KLAJDI BREGU, NJË SHQIPTAR PROFESOR EKSELENT NË UNIVERSITETIN E INDIANËS
Klajdi Bregu doktor i shkencave në ekonomi eksperimentale në Universitetin e Arkansasit në Fayetteville, aktualisht profesor i ekonomisë në Universitetin e Indianës në South Bend – USA, i vlerësuar për mësimdhënie ekelente në tre vitet e fundit, analizon ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, modelin ekonomik të Shqipërisë, politikat në zhvillim të ekonomisë, krizën e energjisë dhe të rritjes së çmimeve, shpopullimin e Shqipërisë, votën e diasporës dhe rolin që duhet të ketë diaspora shqiptare për ndryshimin e Shqipërisë.
Me Dr. Klajdi Bregun bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.
QEVERISË NË SHQIPËRI I MUNGON VIZIONI I QARTË SE SI FUNKSIONON NJË EKONOMI TREGU
Qeverisja në mandatin e trete po vazhdon në atë drejtim që ka qënë tetë vitet e kaluara, dhe në disa drejtime po rëndohet edhe më shumë. Si ekonomist, unë do të fokusohem kryesisht në vlerësimin e qeverisë nga aspekti ekonomik. Në këtë aspekt unë shoh që qeverisë shqiptare i mungon vizioni i qartë se si funksionon një ekonomi tregu dhe si pasojë shumë nga politikat e ndjekura janë të gabuara. Përveç kësaj qeveria duket e pashqetësuar edhe pse ne kemi mungesë të një sistemi drejtësie funksional dhe të pakorruptuar dhe jemi vendi më i korruptuar në Europë. Në mungesë të një sistemi drejtësie funksional dhe të pavarur problemet tona të lidhur me administrimin e shtetit do të vazhdojnë dhe me shumë gjasa do rëndohen.
Të gjitha këto probleme por edhe shumë të tjera do të reflektohen direkt në rritjen e ekonomisë, pra në mirëqënien e popullit. Qeveria në programin e saj pretendonte se do të kishim rritje prej 4.5 përqind të PBBsë në katër vitet e ardhshme, tani ata e kanë ndryshuar parashikimin për vitin 2022 në më pak se katër përqind. Ajo që ne duhet të kemi parasysh është se edhe një rritje prej 4.5 përqindësh është e ulët për një vend në situatën tonë. Pra edhe parashikimet optimiste të qeverisë nuk janë në atë nivel që ekonomia jonë mund dhe duhet të rritet. Përsa i përket rritjes së çmimeve besoj se duhet të ndajmë faktorët globalë që po ndikojnë kudo nga faktorët lokalë. Pra pjesërisht rritja e çmimeve vjen nga trendi global dhe si e tillë është e paevitueshme, por prandaj fokusi jonë duhet të jetë tek faktorët lokalë të cilët janë të evitueshëm.
Ne në Shqipëri për arsyet që i përmenda më lart, por edhe për arsye të tjera, që i kam diskutuar edhe ne kanalin tim të YouTube, nuk kemi konkurence në ato nivele që duhet. Mungesa e drejtësisë dhe mosmbrojtja e pronës private ashtu si duhet janë dy nga shkaktarët kryesorë e kësaj mungese konkurence. Në mungesë të konkurencës rritjet e çmimeve janë më të larta sepse bizneset e kanë më të lehtë t’i kalojnë këto rritje tek konsuatorët. Pra, në gjykimin tim, qeveria jonë është përgjegjëse për të paktën një pjesë të rritjes të çmimeve. Përtej kësaj qeveria aktuale dhe të gjitha ato para saj janë fajtore për nivelin e varfërisë ku vendi e gjen veten gjë që e bën edhe më të rëndë situatën e rritjes të çmimeve.
MUNGESA E DREJTËSISË DHE MOSRESPEKTIMI I PRONËS PRIVATE SJELLIN MODEL TË DOBËT TË EKONOMISË TË TREGUT
Shqipëria ka një model të dobët të ekonomisë të tregut kryesisht për shkak të mungesës të një sistemi drejtësie funksional dhe të pavarur dhe problemet që kemi me mosmbrojtjen e pronës private, por edhe shumë probleme të tjera që rrjedhin nga këto dy probleme themelore. Termi i duhur për të përshkruar modelin tonë ekonomik është “crony capitalism.” Pra, një sistem ku pasurohen ata që kanë lidhje me pushtetin dhe kanë aftësi ta përdorin atë ose për të përfituar direkt ose për të eliminuar konkurencën. Në gjykimin tim, pa u zgjidhur këto probleme, ekonomia shqiptare nuk mund ta arrijë potencialin e saj të vërtetë.
