QË SHEKULLI I RI TË NISË ME JETË – poezi nga Pajtim Xhelo

0
457
Pajtim Xhelo

QË SHEKULLI I RI TË NISË ME JETË

Lulet çelën,
Shqiptarët nuk ndien pranverën.
Ranë gjethet,
Nuk ndien ata përsëri.
Rrugët u përbaltën,
Përrenjtë u derdhën…
Brenga, hidhërimi, janë ulur kënbëkryq.
Evropë moj, rrufjane plakë e zbardhur,
Portën pse ma mbyll me atë kyç?
I drojtur trokita, me shpirtin e mardhur,
Gjatë, me shpresë, me dinjitet,me durim.
Mëkot! Heshtur shkriva brenda meje,pa flakë,
Në paturpësinë që buronte te ti,
Ku fjala e mençur dënohej
Dhe çmendurisë i jepej çmim.
Prita me urtësi drejtësinë nga ti
Që shite popujt dhe trazove kufijtë.
Shqiptarët i çove drejt greminës,
Aty i le, ku lëkunden hijet e dyshimit.
Në pyllin e besës së thyer,
Duke kërkuar shtigje shpëtimi.
E mbetëm aty, nën një mjegull tradhëtie,
Ku zhurmojnë stuhi zhgënjimi
Braktisëm të bardhat vargmale të shpresës
Për të zbritur shkallëguri pendimi.
Aty mbetëm. nëpër dimra të egër zhgënjimi,
Ngujuar si pemë, në rrënjë dyshimi.
Majë shkëmbinjsh të thepisur, kacavjerrë,
Duke ëndërruar lirishtë premtimi.
Herë ngrihemi, po heraherës biem,
Shpresëvjedhur, të lodhur, të gënjyer,
Me thonjë e dhëmbë,
Trup e shpirt përgjakur,
Me urrejtje të shqyer.
Nën këmbët tona,gjithnjë humnerë.
Në ëndrën tonë korniza legjendë BE.
Në fajet e tua trokiti fundshekulli Evropë
Mbi dhimbje, gjak të shprishur, të helmuar…
Mbi poshtërsinë kainiane, që s’e pranove kurrë.
Na ndërseve ujqë e hiena savane
Që na kafshuan trupin, nderin, lirinë.
Pastaj, për ironi,me fisnikërinë tonë u talle
Duke na njohur Pavarësinë.
Si hajduti që të vjedh miliona,
Pastaj të jep qindarka për mëshirë.
Ky fundshekull dhe të vdekurit nga varret
Do i ngrejë kundër padrejtësisë.
Evropë,ti nuk je as e verbër,as shurdhane…
Mos kujtesën e ke humbur për dreq?
M grekët e serbët na sakatose, na vrave,
Ishin trojet tona, nga Trieste, në Prevezë.
Serbët e grekët erdhën në Ballkan
Dhe ne menduam se do t’i kishim fqinjë të mirë.
Na kafshuan, na dogjën, na vranë,
Kur ne u kishim dhënë tokë,bukë e kripë.
Evropë nepërkë,Evropë rrufjane,
Sot po të kujtoj :
Se na vrave paqen për të ruajtur paqen tënde,
Se na vodhe jetën, për jetën tënde,
Se na vrave ëndrat dhe shpresat na i vodhe,
Na more trojet e u vure emra të tjerë,
Dhe historinë na i ngatërrove…
Qofsh mallkuar dhe harruar përherë!
Sot po të kujtoj:
Shqiptari do t’i kërkojë të gjitha,
Me arsye,
Me klithma,
Po u desh,edhe me fishekë!
Për të respektuar veten do t’i japim edhe vdekjes,
Që shekulli i ri të fillojë me jetë!

Pajtim Xhelo, qershor 1998


NË PRAG TË MIJËVJEÇARIT TË RI

Sërish u takova me kujtimet,
Vitet, pranëpranë, ishin aty,
Pak të drojtur, të largët,
Mjegulluar nga koha dhe ndryshimet…
Zemra nis të ecë me trokth, me galop.
Ktheva kryet andej kah koha e vagët.
Edhe syrit ranë ca pikla lotë.
Ja ku po i shoh si atëherë,
Të mbarë, të shkujdesur,të thjeshtë…
Mbase si të tjerë.
Jo, jo,ne lindëm në vitet pesëdhjetë
Nëpër dy shekuj do ecte jeta jonë.
Ecëm, u rrëzuam, u ngritëm,
Vrapuam, fluturuam,pas mbeti jehonë,
Pa e kuptuar gjysmëshekullin arritëm…
Sot puthëm mijëvjeçarin e ri.

