QIELLI, DETI DHE … XHENETI

0
276
Hysen Kobellari

Prozë nga Hysen Kobellari

Deti qante.
Derisa erdha unë. Dëgjoheshin mërmërimat, ngashërimet dhe psherëtimat e tij, teksa qielli nxinte e mali nuk bëzante.
Teksa rreh vala bregun, pëshpërima e saj i ngjan zërit të lutësit. Po mua se pse m’u kujtua një mallkim që e kisha dëgjuar dikur, në femininë e hershme : Të rrafshin, siç rreh valë e detit !…

Puhiza endacake fshik faqen e errët të detit, e zbardh, e nder pezull duke e shkundur vënçe përpara malit, si një çarçaf mëshire. Hundëzi quhet mali dhe i kujton detit se nuk është i pacak e se mund të përçahej fare, po fare lehtë. Mbase desh t’i kujtonte atij se tjetër ishte qielli e tjetër ai, deti.

– U, uuuuuu ! Krru-uuuu …
Duket që deti nuk është në vajtim, por në protestë; ka vajtuar nën vete; egërsohet, ngre krye, tërbohet, ankohet, përqallet shkumbëzuar drejt tokës ranore; sulmon, përpiqet, tërhiqet …
Më pëlqen të këndoj tani, teksa pres Vajzën e Valëve :
Ore kum, o kum i detit,

Hapna dyert e xhenetit ! …
– Eh ! – psherëtin burri që sapo vjen dhe lëshon koshin me peshk përdhe, mbi rërën e qullët. Ngre sytë drejt reve. Me vete ka edhe dy trajsta. Një më të madhe, me ushqime, tjetrën më të vogël, nga ato ku mbahen paratë … Me sa di unë, ajo quhet kuletë.
Burrit i pëlqen të këndojë, ashtu siç më pëlqen edhe mua :
O moj grykë, moj grykë e trajstës,

Hapna dyert e parajsës !…
Burri tund në dorën e majtë kuletën e vogël ku mbase ka kallur paratë që ka fitur; meqë ajo trajsta në formë kulete ishte e vogël, mendova se do të kishte të ndryra brenda virtute, se veset janë sheshit…

Më duhet të ngreh sytë përjetë, për të kthjelluar paksa mendimet.
– Eh, – thotë burri teksa buzëqesh. – I madh është qielli, po ç’e do, nuk ka peshq …
– S’ka peshq, po ka zogj … – më duhet t’a sqaroj.
– Ka edhe aeroplanë; barka dhe anije s’ka. Po peshk nuk ka. Peshku është gjë e madhe. Të gjitha gjallesat vdesin nga mungesa e ajrit, ai, birkoja, ngordh nga prania e ajrit … Sa më e vogël të jetë gjëja, aq më e vlertë është,- dhe më tregon trajstën e vogël, atë biçim kulete ku ruhen paratë.
– Sa më e vogël ?! Mos, more !…
– Pasha kohën !
– Pasha erën që fryn dhe …
– E paç… Fryn, fryn ajo, po … të bën gjëmën. Deti i bukur është. Engjëllore është era; po ç’kam hequr unë prej tyre kur u bënë bashkë.

Më kanë cfilitur, më kanë stërmunduar. Uji desh më mori nën vete; se deti nuk është vetëm ujë. Deti në fortuneë ka një marrëveshje me qiellin. Ata kërkojnë shpagim, pa ditur se pse, pa ditur se prej kujt …
– Paçka …- përpiqem ta qetoj ndopak.
– Paçka, mirë, po dije se unë në det jam lindur, po nuk dua të më marrë ai …
– Epo, ani ! … Ndonjëherë tërbohet edhe ky. Gjithkush e ka orën e tërbimit…

Pres që burri të ikën në punë të vet, po ai s’tundet vendit. Ngul sytë mbi shkumbën e detit në breg dhe i duket si shkulm pështyme. Pështyn drejt saj, po gjithçka i mbetet pezull.
– Qiellin dhe detin nuk ke pse i pështyn. As nuk i pështyn dot. Nuk ke se si. Të pështysh qiellin, pështyma të bie turinjve; të pështysh detin , gëlbaza të kthehet gjinjve …
– Po si të bëj, unë i mjeri ?! – dorëzohet burri dhe kuleta e pareve i rrëzohet mbi trajstën me peshq.
– Më mirë mos pështy fare ! – më duhet ta këshilloj…
Burri matet të largohet, po sikur nuk i iket.

Mua më duhet të shikoj punën time. Nga toka era më sjell një tufë tingujsh, sikur një kumt fatlum :
– Xheni jam ! Erdha …
– Eja, – i pëshpëris unë. – N’mujsh me ardhë …

Unë e Xheni duhemi; ne endè vazhdojmë të hamë në gojë të njëri- tjetrit.
– Eja, Xhen …
Më duhet të jem pezull midis qiellit dhe detit, pas zërit të Vajzës së Valëve që sikur më ysht, me zërin e saj magjik.
Ndonjëherë jam i bindur se ajo që dua është një pjesë e xhenetit. Xheni im.