Kulturë
Prof. Dr. Hamit Boriçi, Tiranë
(pjesa e parë)
Atë Gjergj Fishta, i njohur si poet, më së pari me “Lahuta e Malcis”, në Shqipëri e kudo që gjëndeshin shqiptarë, por edhe në Ballkan, në Europë dhe më tej, përcaktuar nga albanologu austriak Maksimilian Lamberc, si “vepër homeristike”27ishte poliedrik: “misionar, publicist, përshtatës, polemist, gojëtar, burrë shteti dhe pedagog…”.28 Publicistika e tij shtrihet në një periudhë kohore gjysmëmshekullore, prej fundviteve të shekullit XIX deri në vjeshtën e 1940-s.
Fletoret me të cilat bashkëpunoi Gjergj Fishta janë të shumta. Mes tyre përmendim gazetat dhe revistat “Elçija i zemers t’Jezu Kristit”(Shkodër),”Albania” të Faik Konicës, “Zani i Shna Ndout”, (Shkodër), “Dielli”-Boston ShBA, “Hylli i Dritës”, “Shkëndia”; “Leka”, “Gruaja shqiptare”; “Zani i popullit” (Shkodër), “Bota e Re” (Korçë), “Gazet` e Re” (Tiranë), “Shqipëri` e Re” e mërgatës shqiptare në Konstancë të Rumanisë, “La Nazione Albanese”, e përdyjavshme arbëreshe, “Posta e Shqypnis” (Shkodër), “Ora e Maleve” (Shkodër), Afrimi” (Shkodër), “Vullneti i Populllit” (Tiranë),,“Politika” (Vlorë),”Rivista d`Albania”, botim i Akademisë Mbretërore të Italisë, etj.
1.
Fillet e publicistikës së Fishtës i gjejmë në revistën “Albania” të Faik Konicës në vitin 1899. Famullitar i përkohshëm në famullinë e Gomsiqes. Frati i ri, pas kthimit nga Bosnja, ku kreu studimet për teologji e filozofi, tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të Urdhërit Françeskan, si dijetar i ri, për formim të lartë edhe sociologjik e kulturor.
Ishte koha kur me interesimin e konsullit austriak, një varg autorësh shkodranë dhe nga Shkodra, kryesisht fretën filluan bashkëpunimin me të përkohshmen “Albania”, që atëhere Faik Konica e botonte në Bruksel (Belgjikë). At Gjergj Fishta u nxit të shkruajë dhe u përkrah nga Dom Ndoc Nikaj asokohe (1888-1890) ndihmësfamullitar në Shkodër, që botonte rregullisht në faqet e “Albania”-s me pseudonimin Nakdo Monici. Dhe u mirëprit nga Faik Konica, ashtu si bashkëpunëtorët: Luigj Gurakuqi (Jakin Shkodra), Atë Pashko Bardhi (Oshkap Idhrabi), Nasuf Bej Dizdari (N.b.D.), funksionar në Konsullatën Austriake në Shkodër, “Kangëtari i dallëndysheve”, emigranti shkodran Filip Shiroka (Geg Postripa) etj.
Fishta, bashkëpunimin me “Albania”-n e Konicës e nisi si poet dhe e vijoi me shkrime në prozë. Vjersha e tij e parë u publikua në muajin nëntor 1899 me pseudonin E populhit.29 Shkroi e botoi edhe me psudonimet: Rushmani, Rushman Sokoli, Rr. (Rushmani) Castigat Ridendo, Suta Fushk për dushk, Mar Pepa etj.30 Shkrimi i fundit botuar në këtë revistë është Kanga e Ndoc Kolës.31
Vargjet dhe shkrimet në prozë, botuar në “Albania” gjatë viteve 1899-1906, në tërësinë e tyre përbëjnë një risi ngjizje të gazetarisë me letërsinë artistike. Krijimtaria poetike, sidomos ajo me humor e sarkazëm, në një linjë me frymën e stilit të gazetarisë koniciane, përbëjnë një vlerë për mjeshtërinë e publicistikës dhe të historisë së shtypit shqiptar të Rilindjes sonë Kombëtare. Fishta, me pseudonimin Rushmani lartëson veprën kombëtare të T’nnershmit Zotni Gege Postrippës Kangtarit t’përmenun “Shqypja e burrit” (Aquila Pyrrhi), Tingllimë,32 por me pseudonimin Castigat Ridendonën titullin Makeroniana, u turret me ironi e sarkazmë atyre që, në emër të shqiptarizmës, ishin vënë shërbim të politikave të huaja.33 Kështu Rr. (Rushmani) zbulon dhe kritikon shovinistët fqinj për trillet dhe bëmat për të zhvatur trojet ona arbërore34 dheCastigat Ridendo, me vargjet satirike – Jaho begu e Palok Tsuta – kritikon një a dy tregtarë të Shkodrës, që, për t’u pasuruar mohonin atdheun. 35
2.
