PUGAÇOVI – nga Sergej Esenin

0
499
Sergei Esenin - pikturë

Sergej Esenin
1895 – 1925

Alexandrovich Yesenin (i shqiptuar edhe si Esenin; rusisht:Серге́й Алекса́ндровичЕсе́нин; tetor 1895 – 28 dhjetor 1925) poet lirik rus. Ai ishte një nga poetët më të famshëm dhe të mirënjohur rusë të shekullit të 20-të

PO JAPIM NGA LIBI I SERGEI ESENINIT

PUGAÇOVI
(poemë dramatike)

Kapitullin:
IKJA E KALMUKEVE

ZERI I PARE
Dëgjoni, dëgjoni, dëgjoni!
A mos keni ëndërruar sonte qarje qerresh?
Sonte në agimin e kthjellët,
Tridhjetëmijë qerre kalmukësh
Janë zvarritur nga Samara drejt Irgisit
Nga tirania e burokratëve rusë
Nga që si fëllëzave ua rropën puplat butë
Livadheve tona.
Si kope breshkash druri
Drejt Mongolisë së tyre morën me ngut.

ZERI I DYTE
Vetëm ne, vetëm ne ngurojmë
Sikur breshëria që na përfshiu,
Të na frikësonte.
Pasi Moska çdo javë ediktet e saj na dërgon
Dhe kudo të shkosh
Sheh si kërcejnë nga shpatullat ngahera,
Nën shpatën e shtypësve
Koka kozakësh si mace të verdha.

KIRPIÇNIKOV
Kujdes, kujdes, kujdes!
Mos u bëni frikacakë si delet, ju!
Që t’ju fusin në një bëmë të tmerrshme
Traubenberg dhe Tambovçev vijnë, këtu.

KOZAKET
Në djall! Në dreq tradhëtarët!
……………………………….
TAMBOVÇEV
Ku-j-de-s!
Stonikë të reparteve kozake
Përgatituni për marshim!
Sonte hordhitë kalmuke
Të gjitha si bisha të egra
Tradhëtuan perandorinë e Rusisë,
Duke marrë me vete krejt bagëtinë.
Shagani hedh në bregun e ditës
Varkën e zhytur të hënës.
Ata që e duan atdheun
Duhet të më dëgjojnë!
Këtë humbje për vendin,jo,jo,
Ne s’mund, ne s’mund, nuk mund ta lejojmë.
Rusia ka humbur mishrat dhe lëkurët,
Rusia ka humbur kuajt më të mirë.
T’u lëshohemi në ndjekje
Këtyre mongolëve rreptësisht,
Para se Kinës t’i jepen ata,
Plotësisht.

KIRPIÇNIKOV
Mjaft, ataman,
Mjaft me llomotitje në erë!
Për Rusinë ndiejmë dhimbje,
Sepse Rusinë e kemi nënë të gjithë!
Dhe fare, fare s’trembemi ne,
Nëse fushat tona i braktisi ndonjë.
Kalmuku s’është lepuri i verdhë
Që ne për gjah ta gjuajmë me tërbim.
Si era u nis ky mongoli zeshkan,
Zoti i uroftë atij udhë të mbarë
Që rrethimeve tona
Diti t’u shpëtojë pa dhimbje sa më parë.

TRAUBENBERG
Ç’do të thotë kjo?

KIRPIÇNIKOV
Kjo do të thotë
Po qe se izbat tona
Do të ishin mbi rrota
Kuajt tanë do të mbrehnim ne,
Dhe nga hapësirat e kripura
Do të shkonim në arin e stepavè
Kuajt tanë,duke mënjanuar qafat e gjata
Si një trumbë mjelmash të zeza
Nëpër ujiërat e thekrave, atje
Do të na çonin të vrullshëm e të bukur
Në një vend të ri, për një jetë të re.

KOZAKET
Na keni torturuar!Na keni grirë egërsira!

TAMBOVÇEV
Kozakë, po ju keni puthur kryqin e adhuruar!
Jut ë tërë jeni betuar…

KIRPIÇNIKOV
Jemi betuar, i jemi betuar Ekaterinës
Që të jemi kështjellë e kufijve të stepave mbarë
Që t’i mbrojmë këto kullota kaltërore
Nga plaçkitja e zogjve grabitqarë.
Po më thoni, më thoni, më thoni
Këta zogj, mos nuk jeni ju?
Banori i fushave tona të vrazhda
Nuk gjen strehim për kokën këtu.

TRAUBENBERG
Kjo është tradhëti!…
Lidheni! Lidheni!

KIRPIÇNIKOV
Erdhi ora, kozakë!
Të përshëndes, o revoltë mizore shumë!
Atë që buzët s’e shprehin dot me fjalë
Le ta tregojnë koburet me plumb.

(qëllon)

Traunbenberg bie i vdekur. Rojat Ia mbathin.
Kozakët rrokin pë freri kalin e Tambovçevit
dhe e zvarrisin atë përtokë.

ZERA
Vdekje!Vdekje tiranit!

TAMBOVÇEV
O Zot !, ç’bëra ?

ZERI I PARE
Na ke torturuar o kriminel, tre vjet,
Tre vjet si një hutë e bardhë
S’na ke lënë të qetë.

ZERI I DYTE
Shijo çorbën e stuhisë.
Mbarove së dëfryeri, së fshikulluari mbi mish.

ZERI I TRETE
Djall, përse ta zgjatim më gjatë me të?

ZERI I KATERT
Ta varim – e mjaft, mjaft më!

KIRPIÇNIKOV

Moska ta dijë, ta ndiejë-
Ne ndëshkimin e tij do ta shpejtojmë.
Është vetëm gjëmimi i parë,
Është vetëm krisma e parë,
Ta mbajë mend Ekaterina,
Nëse Rusia është një moçal,
Si bretkosa të zeza në baltovinë,
Topat, vezë prej çeliku do të hedhin.
Le ta marrë vesh vendi që kozaku ynë
Nuk është shelg i bardhë mbi shteg të qetë
Dhe se në thesin plot me bar të hënës
S’do ta lerë më kot ai kaptinën e vet.

Përktheu: Faslli Haliti