QENËSIA E THJESHTËSISË POETIKE

0
534
Enca Skutari - Hënza fshihet prapa maleve

Anton Nikë Berisha

Mbi poezinë e Enca Skutarit
Me rastin e vdekjes se poetes arbëreshe Enca Skutari (Enza Scutari)

Fjala dhe mendimi

Fjala është qenie dhe qenësi e mendimit, e komunikimit dhe e gjallimit të njeriut në kohë dhe në hapësirë. Nëpërmjet saj gjërat dhe dukuritë marrin kuptimet përkatëse dhe si të tilla shfrytëzohen në jetën dhe në veprimin e përditshëm. Kjo qenësi dhe rëndësi e fjalës shprehet në mënyrë të qartë në Ungjillin sipas Gjonit, ku thuhet: Në fillim ishte Fjala / e Fjala ishte në Hyjin / e Fjala ishte Hyj…/ Prej saj u bë çdo gjë1.

Edhe në artin e fjalës, e mbrenda tij dhe në poezi, fjala – gjuha, bën qenësinë e çdo shprehje e çdo kumti, e çdo mendimi që del nga struktura e tekstit konkret; ajo bën thelbin e komunikimit artistik mes njerëzve e të përvojës jetësore dhe përvojës artistike, që njeriu, nga fillimi i gjallimit të tij, e shfrytëzoi dhe e barti prej një brezi te tjeri, duke ua lënë trashëgim atyre që erdhën më vonë.

Në artin letrar poetik nëpërmjet fjalëve sajohet mendimi. Dhe pikërisht marrëdhëniet mes fjalëve, përkatësisht nga kuptimet që dalin nga ndërlidhja, ballafaqimi dhe kundërvënia e tyre përligjin fuqinë shprehëse, tingëllueshmërinë dhe muzikalitetin, madhështinë artistike. Së këndejmi gjithë mëvetësia dhe madhështia e një poeti përligjet pikërisht nga mënyra e përdorimit të fjalëve, përkatësisht e gjuhës poetike që përdor, nga shumësia e mendimeve ose e simbolikës që dalin nga fjalët, nga tablot që përftohen e nga nënteksti poetologjik që rrjedh nga ato. Pra, fjala qe dhe mbetet thelbi i çdo mendimi dhe pikërisht mendimi ishte ai që i parapriu çdo veprimi të njeriut në jetën e tij të përditshme; i ndihmoi atij ta njohë e ta kuptojë qenien e vet, po dhe shpirtin e tjetrit, botën dhe fatin e njeriut në përgjithësi, t’i njohë e t’i shpjegojë dukuritë e shumta, qenësinë, ekzistimin dhe mbijetimin e tyre.

Fjala dhe mendimi në poezinë e poetes arbëreshe, Enca Skutari (Enxa Scutari – 1926)2, paraqesin dy qenësi që shkrihen në një tërësi dhe kanë një rol të dorës së parë. Ç’është e vërteta, këto përbëjnë shpirtin e poezisë, e këngës së saj. Për këtë arsye autorja u kushton kujdes të madh fjalëve që përdor në tekstin e poezisë dhe kuptimeve që dalin prej tyre e prej marrëdhënieve që krijojnë ato mbrenda strukturës së tekstit përkatës poetik. Për Skutarin pikërisht në fjalë fshehet fuqia magjike shprehëse. Si e tillë ajo është mbizotëruese për arsye se është në gjendje të shprehë fshehtësi të botës, të dukurive të saj, të shpirtit të njeriut dhe të shqiptojë veçantinë e marrëdhënieve midis njerëzve si dhe të ndriçojë e të përjetësojë fshehtësitë e Hyjit e të krijimit të botës si dhe ndërliqësinë e natyrës dhe bukuritë e saj.

Mendimi që del nga fjalët, nga vargu, për Skutarin është qenësi dhe ndërliqësi, është, si thotë metaforikisht ajo, nata që përshkon ditën dhe e ngatrron botën; është zëri i fshehur që ndeshet me gjithëçka që synon ta pengojë. Mendimi përballon dhe malet dhe synon ta mbërrijë (ta zërë) yllin më të shkëlqyer që ndrit në hapësirën qiellore.

