaj konkrete, po e thellon përmasën e shqiptimit të dyfishtë: shtrihet në rrafshin vertikal dhe horizontal, pra i jep një gjerësi dhe thellësi gjithë asaj që shprehet në vepër.

Rrëfim i lirë dhe shumë shtresor

Ajo që e bën shumëfish të rëndësishëm dhe artistikisht të ngritur romanin “Qyteti i fundit” të Petro Markos është mënyra sesi autori u qaset dhe i shqipton ngjarjet dhe dukuritë. Nuk është as tematika, as aktualiteti i saj, as rrëfimi në retrospektivë (që është përmendur si çështje e rëndësishme e këtij romani) që e bëjnë të vlefshëm dhe modern këtë roman të Petro Markos, po sistemi i të shprehurit, mesazhet dhe tablotë që përftohen përmes tekstit, përmes shprehjeve me ngarkesa të shumta kuptimore, që nuk u përdorën në veprat letrare gjatë kohës së periudhës së të ashtuquajturit realizëm socialist në Shqipëri. Pra, mënyra e shqiptimit dhe gjuha që përdor autori në tekst, bashkë me rrëfimin shumë shtresor, të degëzuar në rrafshe të ndryshme, gërshetimi me dialogë të brendshëm që e përdorin personazhet, herë – herë me dialog të dyfishtë si mjet i rëndësishëm për të rrëfyer e për të depërtuar në dramën e rrjedhës së jetës e të njerëzve, e bëjnë këtë roman modern dhe me vlera të mëdha poetike.

Kjo strategji e shqiptimit mundëson që të depërtohet më thellë në qenësinë e dukurive, të ngjarjeve, të fatit të personazheve dhe në veçanti të botës së tyre të brendshme; t’i kundërvihet nga thellësia moralit zyrtar që ishte shumë i pranishëm dhe i zëshëm, po në qenësinë e tij rrënues.

Petro Marko nuk i kundërvihet atij me fjalë të mëdha të karakterit retorik, siç vepruan shumë shkrimtarë gjatë gjithë sistemit komunist, duke i kushtuar himne e lavdi këtij morali të shpifur dhe në qenësi të dëmshëm, po përmes një rrëfimi të menduar, një gjuhe figurative, një sistemi të të shprehurit që i cilësojnë veprat e mëdha të artit të fjalës.

Në këtë roman, siç u tha, rrëfim është i lirë, s’ka kufizime tematike ose ideologjike. Autori rrëfen njësoj për dukuri të bukura dhe të shëmtuara, për veprime të mira ose të këqija, për personazhe pozitivë dhe për personazhe negativë. Ai nuk i zbukuron gjërat, po i shpreh në lakuriqësinë e tyre; ndonjëherë e shpreh edhe atë që për atë kohë ishte e “parëndomtë”. Petro Marko të zezës i thotë e zezë dhe të bardhës i thotë e bardhe; i shqipton veset dhe virtytet jo vetëm të personazheve të ndryshme, po edhe brenda një personazhi: në një rast dhe në një veprim ai del i mirë, me plot virtyte, në një rast tjetër, dëshmon vese, të keqen dhe egërsinë brenda tij, ashtu siç ngjet dhe në jetën konkrete.

Petro Marko i gërsheton dhe i ndërthur shtresimet e ndryshme të rrëfimit: gjatë një rrëfimi ose dialogu autori (rrëfimtari – narratori kryesor) u kthehet atyre gjërave që personazhet duhet t’ia thonë vetëm vetes ose kishin menduar se duhet t’ia kishin thënë; futën copa tekstesh që e ndërpresin për një çast rrëfimin kryesor, po në qenësi e plotësojnë dhe e bëjnë më të larmishëm, më të vlefshëm dhe më komunikues.

