Qeveria shpërndan një opinion të profesorit Marc Weller për demarkacionin

0
974
Demarkacioni Kosovë - Mal i Zi

GAZETAEXPRESS, 31 Gusht 2016

Qeveria e Kosovës ka nisur në adresë të Gazetës Express një opinion ligjor të profesorit të së drejtës ndërkombëtare dhe të studimeve kushtetuese ndërkombëtare, Marc Weller, lidhur me Vlefshmërinë e kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi siç përcaktohet me demarkimin e kufirit të ndërmarrë nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror dhe reflektimi në Marrëveshjen e Vjenës të 26 gushtit të vitit 2015.

Opinion Ligjor Ekspert

(I përkohshëm, në pritje të dokumenteve shtesë në përkthim e sipër)

Vlefshmëria e kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, siç përcaktohet me demarkimin e kufirit të ndërmarrë nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror dhe reflektimi në Marrëveshjen e Vjenës të 26 gushtit të vitit 2015

Përmbajtja:

I. Përmbledhje e gjetjeve
II. Mandati i Opinionit Ligjor Ekspert dhe Kualifikimet e Autorit të tij
III. Prapavija e kontestit
IV. Kufijtë dhe burimet e kufijve në të drejtën ndërkombëtare
V. Data kritike në raport me Kosovën dhe Malin e Zi
VI. Shtetet e reja, Uti Possidetisdhe kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi
VII. Ushtrimi efektiv dhe paqësor i autoritetit shtetëror (Effectivite)
VIII. Rëndësia e hartave
IX. Ndikimi i procesit të demarkacionit dhe Marrëveshjes së Vjenës
X. Të drejtat e përcaktuara të popullsisë të vendit
XI. Përfundime

Kapitulli XI.

Përfundime

Kufijtë nuk vendosen nga gjeografia, ato vendosen nga burrat dhe gratë. Ose, për të qenë më të saktë, kufijtë vendosen nga ata burra dhe gra që veprojnë në emër të shtetit—veprimet e të cilave janë manifestim i vullnetit të të shteteve.

Në rastin specifik, ekzistojnë kujtime për luftëtarë heroik të cilët kanë mbrojtur njërën apo tjetrën anë të territorit para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ekziston një traditë e gjatë dhe e gjallë e përdorimit të tokës nga ana e Kosovës për kullotje dhe e përdorimit të resurseve të pyjeve, lumenjve, dhe liqeneve. Dhe gjithashtu ekzistojnë edhe argumente të bazuara në gjeografi natyrale, siç janë vendndodhjet e ujëndarësve dhe pellgjeve përgjatë kurrizit të kreshtave të mëdha malore.

Të gjithë këta faktorë dhe përvoja janë të kapshme dhe reale. Megjithatë, në mënyrë që të përcaktohet një kufi, një element tjetër shtesë duhet t’i shtohet këtij. Konflikti i armatosur mbi një territor mund të ketë një rezultat në terren, por në mënyrë që ai rezultat t’i qëndrojë dhe mbijetojë historisë, ky rezultat duhet të ri-hidhet në një marrëveshje paqësore apo kufitare në përfundim të këtij konflikti. Përdorimi i tokës nga individë privatë, apo madje pronësia private mbi një tokë nuk është e barasvlershme me pretendimet për territorin apo fletën poseduese të atij territori nga ana e shtetit amë.

Gjeografia natyrale mund të ndikojë në atë se ku jetojnë njerëzit, si ndërveprojnë ata apo madje edhe në formën e organizimeve politike që ata zhvillojnë. Por në fund, është mu përdorimi ikarakteristikave të tilla në funksion si shërbyes të vullnetit të burrave dhe grave në krye të shtetit që përcakton kufirin aktual. Një kreshtë ujëndarëse mund të shërbejë si një pikë e përshtatshme për të shënjuar një kufi, veçanërisht në territore të largëta. Por, në anën tjetër, mund edhe të mos shërbejë si e tillë. Ajo që vlen është qëllimi dhe praktika e shteteve në përcaktimin e kufijve.

Në rastin e Kosovës, për këtë arsye, është e nevojës që të ndahet historia, me gjithë heroizmin e saj, përdorimi privat i tokës dhe të drejtat pronësore, pa marrë parasysh se gjatë janë të përcaktuara, dhe gjeografia natyrale, pa marrë parasysh sa e përshtatshme për shënjimin e kufijve, nga procesi më teknik i delimitimit dhe demarkimit të kufirit.

Ekziston një numër i burimeve për posedimin mbi një territor. Në konceptin klasik, këto përfshinin zbulimin dhe okupimin e një toke të pabanuar. Ekziston gjithashtu edhe shtimi—procesi natyral me anë të së cilit deti i shton tokë një territori të caktuar. Më e rëndësishmja, ekziston mundësia e heqjes dorë nga një territor, apo transferimi i një territori nga një sovran tek tjetri. Këto burime të posedimit nuk janë relevante për rastin në fjalë.

Në vend të kësaj, rasti i parë që është konsideruar ndërlidhet me historinë unike të Kosovës. Historia e bërjes së Kosovës shtet ka implikime shumë të fuqishme ligjore, të cilat janë marrë në konsideratë në pjesën e parë të këtij studimi, duke shpënë në diskutimin mbi parimin e uti possidetis.

Çështja e dytë që është konsideruar në këtë kontekst ka të bëjë me administrimin efektiv të atij territori. Edhe nëse ekziston një fletë posedim i një territori, a është shpjerë përpara ai posedim, apo konfirmuar, nëpërmjet dëshmive të administrimit efektiv të tij?