Pothuaj çdo problem tjetër në ekonominë tonë, vjen si pasojë e mungesës së drejtësisë dhe mosrespektimit të pronës private. Për shembull, mungesa e investimeve të huaja në industritë e prodhimit është pasojë direkte e kostove të larta me të cilat bizneset e huaja përballen në Shqipëri.Kosto këto që vijnë kryesisht nga mosfunksionimi si duhet i institucioneve të shtetit tonë. Pra, edhe pse ne nuk kemi taksa të larta këto kosto indirekte e bëjnë të papërshtatshm vendin tonë për të tërhequr investime të mëdha të huaja.
VOTA E SHQIPTARËVE NË DIASPORË, NJË MASHTRIM PREJ DEKADASH
Ajo që unë shoh është që këto 30 vite nuk ka pasur vullnet politik për ta realizuar votën e diasporës dhe shikoj se kjo ende qëndron. Arsyet për këtë mungesë vullneti janë patjetër të shumta por në gjykimin tim, problemin që qeveria ka është se ata do kenë më pak kontroll në ndikimin e votës të diasporës. Ne që jetojmë jashtë nuk kemi nevojë për vende pune apo shuma monetare nëpërmjet të cilave politikanët mund të blejnë votën dhe kjo i është nuk është gjë e mirë për ata që duan ta kontrollojnë votën tonë.
Megjithatë, unë mendoj se nëse ne jemi të bashkuar si diasporë dhe e kërkojmë këtë me ngulm do ta arrijmë. Personalisht, i jam bashkuar lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë, e cila gjatë vitit të fundit ka marrë hapa të rëndësishëm për të ndikuar dhe ndihmuar në realizimin e votës të diasporës. Unë do të ftoja këdo që jeton jashtë vendit të na bashkohet ose të paktën me çfarë të munden të ushtrojnë presion mbi politikanët në atdhe në mënyrë që kjo e drejtë e jona kushtetuese të realizohet sa më parë.
DIASPORA SI POTENCIAL PËR TË KONTRIBUAR DHE NDRYSHUAR ATDHEUN
Diaspora shqiptare ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në themelimin e shteti shqiptar, dhe unë gjykoj që edhe sot ka shumë për të dhënë. Kontributi jonë mund të varijojë nga investimet direkte në vend, në sjelljen e eksperiencës të fituar jashtë vendit në biznese apo në politikëbërje. Shumë nga ne kanë bërë arritje të ndryshme jashtë vendit, qoftë në biznese, në politikë apo në fusha të tjera. Nëse ne Atdhe do të krijoheshin kushtet për rikthimin e një pjese të diasporës do të përfitonim shumë jo vetëm nga ana ekonomike por edhe ajo sociale dhe politike. Diaspora është dhe duhet të jetë një pjesë e pandarë e zhvillimit të vendit.
DIASPORA SHQIPTARE NË SHOQËRINË AMERIKANE
Është shumë e rëndësishme që ne si diasporë të bashkohemi dhe të luajmë një rol më të rëndësishëm në shoqërinë amerikane. Nëse jemi të bashkuar do kemi mundësi ndikojmë që të përmirësojmë jetën tonë këtu në SHBA,por pse jo të ndikojmë edhe në politikat e shtetit amerikan në lidhje me Shqipërinë. Në dijeninë time lobi shqiptar në SHBA nuk është në nivelin që duhet dhe ne kemi pak mundësi të ndikojmë në politikën e SHBAve në interes të vendit tonë. Nëse ne do të kishim më shumë organizim dhe do të bashkoheshim kjo mund të ndryshonte dhe ne mund të jepnim një kontribut në përmirësimin e situatës në Shqipëri.
IKJA E TË RINJVE NGA SHQIPËRIA, NJË PROBLEM SOCIAL, EKONOMIK DHE POLITIK
Ajo që po ndodh me largimin nga vendi e të rinjëve është me vërtetë shqetësuese. Problemi këtu nuk është thjesht tek ulja e numrit të popullsisë por tek problemet sociale, ekonomike dhe politike që ky largim sjell. Ne kemi hyrë një një rreth vicioz ku gjendja e keqe në vend sjell largimin e popullit, ndërkohë largimi i popullit rëndon gjendjen në vend, dhe krijon më shumë emigrantë.
E keqja është se ky largim jo vetëm që është pasojë direkte e politikave të ndjekura nga klasa politike e këtyre 30 viteve, por ky largim i ndihmon ata të vazhdojnë sepse bie presioni për të ndryshuar. Duhet pasur parasysh se ata që largohen janë ata që janë të pakënaqur nga qeveria, pra pikërishët ata që mund të shtonin presionin kundër qeverisë.
