VIZ. SKËNDER KAMBERI
FASLLI HALITI
. TREGIM .
Çdo mbrëmje dhe çdo mëngjes herët, një burrë i gjatë si gjirafë shëtit qenin e tij në trotuarin para Bashkisë ose para ish Komitetit të Partisë. Sapo e shohin qytetarët i thonë njeri- tjetrit, shikojeni, shikojeni hellin, stekën e bilardos, qafëgjatin, vëzhdajkën, shkopin e arixheshkës si shëtit vetëm me qenin e tij. Është Niko Dredha, ish sekretari ideologjik i Komitetit të Partisë. Ai është aq i gjatë sa rivalizon edhe me qiparisin që ndodhet bri Bashkisë së qytetit. Ngaqë ai është tepër i gjatë, qeni që e ndjek pas duket sa një çimkë. Ritualin e shëtitjes së qenit para bashkisë ai e bën çdo mëngjes me të zbardhur drita dhe çdo mbrëmje gjer në muzg. Disa e quajnë qafëpatoku, aq të gjatë e ka qafën dhe aq të kuq e ka zverkun. I gjithë qyteti ka alergji prej tij…
* * *
Niko Dredha është ai atje që shëtit me qenin për dore?, – pyeti shokun që kishte përbri Nezir Shkrepa i cili nuk shihte dhe aq mirë nga larg.
-Si ai më duket!, – itha shoku përbri.
-Të duket, apo ai është?, – pyeti për të qenë i sigurt Zir Shkrepa.
-Po, po, Niko Dredha, qenka, – e siguroi shoku Ziri, po, po, ai qenka, ish sekretari i Komitetit të Partisë të qytetit tonë!
-Pa shikoje mirë edhe një herë se mos të bëjnë sytë!,- i tha Zir Shkrepa shokut që kishte përkrah.
-Po, po, ai ¬është. E kam parë edhe herë të tjera të shëtisë me qenin e tij kuqalash nëpër trotuare. Diçka e zakonshme sot kjo o Nezir.
– Posi kështu, para Bashkisë, para ish Komitetit të Partisë e shëtit qenin Niko Dredha çdo mbrëmje, çdo mëngjes..U mësua të shërbejë si qen dje dhe, ja sot i shërben qenit,…por zinxhirin s`e heq nga dora. Vdes për zinxhir ish sekretari i komitetit të partisë. Qejfi i tij kur i vë zinxhirin qenit në qafë…I bëhet sikur po i vë zinxhirin një kulaku, një armiku të klasës…Sa kulakëve u ka vënë zinxhirin në qafë ky Niko Dredha gjatë jetës së tij…, nuk i numëron dot… !
-Me gjithë mend e ke? Para ish Komitetit Partisë, para Bashkisë…së sotme e shëtitka qenin ai?
-Pikërisht atje…!
-Do t`ia vras atë qen, atij …qen e bir qeni…, iu betua shokut Nezir Shkrepa.
-Thonë, o Nezir se Niko Dredha e mban atë qenin që t´i i lëpijë pallën, sepse nuk i ngrihet më, nga që e ka lodhur shumë gjatë kohës kur ishte sekretar komiteti…
-Jo more!,- u habit Zir Shkrepa…!
-Thonë se qeni, edhe zonjës së tij ia lëpin atë mikeshën, bubushaqen, domethënë që ta sjellë në qejf…, t´ia bëjë gati Niko Dredhës…, sepse edhe ajo e ka lodhur shumë ducin si grua sekretari dhe si shefe kuadri që ishte. Nuk fuste ajo djalë në punë, pa e futur më parë në mes të shalëve. Apo s´kishte ca shalë që…të luante tepeleku i kokës…
-Ik or budalla! Turp…për ideal…, për nder, domethënë! Ka qenë edhe komunist e sekretar komiteti muti i mutit…Me ç´halera paskemi pas të bëjmë o byrazer…!
-Sekretar komiteti, po, ka qenë ai, por komunist kurrën e kurrës…Të kujtohet si thoshin njerëzit për disa komunistë si puna e këtij Niko Dredhës?
Mbase edhe s’më kujtohet, po, ma kujto pak po deshe.
-Aaaa, nuk është komunist ai, or jo, por vetëm anëtar partie, anëtar leverdie, de,domethënë… Ja kështu thoshin. Bënin kështu dallimin midis komunistëve të ndershëm dhe të pandershëm… Të kujtohet tani?
– Po, po,si jo, m´u kujtua që ç’ke me të,- pohoi Nezir Shkrepa me një farë nervozizmi dhe iu betua shokut të tij që kishte përkrah:
-Do t`ia vras për nder, do t`ia vras qenin atij…qen bir qeni !
-E pse t`ia vrasësh… i pëlqen të shëtisë me qenin e tij…, shëtit… E ç’të keqe ka këtu?