Ti je nata
çë kapërxen ditën
e ngaterren jetën.
Ti je zëri i fshehur
çë lufton
me malet.
(Mendimi)

Poezia – kënga për Skutarin është njësim i fjalës (i gjuhës) me mendimin dhe mjet i pandërmjemë i frymëmarrjes, i gjallimit shpirtëror. Vetëm krijesa gjuhësore shprehëse që i përngjet rrjedhës së ujit të lumit është këngë e mirëfilltë, krijesë poetike që meriton të mbijetojë nëpër kohë. Poetja gjithnjë është në gjakim të këngës si krijesë që e bën të përballojë peshën e rëndë të jetës së përditshme, vuajtjet dhe pësimet shpirtërore.

e lumi reshten gurë
si fleta lisi,
po nëng dí
se këndon kënkën
çë u’ kërkonj
mos të harronj
se jam e gjallë.
(Mos t’harronj)

Qartësia dhe rëndësia e komunikimit

Koncepti poetik i Enca Skutarit ngrihet mbi bazën e thjeshtësisë, të qartësisë dhe të ngjeshësisë së përftimit të tekstit artistik e të mesazhit që del prej tij. Poetja gjakon që dukuritë e botës e të natyrës, pastaj shqetësimet, pësimet, fatin e njeriut, t’i shprehë nëpërmjet një strtukture të thjeshtë tekstore, po të përftuar me përkushtim. Ajo përdor fjalë dhe shprehje që ofrojnë mundësi të ndryshme për receptimin (pranimin) e mesazhit që del nga teksti. Pra, qenësore për autoren tonë është që krijesa gjuhësore poetike të mund të komunikojë me një rreth sa më të gjerë lexuesish arbrishtfolës, të jetë e kuptueshme dhe rrjedhimisht me këtë të bëjë ndikimin përkatës. Nëpërmjet fjalëve, gjuhës poetike, ajo gjakon të vërë një dialog me dukuritë dhe me gjërat që heqin peshë për jetën e përditshme të njeriut ose për botën e mbrendshme.

Në këtë mënyrë synohet njohja thellësore e botës dhe e shpirtit të njeriut, po dhe pasurimi i saj, si përvojë konkrete dhe artistike. Poezia e saj ngrihet mbi bazën që Benedeto Kroçe (Benedetto Croce) e përmbledh në këtë mënyrë: “Çdo shfaqje e pastër artistike është në vetvete gjithësia (universi), gjithësia në formën individuale, në formën individuale si gjithësi. Në çdo shqiptim të poetit, në çdo krijesë të imagjinatës së tij, është i gjithë fati njerëzor, të gjitha shpresat, të gjitha iluzionet, dhimbjet, gëzimet, madhështitë dhe dobësitë njerëzore; e gjithë drama e njëmendësisë (e realitetit) që ngjet e rritet në veprim me vetveten, duke vuajtur e duke u argëtuar”.

Si struktura tekstore shprehëse poezitë e Enca Scutarit janë të shkurtëra. Ato nuk ngrihen mbi bazën e një sistemi metaforash të zgjedhura e simbolesh të rralla, të përqendruara në leksema të veçanta e me nyjetim të shumtë kuptimor; nuk shprehin pathosin dhe emocionin e sforcuar, por janë poezi të një rrëfimi të veçantë e të ndjeshëm lirik, të krijuar nëpërmjet një gjuhe të kuptueshme, ndonjëherë simbolike, po jo abstrakte. Autorja i parapëlqen tablot si përbërëse të rëndësishme të krijesës së saj shprehëse poetike, të cilat, të ndërlidhura mes veti, bëjnë qenësinë e mozaikut artistik. Në të vërtetë, në bazë të përafrimit, të ballafaqimit ose të kundërvënieve të fjalëve, që shprehin kuptime e nuancime, gjendje e çaste të ndryshme, poetja krijon përfytyrimin e botës e të gjithësisë (universit), të jetës e të fatit të individit, krijon njëmendësinë (realitetin) poetike nëpërmjet strukturës gjuhësore. Kjo mënyrë e përftimit artistik shkakton një nëntekst të pasur poetologjik, që secili e recepton dhe e zhvillon në mënyrën e vet.

Mllënja
te çuka
lisit:
një vulë e zezë
ndër qiell
një fishkat
vjerr te era.
Dheu ka adurin
e borës.
(Adur borje)

Herë-herë një simbolikë sa e pasur aq e veçantë shprehet nëpërmjet ballafaqimit e kundërvënies së kuptimit të fjalëve, që merr formën e një “loje” domethënëse të botës së mbrendshme ose të fshehtësisë së dukurive.