Së treti, ekziston edhe çështja e hartave. Deri në çfarë mase janë palët të kufizuara apo të detyruara nga hartat jozyrtare apo madje ato zyrtare. Së katërti, ekziston pyetja e sjelljes pasuese të palëve, në këtë rast në kontekst të negociatave dhe të procesit të ratifikimit të Marrëveshjes së Vjenës. Një pyetje tjetër ka të bëjë me pyetjen e mbylljen e vijës kufitare. A mund të ri-hapet dhe adresohet prapë çështja nëpërmjet negociatave apo madje arbitrazhit? Pasi të jenë zgjidhur këto çështje, pyetja e trajtimit të të drejtave historike apo praktikave të popullatës vendore del në sipërfaqe. Si mund të përputhen këto të drejta me përcaktimin e vijës kufitare?

Shtetësia e Kosovës dhe kufijtë

Shtetësia e Kosovës është pranuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, por jo edhe pa kushte. Shtetësia e Kosovës është kushtëzuar me pranimin nga ana e saj e të disa realiteteve territoriale, ashtu siç i përfitoi ajo në përfundim të luftës së vitit 1999.

Lufta përfundoi me anë të të ashtuquajturës “Marrëveshje e Kumanovës”, apo Marrëveshja ushtarako-teknike në mes të NATO-së dhe autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë me 9 qershor të vitit 1999. Marrëveshja vendosi procedurat dhe modalitetet e tërheqjes nga Kosova të forcave të sigurisë së Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ). Ajo gjithashtu vendosi një zonë të sigurisë pesë kilometra jashtë kufijve të Kosovës në pjesën tjetër të territorit të RFJ-së, si dhe një zonë të sigurisë ajrore, që shkonte deri në 25km jashtë kufirit të Kosovës. Marrëveshja ishte e përcjellë me një hartë ku përcaktohej vija kufitare prej së cilës këto zona do të mateshin.

Ajo hartë, që më vonë do t’i shërbente NATO-së gjatë zbarkimit të saj në Kosovë (KFOR) dhe do të shfrytëzohej nga ana e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), vendosi një vijë kufitare me Malin e Zi që pasqyrohet tërësisht në atë të Komisionit Shtetëror në raportin e tij. Më 26 mars të vitit 2007, i Dërguari i Posaçëm i OKB-ve Martti Ahtisaari prezantoi propozimin e tij për zgjidhjen e statusit final të Kosovës para Këshillit të Sigurimit të OKB-ve. Propozimi përfshinte, në Nenin 1 (8) dispozitën në vijim:

Kosova nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj, dhe nuk do të kërkojë bashkim me asnjë, shtet ose pjesë të ndonjë shteti.

Neni 3.2 i Aneksit VIII (Sektori i Sigurisë së Kosovës) i propozimit adreson çështjen e kufirit të Kosovës. Neni thotë:

Territori i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome e Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001.

Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ) miratoi kushtetutën e fundit të saj, që përcaktonte identitetin e njësive konstitutive, më 1974. Propozimi i Ahtisaarit e përcaktoi dhjetorin e vitit 1988 si data vendimtare për vlerësimin e kufirit të Kosovës si pjesë e ish-Jugosllavisë, meqë qeveria e Millosheviqit kishte suprimuar pjesët kryesore të statusit dhe fuqive të Kosovës, të përcaktuara ma kushtetutën e vitit 1974, njëanshëm pas asaj date.

Propozimi i Ahtisaarit ishte pranuar nga Kosova por jo nga autoritetet në Beograd. Për shkak të pozicionit të Federatës Ruse propozimi, në fund, nuk u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe nuk iu imponua palëve. Megjithatë, Kosova plotësisht pranoi të gjitha kufizimet mbi sovranitetin e saj që zinte fill të përmbajtura në pakon e Ahtisaarit dhe e bëri këtë në mënyrë të njëanshme. Kur ajo deklaroi pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova konfirmoi në mënyrë eksplicite që do të ‘pranonte plotësisht detyrimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisaarit’. Edhe më qartë, Deklarata e Pavarësisë shtoi se: Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjëve tanë.

Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit

Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre. Kjo deklaratë e pavarësisë paraqet një kufizim unik, origjinal të sovranitetit të shtetit të sapoformuar të Kosovës. Kosova qartazi pranoi kufijtë e saj siç ishin vendosur në kushtetutën e vitit 1974 dhe të konsumuara e përdorura në kuadër të ish-Jugosllavisë deri më 31 dhjetor të vitit 1988. Ky përkufizim territorial është “i parevokueshëm” dhe Kosova obligohet që t’i përmbahet atij pa kushtëzime.

Është e qartë se njohja e Kosovës nga ana e shteteve tjera do të kushtëzohej me respektimin e këtij vetë-kufizimi. Për më tepër, të gjitha shtetet tjera, pamarrë parasysh a e kanë njohur Kosovën apo jo, kanë të drejtë ligjore të kufizohen në këtë zotim. Ky obligim erga omneskësisoji është efektiv edhe kundër Malit të Zi (i cili, natyrisht, ka njohur Kosovën).

Për më tepër, statusi territorial i Kosovës i definuar në Deklaratën e Pavarësisë, dhe me referencë tek Plani i Ahtisaarit, gëzon mbrojtjen e të drejtës ndërkombëtare. Obligimet ligjore ndërkombëtare të lidhura me kufijtë gëzojnë status të veçantë ligjor në kuadër të doktrinës të ‘stabilitetit dhe përfundimit’ të regjimeve kufitare. Sapo të është pranuar njëherë një kufi, një shtet nuk mundet lehtë të përdorë dispozitat e ofruara nga e drejta e përgjithshme ndërkombëtare për të zhvendosur, ndryshuar apo anuluar bazën relevante ligjore për kufirin. Ndryshimet në një marrëveshje për kufijtë, pas finalizimit të saj, mund të ndërmerren vetëm me pajtim të shtetit apo shteteve të përfshira në atë marrëveshje. Një marrëveshje e tillë mund të arrihet vetëm në mënyrë paqësore dhe mund të refuzohet nga ana e shtetit prej të cilit po kërkohet një ndryshim i tillë.