-Si or, s`paska të keqe… Ka dhe ka shumë madje…A s`ish ai që na çante kokën, që lehte çdo ditë kundër ndikimeve e shfaqjeve të huaja borgjezorevizioniste? Të kujtohet ç`i bëri atij të riut të Uzinës së Plastmasit, që e quajti qafëlesh çunin e shkretë para gjithë punëtorëve të uzinës dhe ia shkuli flokët me gjithë lëkurën e kokës?. I ziu djalë ishte bërë për t`u qethur dhe mbase nuk ishte qethur ngaqë punonte me tre turne, a mbase s`kishte pasur lekë ato ditë, kurse ky e demaskoi, e bëri leckë në sy të të gjithë punëtorëve si të riun tipik që ndiqte modën borgjezo – revizioniste. Po kjo shëtitja me qen që bën sot, ky ish palosekretar, ky ish pseudokomunist, ç`është? Kameleoni i mutit…! Kushedi sa të rinj e të reja ka marrë më qafë atëherë duke i demaskuar me fletërrufera si dhe duke i bërë zhele para kolektivit të uzinës. Të kujtohet ajo vajza me sy të blertë që ne të gjithë e thërrisnim sylendinkë, e di pse e demaskoi ? Jo pse mbante minifunde apo flokë të shkurtra, por pasi bëri çmos me lajka dhe kërcënime për ta futur në dorë dhe ngaqë nuk e futi dot në dorë, e akuzoi për imorale, gjoja se ajo bënte dashuriçka me atë të riun qafëlesh dhe me gjithë qafëleshët e gagarelët e uzinës… Të kujtohet si thoshin gratë me njëra – tjetrën, kur ndonjëra nga shoqet e tyre që kishte ndonjë problem a hall dhe shkonte ta zgjidhte në komitet të partisë?
-Shko, shko, i thoshin shoqet, shko te shoku Niko se .. shoku Niko t`i zgjidhë bre(k)blemet me një të rënë të lapsit… apo nuk ka një laps ai që …siç, thonë ato që shoku Niko Dredha ua ka zgjidhur bre(k)blemet. Asnjë nga sekretarët e tjerë nuk e ka atë ka…lem, që ua zgjidh mrekullisht bre(k)blemet grave, sidomos nuseve të reja, sidomos të atyre më të bukurave…
Gratë e shtrembëronin me qëllim fjalën problemet, në bre(k)blemet. Kishin krijuar kështu zhargonin e tyre ato, dogançen e tyre.
-Po, po shkoni te shoku Niko se ua zgjidh tëk-fëk… ato të shkreta bre(k)blemet…
* * *
Dhe gratë shqyheshin së qeshuri..
Këto ishin disa nga gratë që Niko Dredha i kishte ngacmuar seksualisht në mes të ditës , mu në zyrën e tij…(në Komitetin e Partisë)
-Dhe na vinte pastaj në uzinë e na mbante fjalime për moralin proletar dhe ja tani përsëri përpiqet të na japë leksione demokracie, si të shëtisim me qen trotuareve, si të dukemi sa më shumë evropianë, borgjezë, si të jemi anëtarë të denjë të sistemit të ri kapitalist, të cilin po ai dje, na e quante të plakur, të kalbur, të vjetruar, kurse socializmin riosh, çunak që e ve me shpatulla përtokë kapitalizmin i cili jepte shpirt dita – ditës …Prandaj s`e shoh dot me sy atë zagar që me shëtit trotuareve me qenin e tij kuqalash…dhe ku shëtit pa, para Bashkisë, para ish Komitetit të Partisë. E bën për sfidë. Po, pop…për sfidë e bën… Pandi Kristo një herë kaloi për një rast urgjent para Komitetit të Partisë gjatë gjithë viteve të internimit të tij në këtë qytet dhe ky ia mori për sfidë dhe e largoi që të nesërmen nga qyteti, e çoi në fshatin më të skajshëm të rrethit tonë, tutje thellë e më thellë. Prandaj s`e shoh dot me sy kur ai shëtit me qenin para Bashkisë si për sfidë. E di që s`e gjen gjë, prandaj sfidon…po, po e di…
Demokraci… Përfiton… qeni… përfiton që çke me të nga demokracia…
– E po mirë… me shokun e vet shëtit ai. S´ka shok tjetër…, s`ka shokë të tjerë… S`e shoqëron askush, jo pse ka qen komunist, sekretar, porsepse ashtu është sjellë me njerëzit…Edhe Qemal Murseli komunist, sekretar ishte, madje, sekretar i parë, por ishte njeri dhe njeriu e fshinte tek ai të qenit komunist, prandaj njerëzit e shoqërojnë atë dhe jo vetëm qyteti, por edhe fshatrat e rrethit që nga vitet gjashtëdhjetë e mbajnë në gojë edhe sot e kësaj dite. Njerëzit s’e harrojnë njeriun…
-Shih po s`ia vrava qenin atij qen bir qeni…, – u betua përsëri Nezir Shkrepa. Ke për ta parë, po s`ia ndava qenin përgjysmë: kokën këtej e bishtin andej.
