Putini e PAN-i, kundër Albin Kurtit!

0
450
Thaçi - Mustafa

Rushit Ramabaja, shkrimtar nga PrishtinaRevista Drini

  • Deputët e mjerë të Isës e të PAN-it, që rrëzuan Qeverinë legjitime më 25 mars 2020, votuan kundër vullnetit të 82 për qind të qytetarëve, prandaj herëdokur do të përgjigjen para gjyqit…

Tashmë, në bazë të rrjedhës së ngjarjeve në ditët para pandemisë dhe në kohën kur OBSH-ja e shpalli pandemi globale, mund t’i rikonstruktojmë me lehtësi ngjarjet në Kosovë, që i kanë paraprirë grushtit të shtetit të 25 mars 2020. Një çikë para se të shpallej pandemia e Covid–19, në darkën e fshehtë që do të ketë ndodhur, do të kenë shkuar çalë-çalë Isa Mustafa (me noftën popullore Putini), që të takohej me Hashim Thaçi dhe me me krerët egërshanë të PAN-it – Kadri Veseli, Ramush Haradinajn e Fatmir Limaj. Dhe në atë darkë do të kenë thurur deri në detajet më të imta skenarin e rrëzimit të Qeverisë Kurti. Siç u pa më vonë, Isës i kishin caktuar të shpallte Kurtin antiamerikan me daulle me cimbale.

Ky fillimisht do t’i shkruante një letër ultimatative se në qoftë se shpejt nuk hiqte dorë nga kjo ide e çmendur antiamerikane, ky do të dilte nga koalicioni. Thaçi, nga ana e tij, vetëm do të ketë fërkuar duart dhe do të jetë lutur që të kish sa më shumë të infektuar me koronavirus, sa më shumë të sëmurë e madje dhe sa më shumë të vdekur, mjaft që të mund të kërkonte urgjentisht shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe pasi t’ua kishin ndaluar qytetarëve të dilnin në derë, do ta urdhëronte Isën të kërkonte shpejt e shpejt mocionin e votëbesimit dhe të gjithë së bashku do të thërrisnin deri në kupë të qiellit kundër Kurtin antiamerikan, që po guxonte t’ia kthente fjalën dhe të na prishte me aleatin strategjik, më të madhin dhe më të devotshmin që po na prishte.

Isa, sipas skenarit që ia shkruan dinjitarët panistë, kish per detyrë që t’ia merrte të qarës publike se ishte shumë i penduar për këtë koalicion, shumë i zhgënjyer. Dhe vërtet Putini ashtu veproi: mblodhi servilët e partisë, ata që ishin kryer shkollën e gënjeshtarisë, tuxharët e përlyer në pazare me hajdutët e PAN-it dhe krejt prangprishësit duke nisur një të qanë të shpifur pa lot për këtë herezi atiamerikane të Kurtit. (Dikush u tha të mos qanin kot, sepse Amerika e dinte se nuk mund të ishin proamerikanë ata që e kishin hëngër atdheun e vet deri në nënsqetulla, ata qe e kishin plaçlitur e batërdisur shtetin e vet).

Megjithatë, qarësit e rreme vazhduan bulurimën. Nga kori i qarësve dalloheshin Skënder Hyseni (me nofën popullore Miki Maus Harmonika, që sapo ishte kthyer nga SHBA-ja dhe nuk dihej në i kish rënë harminkës si dikur në dasmat e komuniteteve RAE, apo kish pasur mision tjetër ), Agim Veliu (që në LDK e shihnin si mbrojtës të fuqishëm të partisë, madje më të fuqishëm se demin e përallës që mbante botën në brirë), Driton Selmanaj, Arban Abrashi dhe plot plangrishës më të vegjël, rrugaçë anonimë, deledashistë, llapës pa pagesë që brohoritnin për gjoja Kurtin e rrezikshëm, Kurtin antiamerikan, Kurtin bolshevik.