Kësisoj, përkufizimi territorial i Kosovës siç përcaktohet në Planin e Ahtisaarit bëhet i përhershëm dhe i rezistueshëm ndaj çfarëdo sfide apo ndryshimi të tij me anë të tri bllokadave ligjore që janë aplikuar: Nëpërmjet efektit të vetë-kufizimit origjinal të përmbajtur në Deklaratën e Pavarësisë, nëpërmjet pranimit të efektit erga omnes të atij kufizimi dhe kushtëzimi të njohjes së shtetësisë së Kosovës, dhe nëpërmjet aplikimit të së drejtës së përgjithshme ndërkombëtare dhe parimeve të Kartës së OKB-së.

Në të vërtetë, një bllokadë e katërt është e aplikueshme në këtë rast. Kushtetuta e Kosovës përcakton në nenin e saj të parë mbi definicionin e shtetit se: Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.

Doktrina e Uti Possidetis

Referenca në kufijtë administrativë të entiteteve të cilat përbënin ish-Jugosllavinë, është në fakt referencë në principin utis possidetis të ligjit ndërkombëtarë. Ashtu siҫ u tha në këtë studim, ky princip rrjedh nga Amerika Latine nga praktika në Amerikën Latine të shekullit të XIX, e cila mandej është pranuar si një princip i vlefshëm në procesin e dekolonializimit kryesisht në Afrikë në mes të shekullit XX, dhe në fund ky princip u shpall si tërësisht i aplikueshëm nga ana e komisionit të Badinter-it në kontekstin e shpërbërjes së ish-RSFJ-së.

Parimi e Possidetis Uti thonë se kufijtë e brendshëm krahinorë ose federalë shndërrohen në kufij ndërkombëtarë të njësive territoriale përkatëse. Këta kufijë në mënyrë automatike bëhen të mbrojtshëm nga ligji ndërkombëtarë dhe doktrina e integritetit territorial. Këta kufij nuk kanë nevojë që të konfirmohen nëpërmjet marrëveshjeve kufitare, edhe pse në disa raste është parë e nevojshme që të merren shpjegime shtesë të vijës uti possidetis nëpërmjet trraktateve apo arbitrimit. Kjo posaçërisht u bë në rastet ku territori në fjalë nuk ishte eksploruar deri në fund dhe ishte përgjegjësish i panjohur gjatë kohës sa ky territor ishte nën administrimin e një shteti më të madh, siç ishte rasti me vendet e Amerikës Latine të cilat përmbanin territore të largëta të xhunglës.

Natyrisht, nuk ka pasur probleme të tilla në rastin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Territori në fjalë ka qenë i administruar me dekada të tëra në kuadër të ish-Jugosllavisë dhe kufiri administrativë në mes të këtyre dy entiteteve mendohej se ishte mjaftueshëm i qartë.

Edhe pse kufijtë uti possidetis mund të bazohen në praktika vendore, megjithatë identifikimi i vijës kufitare uti possidetis, i përket sferës së ligjit ndërkombëtarë. Megjithatë, identifikimi i vijës kufitare uti possidetis, për sa i përket ligjit ndërkombëtarë duhet të merr parasysh burimet vendore nga koha e ish-Jugosllavisë, të cilat identifikonin vijën kufitare në mes të Republikës së Malit te Zi dhe Krahinës Autonome të Kosovës në kuadër të RSFJ-së. Ky kufi, shprehet nëpërmjet kufijve territorial të komunave të cilat gjinden pranë kësaj vije kufitare. Legjislacioni i Kosovës konfirmon shprehimisht se kufijtë komunal korrespondojnë me ndarjet kadastrale.

Rrjedhimisht, komisionet e dy shteteve janë fokusuar në të dhënat kadastrale të komunave përkatëse, për të vendosur, ose konfirmuar, vijën kufitare. Të dhënat kadastrale përmbajnë të dhëna mbi pronësinë e tokës sipas ligjit civil. Të drejtat pronësore sipas ligjit civil, nuk janëdomosdoshmërish të barasvlershme me tëdrejta territoriale të juridiksionit në kuadër të ligjit publik. Kjo sa është e aplikueshme për komunat, është aq e aplikueshme edhe për krahinat autonome, republikat me federate ose në mes të marrëdhënieve në mes të shteteve sovrane.

Për këtë, përkatësia e të dhënave kadastrale nuk qëndron nëpërcaktimin nëse individët nga Kosova ose Mali i Zi, ose autoritetet publike nga këto shtete, kanë pasur titullar pronësorë civil ose privat në ndonjërin territor. Por, të dhënat kadastrale janë të vlefshme në një kontekst tjetër, atë të doktrinës së ligjit ndërkombëtare të shfaqjes të autoritetit shtetërorë ose publik në mënyrë paqësore, tëpandërprerë dhe të papengueshme.

Ushtrimi efektiv dhe paqësor i autoritetit shtetëror

Doktrina e ushtrimit paqësor të autoritetit shtetëror, apo e administrimit efektiv të territori nga një autoritet publik, fiton në rëndësi në të drejtën ndërkombëtare në ato raste kur kufijtë territorial nuk burojnë nga një posedim i caktuar me një marrëveshje ndërkombëtare, duke përfshirë këtu marrëveshjes e heqjes dore nga ato territore, apo kur vija kufitare është kundërshtuar edhepse ekzistojnë marrëveshje për vijën kufitare. Administrimi efektiv i territorit nuk tejkalon apo zhvendos vetvetiu një posedim të vendosur më herët, përveç nëse një administrim i tillë është ndërmarrë përgjatë një periudhe të gjatë, ishte i mirënjohur (për shembull, i njohur, apo duhej të ishte i njohur nga fletëposeduesi), dhe që ka mbetur i pakundërshtuar.

Në këtë rast, vija kufitare uti possidetis është vendosur qartazi si burim i posedimit të territorit për Malin e Zi dhe Kosovën sipas së drejtës ndërkombëtare, dhe në relacion me Kosovën, gjithashtu me kushtëzimet në pavarësinë e saj. Për më tepër, pavarësia e të dyja entiteteve është mjaft e vonshme. Kështu, administrimi efektiv nuk ka pasur rastin të pjeket përgjatë një periudhe më të gjatë për ta zhvendosur nga rëndësia vijën uti possidetis.