Dëshmimi i lirisë personale si qenësi

“Qyteti i fundit” është një nga veprat me personazhe më komplekse (të ndërliqshëm) të prozës sonë romaneske të krijuar gjatë gjithë kohës së sundimit komunist në Shqipëri, e kundërta e shqiptimit bardh e zi, që u bë parimi kryesor për hartimin e veprave letrare dhe e zhveshi letërsinë nga thelbi i saj artistik. Petro Marko dëshmohet gjurmues i rrallë i botës shpirtërore të personazheve dhe krijues i gjendjeve të tendosura shpirtërore, i dramave të brendshme e të jashtme dhe i shqiptimit të tyre përmes një rrëfimi poetikisht të ngritur.

Pra, mënyra e përftimit të personazheve dhe shpalimi i dramave shpirtërore në forma të ndryshme, po ashtu përligjin vlerën dhe modernitetin e romanit. Ata bartin në vete shumësi veçorish dhe përligjin lirinë e pafund të të menduarit e të veprimit; janë të vetvetes edhe kur shpalosin virtytet e mirëfillta, edhe kur rrjedha e jetës i përplas nëpër hulli të errët dhe të ndërliqshëm dhe veprimi i tyre bëhet i dëmshëm. Ata janë të moshave, të shtresave dhe të karaktereve të ndryshme.

Në pjesën më të madhe të romanit personazhet bëjnë një dialog shumësor para se gjithash me veten e tyre, po dhe me tjetrin. Brenda dialogut të rëndomtë me tjetrin, kemi dhe atë që shprehet me zërin që e dëgjon vetëm individi që vepron ose flet (rrëfen); të kujton tekstin e dramave që shkruhen për t’u vënë në skenë, ku kjo mënyrë shqiptimi është më e pranishme, për të mos thënë e domosdoshme. Kjo mundëson shpalosjen e shtresave dhe të përbërësve më të fshehtë të botës shpirtërore; gjëra që përjetohen dhe i rrëfehen vetëm vetes, askujt tjetër.

Secili personazh përligj disa zëra, që konkretizohen përmes veprimeve, po bota e tyre e brendshme shpaloset edhe përmes asaj që ata thonë ose rrëfejnë; këto zëra këmbehen e ndërthurën në mënyrat nga më të ndryshmet, ashtu siç ndryshojnë dhe gjendjet shpirtërore ose rrethanat në të cilat gjenden. Gjithë kjo kushtëzon një shqiptim sa thellësor aq dhe artistik të dukurive dhe të botës. Një rrëfim i rëndomtë nuk mundëson një gjë të tillë.

Petro Marko nuk shpreh anim përballë personazheve: nderim ose urrejtjeje; ai gërmon dhe e shpalos atë që një krijuesi të rëndomtë i shpëton. Kështu, laviren dhe njëherit bukuroshen e jashtëzakonshme, Ana Maria Montin, e ndërton dhe e shpreh si një personazh të ndërliqshëm, sa kundërthënës, aq dhe me drejtpeshim, me parime dhe me ndjenja që e cilësojnë njeriun e ndershëm; shpalos një moral sa të përmbysur, të ndërtuar në bazë të interesit dhe të kënaqësisë, po aq dhe veprimin e njeriut me parime dhe të ndershëm, që dëshmohet veçmas me dashurinë që ndien ndaj Lekës, eprorit partizan. Ajo ka një shkathtësi të pazakonshme të mendjes: u nënshtrohet rrethanave dhe pësimeve për arsye se nuk kishte rrugë tjetër: mashtrimin që i ishte bërë qysh në Itali kur vendos të niset me Karlo Peronin nuk mund ta zhbënte dhe ishte e detyruar të zhytej dhe të luante lojën e moralit të atyre njerëzve.