Më tha vashez
e u’ qesha,
më tha mall
e u’ ja pata besë,
më tha nuse
e u’ bëra këshet,
më tha grua
e u’ shtura dega,
më tha zonjë
e u’ ngava qiellen
me një glisht.
(Më tha)

Poezia e Enca Skutarit është thellësisht poezi subjektive, e çiltër dhe e sinqertë. Autorja nuk gjakon e nuk trajton të ashtuquajtura “tema të mëdha”, po nëpërmjet imtësive, “vogëlsive”, pjesëve e gjendjeve të veçanta jetësore, shpreh çështje që gjallojnë mbrenda qenies dhe shpirtit të saj, përkatësisht trajton dukuri që lidhen me botën e njeriut në përgjithësi. Përvoja e gjatë jetësore i ka mundësuar njohjen e drejtpërdrejtë dhe të thellë të jetës; ajo ka provuar e ka përjetuar në jetë vetminë, pasigurinë, dhimbjen, pikëllimin, prandaj në poezinë e saj jeta trajtohet ashtu çfarë është në të vërtetë: e mirë dhe e keqe, e bukur dhe e shëmtuar, e hareshme dhe e helmueshme (e pikëllueshme), me pësime e me tragjikë. Këtë përvojë ajo e shpreh herë-herë në mënyrë të drejtpërdrejtë: Vetëm ti e di / o Zot, sa driza / gilmonjen / lkurën time; ose U ndihem si një zog / i bjerrë pa penda; ose Një ditë pa gjurmë… pa lot / pa gaz, po shpesh edhe nëpërmjet simbolikës dhe nëntekstit të pasur: Udhës mjegullat / më mbajnë frymën; ose Je ëndërr / pa kurm…/ Je Umbra / çë s’duron / kur dihet!

Në poezinë e kësaj autoreje nuk mohohen gëzimet e jetës, mirëpo mbipeshon shqiptimi i vuajtjes e i dëshpërimit, që shenjëzohen nëpërmjet territ, mjegullës, zogut pa krahë, brumbullit të zi, gjëmbave, suvalës, llavinës, lisit të thatë, shërtimës, thengjillit të pashuar, nuses pa keze, kërkimit të dritës së diellit, mëshirës së Hyjit e fjalëve të tjera me ngjyrim të këtillë.

Gjendja shpirtërore e trazuar, droja, pësimet shprehen sidomos nëpërmjet simbolikës së erës, që është funksionalizuar mjeshtërisht në disa poezi; ajo ia prish poetes drejtpeshimin shpirtëror e mendor; e bart dhe e tret si kashtezë dhe e bën atë të pikëllueshme në gjallimin dhe në veprimin e përditshëm.

era më spurrunxis
ndëpër jetë si një
fillith kashtë
e birem ndër llargat
çë e liga farmakos.
(Si një fillith kashtë)

Ndonjëherë era merr edhe ngjyrim të subjektit të personifikuar, të shpirtit të zemëruar, që rresht (shpërndan) ret në qiell, këput degë lisash e gremis gurë dhe çë më fryn / ndër vesh / si një shpirt / i rraxhuar!, që shenjëzon para së gjithash vuajtjen dhe mjerimin, gjë që e trazon poeten dhe e bën të vuajë.

Si një rreth
dielli,
si një rreth
hënza,
si një rreth
nga illith
si di rrethe
sit’ e tu
pa gaz.
(Mallanguní)

Poetja jo një herë ka përjetuar në jetë hidhërimin dhe helmin: ka kërkuar një lule e ka gjetur një gjëmb; ka kërkuar një qingj e ka gjetur një ujk, po shkallëzimi shpesh ka qenë edhe më i madh.

Kirkonja një zog
e gjeta një gjarpër.
Çë ditë pafan!
(Kirkonja një lule)

Skutari shpesh e shqipton jetën si gjakim, si projektim, si ëndërr. Nëpërmjet një strategjie të këtillë të shqiptimit ajo në të vërtetë i kundërvihet jetës së rëndë konkrete. Poetja parapëlqen jetën ëndërr dhe përmes saj gjakohet sidomos qielli dhe hënza, të cilat nuk mund t’i shuajë shiu mbi dhé (simbolikë e pësimeve në jetë); ëndrra i përngjan një fluture që prehet vetëm te hënza, që, pos tjerash, simbolizon edhe ndërlidhjen me qiellin, me hyjnoren.

