Qytetërimi i Pelionit, qytetit të lashtë ilir, historia dhe të fshehtat e tij

0
408
Pelioni - qytet i lashtë ilir

Nga: Vepror Hasani

Gjithkush mund të ketë dëgjuar për qytetin e Pelionit. Ai ndodh diku në trevat e pellgut të Korçës, por ende nuk dihet saktësisht se ku. Tashmë ai qëndron i heshtur në pritje të zbulimit të tij.

Ditën që do të gjendet nga arkeologët, ky qytet do të ketë shumë për të thënë. Nuk është çudi që të na lerë të befasuar të gjithëve. Ai është një histori e mirëfilltë e aspak trillim fantazmagorik, mendjesh të sëmura. Ai ka parë me sytë e tij, aleancat dhe luftërat mes mbretërve të vendeve fqinj, vrasjen e mbretit Perdika III të Maqedonisë, martesën e Euridikës, vajzës shqiptare, me mbretin Amynten II në Maqedoni.

Prej saj do të lindte Filipi II, babai i Aleksandrit të Madh. Që nga ajo kohë lidhjet e gjakut mes dy vendeve do të shfaqeshin kohë pas kohe. Qyteti i Pelionit është thesari i shumë dëshmive të njohura dhe të panjohura deri më sot. Ai do t’i tregojë të gjitha. Thuhet se ai shtrihet në afërsi qytetit të Bilishtit, shumë më pranë me fshatin e Trenit, ashtu siç është thënë se Pelioni mund të gjendet në Selcën e Poshtme të rrethit të Korçë, sepse aty janë gjetur disa varre monumentale. Por përsëri nuk mund të thuhet se sa afër dhe larg tij jemi.

Kërkimet për zbulimin e këtij qyteti kanë filluar në vitin 1961, ndërsa vijojnë edhe sot e kësaj dite. Tashmë nuk është çudi që gjendemi pranë tij. Që nga çasti i zbulimit do të kemi mundësinë të njihemi me të fshehtat i fisit të Dasaretëve. E vërteta është se Pelioni ka qenë qendra e rezistencës mbretërore të shtetit të parë Ilir. Gjithsesi, se sa afër dhe sa larg Pelionit ndodhemi aktualisht, tregon për gazetën “Metropol”, arkeologu prof. as. dr. Skënder Aliu.

Ku shtrihet Pelioni “Sigurisht që qyteti i Pelionit gjendet në Shqipërinë juglindore”, nis të tregojë prof. as. dr. Skëndër Aliu. “Mbi këto treva shtrihej fisi i Dasaretëve ose Dasaretia antike. Arkeologët e mirënjohur F. Prendi dhe M. Korkuti janë shprehur se Shqipëria juglindore, me qendër pellgun e Korçës përfaqëson një nga vatrat kryesore më në zë të qytetërimit prehistorik, madje jo vetëm brenda vendit dhe në rrafshin ballkanik, por edhe më gjerë se kaq.

Kufijtë e shtrirjes së Dasaretisë antike ende nuk dihen me saktësi, por dihet që ajo shtrihej mbi pellgun e Korçës, mbi fushën e Devollit, mbi pllajën e Kolonjës e shkonte tutje në zonën e liqeneve të Prespës, madje deri në ujërat e liqenit të Ohrit për të vijuar më pas drejt kodrave të Grabovicës, por sigurisht shumë më gjerë se kaq… Në gjithë këtë hapësirë janë gjetur dëshmi arkeologjike.

Ato flasin për një shtrirje kohore të pandërprerë duke filluar që nga neoliti i vonë në vitet 2800-2700 p. e. s., e deri në shekullin IX p. e. s.”, tregon prof. as. dr. Skënder Aliu. “Shqipëria juglindore kishte një pozitë gjeografike mjaft të favorshme, vijon të tregojë Aliu, dhe kjo ndikoi në zhvillimin e saj. Kishte një florë dhe faunë të pasur, terrene të përshtatshme për bujqësi dhe blegtori, ujëra të bollshme për peshkim, ku veç këtyre kishte një pozicion kyç në kryqëzimin e rrugëve që të çonin në brigjet Adriatiko-Egjeane.

Nëpërmjet luginës së Aliakmonit (lumi Bistrica) ajo lidhej me Thesalinë, ndërsa afërsia me Maqedoninë, ku zbresin ujërat e Vardarit, e cila shërbente si rrugë drejt Danubit ka qenë tepër e rëndësishme për të. Pikërisht mbi këtë vend do të ngrihej qyteti i Pelioni, emri i të cilit do të mbetej i shkruar në burime historike mjaft të hershme, të cilat do të nënvizojnë faktin se Pelioni ishte një qytet i fuqishëm i ilirëve”, tregon më tej prof. as. dr. Skënder Aliu.

