Dionis Xhafa
Transportimi i sasive të llojeve të ndryshme të drogës brenda shteteve ballkanike ose tutje në Europë ka qenë dhe mbetet problem akut i plasur në shesh qysh se këtu u hapën kufijtë dhe u arrit demokracia. Ndër ballkanasit e thjeshtë dhe ndër këta edhe tek shqiptarët nisën procedimet e shumta individuale për akuza të tilla si prostitcioni, favorizimi i këtij “zanati”, transporti i drogës, përfshirja në organizata kriminale e deri në vrasje si larje hesapesh mes bandave mafioze. Pra pas vitit 1991 sidomos bashkë me përshpejtimet demokratike dhe ato ekonomike, nisi edhe kriminalizimi në masë i një pjese të mirë të shoqërisë të anëve ballkanase të cilët edhe e keqkuptuan lirinë fillestare e cila iu dhurua. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Cila është tjetra? Tjetra anë është ajo se grupet e caktuara të mirëorganizuara kriminale në Ballkan lidhen me udhëheqësit politikë dhe kështu kukullat politike në pushtet vijonin të qëndronin si të tilla në saj të punëve të fëlliqura që zhvillonin bandat të cilat i mbanin në këmbë. Akuza të tilla se janë të lidhur me krimin e organizuar, transportin e drogës dhe kontrabandën e cigareve janë ngarkuar mbi disa zyrtarë të lartë të shteteve të Ballkanit. Të tilla akuza janë lëshuar në drejtim të Milo Gjukanoviç në Malin e Zi, mbi Hashim Thaçin në Kosovë dhe mbi Ivica Daçiçin në Serbi. I tillë fenomen sa duket përflitet se ndodhka edhe në Shqipëri ku krimi i organizuar ka gjasa të mëdha të jetë i lidhur me pushtetin.
Rasti Balili “tmerri” i lidhjes krim-politikë
Klemend Balili ngjan si emër i tmerrshëm dhe rast ekzemplar i asaj sesi ka gjasa se funksionon ingranazhi politik në Shqipëri. Ai ishte kreu i një bande kriminale në vend dhe që transportonte drogë nga Shqipëria drejt Greqisë apo në shtete të tjera ballkanike. Del se partia e ka emëruar Balilin si shef të Transportit të Sarandës dhe se biznesni i tij me gjasa të mëdha i bërë me para droge ishte inaguruar nga ana e politikanëve. Është e frikshme veç kur e mendon se Balili dhe miqtë e tij të bandës kriminale kryenin transportin e mbi 600 kg drogë me kamionë. Dhe më e rënda është se Balili me siguri do të kishte vijuar të jetonte sinë parajsë dhe me pushtet si dhe i paprekur në rast se nuk do të procedohej penalisht për trafik droge nga ana e shtetit grek. Balili u zhduk na thanë dhe se policia as që mundi ta kapte dot.
Si more u zhduk. Si more iku. Si nuk mundi ta kapë policia. Si ikën kështu pa gjurmë një kriminel tipik i cili ka qenë kreu i një bande kriminale të trafikut të drogës dhe se vuri në alarm Ballkan e Europë të tërë. E fshehën thonë disa zëra thashethemesh dhe ka gjasa që e vërteta të jetë kështu. Atë që po e kërkon Interpoli, policia jonë nuk e arreston dot. E zhdukën pa e arrestuar sepse siç thonin mediat helene Klemend Balili i kishte të fuqishme lidhjet politike. Ky “peshk i madh i krimit” ishte “shkëmb graniti” për qeveritarët tanë. Nëse nuk arrestohet në këtë vend dikush i cili mirret me trafikun e 600 kilogram drogë apo edhe vrasësit, kë do të arrestojmë atë të pambrojturin, atë që vjedh energjinë?!
Balili si “maja e ajsbergut”
Rasti i Klemend Balilit është “maja e ajsbergut” që dëfton fenomenin e tmerrshëm se shumica e politikanëve mbahen në këmbë dhe janë të fuqishëm për shkak se ata kanë si bazament organizatat kriminale dhe njerëz të lidhur me krimin. Qeveria jonë ngjan si një ndërtesë e cila është e ndërtuar në Rinas. Këtu ndodhet një ndërtesë e cila “të merr në qafë” teksa e sheh nga jashtë, madhëstore, e bukur mjaft dhe me kolona të gjëra sikur të jetë “Shtëpia e Bardhë”. Kështu ngjan edhe qeveria jonë Qeveritarët tanë janë të pashëm e të grimuar në pamje të parë dhe pushteti i tyre ngjan si madhëstor dhe i larë në argjend. Por se po ta gërvishtësh paksa këtë ndërtesë e di çfarë del? Del kalbësirë.
Aty të lidhura me pushtetin e ke drogën, prostitucionin, vrasjet e krimet e kobshme të lidhura me fijet politike. Pushteti e zëmë për një moment se është ndërtesa dhe se përbrenda saj ka thika, shpata, krime, drogë e prostitucion. Kolonat që e mbajnë në këmbë ndërtesën e bukur dhe “joshëse” qeveritare janë secila një “Klemend Balili”. Kjo sepse Balilët nuk janë një e dy por në mos qindra të cilët mbajnë në pushtet kukullat e tyre. Lëre më pastaj themelet e ndërtesës kanë përbrenda krime edhe më të zeza. Këtu ka edhe krime që nuk parashikohen nga ana e Kodit Penal por janë ingranazh për atë sesi mbahet pushteti. Militantizmi, mungesa e meritokracisë dhe shkërdhatokracia gjendet thellë në themelet e ndërtesës kancerogjene.