* * *
Dhe një ditë Zir Shkrepa ia vrau vërtet qenin… ia ndau më dysh… mu në mes të trotuarit, para ish Komitetit të Partisë, para Bashkisë së sotme… Përgjaku bulevardin…u lemerisën njerëzit, u lebetitën…
* * *
Pas vrasjes së qenit, Zir Shkrepa u habit, kur pa “Fordin”,, të ndalte te këmbët e tij…dhe kur policët i vunë prangat pa asnjë mëdyshje.
– Si kështu ?!… Ju po më arrestoni. E pse? Për çfarë? Për ç´faj, për ç´krim? Pse vrava një qen…? Vetëm pse vrava qenin e atij bir qeni, – u tha i revoltuar dhe me nervozizëm policëve, Zir Shkrepa…
– Ishte njeri dhe jo qen,- i thanë policët Zir Shkrepës. Ti vrave një njeri në mes të ditës dhe në mes të qytetit.
– Ishte qen,- nguli këmbë i zemëruar Zir Shkrepa… Ishte qen dhe jo njeri siç thoni ju… Ju po flisni përçart, më duket. Ju doni të më bëni kriminel me zor apo si ? Po më ngarkoni me një krim që s`e` kam kryer dhe që skam ndërmend ta kryej kurrë në jetën time.
– Por ja që e kreve, vrave një njëri që po shëtiste me qenin e tij të¬ kuq, me qenin që i shkonte pas me kënaqësi…
-Si kështu…! E pa mundur , e pamundur… Jam i sigurt që kam vrarë vetëm qenin e tij…, po, po, vetëm një qen vrava dhe e vrava për inat të të zotit… Jam shumë i sigurt që vrava vetëm qenin dhe jo të zotin… Ju me siguri po më ngatërroni me ndonjë kriminel që ka vrarë vërtet njerëz dhe jo qen, si puna ime…
* * *
Në të vërtetë kishte ndodhur diçka e çuditshme, madje më tepër se e çuditshme: tragjike.
* * *
Niko Dredha dhe qeni kishin bërë një kontratë me njeri – tjetrin: që qeni të bëhej njeri, të merrte pamjen e Niko Dredhës, ish sekretarit të partisë, dhe Niko Dredha të merrte pamjen e qenit, meqë gjithë jetën e tij kishte bërë punën e qenit duke lehur kundër kulakëve, klasave të përmbysura, armiqve të partisë, kundër gjithë botës borgjeze, revizioniste…
Kjo metamorfozë do ta mbronte atë mrekullisht nga akuzat, mllefet…, nga hakmarrja e atyre që ai iu kishte nxirë jetën me të lehurat dhe kafshimet e tij…
* * *
Kur pa trupin e ish sekretarit të Komitetit të Partisë të ndarë më dysh, në fotografinë që hetuesi i vuri përpara si dëshmi të pamohueshme, Zir Shkrepa u zverdh i tëri dhe gati i ra të fikët…Ish sekretari i vrarë kishte humbur pamjen e qenit dhe kishte marre përsëri pamjen e njeriut, pasi me vrasjen kish marrë fund kontrata e tyre. Kjo e tronditi tmerrësisht Zir Shkrepën…Si ishte e mundur që ai të qëllonte një qen për inat të të zotit dhe i vrari të ishte vetë i zoti, pra, Niko Dredha dhe jo qeni i tij…Edhe pse dinakëria i kishte rënë mbi kokë Niko Dredhës, përsëri Zir Shkrepa nuk ia fali vetes krimin që kishte bërë, qoftë edhe për faj të vetë viktimës Niko Dredha…, ish sekretarit të Komitetit të Partisë…
* * *
Rreth kufomës së Niko Dredhës, ishin mbledhur plot njerëz… Në sytë dhe në fytyrat e tyre Zir Shkrepa vuri re dhimbje për të vrarin dhe urrejtje për vrasësin, domethënë për veten e vet, pasi i vrari tani s`ish më sekretari i dikurshëm i Komitetit të Partisë, por njeriu, viktima e vrarë nga një kriminel që ishte vetë Nezir Shkrepa, edhe pse krimin e kishte kryer aksidentalisht… Midis turmës së njerëzve, Nezirit Shkrepa pa qenin. Një herë iu bë sikur qeni po kuiste për të zotin e vrarë, të ndarë më dysh…, pastaj iu bë sikur qeni po lifte kundër kriminelit, vrasësit…, domethënë, kundër vetë atij, Nezir Shkrepës.
-Sa besnik është qeni…!, tha me vete Nezir Shkrepa.
-Vërtet besnik i madh…!, tha Niko Dredha, ish sekretari i vrarë, i ndarë në dy gjysma, mes një pellgu gjaku si mbi një flamur, shtruar nën të.
Kur dëgjoi zërin e Niko Dredhës, ish sekretarit të Komitetit të Partisë, Nezir Shkrepa sa s`u çmend nga gëzimi, pasi e ndjeu veten të çliruar nga krimi i llahtarshëm që kishte kryer pak më parë…, por pastaj nuk e di pse tha gjithë shqetësim e habi të thellë:
-Po ky s`paska vdekur…?!
* * *
Dhe s’po e kuptonte nëse kjo po e gëzonte apo po e hidhëronte…
2002