Marrëdhëniet me fqinjët “Fuqizimi i qytetit të Pelionit nuk ishte i rastësishëm. Pozita gjeografike e Shqipërisë juglindore favorizonte lindjen e qyteteve të fuqishme. I tillë do të ishte Pelioni. Përmes rrugëve të tilla nisi tregtia. Importoheshin dhe eksportoheshin prodhime nga vende të tjera fqinje.

Që nga shek XV p. e. s nisën të vinin objekte të importuara nga punishtet dytësore mikeniane të Thesalisë. Të asaj kohe janë një enë balte e prodhimit me çarak e tipit mikenian, e zbuluar në varrin qendror të tumës së Rehovës, 8 copë pafta floriri, nga të cilat 6 janë gjetur nëpër varret e tumës së Rehovës dhe 2 në atë të Shtikës, të cilat datojnë në shek XIII p. e. s. Si importe të drejtpërdrejta njihen gjithashtu themthoret prej floriri, enët dhe shumë fragmente qeramike të prodhimit me çark, të zbuluara në lumin e Barçit e në vendbanimet e Sovjanit, të cilat datojnë në shek XII-X p. e. s. Me origjinë të hershme euro-qendrore janë gjithashtu kategoritë e ndryshme të gjilpërave të gjata, fibulat dhe varëset gjyslykore, të cilat kanë qenë të pranishme në shumë varreza tumolare të gërmuara në Korçë dhe Kolonjë.

Ato kanë hyrë fillimisht që në shek XIII p. e. s.”, tregon Skënder Aliu. “I them të gjitha këto, vazhdon ai, sepse marrëdhënie të tilla kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë juglindore, por që në asnjë rast ato nuk ndryshuan karakterin etnik e pamjen e kulturës ilire.

Këto marrëdhënie u intensifikuan veçanërisht në fazën e parë e të dytë të hekurit, të cilat zhvilluan më tej bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, përsosën prodhimin e qeramikës në enët e përdorimit e të luksit, u zgjerua veprimtaria metalurgjike, u ndërtuan një varg fortifikimesh që kontrollonin rrugëkalimet, të cilat kushtëzoheshin mesa duket nga shqetësimet e dyndjeve egjeane të shek XIII-IX p. e. s.

Një fakt i tillë thuhet dhe nga burimet e shkruara historike”, sqaron arkeologu Skënder Aliu. “Por ndërsa ne njiheshim me burimet historike dhe gjetjet arkeologjike gjithnjë e më shumë mendonim për gjetjen e qytetit të Pelionit. Ai është një qytet që mund të flas shumë për këtë trevë të banuar nga dasaretët”, shton prof. as. dr. Skënder Aliu. Fuqizimi i Pelionit “Në gjysmën e dytë të shekullit V p. e. s. disa nga vendbanimet e fortifikuara protourbane po shndërroheshin në qendra të rëndësishme zejtarie e tregtare me tipare qytetare, të veçuara nga bujqësia e blegtoria.

Pikërisht në këtë kohë edhe qyteti i Pelioni mori përmasat e një qyteti të rëndësishëm. Arianiti dhe Kurt Rufi pohojnë se, ‘Pelioni u bë qendra e rezistencës mbretërore e shtetit Ilir’. Materialet arkeologjike të gjetura në kalanë e Symizës të Korçës, në Hollm të Kolonjës, në Trebenishtë pranë Ohrit, tregojnë se kultura ilire e rajoneve të Shqipërisë juglindore në shekujt VI-V p. e. s., kishin të njëjtin nivel zhvillimi me atë të krahinave fqinje ilire të Maqedonisë.

Megjithatë, meqenëse importi nga Greqia paraqiste vështirësi për shkak të distancave shumë të largëta, bëri të mundur të përshpejtohej procesi i zejtarizimit të qeramikës për të plotësuar kërkesat e konsumatorit vendas. Kategoria e qeramikës me çark në gjysmën e dytë të shekullit VI p. e. s., riprodhon forma të traditës ose forma të importuara ojnohe, skifos, kantarëgutus, kupa etj.

Vlerë të njëjtë nisin të marrin edhe zbukurimet trupore prej bronzi të njëkohshme dhe tipologjikisht të ngjashme me ato të Maqedonisë perëndimore. Krahas armeve, heshtat dhe shtizat prej hekuri, shpatat e tipit mahera, anxharët, kamat, përkrenaret, por edhe disa objekte simbolike, si skeptrat (shkopi i sundimtarit) paraqesin karakterin oplit në përshtatje me kohën. Por që të gjitha këto nuk flasin për armët e vetëmbrojtjes, por për një kompletim të sistemit të armatimit në funksion të aristokracisë ushtarake.