Kjo situatë nuk është e re për ne, vendi ynë ka 30 që përballet me emigrmin, por ajo që po ndodh sot është që ata që po largohen janë njerëz të edukuar dhe me profesione të mira. Kjo ndodh kryesisht sepse një pjesë e mirë e shqiptarëve ka humbur shpresa dhe nuk shikon më të ardhme ne vendin tonë. Për më shumë, një pjesë e madhe e atyre që ikën me rënien e sistemit komunist, kishin si synim të ktheheshin. Ndërkohë, sot pjesa më e madhe e atyre që ikin nuk mendojnë se do të kthehen në një të ardhme të afërt.
Kjo e bën edhe më të rëndë situatën ku Shqipëria është sot. Në gjykimin tim pa u bërë ndryshime rrënjësorë në jetën politike në Shqipëri kjo situatë me emigrimin do të vazhdojë. Klasa politike e këtyre 30 viteve ka dështuar totalisht të krijojë kushte të përshtatshme që ne të mos largohemi. Për këtë arsye unë mendoj se për aq kohë sa kemi këtë klasë politike është vështirë të kemi ndryshimin që duhet për të ndaluar emgrimin masiv të popullit. Problemi është se për të arritur këtë ne duhet të jemi të bashkuar dhe jo të ndarë në parti ashtu si kemi qënë këto 30 vite. Vetëm nëse ne vemë interesat e përbashkëta mbi partitë mund ta ndryshojmë këtë situatë ku ndodhet vendi.
KANALI NË YOUTUBE (ALBANIAN ECONOMIST), JU FLET PROFESORI ONLINE
Para afërsisht një viti unë vendosa të krijoj një kanal në YouTube (Albanian Economist) nëpërmjet të cilit të kisha mundësi të shpërndaja njohuri rreth ekonomisë për të gjithë ata që janë të interesuar. YouTube sot përdoret kudo në botë në shumë mënyra, dhe një nga këto është edhe fusha e edukimit. Duke pasur këtë prasysh edhe faktin që në Shqipëri në dijeninë time nuk ka shumëmateriale që mbulojnë ekonominë unë vendosa të krijoj kanalin tim. Nëpërmjet këtij kanali unë kryesisht shpjegoj tema të ndryshme të ekonomisë që prekin jetën tone të përditshme.
Qëllimi im është të krijoj sa më shumë materiale rreth ekonomisë të cilat janë të shpjegura sa më thjesht, për ti bërë ato të kuptueshme për të gjithë dhe jo vetëm studentët e ekonomisë. Kohët e fundit këtij kanali i kam shtuar edhe faqen në Facebook Albanian Economist nëpërmjet të cilës kam mundësi të kem një tjetër mënyrë për të komunikuar me ata që kanë interes rreth fushës të ekonomisë apo problemeve të ndryshme ekonomike.
KUSH ËSHTË KLAJDI BREGU, FORMIMI, KARRIERA, PUNËSIMI
Jeton në SHBA prej 13 vitesh. Për momentin është profesor ekonomie në Universitetin e Indianës në South Bend. Para se të fillonte punë ka mbaruar doktoraturën në ekonomi eksperimentale në Universitetin e Arkansasit në Fayetteville, në Gusht të vitit 2017. Gjithashtu, para një viti i është bashkuar “Center for Market Education” si partner (fellow). Dr. Klajdi Bregu në Universitetin e Indianës në South Bend, jap disa lëndë të ekonomisë në nivel Bachelor dhe Master (MBA). Përveç mësimdhënies kryen kërkime në fushën e ekonomisë eksperimentale dhe disa nga kërkimet e tij janë publikuar në revista të ndryshme të fushës të ekonomisë.
Disa nga këto revista janë, Journal of Behavioral and Experimental Economics, Journal of Economic Dynamics and Control, Southern Economic Journal, dhe The Geneva Risk and Insurance Review. Gjatë kohës si profesor në Universitetin e Indianës në South Bend është vlerësuar për mësimdhënie ekelente në tre vitet e fundit. Gjithashtu si student doktorature në vitin 2017 ka marrë çmim për mësimdhënie ekselente dhe në vitin 2016 ka qënë një nga studentët e përzgjedhur për të dhënë prezantim nga “Southern Economic Journal” në konferencën e atij viti. Në vitin 2016 ka marrë cmimin Dr. Yien-I Tu si studenti më i mirë i doktoraturës në fushën e ekonomisë.
Marrë nga Gazeta Dielli