QYTETI I ALFABETIT TROKET NË NDËRGJEGJEN E KOMBIT

0
97
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejenli

ribotim

Në qindvjeçarin XXI, në kohën e internetit dhe të integrimeve euro-atlantike, përkundër Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarëve të qytetit të Kongresit të Alfabetit, u parandalohet shkollimi normal në gjuhën amtare, përkatësisht hapja e nja-dy paraleleve për shkollim të mesëm, edhe pse shkollimi i mesëm është detyrim ligjor!!

Në disa rajone në Maqedoni, në pikëpamje demografike, shqiptarët ndaj maqedonasve paraqesin shumicë absolute. Por, në disa vise të tjera, si rrjedhojë e politikës diskriminuese, numri i popullsisë shqiptare, nga viti në vit, është reduktuar pa ndërprerë. Falë intelektualëve të ndërgjegjshëm të këtyre anëve, shoqëria shqiptare arrin të njoftohet me fatin e rëndë të shqiptarëve, të atyre rajoneve, ku ata, përballë popullsisë maqedonase – janë pakicë.

Fatkeqësisht, njoftimet që vijnë që andej, janë trishtuese. Si jetojnë shqiptarët e Manastirit, të Prespës, të Resnjës, të Krushevës, të Ohrit, të fshatrave të Velesit, të fshatrave të Prilepit?! Pyet kush për ta?! Ka të tillë që thonë: “Lehtë është të jesh shqiptar në Tetovë. Shko trego shqiptarizëm në Manastir”. Shqiptarët e rajoneve të sipërthëna janë të privuar nga të gjitha të drejtat, jo vetëm kombëtare, por edhe qytetare dhe njerëzore. Pluralizmi politik dhe ideologjik në Maqedoni, pas vitit 1991 e këndej, shqiptarëve të qyteteve të lartpërmendura, nuk u solli asnjë ndryshim. Të shtypur ishin nga serbosllavia, të shkelur mbetën edhe në kohën e gligorovëve dhe të VMRO-ve.

Ndaj kësaj pjese të popullsisë shqiptare në Maqedoni, si në kohën e monizmit dikur, ashtu edhe të pluralizmit sot, si në kohën e komunizmit, ashtu edhe të demokracisë, është ndjekur dhe vazhdon të ndiqet një politikë diskriminuese, restriktive dhe opresive. Mbi këtë pjesë të shqiptarëve në Maqedoni, ushtrohet dhunë dhe gjenocid, me qëllim të asimilimit të tyre. Mbi shqiptarët e rajoneve të sipërthëna ushtrohet një politikë disiplinuese dhe frikësuese, me qëllim të nënshtrimit të tyre.

Gligorovët dhe VMRO-të kanë për qëllim që, me masa të caktuara, t’i detyrojnë shqiptarët e viseve të Maqedonisë qendrore dhe lindore, të shpërngulen prej vatrave të tyre shekullore. Kjo politikë sllavo-maqedonase zbatohet në mënyrë të heshtur, pa zë dhe pa zhurmë. Shqiptarët e këtyre anëve, nuk kanë ndonjë dobi të veçantë, as dhe nga Marrëveshja e Ohrit.

Këta shqiptarë, jo vetëm që nuk kanë kurrfarë të drejtash kombëtare, por s’kanë as të drejta kulturore. Madje, këta shqiptarë nuk kanë as të drejta të mirëfillta arsimore, që nuk janë veçse një segment i të drejtave në fushën e kulturës. Këta shqiptarë nuk e gëzojnë sa duhet, të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe. Nuk e gëzojnë sa duhet dhe si duhet as të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar. Ndonëse arsimimi i mesëm është detyrim ligjor, për shqiptarët e këtyre anëve, realizohet pjesërisht, ose nuk realizohet fare. Nxënësit shqiptarë të këtyre anëve, me arsyetime nga më të ndryshmet të sllavo-maqedonasve, janë të detyruar që shkollimin e mesëm ta ndjekin në gjuhën maqedonase, ose të udhëtojnë me dhjetëra kilometra, për t’u regjistruar nëpër shkollat e qyteteve të tjera shqiptare.