Në çastin kur ndien dashurinë e një partizani shqiptar – epror, ku gjen atë mirësi dhe atë që nuk e kishte gjetur tek asnjë burrë që ia kishte shfrytëzuar trupin e saj të bukur, ajo bëhet e vetvetes, ndihet e mirëfilltë, e plotë; shkel në çdo gjë të ndytë që kishte bërë dhe e vijëzon jetën e saj, të ardhmen e saj. Ana Maria Monti herë – herë dëshmon se është e mirë, e drejtë, e denjë, një herë tjetër të kundërtën: “Ta kishte parë Leka në këto çaste Ana – Marinë, do të ishte tmerruar. Si u kthye ajo bukuri në një shëmtim të egër? Si ndërruan ata sy të ëmbël, që ndillnin dashuri, në një furtunë e thëllim të egër, ku shprehej diçka tronditëse” (f. 95). Meqenëse nuk ia del ta plotësojë këtë synim dhe këtë gjë, i jep fund jetës duke u hedhur në det nga anija që po nisej për t’u kthyer (me prindërit) në Itali.

Një personazh tjetër mjaft i ndërliqshëm është Karlo Perone (Arnoldo Massa). I mbytur në vese dhe i drejtuar nga interesa të shumta e të ndyta për t’u pasuruar dhe në kushte të luftës (në Shqipëri i mbyt bashkatdhetarët italianë dhe kufomave ua mbush barkun me ar dhe i nis në Itali), ai paraqitet me shumë fytyra; u bën keq shqiptarëve dhe italianëve, e ndërron edhe emrin dhe përkundër përpjekjeve të organeve përkatëse ia dalin të zbulojnë vetëm në portin e Durrësit, pak para kthimit në Itali; përshtatet sipas gjendjes në të cilën ndodhet; herë e urrën dhe bën përpjekje ta zhdukë Ana Maria Montin që të mos i tregojë veprimet kriminele që kishte bërë, herë i rishfaq dashurinë e tij të zjarrtë; i afron dhe gjithë arin që kishte nisur në Itali përmes kufomave. Pra, gjithë kohën luan një lojë të dyfishtë e të trefishtë për t’i përmbushur qëllimet e veta djallëzore.

Edhe personazhi i togerit shqiptar, Lekës, është mjaft kompleks. Ai i përmbahet moralit partizan dhe kodit moral të trashëguar nga të parët: nderimin e tjetrit edhe në rrethana të vështira, ruan gjakftohtësinë edhe në gjendje të rënduara, ndonjëherë ta pazakonshme; drejtpeshimin në veprimet, qoftë përballë partizanëve, qoftë përballë italianëve në portin e Durrësit që presin anijet të kthehen në atdhe; e kupton tjetrin në gëzim dhe në fatkeqësi dhe synon të jetë sa më i afërt dhe i drejtë me njerëzit. E kupton në thellësi tragjiken e lavires – bukuroshes, Ana – Maria Montit dhe bindet se është viktimë e tjetrit, e rrethanave. Bindet se ajo e dashuron mirëfilli, po morali partizan nuk i lejon ta përmbushë dëshirën e saj dhe dëshirën e tij: fatkeqësia mund t’i bashkojë dhe njerëzit me karaktere dhe pozita krejt të ndryshme. Leka e përjeton dramën e saj për arsye se ajo dramë bëhet edhe e tij. Ky personazh ka një botë të pasur shpirtërore dhe kjo e shpëton në vorbullën e luftës dhe të dramës që shkakton ajo.

Qenësia e të shprehurit poetik

Çështja që e bën romanin “Qyteti i fundit” me vlera të mëdha poetike dhe në të njëjtën kohë roman modern, që si i tillë hyn në rrethim më të ngushtë të romaneve më me vlerë të shkruar në gjuhën tonë, është sistemi i të shprehurit, përkatësisht teksti gjuhësor poetik i përftuar me shumë përkushtim dhe dije. Pra, ajo që përcakton qenësinë e kësaj vepre është se Petro Markos përdor një shprehje krejtësisht të lirë, jashtë çdo kufizimi shtjellues, tematik dhe kuptimor, thuajse vepra të mos ishte shkruar dhe botuar më 1960, po janë arsye të veçanta që kushtëzuan këtë botim, siç na thotë vetë autori: Qyteti i fundit” botohet pa asnjë ndërhyrje nga redaktorët dhe recensentët, pra është vepër krejtësisht e tij. Kështu del në librin “Intervistë me vetveten. Retë dhe gurët”:

“Petro Marko na ka dërguar këtu (në N. Sh. Botimeve “Naim Frashëri” – v. ime) një roman me një natyralizëm që nuk i shkon realizmit socialist. Erdhi dhe e tërhoqi romanin, se nuk i pranoi vërejtjet që i bëmë për të mirën e tij” (thotë redaktori Spiro Xhai – v. ime).