Sido që të jetë, në këtë rast, administrimi efektiv, do të ishte relevant në përcaktimin e vijës së saktë uti possidetis aty ku është lënë e paqartë ndarja kufitare në mes të entiteteve administrative të ish-Jugosllavisë.

Duke e parë nga kjo perspektivë, të dhënat kadastrale të cilat kanë tërhequr shumë vëmendje në këtë rast, janë relevante, pasi që japin indikacionin më të saktë të shtrirjes së jurisdiksionit që komunat në fjalë pretenduan, ose menduan se e gëzojnë. Kjo është e vendosur qartë dhe në mënyrë konsistente në legjislacionin jugosllav dhe atë pasues, përfshirë këtu Ligjin për Anketimin Kadastral të Tokës së vitit 1973, rregulloren e UNMIK-ut 2000/43 të vitit 200, dhe Ligjit të Kosovës për Kufijtë Administrativ Komunal të vitit 2008. Ky i fundit konfirmon në mënyrë eksplicite, në pajtim me praktikat e mëhershme, se: KufijtëadministrativtëKomunësjanëkufijtëadministrativtëzonavekadastraleqë e përbëjnë territorin e komunës në pjesën që kufizohet me komunën fqinje ose përputhet me kufijtë administrative shtetëror të Republikës së Kosovës.

Më së voni, më 2013, gjatë periudhës së punës së Komisionit Shtetëror, Kosova miratoi edhe një ligj tjetër për kadastrën. Ky ligj obligon të gjitha institucionet lokale dhe qendrore që ndërlidhen me tokën të përdorin të dhënat dhe njësitë kadastrale të përfshira në regjistrin e Kadastrës. Për më tepër, ligji gjithashtu konfirmon përsëri, në Nenin 8, se komunat janë të ndara në zona kadastrale. Me ndryshim të definicionit territorial të komunës, ligji thotë, ndryshon edhe përgjegjësia për zonat përkatëse kadastrale, dhe e kundërta.

Këto dy komisione i kanë rishikuar të dhënat kadastrale ne detaje dhe përgjegjësi të plotë. Qeveria e Kosovës është regjistruar se ka pranuar konfirmimin që të dhënat në anën e Kosovës dhe të Malit të Zi, janë gjithëpërfshirëse dhe të plota: Nuk ka “zona të bardha” të cilat nuk mbulohen nga ndonjëra nga komunat, ose nuk ka zona ku pretendohet të ketë ankesa të juridiksionit.

Është aprovuar tashmë nga Komisioni ad hoc i cili ka rishikuar punën e komisioneve të të dyja shteteve dhe ka përmbledhur që nuk ka gabime teknike në kohën e mbledhjes së të dhënave me qëllim të përcaktimit të vijës kufitare, gjithashtu në zonat Kulla dhe Cakorr. Megjithatë, disa pohojnë se ky rezultat nuk është konsistent me dëshmi tjera të administrimit efektiv.

Kundërshtuesit e marrëveshjes së Vjenës kanë identifikuar disa raste dhe dëshmi të ushtrimit të fuqive të administratës së Kosovës në këto dy vende. Kjo thuhet të përfshijë leje, taksa dhe gjoba të lëshuara nga autoritetet komunale të Kosovës në lidhje me aktivitete në këto dy vende, dhe potencialisht edhe aktivitete të ndërtimit të rrugëve nga ana e autoriteteve të Kosovës në këto vende.

Megjithatë, këto dëshmi, për aq sa janë ofruar për qëllime të këtij studimi, janë relativisht të rralla dhe janë kundërshtuar nga tjerët. Këto kundërshtohen nga dëshmitë e ofruara nga Qeveria e Kosovës, me anë të cilave pretendohet se ofrohet një pamje më e qartë e përreth 37 rasteve të kosovarëve që u kanë paguar tatime dhe pagesa të ndryshme autoriteteve relevante komunale të Malit të Zi në lidhje me këto dy pjesë të territorit në fjalë.

Nga materialet e shikuara në kontekst të këtij studimi dëshmitë që sugjerojnë një administrim konsistent të Malit të Zi mbi zonat relevante duket të jenë më të fuqishme. Edhe po të ishin dëshmitë më të balancuara, rezultati nuk do të ndryshonte. Nëse Kosova do të kishte shpresë të pretendonte seriozisht mbi këto dy territore në fjalë, ajo do të detyrohej të prezantojë një rast më të fuqishëm të administrimit të saj efektiv mbi këto territore nga administrata qendrore apo ato komunale që të zhvendosnin fuqinë e uti possidetis që është në favor të kufijve komunalë të konfirmuar me anë të dëshmive kadastrale.

Dëshmitë hartografike

Është bërë shumë, gjithashtu, edhe për sa i përket dëshmive hartografike. Edhe një herë, jurisprudenca ndërkombëtare konfirmon se hartat kanë pak vlerë si dëshmi e të drejtës territoriale në vetvete. Në të vërtetë, ekziston një skepticizëm mjaft i madh kur konsiderohen dëshmitë hartografike, veçanërisht kur një dëshmi e tillë është e prodhuar në një farë masë. Shumë shpesh, del se një hartë kopjon linjat e një tjetër harte, pa i vlerësuar plotësisht dhe në mënyrë të pavarur kufijtë e shënjuar të asaj harte. Kështu duket të jetë rasti në lidhje me një numër të hartave jozyrtare, apo hartave të përdorura brenda-përbrenda Kosovës, për shembull hartat e përmbajtura në librat shkollorë apo edhe në atlaset me përmbajtje më shkencore.

Situata është ndryshe, në rastet ku hartat janë përdorur si një mjet për të shprehur vullnetin e shteteve përkatëse, në rastet kur i bëhet referencë këtyre shteteve në marrëveshjet kufitare. Marrëveshja e Vjenës është një rast i tillë. Ajo i referohet hartave të bashkangjitura asaj si pasqyrimi më autoritar i vijës së synuar kufitare, si shtesë e listës së referencave të koordinatave dhe përshkrimit tekstual.

