Luan Rama, zëvendëskryetar i LSI-së, pas 44 viteve takon ish-mësuesin e tij, disident Ymer Adem Llugaliu
ARIF EJUPI
Ymer Adem Llugaliu, si njëri nga pedagogët më të dalluar të brezit të tij dha gjithçka nga vetja për ngritjen dhe arsimimin e të rinjve të Beratit, Mirditës, Elbasanit dhe Llapit.
Ymeri i lindur më 11 shtator të vitit 1936 në Surkish të Podujevës, qysh si nxënës i fillores bije në sy me njohurit e tij të gjithanshme.
Prirjet e tij të theksuara në Gjuhë, Histori, Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji dhe Art, u vlerësuan lartë edhe nga arsimtarët e tij të progjimnazit të atëhershëm të Podujevës si:Sabit Kapiti,Nexhmi Sejdiu, Ibrahim Demolli, Abdyl Sokoli, Hasan Shala, Ali Zeneli, si dhe nga vet drejtori i përgjithshëm i kësaj shkolle Tadej Rodiqi, që para një viti kishte ardhur nga Prizreni në Podujevë.
Arratisja e paparalajmëruar e Llugaliut përtej Bjeshkëve të Nemuna,pikënisjen e pati nga një debat i nxehtë me arsimtarin e shkollës së Mesme Zhikica Jovanoviq, i cili jepte Gjuhën serbe.
Jovanoviq, në një orë mësimi kishte thënë “Kam përshtypjen që Gjuha shqipe, është një përzierje shumëgjuhësore çfarë lë me dyshue, a mundet me u quajt gjuhë në vete, apo jo. Ka latinizma, ka turqizma, ka serbizma, ka…”
Në formë kundërshtimi Ymeri kishte thënë jo- jo mësues gabim e keni.Pjetër Budi, librin“Doktrina kristiane”e ka shkruar qartë dhe pastër në gjuhën shqipe, qysh më 1618.
Ai,madje e ka pasuruar gjuhën edhe me neologjizma të burimit shqip, 49 vjet më herët se Johon Milton, gjuhën angleze me poemën “Parajsa e Humbur”.
Duke menduar që debati mësues- nxënës duhet të jetë i shëndosh dhe konstruktiv Ymeri, kishte vazhduar diskutimin e tij me gjuhën e argumenteve.
Ai kishte thënë: ”Mësues nga hulumtimet e mia shoh që serbishtja juaj është tamam një gjuhë laramane me rusizma, bullgarizma të dyja varianteve egjeiane dhe gjevgjeliane, si dhe me mishmashin e gjuhëve të tjera sllave.
Jovanoviq i revoltuar dhe i pakënaqur me debatin,Ymerin e paraqet në Drejtorinë e shkollës,si nxënës provokator dhe me pikëpamje nacionaliste.
Ai mbase do ta denonconte edhe në Polici, por se lejonte sedra e sëmur dhe inatçore me pohuar që në debate me nxënësin e tij çdoherë dilte humbës. Urrejtja e papërmbajtur e shovenve serbë del në shesh me arrestimin e arsimtarit të Historisë, Ibrahim Demolli, nga UDB-ja.
Ai ishte arrestuar vetëm pse i kishte bërë vërejtje tekstit të Historisë, për klasën e – lll- të, në të cilin fillim e mbarim ishte falsifikuar origjina e shqiptarëve autokton.
Ymeri lajmin mbi arrestimin e arsimtarit të Historisë, Ibrahim Demolli, e kishte pritur me dhembje dhe indinjatë të thellë.
Ai druante që fare lehtë mund ta ketë fatin e mësuesit të tij,të cilin për reagimet e tij konkrete dhe në kohë e quante edhe si mësues “Shtylla”.
Kjo ndjenjë pasigurie dhe mosdurimi ndaj shovenëve serbë e pati detyruar Llugaliun,ende adoleshent që të kalojë në tokën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut me origjinë nga Kastri i Hasit të Prizrenit, me banim në Mat, me ngadhënjimin në Krujë, që shekullin e – XV- e bëri EPOKË të ARBANISË.
Llugaliu, që i hypi krahut të ëndrrës dhe kaloi matanë maleve i bindur që edhe ai është një krah shqipje regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ku vitin e parë të studimeve e kryen me sukses maksimal.
Me gjithë rezultatin e arritur në Mjekësi, atë vazhdimisht e tundon dëshira e papërshkruar për të studiuar Gjuhë dhe Letërsi shqipe.
Inspirimin për studim të mirëfilltë dhe me rrënjë të Gjuhës,historisë dhe kulturës shqiptare ia ngjalli përçmimi dhe urrejtja që shovinistët serbo-sllav, i bënin Gjuhës shqipe, dhe popullit të robëruar shqiptar në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë lindore.