Mehmeti (Mehmet Shehu – v. ime), pasi e dëgjoi, qeshi dhe tha:
– Ai nuk më dëgjoi mua dhe jo të të dëgjojë ty…Merrja romanin dhe botoja ashtu siç e ka shkruar ai vetë.

Kështu që romani “Qyteti i fundit” u botua pa hequr asnjë presje, prandaj edhe është romani më i arritur ndër romanet e mia[2]”.

Petro Marko ishte i vetëdijshëm se mëvetësia dhe burimsia e një vepre letrare përligjet nga mënyra e shqiptimit të dukuritë dhe të përftimit të strukturës gjuhësore shprehëse. Pra, e rëndësishme për të ishte si të thuhet një dukuri, sesa çka thuhet. Pikërisht këtë parim autori e zbatoi fund e krye romanit; shprehu diçka të veçantë; krijoi gjendje e tablo të cilat sa ndërlidhen me rrjedhën e jetës së përditshme, po aq shmangen dhe largohen nga ato. Në qenësi, Petro Marko krijoi diçka që i thotë më shumë marrësit, lexuesit, që e pushton më shumë dhe ndikon më ndjeshëm në të. Brenda të zakonshmes ai përfton të pazakonshmen e veçantën, po që receptohet (pranohet) si e zakonshme. Shpreh atë që është e fshehta e të zakonshmes dhe e cila e bën të zakonshmen më të pasur, më të rëndësishme. Në këtë strategji krijuese, kumti poetik bëhet më i qenësishëm dhe më i degëzuar dhe i jep tekstit vlerë, me çka dëshmohet natyra dhe qenësia e artit të fjalës: paanësinë e kuptimit të mesazheve; sa më shumë që të rrënohen kufijtë e shqiptimit të të rëndomtës përballë përftimit të realitetit të ri, qoftë si përkim, qoftë si kundërvënie, aq më shumë vepra letrare poetike bëhet më me vlerë dhe ndikon më mirëfilli në marrësin, pa marrë parasysh moshën dhe kohën.

Petro Marko është dëshmuar mjeshtër i madh në ndërthurjen e realitetit dhe të përfytyrimit, përkatësisht të njëmendësisë së përditshmërisë me njëmendësinë e imagjinuar. E para (njëmendësia e përditshmërisë) i shërben si nxitje, si nismë, e dyta (njëmendësia imagjinative) si qenësi, si konkretizim në tekstin letrar. Pikërisht teksti i tillë bëhet më cilësor dhe me mundësi ndikimi estetik më të madh. Teksti që synon kumtin e zakonshëm, thjeshtësinë, qartësinë e dukurisë, pra synon të ketë vetëm një kuptim, është i zhveshur nga cilësitë e tekstit poetik, nuk mund të bëjë ndikimin estetik tek marrësi.

Po sjell disa shembuj që e përligjin qenësinë e kësaj mënyre të krijimit të tekstit poetik e të mundësisë së komunikimit dhe të ndikimit estetik, për arsye se të tillë mund të sillen të thuash nga çdo faqe e romanit.

“[…] I paemri shikonte nga shkëmbi i Kavajës, prej nga hera – herës lëviznin si shkopinj të gjatë zjarri dritat e automobilave. Yjet nisen të dilnin dhe kënga e lehtë dhe monotone e valës dëgjohej si e shuar” (f. 5)

“Siç duket, edhe nata ua kishte qarë hallin këtyre familjeve që kishin për dyshek gërmadha moli dhe për mbulesë qiellin blu e plot yje dritë të Shqipërisë” (f. 21).