Gjendja hartave në përgjithësi varet nga pyetja nëse, dhe si, palët i kanë përdorë ato në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare. Nëse, për shembull, një shtet vazhdimisht ka shfrytëzuar një hartë si një përshkrim autoritar të vijës kufitare, mund të vazhdojë të mbajë këtë pikëpamje, edhe nëse ekzistojnë burime konkurruese të së drejtës në favor të atij shteti.

Në këtë rast, edhe pse, këto harta do të duhej të ishin harta zyrtarisht të mbështetura nga Mali i Zi, duke treguar kufirin në favor të Kosovës dhe në dëm të Malit të Zi. Do të jetë më pak bindëse që hartat të mbështesin një pretendimin e paraqitur apo edhe të pranuar nga Kosova, pasi që kjo do të shihej si një produkt i mundshëm i interesit vetjak.

Në këtë rast, është pohuar se linjat e përvijuara në Flamurin dhe në simbolet e shtetit të Kosovës konfirmojnë pretendimin e Kosovës për territoret. Megjithatë, qeveria ka treguar se, përkundrazi, kjo linjë është në përputhje me vendimin e Komisionit Shtetëror.

Ndërsa dëshmitë e mëhershme hartografike ndryshojnë, është e qartë se shumë prej hartave të paraqitura së fundit janë në pajtim me linjën kufitare siç të përcaktuar nga komisionet shtetërore. Përsëri, vlen të përmendet se kjo nuk vlen për të gjitha hartat. Megjithatë, në masën që dëshmitë mund të konsiderohen në këtë studim, nuk duket të jetë një rast për të sfiduar linjën e përcaktuar kufitare në bazë të dëshmive hartografike që do të kishin qenë të shfrytëzuara si autoritare nga secila prej dy palëve në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare.

Statusi i Marrëveshjes së Vjenës, pranimi i heshtur dhe heqja dorë nga e drejta (“Acquiescence and Estoppel”)

Marrëveshja e Vjenës është rezultat i punës së njëkohshme të dy komisioneve shtetërore të që kanë punuar veç-e-veç dhe së bashku për një periudhë tre vjeçare. Komisioni Shtetëror i Kosovës përbëhet nga një numër ekspertësh të shquar në fushat e gjeografisë, historisë, ligjit, dhe zbatimit të kufijve, etj. Rezultati i punës së Komisionit në vetvete ka disa implikime në pretendimet e mundshme që mund të bëhen në emër të Kosovës.

Komisioni, që është një organ i shtetit të Kosovës, është i angazhuar në mënyrë shumë të vendosur për përcaktimin e vijës kufitare sipas marrëveshje. Qeveria e Kosovës, fillimisht përmes ministrit të saj për punë të jashtme, dhe pastaj kryeministrit, është angazhuar për zgjidhjen e propozuar, duke pretenduar se Kosova nuk humb as edhe ‘një inç’ (ose centimetër) të territorit të saj. Qeveria e Kosovës e ka përkrahur marrëveshjen e Vjenës pa mëdyshje, dhe është deklaruar tejet zyrtarisht se ajo është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Natyrisht, Marrëveshja nuk hyn në fuqi deri sa të ratifikohet nga Kosova. Sipas ligjit të traktateve, një shteti i kërkohet të mos e pengojë objektin dhe qëllimin e një traktati pas nënshkrimit dhe para ratifikimit. Vënia në pikëpyetje e vijës kufitare të vendosur në një marrëveshje të kufirit mund të rezultojë një akt të tillë. Megjithatë, nuk ka asnjë detyrim ligjor për të përfunduar procesin e sjelljes së traktatit në fuqi.

Megjithatë, miratimi i qartë i linjës së përmbajtur në traktat do të merret për të përjashtuar mundësinë që Kosova ta vë në pikëpyetje atë në një fazë të mëvonshme. Për këtë arsye, sjellja e Kosovës pak a shumë ka përfunduar të gjitha diskutimet ligjore për këtë çështje, edhe nëse Marrëveshja ratifikohet apo nuk ratifikohet tani.

Mund të thuhet se Kosova ka marrë këtë pozicion përkundër disa kundërshtimeve brendapërbrenda Kosovës. Megjithatë, në të drejtën ndërkombëtare është qeveria ajo e cila bën zotime në emër të shtetin në kuptimin ligjor. Dhe qëndrimi i qeverisë ka qenë i qëndrueshëm dhe i qartë në këtë çështje. Madje edhe një ndryshim në qeveri nuk do ta ndryshojë këtë situatë.

Mundësia e rishikimit ose shqyrtimit?

A do të ketë ndonjë mënyrë ligjore për të sfiduar marrëveshjen? E drejta ndërkombëtare është shumë në mëdyshje kur bëhet fjalë për pranimin arsyeve për të hedhur poshtë detyrimet ligjore në lidhje me kufijtë. Doktrina e stabilitetit dhe përfundimit të regjimeve kufitare i bën traktatet e këtilla edhe më të qëndrueshme ndaj ndryshimeve të njëanshme në tentativë ose ndërprerjen e tyre. Në kuptim faktik, nuk do të ishte e lehtë të përdorej argumenti i gabimit, mashtrimit apo korrupsionit te zyrtareve shtetërorë gjatë arritjes së marrëveshjeve për traktate te kufijve në këtë rast si bazë për ndërprerje të procesit.Është pohuar se në rast të zbulimeve të reja të fakteve në lidhje me vijën kufitare, mund të kërkohet një rishqyrtim i marrëveshjes.