Jetëshkurtër revista “Hylli i Dritës”, në edicinn e parë të saj, (tetor 1913 – korrik 1914), por e pasur dhe promovuese në historinë e gazetarisë shqiptare si pararendëse e mediave të këtij formati në Shqipëri. Ishte koha kur disa gazeta dolën në qarkullim në “truallin ende djerr” të shtypit shqiptar në Shqipëri, duke filluar nga e përjavshmja “Koha” e Mihal Gramenos në Korçë (11 shkurt 1913) dhe vijuar me të përdyditshmen “Besa Shqyptare” të Ndoc Nikajt në Shkodër (13 maj 1913), me të përtreditshmen “Përlindj’e Shqipenies” në Vlorë (24 gusht 1913) dhe të së parës të përditshme në Shqipëri, “Taraboshi”, themeluar e drejtuar nga Terenc Toçit në Shkodër (26 nëntor 1913).
E përmuajshmja” Hylli i Dritës” ndonëse botohej në kyeqëndrën e Shqipërisë veriore, jo njëherë i kapërceu caqet rajonale, duke ngritur e trajtuar probleme me karakter kombëtar, artikuj si: “A janë të zotët shqiptarët me u mbajtë shtet më vete?”, “Kryeqyteti i Shqipnisë”, “Kohë e re në Shqipni”, “Gjuha e mësimit”, “Një komedi e pandershme e XX qindvjet”, etj. Në artikullin, titulluar “A janë të zotët shqiptarët me u mbajt shtet më vete?” 36 Fishta polemizon me qarqe e qeveri shoveniste të Ballkanit, që synonin të krijonin opinione të shtrëmbëra për racën shqiptare, denoncon stisjet dashakaqe të armiqëve, sqaron opinionin publik dhe akuzon. Autori, pasi shtron këtë pyetje, zbulon rrënjët e politikës, të qëndrimeve e veprimeve armiqësore të shteteve fqinjë ndaj Shqipërisë.
Fishta, tej sharjeve e trillimeve absurde, sheh përpjekjet e armiqëve të Shqipërisë për të gllabëruar e copëtuar trevat tona etnike. Me ironinë e tij therëse aludon për qëndrimin e disa qarqeve “t`epra burokratike t`Europës”, që “nënzë” u dalin në krah politikave diskriminuese antishqiptare; ballafaqohet kështu edhe me “Fletoret e Francës, që ia kanë “thënë” alemit e polemit (mbarë opinionit në botë) se shqiptarët “duhen lëshue sllavëve të Ballkanit në dorë me i zbutë e me i qytetnue”.37
Fishta hyn në debatin “Kryeqyteti i Shqipnisë” me idenë për Shkodrën kryeqytet dhe në mënyrë të figurshme shpreh mendimin-argument se kryeqendrën e shtetit e shihte si “burim e gurrë e gjallë prej së cilës rrëkajë-rrëkajë do të shkapërderdhet jeta e qytetnueme nëpër dej e nëpër gjymtyrët e kombit”.38 I çlirtë ishte Fishta në mendime, me bindjen se “…kombi i shqiptarit nuk asht ma rob i kurrkujt, por zot shtëpie në shtëpi të vet”, ndaj nuk ishte i detyruar “me i dhanë kujt arsye për punë e range të veta, posë Zotit në qiell, ligjit e ndërgjegjes së vet”.39 Me kurajo këmbëngul që gjuha shqipe të hynte e programuar “gjuhë mësimi, mos tjetër, ndër të gjitha shkollat fillestare të Shqipënisë… shkolla të çdo besimi, të çdo kombësie, nën rregullim të çdo pushteti a fuqie të veçantë që të jetë”.40
Ai, që heret parashtron nevojën dhe domodoshmërinë e shkruarjes së historisë së Shqipërisë, pasi, siç nënëvizonte: “Një komb pa histori të veten nuk mundet me pasë jetë kombëtare të gjatë, pse historia asht mësuesja e jetës, e kombi që s’ka histori e shkon jetën pa rregull, e pasandej shkatërrohet e humb si krypa në ujë. Për punë shkrimtarët, që me vepra e kërkime të veta mbërrijnë me i shtue dritë historisë sonë të lashtë…”.41 Fishta, gjatë kësaj kohështrirjeje, me disa artikuj merret me probleme të politikës së jashtme.