Fakte të tilla tregojnë se qyteti i Pelionit po fuqizohej edhe ushtarakisht”, vazhdon më tej me rrëfimin e tij prof. as. dr. Skënder Aliu. Pelioni qyteti i rezistencës “Qyteti i Pelionit mund të jetë bërë i famshëm për rezistencën e tij në fund të shekullit V p. e. s.”, shprehet Skënder Aliu. “E them këtë, sepse nëse i referohemi Tukuditit, i cili është një burim i besueshëm historik, ai na tregon për ilirët, të cilët në përkrahje të Lynkestëve, nisën luftën me Maqedoninë.

Sipas burimeve historike, kjo ka ndodhur në vitin 423 p. e. s. Ka të ngjarë që në krye të shteti të parë Ilir, mbret të ketë qenë Sira, i cili kishte patur konflikte të vazhdueshme me maqedonasit. Megjithatë, ai për të lidhur marrëdhënie të mira me Maqedoninë shfrytëzoi modelet e asaj kohe. Nuk bëri gjë tjetër, veçse vajzën e tij, Euridikën e martoi me Amynten II, i cili në atë kohë ishte mbret i maqedonasve.

Nga kjo martesë do të lindte Filipi II, ose babi i Aleksandrit të Madh. Në fillim të shekullit të IV p. e. s., kur mbret do të ishte Bardhyli, ky shtet do të njihte fuqizimin më të madh ekonomik dhe ushtarak. Pikërisht në këtë periudhë shteti Ilir u përfshi sërish në konflikte me Maqedoninë. Megjithatë, në vitin 393 p. e. s., doli fitues ndaj saj duke detyruar maqedonasit t’i paguanin një haraç vjetor. Maqedonasit u thyen përsëri në vitin 369 p. e. s., por edhe në vitin 360 p. e. s., ku prej tyre mbetën 4000 të vrarë, madje edhe mbreti Perdika III.

Më pas përplasjet do të shënoheshin mes mbretit Bardhyl të ilirëve dhe mbretit Filipi i II i maqedonasve, i cili në të njëjtën kohë ishte dhe djali i Euridikës nga Shqipëria. Bardhyli u mposht në vitin 359 p. e. s., por Filipi i II asnjëherë nuk deshi të nënshtronte Ilirët. Ai dinte që nëna e tij kishte qenë nga Disaretia, ose nga Shqipëria juglindore. Në vitin 344 p. e. s, Filipi kishte zgjeruar kufijtë e tij drejt Trakisë, ndërsa kishte nënshtruar ushtarakisht gjithë Greqinë.

Megjithatë, gjatë kësaj periudhe qyteti i Pelionit do të mbetej qendra e rezistencës së shtetit të parë Ilir. Ky fakt ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve”, shprehet me siguri prof. as. dr. Skënder Aliu. Sa afër dhe larg Pelionit Prof. as. dr. Skënder Aliu tregon për hipotezat e ngritura nga arkeologët se ku mund të gjendet qyteti i Pelionit. “N. Hamond, vijon tregimin e tij Aliu, mendon se Pelionin mund ta kërkojmë te ‘Goricat e Trenit’, por tashmë kjo tezë nuk mbështet më nga ana arkeologjike.

Neritan Ceka sjell argumentin se Pelioni duhet kërkuar te Selca e Poshtme, sepse aty janë gjetur disa varre monumentale. Ky argument duket bindës dhe i qëndrueshëm. Sh. Gjonkecaj, mbas studimit të thesarit që u gjet rastësisht brenda mureve të kalasë ‘Hija e Korbit’, në fshatin Klocë, pretendon se Pelioni mund të gjendet aty. Edhe kështu mund të jetë.

Ato që do të zbulojnë Pelionin e famshëm të pellgut të Korçës, kryeqendrën e shtetit të parë Ilir do të jenë gërmimet arkeologjike.

Gërmimet sollën zbulimin e Dimalit në Berat dhe të Antigonës në Gjirokastër. Gjetjet epigrafike do të flasin për gjithçka. Gjithsesi unë mendoj se tashmë ka ardhur koha të lokalizohen kështjellat e qytetit, emrat e të cilave i njohim nga burimet historike. Këto burime përmendin kështjella të tilla si, ‘Bantia i Kaloikenëve’, ‘Orgesa i Pisantinëve’, ‘Enkelana Bojoja’, ‘Lyhnidi’, ‘Keraka’, ‘Satinioni’, ‘Kreoni’, ‘Geruni’, ‘Kadrionini’, ‘Kreoni’ etj. Lokalizimi i kështjellave apo qyteteve, por veçanëresht lokalizimi i Pelionit, si kryeqendra e shtetit Ilir do të hidhte dritë mbi ngjarjet historike dhe politike që kanë të bëjnë me Dasaretinë.