Pas përfundimit të studimeve me sukses shembullor Ymeri,priste që të bëjë punën e ndihmës profesorit (asistentit) në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Mirëpo, një ditë fundgushti atij pa kurrfarë paralajmërimi i jepet urdhëri që të shkojë në Krahinën më të prapambetur dhe më të persekutuar të vendit, në Mirditë.
I njohur me virtytet e tij prej burri dhe pedagogu profesionist plot nëntë vjet punon në shkollën e Mesme në Rrëshen,dhe në atë Tetëvjeçare në Kurbnesh.
Llugaliu përkundër kushteve të vështira për punë detyrën e tij të mësuesit të Gjuhës Shqipe, dhe letërsisë,siç ishte emërtuar kjo lëndë atëherë e kryente me mjaft sukses.
Ai duke e konsideruar arsimimin e brezave si burim drite, edhe në kohën kur ishte student kishte punuar si mësues i së njëjtës lëndë 15- 16 muaj, edhe në Berat.
Me përvojën e tij të gjatë ai ishte në gjendje që nëpërmjet procedurave të testimit ta bëjë edhe matjen e inteligjencës të secilit nxënës.
Po ashtu llogaritjen e pikëve për notë e bënte saktë dhe pa i hyrë askujt në hak. Vazhdimisht nxënësëve të tij ua përsëriste thënien “Shumë shpejt e keni kryer punën,nëse e keni kryer si duhet.”
Llugaliu, përveç aftësive intelektuale dhe organizimeve dallohej edhe për respektimin dhe dashurinë e treguar ndaj malësorëve të Mirditës.
Mania e pansllavistëve kokëbosh dhe klysh të Stalinit nëprmjet “fabrikave”të llojit kovaçhane banorët e kësaj zone i detyronte të bëjnë punë skllavi si në feudalizëm.
Ata që kundërshtonin shpalleshin armiq të popullit, dhe përfundonin në kampe internimi, ku vite më radhë thanin këneta e moçale.
Grupi tjetër i “vullnetarëve” amator ndërtonte “pallate” me qerpiç e baltë. Çdonjërit veç e veç, apo si kolektiv për një normë të parealizuar i avullonte jeta.
Këtë diktaturë ekzemplar tmerri disa të verbëruar e atoparlant të monismit e përshkruanin si parasë,vetburgimin liri, diktaturën demokraci.
Kurse,H oxha gjirokastritin pejgamber, sepse kështjellën e rrezistencës së Gegnisë, të ndërtuar me djersë e gjak nga Buzuku, Bardhi, Bogdani, Budi, Veqilharxhi, Pashko Vasa, Mjeda, Fishta e Migjeni etj, e kishte bërë rrafsh me tokë, nga frika që pasardhësit e tyre po e lidhnin Arbanin me Vatikanin dhe Përendimin.
Llugaliu si bir i traditës kësaj çmendurie paranoiake i kundërvihet me vargjet revoltë të Migjenit: “Oh, si s’po kam nji grusht të fuqishëm Malit (diktaturës) që vret mu në zemër me ia ngjesh”.
Më 10 nëntor të vitit 1976, nën pretekstin e “Agjitacion propagandës”, Llugaliu u arrestua dhe u dënua me tetë vjet heqje lirie.
Arrestimit të tij i parapriu spiunimi i një “kolegu“në eskursionin me nxënës në Pllajën e Valmorit.
Ai e kishte provokuar mësueses Ymerin, duke i thënë: – Or kosovar si të duket Valmori ?…
Ymeri, modest dhe pa u mburrur këtij të shituri që ishte si gacë e mbuluar me shumë shtresa shpuze iu kishte përgjigjur: ”Valmori është i bukur, ama shumëfish më e bukur është Fusha e Kosovës”.
Të nesërmën “kolegu”i tij, një kuisling që regjimi diktatorial e kishte bërë rregëzinë, duke sajuar edhe njëqind gënjeshtra të tjera, raporton tek padronët e tij të Sigurimit të Shtetit.
Pastaj,ata bëjnë atë që s’ kishte arritur ta bëj vëllai i tyre ideologjik Zhikica Jovanoviq. Llugaliun e mbyllin në burgun e Spaçit . Atje i ballafaquar çdoherë me uri dhe etje detyrohet që të kryejë punët më të rënda fizike.
Pas daljes nga burgu rehabilitimin e tij dhe avancimin në pozita,diktatorët gardianë të ferrit të kuq komunist e kushtëzojnë me kërkesën që ai me shkrimet e tij të glorifikoj Kryediktatorin, duke i thurur në të njëjtën kohë elozhe edhe kolektivizimit të vendit, që ishte kthyer në varr të hapur të shqiptarëve.