“Çështje orësh është! – i thoshte Leka Frankës dhe shikonte shkëmbin, ku tani s’ishte më ajo perri e çuditshme, po në vend të saj një burrë që s’lëvizte. Dhe Leka ndjeu dëshirën ta shikonte edhe një herë, se, sa luftë kishte ndezur në vetvete: “Ëndërr është apo e vërtetë? Dhe, nëse nuk ishte ëndërr, ishte kaq e bukur, sa m’u skalit në kujtesë, apo hëna e kishte stolisur me petkun e artë të bukurisë përrallore” (f. 44)

“Sa histori të zgjatura, të errta, të fëlliqura mund të kenë shumë prej këtyre njerëzve këtu, si rruga e tyre e gjatë, e errët, e fëlliqur!” Dhe ecte me hapa të matur, duke u kujdesur se mos shkelte mbi ndonjë të shtrirë. Nata ngrohej nga një frymë e vakët dhe deti tej e tej sikur mendonte se si do ta priste hënën, që ende dukej se stolisej prapa maleve, për të dalë sa më e veshur me petka të arta, të qëndisura me ëndrra dhe kujtime” f. 65)

“Hëna u derdhte ngjyrë të vdekuri në shpinë” (f. 72).

“Deti, pjesë – pjesë, bëhej me mornica nga mistrali i lehtë që nisi t’i afrohej edhe bregut, kurse thellë era kafshonte lehtë valët që nxirrnin vetulla të holla të bardha” (f. 81).

[…] humbiste edhe më shumë nga një diçka që i kishte mbërthyer zemrën si një gaforre, dhe ia shtrëngonte e ia shtrëngonte gjersa, siç duket, ndonjë kthetër ia shpoi qesen e lotëve, që nisën të buronin e të rrokulliseshin pika – pika, duke ndjekur njëri – tjetrin mbi faqe, e të humbisnin në gushën e në gjirin e saj, që ulej e ngrihej si ndonjë varkë pulëbardhë në furtunë. f. 263

Lotët i dilnin, i rrëmbente deti dhe i shkrinte në zemrën e tij të madhe. Çudi!Vetëm deti e dinte se Ana – Maria lotonte. Se, po ta shikonte njeri, do të kujtonte se ishte e qetë dhe e gëzuar. Ndoshta edhe ajo vetë nuk e kishte ndier se sytë e saj pikonin lot. Kujtonte se nga qepallat rridhnin lot deti. Kujtonte se tërë ky det ishte kupa e lotëve të njerëzimit…f. 207

“Heshtje! Zëri i zemëruar i gruas duket se ishte zëri i fundit i asaj nate. Po sa zëra të brendshëm ende gumëzhinin tek ata që me sy hapur flisnin me detin ose me hënën, me të djeshmen e me të nesërmen” (f. 121).

Për të mos u ndalur te secili shembull veç e veç), po e vështroj shkurtazi vetëm tekstin e fundit, shumësinë kuptimore që e cilëson dhe realitetin poetik që krijohet përmes strukturës gjuhësore shprehëse. Zëri i gruas është zëri i zemëruar i natës; këta zëra i japin njëri – tjetrit dhe e kushtëzojnë tablonë e zemërimit të mbërthyer në terrin e natës. Pamja zgjerohet, pasurohet dhe thellohet edhe me zërat e tjerë, të atyre që në natë flisnin me sy hapur dhe me sy hapur flisnin me detin dhe me hënën, po flisnin edhe me të djeshmen e me të nesërmen, pa asnjë dyshim një pamje e pazakonshme, kuptimisht e pafund dhe me mundësi ndikimi estetik të madh. Tekste të këtilla nuk i gjen në asnjë vepër që u botua para vitit 1960 e deri më 1992, kur u përmbys sistemi komunist.

Romani “Qyteti i fundit” është një kundërvënie e fuqishme dhe e pandërmjeme gjithë asaj letërsie që u krijua dhe u bë mbështetje e përcaktimeve dhe e ideologjisë komuniste, e cila e ktheu letërsinë në një vegël të verbër të sistemit, duke e zhveshur nga arti i vërtetë dhe nga mundësia e ndikimit estetik që është qëllimi kryesor i çdo vepre të artit të fjalës.

