Bajram Curri, “Hero i Popullit”…
Nderim, në 92-vjetorin e vrasjes:
“Bajram Curr, o Bajam Curr,
Emri yt s’harrohet kurrë!…”
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
1.
Sado vite që të kalojnë, brez pas brezi, do të nderohet e kujtohet biri i paharruar i Kosovës dhe i mbarë Shqipërisë, “Heroi i Popullit” Bajram Curri. Sepse, ashtu si shumë atdhetarë e luftëtarë tjerë tanë trima, jetën e shkriu për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e mbarë trojeve tona amtare.
Me këtë rast, shprehim zemërimin, për përpjekjet e dëshpëruara të ndonjë personi të veçuar, i cili ka shkruar me keqdashje dhe ka synuar ta njollosë sadopak, këtë figurë shumë te nderuar dhe monumentale të historisë sonë kombëtare, të përpjekjeve vigane të popullit tonë për liri e demokraci. Sepse ai mbajti përherë një vend parësor, në periudhat e stuhishme, kur jetoi, punoi e luftoi me armë në dorë, deri sa i mbylli sytë përgjithnjë, në Shpellën e Dragobisë.
Tashmë, me kujdesin e studiueses së zellëshme e të pasionuar dhe punonjëse e AQSH, Vera Lushaj-Malësia, përveç dëshmive të shumta të mëparshme, kohët e fundit, janë publikuar, në Internet, disa dokumente të reja e bindëse, në të mirë të atyre, që shprehëm më lart. Këtu, po mjaftohemi vetëm me njërin prej tyre. Në letrën, që Luigj Gurakuqi i dërgonte Kel Marubit, në Shkodër, janë këto fjalë shumë domethënëse:
“Napoli.14 shtator 1920:
….Në qoftë se piqesh me z.Bajram Currin, të lutem, t’i paraqesësh njoftimet e mia dhe t’i thuash se, ditë për ditë, po më shtohet më tepër nderimi, që kam pasur për të, tue pamun shërbimet e paçmueshme, që i bën Atdheut…”(AQSH i RSH).
2.
Bajram Curri lindi në një karrocë, në vitin 1862, në fshatin Krushtë e Madhe të Kosovës, gjatë rrugës për në qytetin e Prizrenit. Pushtuesit osmanë po i internonin familjen, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), si hakmarrje ndaj qendresës antiosmane të babait të tij, Shaqir Currit. Erdhi në jetë “i burgosur”, por kurrë burgun nuk e pa me sy, as e lidhi do kush ndonjëherë, veç nëna në djep edhe pse armiqtë tërë jetën e ndoqën kamba-këmbës. Se ishte trim e trimëri merrte përherë nga populli ynë, për të cilin nuk kurseu asgjë, as jetën e tij.
Rasti e ka sjellë që, në rininë time, jam njohur nga afër me bashkëshorten e tij, kreshniken Dervishe ose “Ajkunën”, siç e quante vetë Bajram Curri. Por kam njohur nga afër dhe bijat e tij, nënë Feriden, në Tiranë dhe nënë Hajrinë dhe mbesat, Valdetin e Mimozën, në Shkodër. Kur shkoja për ndonjë arsye shërbimi në këtë qytet të lashtë, gjeja kohë e kthehesha në banesën e tyre mikpritëse. Deri para disa viteve, kur u nda nga kjo jetë, aty jetonte e moshuar nënë Hajria. Sigurisht, temë e bisedave tona ishte dhe babai i saj, “Heroi i Popullit” Bajram Curri.
Në vijim të këtyre lidhjeve, jemi takuar në Tiranë ose më ka marrë në telefon, nga Shkodra edhe mbesa e B.Currit, Mimoza Kraja-Meta. Ajo kishte një merak dhe amanet të nënë Hajrisë: “Mos e harroni asnjëherë gjyshin tuaj dhe kujtojeni me nderim, në çdo përvjetor të rënies së tij”.
3.
Siç tregonin bashkëkohësit, që në rininë e tij, Bajram Curri, i cili e kishte prejardhjen nga fshati Curraj i Epërm i Nikaj-Mërturit, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), u dallua për zgjuarësi dhe gjallëri. Bashkëmoshatarët dhe ata, që e njohën nga afër, tregonin se qyshë 10-12 vjeç i pëlqente të stërvitej me kalë dhe të godiste shenjën me gurë e më vonë me armë. I edukuar me ndjenjat atdhetare në gjirin e familjes, urrejtja për pushtuesit dhe çdo lloj armiku, iu kthye në nevojë jetësore.
Megjithëse provoi disa fatkeqësi familjare, Bajrami nuk e dha veten. Përkundrazi, gjeti forca për të punuar e luftuar më shumë për Atdheun. Nënë Feride Bajram Curri më tregonte: “Babës i vdiqën dy vëllezër, djem e vajza, por nuk u ligështua. Përkundrazi, u jepte forcë e zemër njerëzve, kur kishin halle. Më shumë kujdesej për të tjerët, se sa për vete. Baba ka patur muhabet të mirë, të shtruar dhe kurrë nuk rrinte pa shokë e dashamirë. Asnjeherë nuk ishte me nerva të ngritura në jetën familjare e shoqërore dhe nuk dëshironte t’i dëgjonte të tjerët të bënin shamatë. Ishte shakaxhi dhe i pëlqenin kënga e muzika popullore. Zërin e kishte të bukur, melodioz; mendjen të hollë dhe ishte shumë zemërgjerë”.