Ëndrra ime:
një flutur
çë flë
te hënza
(Ëndrra ime)

Hyji dhe përshpirtshmëria

Duke e vështruar dhe shqiptuar botën dhe fatin e njeriut në një rrafsh thellësor, Skutari thekson se jeta tokësore është kalimtare, i përngjet borës buzëdetit, prandaj mirësia, flijimi për një jetë të njëmendët e të përvujtë, duhet ta cilësojë veprimin e secilës vehtje. Ajo kërkon që midis njerëzve të mbretërojë mirëkuptimi dhe gatishmëria për t’i ndihmuar njëri tjetrit, pra Të duhemi mirë, për të ngadhënjyer më lehtë mbi vështirësitë e të papriturat e gjallimit, për të zbutur sado pak vuajtjet dhe për të gjetur udhën e jetës qiellore, përmasë që thellësisht e përshkon poezinë e saj.

se kjo jetë rron
si bora te ohta.
Me të but
e dhëmbësí
me fermicë
e lipisí,
tue kapirxjer
gropa e timba
gjen udhën e gjerë
pir jetën çë nik shkon.
(Udha e gjerë)

Duke bërë objekt trajtimi artistik hirin, mëshirën, ngrohtësinë dhe dritën e Hyjit, autorja ka shprehur disa nga ndjesitë dhe fshehtësi më të thella shpirtërore.

Përmes artit të fjalës poetike, Skutari kërkon nga Zoti mëshirë, përkujdesje e ndihmë të vijueshme (ki lipisí / pir trenin tim / çë rrangár pa rola!) për përballimin dhe zgjidhjen e vështirësive të përditshme e sidomos lehtësimin e shqetësimeve dhe të vuajtjeve shpirtërore, të cilat i rëndojnë dhe e trazojnë në rrjedhën e veprimit e të mendimit.

Qëndrimi përballë Zotit dhe hirit të tij shprehet në mënyrë sa thellësore e të mëvetësishme. Kjo arsyetohet me të dhënën se Hyji shenjëzon dritësinë e gjallimit të përditshëm për secilën krijesë, po njëherit mëshirësinë, përvujtninë dhe shpërblimin shpirtëror. Sipas poetes Perëndia është burim i përhershëm i dritës dhe i mëshirës, nga i cili ajo merr fuqinë shpirtërore, ngushëllimin dhe përvujtninë (Pirpara tën Zot / sos të kesh / te zëmra / një pikëz mjalë / të kulluar), prandaj me një përkushtim e përshpirtje të thellë, i drejtohet Krijuesit të gjithëpushtetshëm; Ai është jeta e saj dhe mbrenda dritës së tij ajo gjallon.

Ti je jeta ime
udha e gjerë
prej qielles.
Te fjala jote
u’ nëng birem,
te drita jote
u’ marr fuqi
Ti je lumi
çë banë deshiret e mi
Ti je deti mbrënda detit
Shpirti pa vdekur
mbrënda shpirtit tim.
(Ti, o Zot)

Poetja nuk shqetësohet dhe nuk vuan vetëm për atë që pëson ajo si vetje, po edhe për atë që pësojnë të tjerët, për fatin e njerëzve e të gjallesave në pëgjithësi; fatkeqësinë e të tjerëve ajo e sheh dhe e përjeton si fatkeqësi të veten, gjë që dëshmon për një shpirt sa të ndjeshëm e fisnik, po aq të pasur e njerëzor, prandaj i drejtohet Hyjit me plot përkushtim.

U’ të lutenj, o Zot,
pir lisin pa rrënjë
pir lumin pa ujë
pir qingjin pa jëmë
pir fjalën time pa golë.
(Kalm prej erës)

Poezia e Enca Skutarit, si dhe poezia bashkëkohore e arbëreshëve të Italisë në përgjithësi, është krijesë nëpërmjet së cilës ajo gjakon njohjen dhe zbulimin e së vërtetës mbrenda vetvetes dhe tek tjetri; është përftesë ku shpërndërrohen e njësohen nuancimet e mendimeve, të tingëllimeve e të ritmit të shprehur nëpërmjet gjuhës poetike, përkatësisht ballafaqimit të fjalëve e të kuptimeve të tyre; është shqiptim i mbrendësisë shpirtërore dhe hyjnore përballë realitetit, është kërkim i njësimit me qenësinë e të qenunit dhe me qenësinë e së vërtetës; është përftesë (krijesë) që lind nga fuqia shpirtërore e krijuesit dhe nga nevoja për ta shprehur botën e mbrendshme dhe thelbin e gjallimit, të veprimit, të mendimit dhe të përsosjes së njeriut si dhe jetën e pasosur. Thënë metaforikisht: poezia e saj (si dhe ajo e poetëve të tjerë bashkëkohorë arbëreshë)3 është lindje që gjakon vijimisht rilindjen e përhershme nëpër kohë. Si e këtillë poezia e saj cilësohet me vlera të rëndësishme poetike dhe e pasuron në mënyrë qenësore poezinë bashkëkohore të arbëreshëve të Italisë.

