SERGEJ ESENIN (1895 – 1925)
Sergei Alexandrovich Yesenin (i shqiptuar edhe si Esenin; rusisht:Серге́й Алекса́ндрович Есе́нин; 3 tetor 1895 – 28 dhjetor 1925) ishte poet lirik rus. Ai ishte një nga poetët më të famshëm dhe të mirënjohur rusë të shekullit të 20-të.
Muzeu i poetit Sergej Esenin në fshatin Konstantinovo,
Oblast Ryazan, Rusi – shtëpi amtare e Eseninit
PUGAÇOV
Poemë dramatike
Kap. I
DUKJA E PUGAÇOVIT NË QYTETIN E JAIKUT
PUGAÇOVI
Ah sa i lodhur jam dhe këmba më dhemb!…
Hingëllin rruga hapsirave të shqetësuara.
Mos je ti, mos je ti Shagan i cubave,
Azil i zhelanëve dhe bishave të tërbuara?
Unë e dua bakrin e stepave të tua
Dhe tokën erë kripë e dua përherë.
Hëna rrokulliset mbi barin e lagur
Si të ish arushë e verdhë.
Jam këtu, më në fund, jam këtu!
Si zinxhirë dallgësh, armata armike u bë thërrime;
S’arritën ta ngulnin në shtizën e shelgut
Velën e kokës sime.
Jaik, Jaik, më thërrisje
Me rënkimin e populli shtypur me tërbim.
Fryheshin në zemër sytë prej bretkose të fshatit
Që trishtohej në perëndim.
Di që këto izba, kambana druri janë;
Era si mjegull,
Zërin e tyre ka ngrënë.
Oh, ndihmomë o mjegull e stepës
Që unë të kryej planin tim të tmerrshëm!
GARDIANI
Kush je ti o udhëtar? Pse endesh luginave
Dhe qetësinë e netëve prish anë e këndë?
Pse të varet koka mbi supe
Si një mollë e rëndë?
PUGAÇOVI
Në vendin tuaj të njelmët
Nga vise të largëta kam ardhur
Që arin e trupave të sodis
Arin e dashur të sllavëve.
Dëgjo, o atë! Tregomë ëmbëlsisht
Muzhiku ynë i urtë më thuaj si po jeton.
Qumështin e thekrës së arave,
A e kullon vazhdimisht?
Sapo shembet qelia e agimit
A rend tërshëra trokthi në koritë?
Në lehet shkumëzuese të lakrave
Varkëzat e trangujve a zhyten, natojnë?
A është përherë e qetë puna e amvisave?
A dëgjohet njëlloj kërkëllima e qerthujve që punojnë?
GARDIANI
Jo, udhëtar! Me atë jetë Jaiku,
Ka kohë tashmë që ai është ndarë,
Që në ditët e para si u këputën kapistallët,
Që në ditët e para pasi vdiq Pjetri i tretë,
Mbi lakrat, tërshërën dhe thekrën e artë
Më kot e derdhim ne djersën si det.
Peshkun, kripën dhe tregun tonë,
Atë që të pasur, punëdashëse këtë tokë e bën
Në mbikqyerje të fisnikëve të saj
Ekaterina e ka lënë.
Dhe tani në çdo kënd
Prej kthetrave të forta Rusia rënkon
Me fytyra në ankim,
Zemra e Kainit, pikëz mëshirë, s’pikon.
Të gjithë i prangosën, skllevër i bënë,
Nga uria dhe hekurin shqyejnë me dhëmbë,
Nga fyti i çarë e qiellit
Agimi kullon fushave paanë.
PUGAÇOVI
E trishtuar jeta juaj!
Por thuamë, thuamë,
S’ka populli aq forcë dhe energji
Sa të nxjerrë nga çizmet thikat
Dhe zotërinjve mbi shpinë t’iua ngulë me furi?
GARDIANI
Ke parë ti
Sesi kosa kërcen në lëndinë,
Duke kafshuar këmbët e barit me dhëmbët e hekurt?
Por bari, me këmbë e me duar qëndron aty,
Me rrënjët mbledhur nën vete,
Dhe nga dhëmbët e egër të kosës,
Në asnjë vend nuk gjen shpëtim,
Pasi nuk mundet si zogu, ai,
Nga toka, kaltërsive të qiejve, të ngrihet fluturim.
Kështu dhe ne! Vumë rrënjë me këmbë gjatku në izba.
Ç’na duhet, nëse balli i parë i barit barit u kosit?
Vetëm ne,
Vetëm ne, si luleshqerrave
Të mos na kositen kokat një ditë.
Por duket se janë zgjuar tani,
Dhe rruga jonë, përlotur prej beriozave,
Emrin e Pjetrit të ndierë
Si një mjegull e lagshtë i mbështjellë.
PUGAÇOVI
Si, Pjetri? Çfarë the o plak?
……………………………….
Apo klithën retë në qiell atje lart?
GARDIANI
Së shpejti një klithmë e tmerrshme, them,
Duke gëlltitur izbat si bretkosat,
Më shumë se bubullimat do të gjëmojë mbi ne.
Ne na duhet që dikush, gurin e parë të vërvisë,
Revolta, tashmë, velat po i ngre.¨
PUGAÇOVI
Ç’mendim!
GARDIANI
Pse po psherëtin?
PUGAÇOVI
Jam betuar të hesht për pak kohë.
……………………………
Darët e agimit në qiell
Nga goja e errësirës
Yjet si dhëmbë i kanë shkulur
Dhe unë të dremis askund s’kam mundur.
GARDIANI
Mund të të jepja dyshekun tim
Me kashtë
Ku flenë katër fëmijët e mi,
Por në shtëpi, kam vetëm një shtrat.
PUGAÇOVI
Të faleminderit! Jam mik në këtë qytet.
Do të më strehojnë mua nën çdo çati
Lamtumirë, o plak, mirëmbeç!
GARDIANI
Zoti të ruajtë
……………
Rusi, Rusi! Sa janë ata
Që si në shoshë shoshisin mishin e vet
Dhe enden tokave, hapësirave të tua paanë?
Cili zë ata i thërret dhe ka vënë në duart e tyre
Pishtarin mbi shkopin e gjatë?
Ata ikin, ikin, buçimën e blertë duke lavdëruar,
Duke lagur trupin me erë e me pluhur rrugor,
Gati si t’i çonin në punë të detyruar.
T’ i binin rrotull me këmbë
Globit toksor
Por ç’po shoh?
Eshtë rrokullisuar më poshtë kambana e hënës në skaj
E vockël si mollë e fishkur.
U shurdhua gjëmimi i rrezeve të saj.
Mbi hurin e gardhit gjeli, tashmë,
Ka nisur t’i bjerë harmonikës plot zë
Përktheu: Faslli Haliti