Gjithsesi gërmimet e filluara nga viti 1961 e deri më sot do të na çojnë drejt këtij qyteti të njohur me emrin Pelion”, saktëson prof. as. dr. Skënder Aliu. Zbulimet e tjera gjatë gërmimeve për Pelionin Shqipëria juglindore një nga vatrat më të rëndësishme të shtetit Ilir KORÇE – “Kultura materiale dhe shpirtërore e krijuar nga brezat që jetuan këtu gjatë mijëvjeçarëve, shprehet Aliu, ishte krejtësisht e panjohur deri në fillim të viteve ’60.

Vetëm kur filluan punimet për zgjerimin e kanalit pranë urës së Maliqit mbi lumin Devoll, rastësisht u zbuluan gjurmët e një vendbanimi palafit (mbiujor), të cilat nxitën arkeologët. Një vit më pas do të fillonin gërmimet arkeologjike. Që nga ajo ditë e deri më sot janë lokalizuar me dhjetëra vendbanime të hapura dhe të fortifikuara me mure, varreza tumolare e të dysta.

U studiuan materialet e gjetura te stacioni i Maliqit, te Shpella e Trenit, te Tumat e Barçit e të Kuçit të Zi. Që të gjitha treguan se Shqipëria juglindore kishte qenë një nga vatrat më të rëndësishme të shtetit Ilir. Ato treguan se ilirët nuk ishin formuar në një vatër jashtëballkanike, siç mendohej më parë, porse ata kishin qenë një popullsi vendase.

Megjithatë, emri i Pelionit na tërhiqte gjithnjë e më shumë. Gjithnjë pyesnim, ku do të jetë ai? Gjithçka që zbulohej na tregonte për origjinën nga kishim ardhur gjetja e qeramikës së zbukuruar me sprucë e shirita të gropëzuar në shtresat kulturore të bronzit të hershëm të Maliqit 2200-1800 p. e. s. shpjegonin dyndjet e mëdha indoevropiane.

Gjetjet e bronzit të mesëm dhe sidomos atij të vonë vinin në dukje një ecuri të re ekonomiko-shoqërore. Materiale të tjera arkeologjike na flisnin për krijimin e bashkësive fisnore patriarkale, për ngritjen e varrezave tumolare, shpesh me një varr qendror për një të parë të familjes apo fisit.

Tashmë dimë se vlerat e qytetërimit ilir të Korçës bëhen edhe më të dukshme veçanërisht në bronzin e vonë shekujt XV-XII p. e. s. dhe në periudhën e kalimit për ne hekur, kur metali hyn gjerësisht në prodhimin e veglave të punës, armëve dhe stolive trupore. Besojmë se kjo kushtëzohej jo vetëm nga prania e mineralit të bakrit në Rehovë, por edhe nga tradita që ka zanafillën e saj që nga epoka neolitike në vitet 2500-2100 p. e. s.

Kjo u vërtetua edhe nga gjetjet arkeologjike në Maliq të Korçës dhe Kamnik të Kolonjës u gjetën dalta prej bakri dhe grepa peshkimi. Njohuritë arkeologjike për kulturën ilire të bronzit të vonë e të epokës së hekurit në përgjithësi, shkuan edhe më tej pas gërmimeve të varrezave tumolare në Barç e Kuç të Zi të Korçës, në Prodan, Rehovë, Pësar, Shtikë e Luaras të Kolonjës.

Në tërësinë e gjetjeve vendin kryesor e zënë enët 1 dhe 2 vagjake, enët dyshe e treshe, ato me vegje biforate, apo enët me tre qafa, me trup e vegje të përbashkët që shquhen për përsosmërinë e formës, zbukurime me pikturimet me motive gjeometrike lineare që përcaktojnë veçoritë specifike të grupit Ilir juglindor ose të quajtur ndryshe ‘devollit’. U gjetën prodhime prej bronzi, argjendi, hekuri, qelibari, kocke e briri. Si të tilla vlen të përmendim shpata, kama, thika, heshta etj, por edhe stolitë e shumta kryesisht prej bronzi etj.

Që të gjitha këto flasin shumë, na tregojnë për rrugën që kemi përshkuar, por në të njëjtën kohë na flasin edhe për ekzistencën e qytetit të Pelionit, të cilat me siguri që një ditë do të na çojnë te portat e tij. Është ky qytet që mund të na flasë për krijimin e formacionit të parë shtetëror, i cili për afro një shekull zhvilloi aktivitet të dendur, të shoqëruar me një përqendrim të madh mjetesh dhe forcash të nevojshme për t’i kundërvënë Maqedonisë.

Gjatë kësaj kohe Shqipëria juglindore bëri të mundur bashkimin e forcave ekonomike dhe shoqërore, por edhe përvetësimin e formave më të përhapura shoqërore e kulturore të kohës. Megjithatë, me sa duket një ditë do të trokasim në portat e këtij qyteti, atje ku jetonin pelionët”, përfundon jo pa optimizëm prof. as. dr. Skënder Aliu.