Llugaliu guximtar dhe frontal, siç janë zakonisht malsorët kësaj oferte i bën refuzim të dyfishtë, jo për mungesë talenti, por nuk donte me u bë në asnjë mënyrë nallban për me mbadh kuaj të xhelatëve komunistë, të cilët gjatë 50 vjetëve – shekuj likuiduan figurat më të ndritura të kombit tonë.
Pas këtij refuzimi atij gojën ia mbyllin e lapsin ia kthejnë në kazmë, duke e izoluar dhe internuar në zona të thella malore, ku nëntëmbëdhjetë vjet rresht, nuk i lejohet kontakti me njeri.
Atë ushqim të paktë dhe pagrimë shije të shumtën e herëve ia hudhnin nëpër sportelet e thurura me thupra hekuri sikur luanit në kafaz.
Edhe pse ishte me qafë nën shpatën e Demokleut, alias Diktatorit, Enver Hoxha, më 13 gusht të vitit 1983,ai bëhet shembull guximi dhe besnikrie. Me katër- pesë shokë e bën varrosjen e disidentes së parë Shqiptare, Musine Kokalari, e cila kishte vdekur në vetmi dhe vuajtje të paimagjinueshme në një kasolle të Rrëshenit.
Pas përmbysjes së Diktaturës, Llugaliu një ditë të vonuar pranvere kthehet në vendlindje, ku e kishte lënë të ndryme rininë e tij të hershme.
Atij i bëhet pritje madhështore. Surkishi ato ditë ishte vend pelegrinazhi, i të gjithë llapjanëve.
Pushtuesit serbë që ishin instaluar në hyrje të këtij fshati me të kuptuar se Llugaliu,ishte kthyer në Dardani,në tokën e të parëve të tij, e arrestojë dhe ia plaçkisin të gjitha peshqeshet, dhe të hollat e dhuruara nga familjar, shokë e miq.
Pas katër-pesë ditëve e dëbojnë matanë kufirit të vendosur me dhunë e gjak. Llugaliu që ishte flijuar për Shqipërinë Etnike, shkon në Elbasan, ku fillon punën e mësimdhënësit të Gjuhës Gjermane në shkollën e Mesme të Gjuhëve të huaja.
Po ashtu kontribuon në të gjitha lëvizjet për liri dhe demokraci të Shqipërisë. Më gjithë ferrin e përjetuar Llugaliu, pedagog dhe krijues më 1993, e boton në “Eurorilindja” Tiranë, librin me poezi,,Luani i Prishtinës”. Pas këtij libri ai ka botuar edhe shtatë- tetë libra të tjerë me temë nga historia,kultura dhe gjuhësia.
Sidomos vëmendjen e atyre që studiojnë Gjuhë shqipe,e kanë zgjuar librat me analiza të ngjeshura nga Fonetika, Morfologjia dhe Sintaksa” Gjuhësi e letrarizueme” dhe ai “ Ma i lashti dhe ma i riu”.
Llugaliu, fondin e tij krijues e pasuron edhe me fejtone të shumta të botuara në Gazetat e ditës dhe ato javore në Shqipëri e Kosovë.
Po ashtu është më rëndësi të theksohet që ai më 2005, pati botuar studimin dygjuhësor shqip-anglisht “Pretendimet serbe rreth Kosovës dhe realiteti kosovar”. “Serbian claims about Kosova and kosovarian reality“.
Ymer Llugaliu, edhe pse në moshë të shtyrë posedon potencial të pashtershëm krijues. Ai ka në dorëshkrim edhe disa tema nga fusha e Gramatikës së Gjuhës shqipe, ku së shpejti pret botimin e tyre të përmbledhur në një libër.
Mirditorët edhe pse ka kaluar gati gjysmëshekulli ndihen krenar me ish-mësuesin e tyre të mrekullueshëm Ymer Adem Llugaliu.
Ata të nxitur nga respekti i pakufishëm ndaj tij nëntorin e vitit të kaluar në mënyrë të organizuar e patën vizituar atë në fshatin e tij të lindjes Surkish të Podujevës.
Ngjashëm me shokët e tij veproi dhe politikologu e publicisti i njohur Luan Rama. Ai me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit,erdhi enkas nga Tirana, në Llap, për t’i shprehur mirënjohjen dhe konsideratën e tij, për punën e shkëlqyer mësuesit dhe disidentit Ymer Adem Llugaliu.
Llugaliu, ndihet shumë i nderuar nga këto vizita të ish-nxënësve të tij, ngase ato janë prova më e mirë që veprën e tij s’mundi me zhduk e as me hijezue diktatura komuniste.