Arsimimi i shqiptarëve të këtyre anëve – në gjuhën amtare – parandalohet në shumë mënyra dhe me arsyetime të ndryshme: S’ka numër të mjaftueshëm nxënësish; s’ka ndërtesë shkollore, s’ka lokal shkollor, s’ka hapësirë shkollore; s’ka mësues, arsimtarë dhe profesorë të kualifikuar apo të diplomuar. Si rrjedhojë, lëndë mësimore të caktuara, ligjërohen prej mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve maqedonas. Nuk është e vërtetë se nuk ka kuadër shqiptar të kualifikuar. Shumë të rinj shqiptarë me përgatitje universitare, rinë pa punë. Nëse në ato vise vërtet ka mungesë kuadri shqiptar, atëherë shteti maqedonas, me beneficione të caktuara, duhet të angazhojë përkohësisht kuadër shqiptar prej qyteteve të tjera, ku ka tepricë kuadri arsimor.

Kësisoj veprohet në çdo shtet të botës. Vetëm në Maqedoni – jo. Përse? Për arsye se gligorovët dhe VMRO-të kanë për qëllim t’i asimilojnë shqiptarët e këtyre anëve ose t’i detyrojnë të shpërngulen për në SHBA, në Kanada dhe në Australi. Pra, për në vendet përtej oqeanit. Sllavët janë të njohur në histori për veprime perfide bizantine. Kështu për shembull, pushteti qendror e lejuaka hapjen e një paraleleje në gjuhën shqipe, por ja që çdo gjë na qenkësh nën kompetencat e pushtetit vendor. Ndërkaq, ky farë pushteti vendor – skajshmërisht antishqiptar – përgjigjet duke thënë: “Plotësoni kushtet dhe kriteret ligjore, pastaj do të bëjmë fjalë për çeljen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe”. Mirëpo, asnjëherë një popull nuk arrin t’i plotësojë kushtet dhe kriteret ligjore, përderisa ato ligje dhe vendime (kundërligjore dhe antikushtetuese) janë restriktive dhe diskriminuese.

Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni nuk janë çështje ligjesh, por janë çështje politike. Në qindvjeçarin XXI, në kohën e internetit dhe të integrimeve euro-atlantike, përkundër Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarëve të qytetit të Kongresit të Alfabetit, u parandalohet shkollimi normal në gjuhën amtare, përkatësisht hapja e nja-dy paraleleve për shkollim të mesëm, edhe pse shkollimi i mesëm është detyrim ligjor!! Ky diskriminim ndodh, përkundër faktit se në kuvendin e këtij shteti shqiptarët, që nga viti 1991 e deri më sot, përfaqësohen prej deputetëve të vet; përkundër faktit se në çdo përbërje qeveritare kanë pasur nga pesë-gjashtë ministra; përkundër faktit se në Maqedoni dhe në rajon janë të pranishëm përfaqësuesit e vendeve që janë miq dhe aleatë tanë.

Qysh në kohën e Aleksandar Rankoviqit dhe të Josip Brozit, një numër i shqiptarëve të këtyre anëve i kanë pasur mbiemrat me -ski. Kjo padrejtësi e tmerrshme sot e gjithë ditën, nuk është korrigjuar. Shqiptarët e këtyre anëve, jo vetëm që janë të privuar nga e drejta themelore e arsimimit në gjuhën amtare, por edhe ajo sasi e arsimimit që realizohet në ato anë, është e gjymtë dhe e cunguar. Me fjalë të tjera, plan-programet mësimore të nxënësve shqiptarë të këtyre, nuk përputhen sa duhet me sistemin shqiptar të vlerave. Me masa diskriminuese, restriktive, opresive dhe represive, parandalohet mundësia e krijimit të kuadrit arsimor shqiptar, e profesionalistëve dhe e ekspertëve të profileve të ndryshme. Në rrethana të tilla nxënësit shqiptarë nuk mund të përvetësojnë njohuri të duhura për vlerat kombëtare shqiptare, për gjuhën dhe letërsinë shqipe, për historinë kombëtare, për etnografinë, muzikën, folklorin dhe gjeografinë shqiptare.