Në vijim po sjell dhe disa shembuj të tjerë, që e dëshmon në mënyrë bindëse vlerësimin e dhënë më lart për vlerat e mëdha poetike të këtij romani:

Më pëlqen rruga e hënës mbi det. f. 7

Uli kokën (personazhi Xhyzepe) dhe pranë këpucëve të tij të grisura pa kësulën e zezë që nxinte si ndonjë sorrë e ngordhur. f. 15

Po… po, – dhe përsëri buzëqeshi me pikëllim. f. 17

E ndali frymën dhe dëgjoi fëshfërimën e lehtë të valës që lëpinte faqet e thepisura të blloqeve të thërrmuara, të ushtonte si dallgë brenda tij. f. 20

Thonë se deti i ndezur të ndez më shumë dhe sidomos kur pranë ke një ëndërr që fle! f. 25.

Qetësi! Shtylla të gjata të molit të shembur, si gjigantë që dalin nga fundi i detit! Më tej drita e kuqe e fanarit që zhdukej për një çast e përsëri dilte, sikur donte të dallohej në atë mizëri perlash që hëna i kishte falur si mbulesë detit të flinte. f. 26.

Më dukej më e bukur së ëndrrat. f. 45

Ajo qepte e shqepte një ëndërr që e mundonte: Leka. f. 58

Pastaj… mal më mal e pyll më pyll, kudo ku dëgjonim zë njeriu, sikur dëgjonim borinë e mortjes! f. 73

[…] më tha një ditë e shoqja e xha Hasanit, një nënë e përvuajtur, e thatë dhe me dy sy ku shprehte detin e zemërbadhësisë. f. 76

Ky, që paloste e shpaloste një fletë gazete “Bashkimi”, që e bënte palë – palë, si ata që bëjnë fenerë prej letre, dëgjonte Ana – Marinë dhe me sy të ngulur në buzëqeshjen e artë të valës, aty në këmbët e varura të vajzës, shikonte ironinë e detit të gjerë që kushedi çfarë fshehtësish fshihte, tamam si kjo vajzë që kishte pranë dhe s’guxonte ta shikonte, se drita e hënës e vishte me petkun e nuseve të detit. f. 78.

Kurse era kafshonte. f. 81

Ishte era që frynte e tillë! Ishte dhe tërë larmia e epsheve që zgjoheshin dhe shtoheshin në këtë qytet, ku burrat dhe gratë flinin pranë e pranë, dhe sidomos natën, kur hëna i dehte me dritë dashurie. f. 93

[…] kur nisi të ngrihej flamuri i ankthit. f. 105

Shekulli i vagabontazhit. f. 116

Kështu e ka kjo botë e ndyrë f. 119

Mesnata sikur trishtohej nga kjo këngë. f. 120

[…] dhe shikonte qiellin me yje të rralluar nga urdhri i hënës. f. 120

Mesnata sikur trishtohej nga kjo këngë. Po më shumë trishtoheshin ata që e dëgjonin. f. 120

Sa e ëmbël është jeta kur s’ka bubullima, kur dëgjohet rrahja e zemrës së valëve dhe kur kënga e shoqëruar prej kitarës zbulon kapakun e varrit të kujtimeve dhe vdes ëndrra e ligë për të nesërmen. f. 120

[…] me sy hapur flisnin me detin ose me hënën. f. 121

Leka e hodhi në det (cigaren – v. ime) dhe nuk u dëgjua ajo “xhëzt” që bën zjarri kur bie në ujë, se në këmbët e tyre vala luante plot naze me shkëmbinjtë, që dukeshin të nxirë, pasi ende s’i kishte vizituar syri i hënës. f. 123

Dolën të qethur ndonëse erdhën për lesh. f. 140

Se, kur flet me ndonjë vajzë, gjuha detyrohet të lyhet me mjaltin e gënjeshtrës. f. 161

