QASJE INTELEKTUALE PËR AKTUALITETIN SHOQËROR

0
441

Qani Osmani, VIZIONE-shoqërore, politike dhe fetare, Ulqin, 2018

Pas miratimit te pluralizmit në Mal të Zi për shqiptarët në këtë mjedis u hap mundësia e veprimtarisë botuese, ku pas një periudhe rreth tre dekada janë arritur rezultate që janë vlerësuar nga opinioni i gjerë kulturor dhe shkencor. Në sajë të titujve të veprave të botuara del se veprimtraia botuese ka qenë e zhanreve të ndryshme si shkencore, letrare, kulturore dhe publicistike. Kemi të bëjmë me një numër të konsideruar autorësh të cilët kanë bërë emër jo vetëm në aspektin lokal por edhe ate mbarëkombëtar.

Dimension i veçantë i kësaj veprimtarie botuese paraqet fusha e publicistikës ku deri më tash janë botuar libra më interes për opinion shqiptarë. Duhet thënë më këtë rast se në sajë të gazetës Koha Javore, nga viti 2002 prej kur doli në qarkullim një mundësi e tillë iu është ofruar të gjithë atyre që kanë potencial për t’u prezantuar me artikuj, komente e vështrime nga fahu i tyre profesional.

Është pikërisht kjo perudhë kohore e mjaftueshme për të parë autorë të ndryshëm por edhe njëherit bërë një diferncim sa autorial por edhe profesional. Një analizë e tillë për këtë periudhë kohore na dëshmon për një numër të pakët autorësh të cilët në mënyrë konstante janë paraqitur në këtë media dhe të tjera të ngjajshme në hapësirën shqiptare mbarëkombëtare. Dhe një nder ta është sociologu Qani Osmani, i cili trajtimin e çështjeve të ndryshme shoqërore, e ka preokupim sa personal por edhe profesional.

Pas librit të parë “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi” tani opinionit i paraqitet me botimin më të ri, me titull ”Vizione, shoqërore, politike dhe fetare”. Libri është përmbledhje e artikujve, vështrimeve dhe opinioneve të cilat autori i ka botuar viteve të fundit në mediat shqipe të shkruara dhe online.

Lënda e prezantuar trajtohet nga dimensioni shoqëror, politik dhe fetar. Në këtë perceptim janë edhe artikujt e prezantuar me qasje jo vetëm sociologjike por edhe intelektuale. Në saje të temave të prezantuara, autori iu ka mundësuar lexuesve meditimin e tyre personal nga gama e gjere e temave të trajtuara, të cilat janë preokupuese jo vetëm në momentin aktual për të gjithë ne.

Si i tillë ky botim ofron mundësi të një debati me lexuesit, dukuri e cila mungon në shoqërinë tonë pluraliste. Vetëm me qasje të tillë e pa paragjykime mund të tejkalohen deformimet shoqërore të cilat janë të pranishme në çdo pore të shoqërisë, me pasoja për të tashmen dhe të ardhmen.

Pikërisht nga ky aspekt duhet përgëzuar autorin sepse ai nuk është statik në analizën e dukurive të ndryshme shoqërore, por, përkundrazi, është kritik me qëllim që çështjet përkatëse të avancohen dhe të jenë të pranueshme për shtresat e gjera. Ai nuk vuan nga paragjykimet dhe qasjet lokaliste, përkundrazi çështjet i trajton edhe në dimensionin mbarëkombëtar. Por, poashtu duhet cekur se ai është kundër politizimit të dukurive të ndryshme shoqërore, dukuri kjo e cila ka marrë përmasa shqetësuese. Autori çështjet i trajton me një qëndrim intelektual duke i prezantuar ashtu siç janë dhe me vizionin për ndryshime cilësore.

Ai është transparent dhe i drejtpërdrejt dhe me bindjen se vetëm qasja intelektuale eliminon konformizmin dhe servilizmin, dukuri këto të njohura për shoqëritë në tranzicion. Madje këto dukuri nuk janë të panjohura edhe në hapësirën shqiptare, që dëshmohet bindshëm në qeverisjet lokale dhe ato shtetërore.

Duke lexuar këtë botim del qartë se vetëm intelektualët me kuptimin e plotë të fjalës, dhe indvidët e guximshëm, pa hipoteka nga e kaluara mund të kritikojnë deformimet shoqërore, duke ofruar ide për zgjidhje të çështjeve kontestuese.

E them pa hezitim se artikujt e botuar në këtë libër janë ese të shkruara me qasje profesionale për çështjet e trajtuara nga autori. Duke lexuar këto ese del qartë se kemi të bëjmë me preokupimin e autorit në momentin aktual, dhe si të tillë afrojnë mundësi për analiza dhe komente të ndryshme. Por, me duhet të them se analiza të tilla mund të bëjnë vetëm individët pa paragjykime të cilët duan dhe dëshirojnë të shpalosin të vërtetën në këtë kohë të krizës morale. Dhe është pikërisht kjo koha e tranzicionit e cila ka shpalosur në sipërfaqe antivlerat e mediokritetin duke u bërë si dukuri normale në mjedisin tonë shoqëror.

Është pikërisht kjo kohë kritike ku individet e ndryshëm të cilët nuk kanë shprehi leximi, janë në pozitë favorizuese, sepse duke qenë konformist me sjellje apo mediokër me formim, i përballojnë më lehtë rrethanat e tilla shoqërore.

Edhe pse çdo ese, paraqet pikëpamjet individuale të autorit, në sajë të qasjës del se kemi të bëjmë me dukuri shoqërore të cilat janë me pasoja të përgjithshme për të sotmën dhe të ardhmen. Autori kritikon devijimet shoqërore, me të vetmin qellim qe ato nesër mos të bëhën shprehi, sepse si të tilla nuk na nderojnë si individ, popull apo shoqëri në përgjithësi.
Në sajë të temave të trajtuara ky libër ofron mesazhe të qarta për aktualitetin tonë jo vetëm në spektrin lokal por edhe ate mbarëkombëtar.

Pikërisht në këtë dimension duhet lexuar dhe analizuar këtë botim, i cili paraqet një kontribut me vlerë për publicistikën në gjuhën shqipe.

Dr. Nail Draga

(Lëxuar me rastin e përurimit të librit në Ulqin, më 8 dhjetor 2018)