Siç dihet, Bajram Curri nuk pati shkollë, por ishte mjaft i zgjuar nga natyra dhe arsimdashës. Me kujdesin e tij, u çelën shkolla shqipe në: Gjakovë (më 1915), në Malësinë e Gjakovës dhe në Has e Lumë etj., në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Me dhjetëra djem kosovarë i dërgoi për të vazhduar mësimet në Shkup, Kolgecaj e Krumë, në Tiranë dhe Elbasan. Duke vlerësuar lart ndihmesën e tij në këtë fushë, në Kongresin e Arsimtarëve të Tiranës (më 1924), atë e zgjodhën kryetar nderi etj. Siç e fikësuan studentët shqiptarë në një fotografi, tashmë të njohur, Bacë Bajrami pati si moto të jetës së tij: “Një për të gjithë, të gjithë për një!”.
Nga e majta: Bashkëshortja e B. Currit, Dervishja ose “Ajkuna”, siç e quante ai dhe bijat, Hajria e Feridja (Montazhi me fotografi, nga: M.Gecaj)
4.
Qyshë në rininë e tij, Bajram Curri doli në ballë të qendresës popullore kundër pushtuesve otomanë. Në Malësinë e Gjakovës, ai mblodhi rreth vetes një çetë me luftëtarë të vendosur dhe u ndesh me ushtrinë e Mustafa pashës, duke i penguar që ta nënshtronin atë krahinë liridashëse dhe të bashkonin rekrutë e taksa të shumta. Kjo veprimtari i shqetësoi pushtuesit, prandaj u përpoqën që ta afronin atë me mënyra të ndryshme e duke i bërë lajka. Por atdhetari i madh nuk e ndërroi asnjeherë mendjen, pra qendroi i vendosur,. në luftën e tij të drejtë, për liri dhe demokraci.
Kryengritjet e mëdha antisomane të viteve 1910-1912 ngritën peshë zemrat e qindra e mijëra luftëtarëve, në Kosovë e kudo në Shqipëri. Veçanërisht, është e njohur veprimtaria e Bajram Currit gjatë kësaj periudhe, në krye të forcave kryengritëse të krahinave veriore, si Gash, Krasniqe, Bytyç, Nikaj-Mërtur, Shalë etj. Një qendresë e pashoqe malësorët u bënë pushtuesve në Qafën e Morinës dhe në prita të tjera, kur sulmoi ushtria e gjaneralit gjakatar Durgut Pasha. Ndërsa në Qafën e Prushit (ku të parët tanë farkëtonin armët kundër pushtuesve,-siç pohonte Akademiku Eqrem Çabej) armiqtë lanë shumë të vrarë e të plagosur. Bacë Bajrami i udhëhoqi me guxim luftimet për mbrojtjen e trojeve shqiptare edhe kundër pushtuesve serbo-malazezë.
Pamje nga qyteti “Bajram Curri”, ku janë ngritur Muzeu dhe Monumenti, kushtuar atij…
Veprimtaria e tij luftarake u bë e njohur kudo, ku flitej shqipja, por dhe ndërmjet armiqëve. Janë mjaft domethënesë fjalët e B. Currit, sipas bashkëluftëtarit të tij, atdhetarit Hasan Prishtina: “Asht nji detyrë e shenjtë për me luftue kundra çdo anmiku dhe mos me pasë aspak pushkë. Lufta na u ka ba detyrë. Pra, duhet t’u dalim zot të drejtave tona dhe të shpëtojmëë prej robnisë”. Synim të jetës së vet, B.Curri kishte dhe edukimin e brezit të ri me virtytet më të larta të shqiptarizmit. Kështu, bashkëkohësit tregojnë se u drejtohej kështu të rinjëve: “Merrni vesh, djemtë e mij: – Kur një djalë shqiptar nuk ka besë e nder, kur nuk e do vatanin e vet dhe nuk vdes për të, ai nuk është shqiptar, ai është më e fundit vrimë e kavallit (fyellit)“.
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, Bajram Curri e priti me gëzim të madh. Por përsëri nuk e rreshti luftën e tij të vendosur kundër armiqëve, ndaj synimeve të serbomëdhenjve dhe të shteteve të tjera shoviniste fqinje. Mbështeti fuqimisht qeverinë e Ismail Qemalit, në Vlorë dhe, më pas, atë të dalë nga Kongresi i Lushnjës, e cila e emëroi Ministër Paportofol dhe komandant të Forcave Kombëtare. Duke e përshëndetur këtë gjë, përfaqësues të popullit i shkruanin, ato ditë:”E gjendmja e një burri me shpirt të thjeshtë, kombëtar, na jep një shpresë të madhe për Shqipërinë“. Ndërsa në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924, Bajram Curri luajti rol vendimtar. Ai udhëhoqi afër 2.000 forca kryengritëse, të cilët hynë me fitore në Tiranë.