Enca Skutari

Kosova 1999[1]

Duhet të jetë era e lindjes
që më sjell jehonën e rrëmetit
në rritje të pandalur, një shpërndrrim
çasti të dritës në pirgun e gërmadhave.
O Zoti im!… ulërijnë qent… gjithkah
shpërndarje e trupave njerëzish të coptuar,
një gjëmim i gjatë, i përhapur tej për tej, lot pelimi
të jetës së shpëtuar nga kthetrat e vdekjes, as pa
një shamizë për t’i fshirë.
Si të lirohet mendja nga poshtërimi
i ditëve të lara trishtueshëm në gjak,
që i jepen peng mijëvjeçarit të ri
me një faqe historie të llahtarshme.

________________________________________
[1] Këtë poezi të botuar edhe në gjuhën aglishte në “Emerging poets (At the end of the millennium), e përktheu nga italishtja në gjuhën e sotme Anton Nikë Berisha.

R E F E R E N C A:

1. Shih Shkrimi Shenjt Besëlidhja e vjetër dhe Besëlidhja e re. Përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj. Drita, Ferizaj 1994, f. 1504.

2. Deri më tash Enca Skutari botoi vëllimin me tregime nga tradita gojore arbëreshe e Shën Kostantinit Plaka rrëfen… Vita e storia di un comunità albanese della Lucania attraverso la “voce” della sua gente (San Costantino Albanese 1987), përmbledhjen me poezi në arbërisht Bubuqja (Gemme) – Kënka arbëreshë – Quaderni di “Basilicata – Comunità Arbëreshë”, 1984 dhe përmbledhjen në dorëshkrim Lule shtogu, (titulluar më vonë Hëna fshihet prapa malit).

Më 1997 botoi në italisht përmbledhjen me poezi Vega. Libroitaliano, Editrice Letteraria Internazionale, Ragusa.

Shkrimtarja Enca Skutari, duke iu përgjigjur ftesës së përbashkët me kolegun, Prof. Françesko Altimarin, nisur shkrimtarëve arbëreshë në fillim të vitit 1994 për të na dërguar shënimet përkatëse bio-bibliografike dhe mundësisht edhe veprat e tyre për Arkivin e shkrimtarëve bashkëkohorë të arbëreshëve të Italisë, ngritur pranë Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqiptare të Universitetit të Kalabrisë, na i dërgoi veprat e veta, midis të cilave dhe dorëshkrimin Qina (La piena). Në letrën përcjellëse (dt. 10. 02. 1994) dërguar bashkë me veprat, shkrimtarja kërkonte, me përvujtni të veçantë, mendimin tonë për vlerën e dorëshkrimit Qina. Po në të njëjtën letër E. Scutari na bënte të ditur se po vazhdonte punën në përgatitjen e poezive në stilin e veprës Bubuqja. Në përgjigjen time të dt. 17 shkurt, pos tjerash, i shkrova: “Bubuqja dhe Qina janë dy vepra të llojit, të karakterit dhe të cilësisë së ndryshme (…) në Bubuqja ka poezi që i cilëson një ndjeshmëri e veçantë lirike, që nuk gjindet në pjesën tjetër të poezisë bashkëkohore arbëreshe… Të kishte Bubuqja edhe ndonjë simotër (…) Meqenëse më bëni me dije se po vazhdoni punën në përgatitjen e poezive në stilin e Bubuqjes, ju them me gjithë mend se do t’i gëzohesha një dorëshkrimi të tillë (…) Poezia arbëreshe ka nevojë për poezi të radhës së lartë artistike. Me disa poezi Ju keni dëshmuar se mund të krijoni të tilla dhe ta pasuroni atë.”

Dhe gëzimi im nuk qe i vogël kur në fillim të prillit shkrimtarja më dërgoi (nga Padova) dorëshkrimin e ri Hënza fshehet prapa malevet bashkë me një letër (dt. 2. 04. 1994), ku ndër të tjera, më shkruante: “Nëse e shihni të arsyeshme, do të dëshiroja t’i bënit një parathënie…”

Një kërkesë e përvujtë, që dëshmon madhështinë shpirtërore të krijueses.

Pas pesë vjetësh poetja më dërgoi sërish dorëshkrimin e rishikuar e të plotësuar me dhjetra poezi të tjera.

3. Për poezinë bashkëkohore të arbëreshëve të Italisë shih librin tim: Antologji e poezisë bashkëkohore arbëreshe. Antologia della poesia contemporanea italo-albanese. Përktheu dhe rishikoi përkthimet në italisht Vinçenc Belmonte. Centro Editoriale e Librario Università degli Studi della Calabria. Rende (CS) 1999.