Fituam me thes mizerien. f. 170

Dhe kështu në mendjen e Marës, të tjera lodra kërcenin tani mbi litarin e imagjinatës. f. 170

Si erdhën! U vendosën këtyre anëve dhe filluan të gërmonin hendekë për të na mbytur neve, që mbi kufomat tona stisnin kullën e lumturisë së tyre. f. 174

Xhyzepja qeshi me vete, dhe qeshjen e tij, që i ngjante natës, vetëm nata e pa. f. 177

Ai që s’mendon asgjë, s’jeton më. f. 189

Ajo mori një cigare dhe e mbajti në gojë, gjersa Leka ia ndezi me çakmak. Megjithëse flaka qe jetëshkurtër, Leka mundi ta shikonte mirë (Ana – Marinë v. ime) atë fytyrë që dukej më tërheqëse nga flladi i trishtimit të shpirtit të saj dhe të natës. f. 194

Dhe pyeste sytë e saj në pasqyrë: “Ç’është sot?” f. 195

Zëri i korit të suorave (motrave të kishës v. ime) ngrihen dalëngadalë dhe përhapej e shoqërohej me psalmet monotone të valëve, që ndoshta edhe ato çuditeshin me këtë martesë. f. 201

Tani që ra nga ço degë (pozitë v. ime) ku kishte hipur (Rodolfina v. ime)… tani që s’ka më njeri… tani i dorëzohet si kufomë atij që e dashuronte! f. 202

E ç’gëzim solli në këtë qytet hidhërimi dhe shqetësimi kjo dasmë funebre? f. 202

[…] që gërryente rrënjët e kalbura të shpresës f. 203

Ishin kthyer nga dasma pa vënë gjë në gojë, po duke i hedhur edhe disa pika vreri më shumë zemrës së tyre të vrerosur. f. 203.

Unë kam kohë që s’jam më unë f. 207

Zotësi është të rrosh (në ato rrethana). f. 219

Zgjatnin kokën dhe dukej se pinin dritë”. f. 222

Vetëm yjet qeshnin në qiell, se edhe vala e lodhur, me sa mundim lëshonte ankimin e vetmisë së saj, sikur thoshte: “Ku e ke Lekën? f. 231-232

Kur u afrua te ndërtesa e zyrave, pa dy dritare me dritë dhe derën e poshtme si gojë e ndezur. f. 234

– Ulu, Ana – Maria! Ulu… – dhe mijëra mendime digjeshin nga një dallgë flake dhe nuk arrinin të merrnin formën e tyre…f. 242

Duart e Çekantonit s’pushonin së bëri not në erë, sikur të drejtonin këtë plot tinguj, ku shfrynte dëshpërimi. f. 253

Vetëm deti ia shikonte atë fytyrë ku bukuria bëhej më tërheqëse nga veshja e melankolisë. f. 257

Ti mbyte jetën e mbytur që ke bërë. f. 257

Ana – Maria mori frymë thellë, sikur donte të përpinte tërë dhembjen e saj të madhe sa deti. f. 265

Ndërsa ulej, sikur i uleshin edhe pëlhurat e frikës. f. 272

Karloja, me tëmtha në duar, shikonte gishtërinjtë e këmbëve të Gaetonos. Çudi! I bëheshin si gardh hekuri… si ushtarë të vaisur, si gjigantë pa sy… f. 275

Kënga përhapej mbi tërë molin – gërmadhë. Era e natës i jep më fuqi dhe oshtima e detit e ul shushurimën e saj prej isoje monotone. Ana – Maria sikur lundron në ndonjë varkë – ëndërr, e përqafuar nga Leka. f. 300

Ana – Maria lëviz pakëz. Ai e ngre më lartë thikën që ta shohin më mirë yjet f. 301

Ecte e lehtësuar dhe ata që e shikonin kështu të gëzuar, sikur hiqnin dhe një shtresë tjetër të zezë nga hija e tmerrit. f. 324