Dhe pa pikë mëshire kërkonin deri dhe kokën e tij. Anonimëve iu shtuan edhe rrugaçët provincialë të NISMË-s. Këta rrallë mungonin në ahengje ku shtihej me revole, në darka hajduterish dhe në sharje perverse. Në këtë zallamahi histerike kishe përshtypjen se po dëgjoje thirrjen “Kapne hajnin” nga romani “Oliver Tuisti” i Çarls Dikensit (Charles Dickens) dhe krejt qyteti po lëshohej në ndjekje të Oliverit varfanjak. Jo, po ndiqnin Albin Kurtin, dyqind vjet më vonë, në Kosovën e mosvarme, të njëjtit ndjekës që po e hanin Dardaninë tonë të lashtë, që po e shisnin dhe që po e zhbënin atdheun qe 20 vjet pandërprerë.

Ngjarjet po rridhnin sipas skenarit, madje nga pak më shpejt. Por Thaçi, që nuk duronte derisa ta shihte Qeverinë të rrëzuar, u ngut të thërriste Sigurinë Kombëtare dhe të kërkonte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. U ngut së tepërmi, prandaj nuk doli i besueshëm, ngaqë numri i të infektuarve me koronavirus ende ishte vetëm 19 veta. Kurti, që e kish të qartë ç’fshihej përtej kërkesës për gjendje të jashtëzakonshme, kundërshtoi me ngulm. Qeveria shpalli masat e kufizimit, ndërsa presidenti, po atë natë ftoi qytetarët të mos i respektonin ato kufizime dhe gjithashtu ftoi policinë të mos guxonte t’i dënonte qytetarët që s’do t’i bindeshin qeverisë për kufizim të levizje.

Pra, po të lexohet në mes reshtash, thirrja e presidentit, shkëlqesisë së tij, thoshte: Lëvizni, kurrë mos u ndalni, lëvizni sa më shumë, edhe sikur ta dini se do të infektoheni të gjithë,bile edhe sikur ta dini se do të vdisni! Mjafton që do të shkilni urdhrin e Albin Kurtit dhe do të na ndihmoni të rrëzojmë Qeverinë!Disa orë më herët Isa Mustafa, që ta dëshmonte besnikërinë prej deleje të plagosur ndaj Thaçit, kishte deklaruar për domosdoshmërinë e gjendjes së jashtëzakonshme. Po në ato orë, Agim Veliu, ministër i Brendshëm, në një emision televiziv (TV7), kish thënë se gjendja e jashtëzakonshme duhej të shpallej urgjentisht.

Atëherë Albin Kurtit iu qartësuan disa gjëra përnjëherë: se skenari i rrëzimit të qeverisë ishte hartuar kaherë, se Isa Mustafa tashmë kish hedhur firmën në paktin e tradhtisë së koalicionit, se Agim Veliu, që partia e tij e konsideronte të fuqishëm sa demin e përrallës që mbante botën në brirë, kish qenë Kali i Trojës brenda oborit qeveritar. Dhe e shkarkoi pa u menduar më gjatë. Atëherë sërish nisi e qara e LDK-së duke e hequr veten viktimë, të përdhosur, të poshtëruar, të fyer, të nëpërkëmbur. Por, s’vonoi dhe Agimi tregoi vetë në një emision se kish qene vertet Kalë i Trojës. “Unë, -tha ai që ishte i fuqishëm si demi i përrallës, – kam qenë kundër koalicionit me LVV-në para zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve.” Kjo dëshmon më së miri se ai, mbase edhe para se t’i jepte leje vetë Putini, kish marrë nga Thaçi misionin e Kalit dhe kish hyrë brenda që t’i hante kokën natën pabesisht. Prandaj, nuk kish qenë kot ministër i Brenshëm.