5.
Por edhe pas dështimit të atij Revolucioni, B.Curri e vazhdoi qendresën e vendosur, në malet e Veriut të Shqipërisë, në mbrojtje të idealeve demokratike. Atje gjeti strehë të sigurtë dhe përkrahje të gjithanshme nga malësorët trima e liridashës. Kudo la mbresa të pashlyera dhe te secili gjeti besnikë për kokë. Prandaj nuk është e rastit që, sa e sa familje atdhetare e bujare në Malësinë e Gjakovës, Dukagjin, Has, Lumë, Pukë, Dibër a gjetiu, e kujtojnë atë edhe sot e kësaj dite, mik e bashkëluftëtar të paharruar të shtëpive të tyre. Janë të njohura familjet në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) e më gjerë, ku ai u strehua e gjeti mbështetje të fortë, si: te Sali Mani i Bujanit, Shpend Balia e Hazir Malësia të Margegajve, Dulë Alia i Dragobisë, Gjonajt e Geghysenit, Qarrët e Hasit etj.
Në vitet ’60-të e ’70-të, të shekullit të kaluar, babai im, që e kishte shoqëruar e strehuar atë, më tregonte për “kreshnikun Curr”: “Bajrami ishte burrë i pashëm, trupmadh, si lisi me rrema. Ta fitonte zemrën me thjeshtësi, urtësi e dashuri. Fliste me cilindo, bile edhe me fëmijët e gratë e moshuara. Ta dinte nderën e ishte mikpritës. Këtë gjë e kam provuar tek ai edhe vetë unë…”.
Armiqtë e gjurmonin ta kapnin të gjallë atë, por nuk ia arritën dot qëllimit. Mjaft shtëpi malësorësh u bastisën, në atë dimër të egër të fillim-vitit 1925. Por nuk treguan asgjë për vendndodhjen e tij. Sapo përmendim këto fjalë, menjëherë na bien ndërmend vargjet-lapidar të një elegjie të njohur: “Thon’ u shtri e thonë u vra,/ po ti s’ vdiqe, or Baba,/ as te Shkëmb’ i Dragobisë,/ as te zemër’ e djalërisë…”. I shkroi me dhimbje e pasion Fan Noli, në përkujtim të “tribunit të vegjëlisë”, B.Curri.
Po si kishte ndodhur ajo epope legjendare? Siç thamë, armiqtë e ndiqnin Bajram Currin. Ai gjeti strehë në Alpet e Shqipërisë, bashkë me luftëtarët e vetë besnikë. Shpella e Dragobisë u bë istikam i sigurtë për të, deri sa e rrethuan nga të gjitha anët. Atëherë, ai gjeti një shteg kalimi dhe u nis drejt një vatre mikpritëse të atij fshati. Por, papritmas, u ndesh në forcat armike. Ata qëllonin, por nuk donin ta vrisnin. Se kryeministri serb Pashiq,”hajni”, në bashkëpunim me tradhtarët vendës, kishin venë shuma të mëdha, 10 mijë franga ari, si shpërblim për atë, që do ta kapte të gjallë Kryetrimin. Lufta u bë e ashpër ndërmjet Bajram Currit, me pak veta dhe kundërshtarëve, që shkonin në front luftimi.
…Ishte 29 marsi i vitit 1925. Fillim pranëvere. Bjeshkët kreshnike gjëmuan nga armët e paulura të “Dragoit të Dragobisë”. Por zogjtë e malit përhapën lajmin tragjik, “ma të idhtë se zana”, se, më në fund, kishte rënë “lisi me rrema”. Ushtimën e tij e përhapën, me dhimbje të pazakontë, valët e Valbonës ujëkaltër dhe Alpet e mbuluara me borë të përhershme. Ndërsa rapsodi popullor e përjetësoi atë, me vargje të lapidare e kranare: “Bajram Curr, o Bajram Curr,/ emri yt s’ harrohet kurrë!/Të kujton gjithnjë Shqipëria,/ s’të harron përjetë Kosova…”.
Shumë epitete e fjalë nderimi dhe vlerësimi i kanë bërë “Bacë Bajramit”, duke e quajtur: “Fatosi i lirisë së Shqipërisë”, “Dragoi i Dragobisë”, “Babai i vegjëlisë”, “Shqiponja e maleve shqiptare” etj. Emri i tij është përjetësuar në shumë shkolla e rrugë, në Shqipëri e në Kosovë dhe në qytetin alpin “Bajram Curri”.
Trupi vigan i Bajram Currit, u mbulua me Flamurin e lavdisë shqiptare; ai u kthye në simbol lirie e në Përmendore të bardhë, e cila përherë na fton do t na ftojë: për atdhetarizëm, guxim e trimëri, në mbrojtje të lirisë e demokracisë, për të cilat u bënë sakrifica të panumërta dhe u derdhën lumenj gjaku, nga brezat e shqiptarëve.
Tiranë, 28 mars 2017