Deti po atë gjuhë fliste (si të Ugos me shokë v. ime) dhe dielli po atë sy të nxehtë kishte. f. 324

Zot, o Zot i madh, pse e bërë kështu njeriun?! f. 338

Shikimi i tij (i Lekës v. ime) matet vetëm me forcën e ngrohtësisë së diellit! f. 338

Plaç ti atje, daulle e shpuar e jetës! f. 341

Sikur ia lyente fytyrën me nxitim me dritën e syve të saj f. 345

Qanin nga gëzimi. Qanin si fëmijë… Derdhin lotët e fundit të rrugës së lotëve. f. 359

Vetëm zemrat u flisnin me gjuhën e padurimit f. 364

Ecte si mbi varrezën e ëndrrave të saj. f. 369

Qëndruan (Mario Bernardi, Çekantoni, Danillo v. ime) pranë Ana – Marisë së heshtur, së cilës sytë ia kishte thithur deti. f. 371

Në mbyllje të këtij punimi them se sikur Petro Marko të mos kishte shkruar dhe botuar asnjë vepër tjetër letrare po vetëm romani “Qyteti i fundit” me vlerat poetike dhe veçantitë që i ka, e bën emrin e tij të pavdekshëm për sot e për nesër dhe vetëm ata që në qenësi nuk e njohin letërsinë si art dhe si mundësi komunikimi dhe ndikim artistik ose mbështeten në fakte jo letrare dhe jo poetike mund të mos e vlerësojnë këtë roman si një vepër të madhe të prozës sonë që u krijua në kohën e komunizmit në Shqipëri.

Prishtinë, nëntor – dhjetor 2019


[1] Botim i N. Sh. Botimeve “Naim Frashëri”.
[2] Petro Marko, Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët). Shtëpia botuese “OMSCA”, Tiranë 2000, f. 507.
Po e jap tekstin e plotë që lidhet me botimin e romanit “Qyteti i fundit:
Pyetje: – Po romani “Qyteti i fundit”?
Përgjigje: – Edhe romani i dytë “Qyteti i fundit” pati peripecitë e veta. E mbarova së shkruari dhe ia dhashë ta lexonte përsëri: Mehmetit (Shehut), Skënder Laurasit dhe Zef Prelës. Mehmeti më tha:
– Hiqi ato fjalë e fjali banale dhe pornografike, se, po i le, djemtë e mi nuk do t’i lë që ta lexojnë.
– Po atë gjuhë kanë prostitutat, kontrabandistët, gjitha ata italianë që erdhën të bëheshin zot të këtij vendi, dhe u katandisën të ikin pa brekë.

E shpura në Ndërmarrjen e Botimeve. U bënë reçensat dhe me thirri drejtori, miku im Spiro Xhai. Më tha:
– Duhet të heqësh faqet me fjali banale dhe me natyralizëm të theksuar. Ne jemi të realizmit socialist.
E tërhoqa romani duke i thënë:
Unë kështu shkruaj dhe nuk shkruaj gjëra donkishoteske!
Pas ca kohësh, kryeministri Mehmet Shehu, siç e kishte zakon ai që u bënte nga një vizitë ndërmarrjeve, i bëri një vizitë dhe Ndërmarrjes së Botimeve. E priti drejtori Spiro Xhai dhe u përgjigjej pyetjeve që i bënte Mehmeti. Pastaj Mehmeti e pyeti nëse kishin ndonjë kërkesë. Spiroja, pasi i foli për punët e ndërmarrjes, i tha:
– Petro Marko na ka dërguar…” Shih Petro Marko, Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët). Shtëpia botuese “OMSCA”, Tiranë 2000, f. 506 – 507.
Sipas Petro Markos Dalan Shapllo e kishte theksuar fatin se ky romani ishte një vepër moderne: “Për këtë roman kritiku dhe miku im Dalan Shapllo, me guxim, mbrojti mendimin se ky është romani i parë modern shqiptar”. Po aty. f. 507.