Politika restriktive në arsim, që zbatojnë sllavo-maqedonasit ndaj shqiptarëve të këtyre anëve, shkakton papunësi të theksuar në radhët e shqiptarëve. Me fjalë të tjera, diskriminimi në lëmin e arsimit, reflektohet drejtpërsëdrejti në politikën e punësimit. Si pasojë, shqiptarët e këtyre anëve nuk kanë se si të punësohen. Ndër ta mbizotëron papunësia dhe kjo shkakton probleme sociale. Pra, shqiptarët e këtyre anëve janë të privuar edhe nga e drejta për punë. Të privohesh nga e drejta për punë, do të thotë të privohesh nga e drejta për ekzistencë. Tani shtypësi dhe sunduesi, të ka lënë vetëm dy mundësi: o të shpërngulesh, o të asimilohesh. Aty ku ka probleme ekonomike, sociale dhe papunësi, rrjedhimisht ka edhe skamje, vuajtje, mjerim, varfëri. Aty ku ka varfëri, ka edhe konflikte në familje, divorce.

Aty lindin edhe dukuritë e kontrakulturës: vrasjet, vetëvrasjet, vjedhjet, hajnitë, keqbërjet, tradhtitë, narkomania, prostitucioni, kontrabanda, trafiku i armëve, i mjeteve narkotike, i qenieve njerëzore, llojet e ndryshme të abuzimeve, kriminaliteti…Fatmirësisht, në saje të traditave të shëndosha të familjes dhe të mbarë shoqërisë shqiptare, pothuajse asnjë nga dukuritë e sipërthëna, nuk është e pranishme ndër shqiptarët e atyre anëve.

Faktori politik shqiptar në Maqedoni, inteligjencia shqiptare, organizmat e shoqërisë civile, forumet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, mediumet, gazetarët – e kanë detyrim kombëtar, njerëzor dhe moral të angazhohen për të drejtat kombëtare, njerëzore dhe ekzistenciale të nëpërkëmbura të shqiptarëve, në ato qytete dhe fshatra në Maqedoni, ku s’e ke lehtë të jesh shqiptar. Ideologjia kombëtare nuk është marketing partiak. Shqiptarët nuk duhet të dehen me ceremoni gazmore dhe fetare, por duhet të kujdesen për vëllezërit e tyre të rrezikuar. Shqiptarët e atyre anëve, tregojnë një vitalitet të jashtëzakonshëm për ta mbrojtur identitetin kombëtar. Por, nuk duhet harruar se një individ apo një familje që ballafaqohet me probleme ekzistenciale, nuk ka vullnet të mjaftueshëm për t’u preokupuar me ideologjinë kombëtare.

Shqiptarët kudo që të jetojnë në Maqedoni, janë popull autokton. Të drejtat e tyre, nuk mund të maten në shtratin e Prokrustit. Mos vallë shqiptarët e këtyre anëve janë të tepërt?! Pushtetarët maqedonas kanë marrë masa maksimale që t’ua sigurojnë të gjitha të drejtat bashkëkombësve të tyre që jetojnë në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë ku shqiptarët përbëjnë shumicë absolute. Ata i kanë kushtuar rëndësi të veçantë sidomos çështjes së punësimit të maqedonasve në viset me shumicë shqiptare. Ndërkaq, shqiptarët e rajoneve ku paraqesin shumicë absolute nuk janë angazhuar sa duhet, për të mos thënë fare, që t’u dalin në ndihmë bashkëkombësve të tyre në zonat ku ata janë pakicë.

Disa nga qytetet e sipërthëna kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rëndësi të madhe për historinë, kulturën dhe arsimin shqiptar. Manastiri ishte madje edhe qendër vilajeti nën Perandorinë Osmane. Më 1830, rreth 1500 kapedanë dhe luftëtarë shqiptarë u ftuan për bisedime dhe u vranë apo u masakruan në mënyrë të përgjakshme e të pabesë nga Porta e Lartë e Stambollit. Kjo dëshmon se në qindvjeçarin XIX, potenciali etnik shqiptar në Manastir ishte i theksuar, në mos dhe mbizotërues. Një pjesë të veprimtarisë së tyre, e zhvilloi në Manastir, edhe familja korçare Qiriazi. Derisa në Manastir, shqiptarët sot nuk mund të çelin një paralele të arsimit të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, Parashqevi Qiriazi, më 1909 botoi në këtë qytet Abetaren për shkollat e para. Ndërkaq, i vëllai Gjergj Qiriazi ishte sekretar dhe nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Manastirit.

Kujt do t’i shërbejë një ditë Muzeu i Alfabetit, në Manastirin të mbetur pa shqiptarë?!

15.01.2011