Megjithatë, në rast se ratifikohet marrëveshje kjo nuk mund te qëndrojë. Doktrina e “ndryshimit rrënjësor të rrethanave” vështirë se do të ishte e zbatueshme në një rast të tillë. Përsëri, konsideratat mbi stabilitetin dhe përmbarimin e kufinjëve me shumë gjasë do merrnin precedentë në këtë rast. Për më tepër, asnjë rrugë e veprimeve ligjore nuk do te ishte e mundshme për Kosovën. Kjo përfshin edhe çfarëdo hapa ligjorë që Kosova do të mund të merrte. Marrëveshja Vjenës ofron vetëm një mjet diplomatik për zgjidhje të mosmarrëveshjes. Referenca qe i behet mundësisë se arbitrimit do te bie përderisa Mali i zi nuk do te pajtohej shprehimisht për një rrugë te tillë apo për çfarëdo juridiksioni tjetër lidhur me mosmarrëveshjen e mundshme.

Ligji për ratifikim e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës thotë:

Dispozitat e marrëveshjes mbi përcaktimin e kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, nënshkruar në Vjenë, më 26 gusht 2015, në rast se ofrohen argumente të reja ligjore, mund të ndryshohen me miratimin e palëve. Dispozitat e kësaj Marrëveshjeje mund të ndryshohen duke ndjekur të njëjtat procedura që janë të parapara për miratimin e saj. Me pëlqimin e palëve, mund të kërkohet arbitrazh ndërkombëtar për ndryshimin e dispozitave të marrëveshjes.

Kjo dispozitë nuk është një rezervë – traktatet dypalëshe nuk lejojnë ndërhyrje të njëanshme që pretendojnë të përjashtojnë ose modifikojnë marrëveshjet. Nuk do të kenë efekt juridik. Për më tepër, substanca e kësaj dispozite thjesht përmban atë që tashmë është dhënë në të drejtën ndërkombëtare. Natyrisht marrëveshja mund të ri-hapet dhe të ndryshohet me pëlqimin e të dy palëve. Çdo marrëveshje mund të ndryshohet, nëse palët bien dakord. Por, në një afat të zakonshëm të operimit të gjërave një marrëveshje e tillë nuk do të mbërrihet në qoftë nga ndryshimet e propozuara njëra palë humbet dhe tjetra fiton,. Në mënyrë të ngjashme, kjo dispozitë nuk përcakton një burim të juridiksionit për arbitrazh (ose me fjalë të tjera, të drejtën e njëanshme të Kosovës për të sjellë në procedurën e arbitrazhit, nëse janë dhënë argumentet e reja ligjore).

Përsëri, palët janë gjithmonë të lira të bien dakord për procedurën e arbitrazhit, por pse do të binte dakord pala tjetër, në qoftë se ajo vetëm mund të humb përmes një procesi të tillë. Edhe në qoftë se Mali i Zi do të bie dakord, për shembull, në interes të marrëdhënieve miqësore me Kosovën, nuk është e qartë se si do të mund ta hedh poshtë vijën tashmë të rënë dakord kufitare një tribunal i arbitrazhit, përderisa nuk i është dhënë mandat specifik për të shpërfillur deklaratat dhe parashtresat e Kosovës të bëra në lidhje me marrëveshjen e kufirit.Në fund, ekziston një mekanizëm i parashikuar në vetë Marrëveshjen. Të dyja shtetet bien dakord për të shënuar kufirin e përcaktuar nga marrëveshja në terren, brenda dy viteve, nëpërmjet një Organi të përbashkët punues të dy komisioneve shtetërore. Në funksion të kushteve lokale, gjeografike dhe ekonomike, Organi i përbashkët punues ka mundësi për të bërë korrigjimet e nevojshme dhe të balancuara në përputhje me pëlqim të dyanshëm.

Megjithatë, termi “i/e nevojshme” sugjeron se këto do të duhet të jenë korrigjime të diktuara pozitivisht nga kushtet lokale, gjeografike apo ekonomike. Megjithatë, kjo nuk është një dispozitë që ofron mundësinë e rihapjes së debatit për sa i përket vijës kufitare në baza ligjore apo në baza të tjera përgjithshme. Për më tepër, termi “i/e balancuar” lë të nënkuptohet se fitimi në territor i njërës palë do të kompensohet nga fitimet në vende të tjera për palën tjetër. Për këtë arsye, duket se kjo dispozitë ofron vetëm një hapësirë të kufizuar për ndryshime dhe nuk heq asgjë nga theksi i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare për stabilitetin dhe përmbarimin e kufijve.

Kjo gjetje është sforcuar me nenin 11 të marrëveshjes i cili parashikon se ndryshimet e marrëveshjeve mund të arrihen vetëm përmes një marrëveshje të përbashkët ‘të Palëve’, domethënë, jo nëpërmjet një marrëveshjeje të përbashkët brenda Organit të përbashkët punës. Kjo është konfirmuar nga kërkesa që një marrëveshje e tillë e përbashkët për ndryshime do të kërkojë të njëjtën procedurë të parashikuar për miratimin dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjes (domethënë, ratifikimit).

Qëllimi i përfundimit/përmbarimit të linjës kufitare siç të përcaktuar nga marrëveshja është konfirmuar edhe nga fakti se marrëveshja është përfunduar “për një kohë të pacaktuar”, në nenin 10.

Alternativa të politikave

Kosova tani do të shikojë të kërkojë ratifikimin e marrëveshjes. Nëse kjo del të jetë e pamundur për shkak të qëndrimit të opozitës dhe ndoshta edhe të disa deputetëve që u përkasin partive shumicë që mbështesin qeverinë në Kuvend, çfarë janë mundësish ekzistojnë?

Mundësia e parë është që të mohoj marrëveshjen (të tërhiqet nënshkrimi) dhe bile të përmbahen nga përcaktimi i kufirit siç të paraparë me marrëveshje duke kërkuar një zgjidhje të re. Ligjërisht, kjo do të jetë shumë e vështirë për ta bazuar për shkak të shumë linjave të ndryshme, marrë parasysh mbështetjen e fuqishme të Kosovës dhënë versionit aktual të marrëveshjes. Për këtë arsye, Kosova do të duhet të angazhohet si të thuash në politika të fuqisë. Kjo mund të llogarisë në faktin se Mali i Zi duhet të rregullojë kufirin e saj me Kosovën nëse dëshiron të përfundojë rrugën e saj të integrimin euro-atlantike, në veçanti në lidhje me NATO-n. Kështu, Mali i Zi mund të jetë i gatshëm që të ofrojë një zgjidhje tjetër. Ose, ndoshta do të jetë e mundur të negociohet një marrëveshje kompromisi, në formën e ushtrimit të sovranitetit të përbashkët të zonës në fjalë.

