Pushtimi i ri turk

0
551

Nga Azdren Shala* TemA

Ndërhyrja e Policisë së Kosovës në një natë me muzikë në Qendrën Sociale Sabota në Prishtinë, e titulluar si “Nata e Muzikës Kurde”, mjaftoi për të parë edhe një herë efektet e pushtimit modern të Perandorisë Turke ndaj Kosovës në krye me Sulltan Erdoganin.

Reagimet e çmendura të qindra njerëzve për organizimin e një ngjarjeje të tillë dhe intervenimi i policisë së Kosovës për ta ndërprerë aktivitetin përkrahës për viktimat e popullit kurd, aksione dhe shqetësime këto të fshehura nën petkun e një shoqërie dhe shteti anti – terrorist, nga njëra anë tregojnë hipokrizinë e shoqërisë kosovare dhe nga ana tjetër shpërfaqin qartë efektet e pushtimit modern turk në vendin tonë.

Si zakonisht në të tilla raste vertikalja funksionoi dhe u shpik preteksti se në atë natë, përmes muzikës, ku po shprehej revolta për dhunën ndaj popullit kurd, edhe manifestimi i pakënaqësisë po bëhej i fshehur pas simboleve komuniste e terroriste, dhe si pasojë mekanizmat shtetëror duhet vënë në lëvizje sa herë që vërehen nuanca të theksuara të ideologjive ekstreme siç janë komunizmi apo terrorizmi. Kështu duket të jetë alibia e institucioneve të mjera kosovare për intervenimin e tyre në Natën e Muzikës Kurde.

Kaq e thjeshtë duket të jetë në shikim të parë.Të gjithë do ishim të lumtur sikur shteti jonë i dashur të jetë kaq vigjilent dhe ne të vazhdonim gjumin të qetë.

Por të gjithë e dimë se nuk është ashtu, dhe si pasojë gjumi na prishet, zhgënjimi rritet edhe bëhemi dëshmitarë të një “drejtësie” selektive që ushtrohet në Kosovë prej kohësh në shumë raste të ndryshme. E gjithë kjo vigjilencë në nivel shtetëror ndaj një ngjarje të tillë, nuk e ka burimin në merakun e institucioneve tona për sigurinë e vendit, por është pasojë e një politikeserviliteti dhe vasaliteti që Kosova e ndjekë prej kohësh ndaj shtetit “mik” Turqisë.

Sot Turqia është më pushtuese se sa që ishte Perandoria Osmane dje. Përderisa ajo Osmane na mbajti të pushtuar fizikisht, Perandoria Turke përpos tjerash na ka pushtuar edhe shpirtërisht,kulturalisht e moralisht. Turqia përmes Islamit, duke shfrytëzuar gjurmët akoma prezentë të së kaluarës osmane, ka ngjallur një dalldisje fetare ndër shqiptarët, e cila nga njëra anë shfrytëzon refuzimin e Evropës për ti inkuadruar shqiptarët brenda vetës dhe nga ana tjetër ofron një “mundësi” për krijimin e një perandorie të pastër Neo Osmane të bazuar mbi “moralin absolut islamik”.

Pra, Turqia me politikën e vet asimiluese po e zhduk çdo ditë e më shumë vizionin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare ndër shqiptarët, dhe po ngjallë instinktin shtazarak të Haxhi Qamilit në çdo cep të vendit, duke shtruar infrastrukturën e një adhurimi dhe inkuadrimi pa kushte brenda Turqisë. Haxhi Qamilë gjejmë kudo sot, nga qeveria deri te xhamia, e të dyja këto komponentë të lidhura aq ngusht me njëra tjetrën, sa që është bërë e vështirë të dallohet se cila është xhamia e cila është qeveria. Ngadalë e mirë, orbita e ndikimit turk zgjerohet dhe thellohet çdo ditë e më shumë, ku përmes instrumentalizimit të Islamit goditen elementet më demokratike të shtetësisë së Kosovës. Kryerja e ritualëve fetare nëpër institucione shtetërorë, godet rëndë laicizmin si kategori kushtetuese.

Në këtë drejtim, Aeroporti i Prishtinës është rasti me eklatant. Gjithashtu, përmes shtrirjes së ndikimit turk ku gjithmonë Islami është mjeti për të arritur qëllimin, goditet toleranca fetare dhe etnike, që është vlerë e njohur historike ndër shqiptarët.

P.sh; në Xhaminë e Sinan Pashës në Prizren në prezencën e zyrtarëve të lartë turq, një imam turk (për çudi nuk është shqiptar imami!) fletë për “aktet hyjnore” që sot Turqia e Erdoganit po bënë duke vrarë popullsi kurde meqë ata e paskan braktisur rrugën e zotit. Dhe është interesant fakti që, Policia e Kosovës nuk reagoi fare, edhe pse brenda asaj xhamie në mënyrë institucionale po legjitimohej terrorizmi.

Por, Policia e Kosovës reagon furishëm në një lokal të Prishtinës ku disa qytetarë përmes artit po shprehnin revoltën e tyre kundër terrorizmit si parim, pa pretendime politike e as nacionale. Këtu kristalizohen mirë gjërat, bie iluzioni dhe jemi përballë një situate të mjerë. Situata është kjo: ndikimi turk në Kosovë është shndërruar në psikozën e një të vërtete absolute për linjën e politikës dhe veprimtarinë e popullsisë shqiptare.

Sikurse mbretërit e perandorët e Evropës Mesjetare që jetonin me psikozën se kurora e tyre nuk kishte vlerë nëse nuk legjitimohej nga Papati dhe si të tillë jetonin dhe vepronin në kuadrin e një skeme moraliste të ngurtë fetare të diktuara nga Vatikani, edhe kasta politike shqiptare sot nuk bën para pa miratimin me të “vërteta absolute” të Erdoganit, i cili bart premtimin se shqiptarët do të ringrihen brenda një perandorie të fuqishme panislamike.

Në fund fare, lind pyetja natyrshëm: cila perandori është më pushtuese; ajo osmane apo kjo turke, e fshehur pas maskës së mikut të shqiptarëve? Nëse e gjykojmë këtë problem në instancë të fundit, efekt e pushtimit turk na dalin të jenë shumë më të mëdha se sa ato të atij pushtimi klasik të Perandorisë Osmane. Gjatë sundimit osman, edhe pse të sunduar, ideja e të qenurit ndryshe nga Porta e Lartë ka qenë prezent në çdo kohë, dhe si pasojë mbi bazën e kësaj ideje u ndërtua një lëvizje politike dhe kulturore gjatë gjysmës së shek. XIX dhe fillim të shek. XX e cila rezultoi me ndarje përfundimtare nga Perandoria Osmane.

Por, gjatë këtij sundimi turk, përmes një invazioni kulturor dhe ekonomik, shqiptarët çdo ditë e më shumë po humbasin elementë nga identiteti i tyre kulturor shqiptar dhe evropian në favor të një identiteti të ri myslimano – turk, dhe kështu përplasja jonë në Azi duket të jetë shumë afër. Siç duket, shqiptarët më lehtë mund ti pushtosh me duke qenë miku i tyre e jo armiku i tyre, sekret të cilin nuk e zbuluan gjithë ata sulltanë të Perandorisë Osmane, por e zbuloi Sulltani i Ri i Perandorisë Turke.

*Historian