Putini në letrën pasuese shpalli daljen nga koalicioni dhe kërkoi urgjentisht të mblidhej Kuvendi për mocion. Atëherë të mbarët, të mirët, të gjithë ata që e duan këtë vend, intelektualët, shoqëria civile, diaspora, pra të gjithë pa përjashtim (sipas të gjitha sondazheve të mëvonshme, deri në 82 për qind të qytetarëve), ishin kundër prishjes së koalicionit. Kjo prishje ishte ecje së prapthi, ishte antihistorike, ishte vrasje e shpreës, ishte plangprishësi, ishte zhbërje e atdheut. Por, më të lumtur se kurrë fërkonin duart vetëm Isa Mustafa me një grusht të vogël plangprishësish të LDK-së dhe krerët egërshanë të PAN-it. Në sjelljet e tyre në seancën ku po bënin puçin parlamentar, më të ligun dhe më të errëtin jo vetëm në historinë ballkanike, kishte diçka që shkonte përtej egërisë fashiste.

Puçistët më vonë u zgërdhinë dhe u krekosën se kishin shumicën e parlamentit, pra 82 sish, prandaj mund të bënin çfarë të donin. Vetëm në zgjedhje të reja nuk do të shkonin, sepse ishte kohë e pandemisë, sepse tekefundit, do të dilte i njëjti rezultat etj. Pra, në kohë të pandemisë qenka e lejueshme vetëm të rrëzohet qeveria legjitime, kur 82-përqindëshit të qytetarëve nuk u lejohet të tubohen e ta mbrojnë atë. Në kohë të pandemisë sërish lejohet të mblidhet Kuvendi e të votojë qeverinë e re të hajdutëve, sepse popullin e bëjnë të lumtur vetëm hajdutët, paçka se mbi 80 për qind janë kundër.

Një natë para se Thaçi “të vepronte sipas Kushtetutës”, pra të përcaktohej për qeveri të re të PAN-nit, derisa po jepte intervistë në TV7, në sondazhin që po bëhej në ndërkohë, po dilte në sytë e tij se 75 për qind të qytetarëve ishin për zgjedhje të reja. Dhe kur i thanë moderatorët “E shikon”, ai qeshi me një qesëndi të paparë dhe të nesërmen shpalli të kundërtën. Prapë thoshte në mes rreshtash: Të injoroj, o popull, si gjithmonë!

Megjithatë, sipas zhvillimeve me të fundit, duket se ky skenar shkon edhe më tej. Prandaj Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) alarmon: “Duket qartë që disa politikanë, duke nisur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, po e përdorin krizën me koronavirus për të nxitur tensione politike e sociale në interes të tyre, Ftojmë gazetarët të mos hyjnë në këtë lojë dhe të veprojnë në interes të publikut”. Është fjala për parregullësitë në veri, për të cilat gjoja u brengosën shumë, përveç atdhedhembshurit president, edhe Isa, Ramushi e Fatmiri.

Ruajeni gjakftohtësinë, – u ka bërë Kurti thirrje të dielën qytetarëve të Mitrovicës në jug e në veri, – dhe mos bini në kurthin e atyre, të cilët për t’i zbrazur shampajnat e tyre, kanë nevojë të derdhet gjaku ynë. Mos bini në provokime. Ato janë kurthe që do të bien vetë ata”.

Kësaj rrjedhe dramatike të ngjarjeve i ka kontribuar jashtëzakonisht shumë edhe edhe dinakëria e servilizmi i gërxhove të LDK-së. Ka ardhur koha që të shpëtohet prej tyre e mira, e mbara dhe e pastra e LDK-së. Të shpëtohet ajo LDK-ja burimore, që në fund të viteve nëntëdhjetë të shekullit që iku lindi si levizje gjithëpopullore dhe na nisi suksesshëm krejt lirisë. Prandaj është urgjente qe Vjosa Osmani tok me të mirët e të mbarët e tjerë, ta nxjerrin LDK-në nga bataku i mëkateve, ku e kanë futur Isa më sançopançot e tij. Kjo do t’i shmangte vlimet dhe aleancat ogurzeza të Putinit të çalë me PAN-istët. Këta duan t’i nxisin qytetarët ne trazira, ose t’i përzënë nga vendi ku kanë lindur. E populli nuk do batërdi në atdheun e dhunuar, populli do jetë të dinjitetshme.