Por ky opsion, megjithatë, do të rrezikonte që të vë në rrezik marrëdhëniet me Malin e Zi në një afat të gjatë, dhe kjo do ta vë Kosovën përballë kritikave të shumta dhe ndoshta edhe veprimeve nga qeveritë që zakonisht e mbështesin atë. Duke pasur parasysh gjendjen delikate të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, një kurs i tillë i veprimit mund të jetë i pamatur, përderisa nuk ka tregues të qartë se Mali i Zi është i gatshëm për të ri-negociojë linjën kufitare. Për më tepër, ky veprim do të japë një justifikim të përshtatshëm për institucionet Europiane dhe për qeverinë për të mohuar udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës.Një mundësi e dytë do të ishte që të zgjedhin të dërgojnë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar.

Përsëri, ky hap do të kërkonte një qasje pozitive, vullnet të mirë dhe pëlqimin e Malit të Zi. Ky veprim do të marrë shumë kohë. Dhe, siç u tha më lart, Kosova me shumë gjasë do ta humbiste rastin në arbitrazh, meqë sjellja e saj duket se e pengon atë që ta vë në pikëpyetje linjën e kufirit që do të ishte caktuar/rregulluar në marrëveshje. Edhe në qoftë se, në një farë mënyre, ai aspekt do të zhvendosej përtej sferës së arbitrave. Për shembull, palët mund të pajtohen se tribunal ndërkombëtar mund vetëm të shqyrtojë zhvillimet që kanë ndodhur para fillimit të punës së Komisionit Shtetërorë në vitin 2012. Sidoqoftë, bilanci i argumenteve dhe analizës ligjore të ofruara në këtë studimkanë qenë se linja kufitareme shumë gjasë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Natyrisht, konstatimi nga një gjykatë e pavarur që konfirmon se vija kufitare mund të zgjidh çështjen. E vërteta është se, ajo nuk do t’i caktojë këto dy territorenë fjalë Kosovës, siç i kërkojnë kundërshtarët e marrëveshjes. Megjithatë, mund t’i bindë ata që kundërshtojnë marrëveshjen e tanishme që linja kufitare është, në fakt, në rregull, siç është konfirmuar në mënyrë të pavarur dhe nëpërmjet një procesi ligjor. Megjithatë, do të humbet shumë kohë në këtë proces.

Një mundësi e tretë do të jetë që të kërkohet një marrëveshje e përdoruesve me Malin e Zi para ratifikimit. Kjo marrëveshje do të ruajë të drejtat dhe praktikat e vendosura të kosovarëve në lidhje me territoret, dhe do të siguronte se Mali i Zi është i zotuar në mënyrë të përhershme në një administratë “të butë” të vijës kufitare në ato zona. Një marrëveshje e këtij lloji mund të arrihet në mënyrë joformale, në një shkëmbim letrash, ose nëpërmjet të një dokumenti të sigluar nga të dy palët. Marrëveshje të tilla shtesë nuk kanë nevojë për ratifikim, por janë tërësisht të detyrueshme në të drejtën ndërkombëtare.

Çështjet që mund të adresohen mund të përfshijnë një angazhim apo zotim të Malit të Zi:

• Për t’u garantuar kosovarëve të cilët janë pronarë të tokave në anën malazeze të kufirit sigurinë e vazhdueshme mbi të drejtën e tyre për ato prona dhe qssje të plotë në tokat e tyre dhe vlerën që ato përfaqësojnë;

• Për të garantuar shfrytëzimin e vazhdueshëm të tokës, të tilla si kullosat, peshkimin dhe pyjet, nga individët shtetas të Kosovës dhe, nëse aplikohet, kompanitë, në të dy fusha, në përputhje me praktikat historikisht të vendosura;

• Për të garantuar trajtimin e barabartë të kosovarëve që aplikojnë për licenca dhe koncesione në lidhje me prerjet, peshkimin, minierat, përdorimin e ujit dhe aktivitete të tjera;

• Për të administruar pikat kufitare në këto dy zona edhe pse me një sistem të lehtë kontakti, në përputhje me kërkesat përkatëse të BE-së. Kjo mund të përfshijë dokumentacion të veçantë për banorët vendas, të cilët rregullisht kalojnë kufirin, për të lehtësuar një kalim të tillë, dhe hequr të gjitha kërkesat që mund të zbatohen në rrethana të tjera (sigurimi, dokumentacioni shëndetësor, etj), dhe për të siguruar se kjo marrëveshje mund të jetë e qëndrueshme nëse Mali i Zi ndryshon regjimin e saj kufitar në funksion të integrimit në BE.

