QEVERI TRANZITORE APO “STANJACIONI”?!

0
717
Basha-Rama

AV. XHABIR ZEJNUNI

Këto ditë (dhe netë!), nga opozita jashtë parlamentare po diskutohet (por, po kërkohet edhe në shesh me shumë “zjarr”!) shtyrja e zgjedhjeve lokale dhe krijimi i një Qeverie Tranzitore, e cila të mundësojë krijimin e kushteve të rregullta të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Shpresohet dhe urohet që këto zgjedhje parlamentare të jenë më në fund të ndershme!

Opozita jashtë parlamentare, si kërkesë parësore ka dorëheqjen e Ramës nga posti i Kryeministrit. Kaq mund të kërkojë opozita, e cila mendon se me këtë dorëheqje Rama do dobësohet (por, jo nga shëndeti!). Në këtë rast, opozita jashtë parlamentare mendon që t’i heqë Ramës nga duartë vetëm një letër nga loja e pokerit politik që po luhet aktualisht. Por, edhe kështu Rama ka në dorë më shumë letra se sa opozita jashtë parlamentare. Ai është Kryetar i Partisë Socialiste në pushtet.

Por, është edhe deputet në të njëjtën kohë. Ndërsa opozitës jashtë parlamentare i mungon letra kryesore për të luajtur, e cila është mandati i deputetit, të cilës ajo ja “vuri flakën” në shkurt të këtij viti! U mendua se vendet bosh në Parlament nuk do plotësoheshin nga lista renditëse! Por, si për çudi në Parlament hynë gati 40 deputetë të rinj, të cilët nuk ju bindën diktatit të partive të tyre. Plus Murrizit (të cilit ja bënë kurrizin më të butë se sa barkun!) dhe Hajdarit që nuk e dorëzuan mandatin e tyre.

Duhet pohuar se pranimi i mandateve, i dha një legjitimitet Parlamentit aktual. Por, nga ana tjetër opozita jashtë parlamentare nuk po i njeh deputetët e rinj (jo vetëm në moshë!) dhe madje po i anatemon ata. Por, këtu kemi një kontradiksion të pariparueshëm. Kemi një opozitë de facto jashtë parlamemtare dhe kemi një opozitë de jure në Parlament, që për momentin nuk kanë lidhje mes tyre!

Nëse do kemi një Qeveri Tranzitore, do thotë që në tratativa do përfshihet opozita jashtë parlamentare de facto dhe pozita aktuale parlamentare. Po opozita parlamentare de jure do përfshihet në tratativa? Nëse po, me çfarë ÇMIMI do bëhen këto tratativa?

Pasi vetë opozita aktuale parlamentare de jure është më se e vetëdijshme që ajo është një opozitë tranzitore, duke qenë se në zgjedhjet e ardhshme ajo nuk do përfshihet në listat përkatëse të kandidatëve! Pasi vështirë se do i leverdisë partive ndryshimi i ndryshimeve kushtetuese të prillit të vitit 2008!

Po ashtu, kjo situate politike kërkon edhe një garanci tjetër në këtë periudhë tranzitive, e cila ka të bëjë me zgjedhjen e një Kryeprokurori të ri (“tri partizan”!).

Që do thotë se vendi më në fund duhet të ketë një KRYEPROKUROR të VERTETË, i cili të jetë jashtë ndikimeve politike dhe jo si “shefja aktuale e kuadrit të Prokurorisë së Përgjithshme”, apo paraardhësi i saj tashmë në syrgjyn! Pra, do duhet të zgjedhet një profesionist me anë të votimit në Parlament.

Ligji Nr. 97/2016, “Për organizmimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, tek neni 35, par. 2, disponon se “Prokurori i Përgjithshëm emërohet në përputhje me nenin 148/a të Kushtetutës”.

Por, sipas nenit 148/a të Ligjit Nr. 76/2016 (ndryshimet kushtetuese!) të votuara nga 100% e deputetëve, “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me TRE të PESTAT e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi”. Pra, do nevojiten 84 vota, që PS-ja aktualisht nuk i ka.

Por, edhe këtij ngërçi i është gjetur “ilaçi”! Nëse nuk zgjidhet Kryeprokurori, atëherë në “ndihmë” na vjen par. 2, i cili disponon se “Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar”. Fantastike! Që do thotë se në këtë rast vota e “tradhëtarëve” nuk do nevojitet fare!

Por, këtu lind një pyetje e sikletshme: “E nëse e PARA në listë, do renditet “shefja AKTUALE e Kuadrit të Prokurorisë”, si do i bëhet hallit?!
Dhe pyetja vijuese: “A do ketë aq forcë opozita jashtë parlamentare që të mundësojë renditjen e saj në listë më poshtë se vendi i parë”? Për efekte “sigurie” natyrisht!

Nëse problemi i Kryeprokurorit (res) edhe mund të zgjidhet, kjo gjë nuk mund të arrihet për ligjet e tjera, ku do nevojitet patjetër shumica e CILËSUAR. Siç eshte KODI ZGJEDHOR për shembull, të cilin opozita kërkon ta ndryshojë.

Do kemi shumë skena kontradiktore dhe komike në të ardhmen nëse do krijohet një Qeveri Tranzitore. Opozita jashtë parlamentare de facto, do bëjë sugjerime dhe propozime, të cilat do duhet të votohen jo vetëm nga pozita socialiste parlamentare, por edhe nga opozita “tradhëtare” de jure.

Do jetë kaq “bujare” atëherë opozita “tradhëtare” de jure të votojë këto ligje, apo ndryshime ligjore, pa marrë ajo asgjë në këmbim?! Apo do kemi një “pajtim” për hir të demokracisë dhe popullit “sovran” mes dy opozitave: de facto dhe de jure?! Minimumi që mund të kërkojë opozita “tradhëtare”, do jetë përfshirja e saj në vendet e para të listave të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Kjo kërkesë do shoqërohet me “garancitë përkatëse dhe të nevojshme” dhe nuk do mjaftohet vetëm me “shtrëngime duarsh mes burrash”! Pasi burrëria në politikë nuk ekziston! Por, në këtë rast, do rrezikohej shumë përfaqësimi në Parlamentin e ardhshëm i “senatorëve” aktualë të opozitës jashtë parlamentare. Do jenë dakord apo “bujarë” ata që të rrezikojnë kaq shumë për hir të demokracisë përfqaësimin e tyre në Parlamentin e ardhshëm?!

Fakti më lart, lidhet edhe me një fakt tjetër. Me 29 prill, 5 partitë e vogla të koalicionit opozitar bashkë me PD-në dhe LSI-në, paraqitën një platformë me 12 pika, ku pika më e realizueshme duket se është pika 8, e cila me shumë të drejtë kërkon ”Kufizimin e mandatit të Kryeministrit dhe të deputetëve”. Shumë dakord. Në këtë rast, socialistët mund të tregohen shumë zemërgjerë për të propozuar dhe realizuar “kufizimin e mandatit të deputetëve”.

Për shembull, DY (ose tri!) mandate. Do jetë dakord atëherë opozita de facto me këtë ndryshim kushtetues dhe ligjor? Ose më saktë senatorët e saj?
Nga sa më lart, rrjedh se opozita ka bërë GABIM FATAL që ja ka “vënë flakën” mandateve parlamentare! Do duhen shumë vite për të fituar kohën e humbur. Jo për opozitën dhe politikën në këte rast, por për popullin “sovran”.

Për të mos thënë se kjo humbje kohe i ka leverdisur dhe do i leverdisë akoma në vijim ortakërisë politike për arsye që dihen (…)!

Komplimenti.