Pushkatimi pa gjyq i Partisë Demokratike!

1
743
Mero Baze

Nga Mero Baze, gazeta TemA

Pas refuzimit që Partia Demokratike i bëri ofertës zyrtare të Bashkimit Evropian për hyrjen në zgjedhje, përpjekjet e faktorit ndërkombëtar në Tiranë, po fokusohen deri në datën 29 Prill, tek nxitja e aleatëve të Partisë Demokratike, për t’u regjistruar në zgjedhje. Qetësia me të cilën Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po mbështesin një proces zgjedhor, duke injoruar bojkotin e partisë më të madhe të opozitës, qëndron tek fakti se Partia Demokratike nuk arriti të bindë faktorin ndërkombëtar për shkaqet e bojkotit, por arriti ta bindë atë, se mosvotimi i Vetting-ut, është një problem që lidhet personalisht me lidershipin e Partisë Demokratike.

Ajo që po ndodh tani, është se Lulzim Basha po e nxjerr me qetësi nga skena politike Partinë Demokratike, sikur të jetë një pronë private e Sali Berishës, të cilën ia ka besuar atij, dhe po shkatërron karrierën politike të dhjetëra politikanëve dhe aspiratat e mijëra demokratëve për të qenë parti konkurruese dhe pretendente për pushtet në Shqipëri.

Ajo që është më e rënda, është se vendimi është marrë në rrugë okulte nga dyshja Berisha-Basha dhe nuk është konsultuar me asnjë strukturë të Partisë Demokratike dhe Grupit Parlamentar. Lulzim Basha ka qëndruar dhjetë minuta dje, me të dërguarit e Bashkimit Evropian dhe më pas një orë me Sali Berishën, për të vendosur ekzekutimin politik të Partisë Demokratike për interesa të tyre. Pas kësaj, ai nuk i ka raportuar askujt, biles as aleatëve që i ka përdorur këto gjashtëdhjetë ditë, për të zëvendësuar stukturat e PD.

Vendimi për të hedhur në rrugë deputetët e PD, pa u dhënë atyre asnjë shpjegim, është sikur të pushkatosh dikë, pa i dhënë të drejtën të thotë dhe fjalën e fundit para gjyqit. Është një lloj vrasjeje e pabesë, as shpine.

Vendimi jo vetëm që ka kundërshtimin e faktorit ndërkombëtar, por është një nga lëvizjet politike më katastrofike të Partisë Demokratike, pasi në vend që ta dëmtonte, ka forcuar ndjeshëm pozitën ndërkombëtare të kryeministrit Edi Rama.

Falë Lulzim Bashës dhe vendimit okult të dyshes Berisha-Basha, kundër reformës në drejtësi, Edi Rama është sot në pozitën më komode të mundshme politike. Ai ka mbështetje ndërkombëtare për të zhvilluar një proces të ndershëm zgjedhor, do të garojë i vetëm në këto zgjedhje dhe është i lirë të vendosë vetë për qeverinë dhe fatin e reformave pas zgjedhjeve, pavarësisht ngjyrave të aleancës paszgjedhore.

Të gjitha përpjekjet për ta kushtëzuar atë, për të vënë në qoshe dhe për të poshtëruar para zgjedhjeve me shantazhin e çadrës dhe aleancat në distancë me të, rezultuan jo vetëm antiproduktive, por e fuqizuan atë më shumë. Dhe sekreti i vetëm i kësaj historie është Vetting-u. I gjithë aksioni politik kundër tij, nisi për të bllokuar Vetting-un dhe gjithë beteja e fituar e tij me faktorin ndërkombëtar mbeti sërisht Vetting-u.

Fakti që ai pranoi dhe ofertën ekstreme të Bashkimit Evropian, duke u thënë e firmos tani, por vetëm ata të votojnë Vetting-un, dhe fakti që Lulzim Basha u çua nga tavolina, sapo ia përmendën Vetting-un, tani ka zyrtarizuar perceptimin e krizës politike në Shqipëri, si një krizë shkaktuar nga paniku prej Vetting-ut.

Është kjo arsyeja që tani gjithë përpjekjet po fokusohen tek partitë aleate të Partisë Demokratike të cilat nuk kanë problem me drejtësinë, por janë me të në aleancë për një rezultat më të favorshëm elektoral.

Tani jo vetëm ata, por dhe çdo deputet i lirë i Partisë Demokratike, është në të drejtën e tij të vendosë vetë për fatin e tij, pa pranuar fatin që i diktoi, pa i pyetur dyshja Basha-Berisha, duke i hedhur në rrugë pa i pyetur. Jo për gjë por për shumë nga ata karriera quhet e mbyllur këtu, pasi nëse PD do rikthehet ndonjëherë në skenën politike, nuk do të jetë kurrë më e njëjta dhe nuk do të ketë punë me ta.

Partia Demokratike është duke shkuar në një rrugë pa kthim, lidhur me fuqinë e saj në skenën politike shqiptare dhe ky është një fund i pamerituar i saj, por ama një fund i justifikuar nga fakti, se të gjithë, ia pranojnë Sali Berishës, vesin e tij të inçestit dhe përdhunimit, të krijesave të tij. Dhe ndoshta këtë parti s’kishte për ta çuar deri këtu, askush tjetër, përveç Sali Berishës!

1 KOMENT

  1. O moj Shqipëri, e mjera Shqipëri, kush të ka qitë me krye në hi?

    Shqipëria lindi nga Zoti,
    Shpëtoi nga rastësia
    E nëse vdes –
    Do të vdesë nga politikanët!

Komentet janë mbyllur.