• Për të konsideruar ndryshimin e lokacionit të pikave përkatëse kufitare përtej dy zonave në fjalë, duke i lëvizur më brenda territorit malazezë, pa cenuar të drejtën ligjore mbi territorin;

• Për të aplikuar, në mënyrë të ngjashme, një sistem të lehtë në lidhje me zbatimin e juridiksionit nëpërmjet policisë, zyrtarëve të kufirit dhe forcave ushtarake në të dy zonat, si dhe të shmangë praninë e madhe dhe të dukshme të forcave të tilla si në rrethana të zakonshme. Të konsiderojë sugjerimin e patrullimit të përbashkët në zonat ku kosovarët vazhdojnë të ushtrojnë veprimtari historikisht të njohura dhe përcaktuara;

• Për të vendosur një pikë kontakti në dy komunat përkatëse për të adresuar ndonjë çështje që të dalë në lidhje me situatat e lartpërmendura dhe për të fuqizuar dhe udhëzuar zyrtarët përkatës që veprojnë në pikat e kontaktit për të adresuar çështjet në kompetencë të tyre në mënyrë efektive dhe me dashamirësi;

• Për të formuar dy komisione të përbashkëta të komunave kufitare, respektivisht, për të adresuar bashkërisht çështjet me interes të përbashkët në lidhje me përdorimin e burimeve të këtyre zonave, qasjen në dhe rreth-e-përqark zonave, mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e parkut natyror, dhe çdo çështje tjetër që mund të dali në lidhje me to. Komisioni do të mblidhet çdo tre muaj dhe do të përfshijë një anëtar të deleguar nga secila prej dy qeverive qendrore.Natyrisht, kjo nuk do të jetë e mundur që të arrihet një marrëveshje të tillë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore që duket të jetë në dispozicion për ratifikim. Megjithatë, kur të përballen me mundësinë e dështimit të procesit të ratifikimit, ose të grindjeve të shumta të brendshme në Kosovë lidhur me këtë çështje, mund të mendohet si veprim i mençur për ta shqyrtuar nëse një shtyrje apo vonesë e shkurtër e ratifikimit mund të mjaftojë për të sjellë një marrëveshje të llojit apo modelit që është parashikuar këtu. Mali i Zi deri më tani ka treguar se do të respektojë të drejtat e vendosura të kosovarëve lokalë, dhe gjithashtu ka një interes që ta shohë ratifikimin e suksesshëm të Marrëveshjes.

Në qoftë se nuk ka kohë të mjaftueshme në dispozicion për një gjë të tillë, Kosova mund të konsiderojë një ratifikim të kushtëzuar. Që do të thotë, Kosova mund të shtojë një paragraf të mëtejmë në ligjin për ratifikimin. Ai paragraf mund të deklarojë se ratifikimi do të hyjë në fuqi sa menjëherë pasi që qeveria e Kosovës të vërtetojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës se është arritur një marrëveshje ekzekutive shtesë, së bashku me linjat kufitare të propozuara këtu.Kosova, gjithashtu, mund të ftojë qytetarët e saj ql të depozitojnë kërkesa për korrigjime më të vogla që mund të bëhen nëpërmjet Organit të përbashkët punues të dy komisioneve shtetërore të themeluar në pajtim me marrëveshjen. Kjo pastaj do të përfaqësojë kërkesat e tilla në Komision. Në mënyrë të qartë, kjo nuk do të mbulojë dy zonat si të tëra. Megjithatë, mund të ketë rregullime të vogla që mund të lehtësojnë jetën e popullsisë lokale që mund të realizohet në një mënyrë të balancuar. Siç u përmend më lart, korrigjimet të tilla më të vogla mund të bëhen në qoftë se ato janë të nevojshme për arsye lokale, gjeografike apo ekonomike me pëlqimin e ndërsjellë në kuadër të Komisionit dhe nuk kërkojnë ri-negocimin e marrëveshjes së përgjithshme.

Rreth Autorit

Profesori Marc Weller është eksperti kryesor i të drejtës ndërkombëtare dhe profesor aktual i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Studimeve Kushtetuese Ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit. Ai shërbeu për gjashtë (6) vjet si drejtor i Qendrës Lauterpacht për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit. Profesori Weller shërbeu gjithashtu si Vincent Wright Profesor në Shkencat Po në Paris, dhe si Profesor me korrespondencë në Kings College, Londër, në Universitetin e Parisit (X) dhe në Universitetin Keio në Japoni. Ai ka shërbyer edhe si Drejtor i Studimeve në Akademinë e Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare, dhe ka dhënë Kursin e Përgjithshëm në Akademinë Xianmen të së Drejtës Ndërkombëtare në Kinë, përveç kësaj ai ka ligjëruar në Akademinë e Venedikut për demokratizim dhe të drejtat e njeriut dhe në Universitetin Aristotelian, Greqi. Profesori Weller mban tri tituj të ndryshëm të doktorit të shkencës (PhD), në shkencat ekonomike dhe sociale, në drejtësi dhe në të drejtën dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vitin 2014, ai u nderua me Çmimin prestigjioz Halsbury për arritjet e tij të shkëlqyeshme në të drejtën ndërkombëtare.

Profesori Weller është autor, redaktor dhe bashkautor i rreth 25 librave në fushën e të drejtës ndërkombëtare. Ai ka marrë pjesë në takime të nivelit të lartë në cilësinë e Këshilltarit ligjor dhe Ekspertit të lartë ndërmjetësues për Kombet e Bashkuara dhe organe të tjera në shumë procese paqësore ndërkombëtare dhe është një ekspert i njohur në zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare. Në këtë funksion ka shërbyer si këshilltar ligjor për një sërë të të dërguarve special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke përfshirë, Kofi Anan-in, Lakhdar Brahimi-in, Jamal Benomar-in dhe Stefan de Mistura-në.

Ekspertiza e Profesorit Weller përfshin, në veçanti, ish-Jugosllavinë, duke përfshirë posaçërisht Kosovën. Ai ishte këshilltar ligjor i Delegacionit të Kosovën në negociatat e Rambujesë dhe gjatë negociatave të procesit të udhëhequr nga Ahtisaari për statusin përfundimtar të Kosovës. Ai gjithashtu këshilloi për sa i përket aspekteve të kushtetutës së Kosovës dhe ishte i përfshirë në hartimin e ligjeve të rëndësishme të Kosovës. Për më tepër, ai ka udhëhequr aktivitetet e Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë përafërsisht për një dekadë, ndërsa shërbente si drejtor në selinë e Qendrës në Flensburg, Gjermani. Profesor Weller është autor i trajtimit më të madh të pozitës së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare deri më sot, “Shtetësia e Kontestuar: Lufta e Kosovës për pavarësi” (Oxford University Press, 2009, botuar edhe në shqip nga KOHA, në vitin 2009).