Pajtim Xhelo, 1 Janar 2001


NË KËTË VEND

Më puthën sa e sa mëngjese prilli,
Në det e në mal, me vesën pështjellë,
Shpirti dashurinë, si thërrime trilli,
Me gjak zemre, nëpër erë ka përcjellë.

Jam dehur me erë jasemini,
Kam fjetur në hije portokalli,
Jam nanuritur me këngë bilbili,
Jam përkundur në djepe malli.

Më ka mavijosur edhe veriu gri,
Më ka trullosur dhe juga e tërbuar,
Dhe nga bora kam ngecur në malësi,
Edhe në lëndinë kam dashuruar.

Vendi im, me diell dhe aroma nbuluar,
Ty të dehin mbrëmje dhe mëngjese prilli,
Perëndia me shpirt të paska bekuar,
Po kush na hodhi një perçe mallkimi?!

Pajtim Xhelo


NUK DUHET KALENDAR

Pse sherr e shamata po bën sonte dimri,
Të ftohta janë netët në janar.
Koha qenka ndalur, vjedhur muaji, viti,
Errësirës nuk i duhet kalendar.

Në jetën meskine lodhur, harruar,
Për dashurinë u kujtuam këtë natë,
Më mirë të ndalet koha e tërbuar,
Se shpirti të flejë kaq gjatë.

Po,po, më mirë kohën le ta ndalin…
Ajo që ikën më këtu nuk vjen,
Mallkim atij që shpiku kalendarin
Që ditët dashurisë ia rrëmben.

Pse ankohet dimri përjashta,
Mos bëhet xheloz për ne të dy
Eh dimër, ndjenja jonë, si kashta,
Ndizet edhe fiket sa hap e mbyll sy.

Eh, dimër vëllako, ti mos zhurmo,
Ndalu bashkë me kohën nën re,
Vetëm këtë natë dhe mos harro,
Se e shkurtër është jeta për ne.

Xhelot mos u bëj, mos derdh lotë,
Ky shtrat i ngrohtë është gënjeshtar,
Ti i përjetshëm je në këtë botë,
I përvitshëm në çdo kalendar.

Hiqe zilinë, të paktën sonte,
Na ler të bëjmë pa kalendar dashuri,
Pa më thuaj, kush nga ne s’do të donte,
Të ishte i përjetshëm si dhe ti?

Pa dhe sikur të mos na dëgjosh,
Ne vjedhur ta kemi këtë natë,
Bota nuk përmbyset ti po të gabosh
Në kalendar një ditë më pak.

Ngrohtë sonte krevati na priti,
Po dimri çka që çirret me acar
Koha ndalur, vjedhur nata, viti…
Dashurisë nuk i duhet kalendar!

Pajtim Xhelo, Dhjetor 1972, Tiranë


SI TË HARROJ

(Kushtuar vajzës së bukur, l., që zgjoi e para ndjenjat e mia, në moshën 14 vjeç)

Edhe pse motohem, më pëlqen ta kujtoj,
Përjetimin e ndjenjës sime të parë,
Na çuan vitet larg, po s’mundem të harroj,
Si u deshën dy katërmbëdhjetvjeçarë.

Unë i kujdesur, ti drojtjen s’e njihje,
Krrelat e verdha derdheshin si dallgë,
Sytë e tu blu, të gjelbër, eh, ti s’e dije
Si ylber më tundonin që nga larg.

Dhe nuk e harroj dashurinë e patreguar,
Ne ishim dy katërmbëdhjetvjeçarë,
Unë i matur, i kujdesur, kurse ti e shpenguar,
As doje të dije për tërë botën mbarë!

Kohë të magjishme, ëndra fëmijërie,
Vite që s’u kthyen kurrë më,
Ç’më trokisni në moshë pleqërie,
Kur kohën s’e kthej dot për asgjë?!

Pajtim Xhelo, Janar 2019