Ai vlerësonte pëkrahjen e atyre shteve europiane që ndihmuan për pavarësimin e Shqipërisë dhe kontributin që jepnin për zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara të Shqipërisë e të shqiptarëve. Në rubrikën “Rrotull Shqipërisë”, pas njoftimit se në “Shkodër: – me 11 nanduer…” kremtuen ditën e t’lemit të regjit të Italisë”. Mes të tjerash shkruan: “Sivjet populli i Shkodrës në ditë e nderit (mirënjohjes) të sherbimeve, që Italia, bashkë me Austro-Hungarinë e Gjermaninë, ka ba me e qitë Shqipninë më vete…”., iu bashkue me zemër ushtrisë e konsullatës italiane në kremtimin e ditës së lemit të Viktor Emanelit III, regjit të Italisë”. 42
Me argumente kritikon shovenistët fqinj të Ballkanit, që me pretendime absurde përpiqeshin të përvetësonin trojet shqiptare. Madje “sllavëvët kishin vu për në progamet e tyne me e humbë prej fytyrës së botës kombin shqiptar!”.43 Fishta nuk kursente edhe përfaqësitë e huaja në tryezat diplomatike, konferencat dhe institucionet politike që përkrahnin padrejtësisht shovinistët ballkanas duke coptuar e rrudhur Shqipërinë. Dhe denoncon: Ka shkue tepër gjatë puna e Shqipnisë, duket në këtë, që gjashtë Pushtetet e M՚dha të Europës,44 të cilat çfaqin fuqinë e 400 milion vetëve ndër ma të qytetnuemit njerëz të kësaj bote, s’kanë marre e turp me e lane Shqipninë krejt në anarki tash 14 muej, që ato e kanë marrë në dorë me e rregullue. E jo veç me e lanë në anarki,por, ma tepër, ndonjena-ndonjena ndër to, me dredhi të poshtmë, mundohet me e ngatërrue lamshin edhe ma zi…”.45
Dhe fillë mbas këtij qëndrimi vjen artikulli “Një komedi e pandershme e XX qindvjet”, ku me zemratë e tone të ashpër kritikohej heshtja e Fuqive të Mëdha, pasi “sllavët e Ballkanit e Grekët e Jugut pushtuan Shqipërinë, grekët erdhën deri në Vlorë, serbët në Durrës e malazezët për rreth Shkodrës”,46 pyet: “E po, tash, çka bani Europa…? Kurrgja! Në Europë nuk lehi asnjë qen pse nji grusht sllavë e grekë e kishin përbuzë gjygjin e popujve ma të fortë e ma të qytetnuem të rrokullisë së kësaj bote47 e se kishin poshtnue tagrin e të drejtat e nji kombi, të cilin ajo e kishte marrun me ndore (mbrojtje)”.48 Po! Fuqitë e Mëdha reaguan, madje me egërsi e prepotencë. Dhunshëm detyruan “Hyllin e Dritës” të ndëpriste botimin, dënim ky që vazhdoi deri në muajin maj të vitit 1921, duke heshtur për 7 vjet.
Një nga veçoritë karakteristike të “Hyllit të Dritës” së viteve 1913-1914 ishte zbatimi i parimit themelor të gazetarisë së shkruar, informacioni dhe informimi publik. Fishta e konceptoi drejt këtë funksion mediatik, duke informuar audiencën drejtpërdrejt me kronika e lajme si dhe përmes shkrimeve të gjinive informative, analitke e letraro-publicistike. Ai, në strukturën e revistës krijoi dy rubrika informative. Në të parën, emërtuar “Rrokull Shqipnisë” botonte kryesisht lajme të zgjeruara për ngjarje e zhvillime politike, shoqërore, kulturore (nga Shkodra, Lezha, Durrësi, Dibra, Vlora, Elbasani, Puka, Mirdita etj,); ndërsa në të dytën, “Rrokull botës”, kryesisht kronika (nga Austria, Italia, Mali i Zi, Turqia, Serbia, Greqia, Hungaria, Portogalia, Franca, Rumania, Bullgaria, Rusia, Japonia).49
Lajmi i Fishtës është më shumë se “i zgjeruar”, kompleks; me ndërthurje elementësh analitikë priret nga “Shënimi publicistik” me qëndrim të autorit për faktet dhe arsyetime rreth tyre, si në rastin: “Pazari i Shkodrës asht ba tamam Club me pi kafe me ça llafe…politike. Oh, po! Për politikë mos pyet! Këtu politikë sa të duash. Pa pas nxanë gja politike, çdo kopuk do me dalë Bismark…”. 50Autori në “lajm” bën edhe përgjithësime. Fishta, në lajmin “Kremtimi i kryevjetit të parë të independencës së Shqipnisë në Shkodër”, gjenë arsye për të shprehur shpresën për të ardhmen se “nëpër rreze të Fesë e të Dijes ka me muejtë udobisht me dajtë udhën e drejtë të përparimit e të qytetnisë”.51
Duket se Fishta për këtë strukturë lajmore ka pasë reagime e sugjerime, pasi tregon: “më kanë thanë mos me shkue tepër gjatë me lajme të vërteta…”.52Shih: “Rrokull Shqipnisë” (4) – Revista “Hylli i dritës”, Shkodër, 1914/4, f. 129-134,( vëllimi, 9, f. 86Lajmi fishtjan ishte një vçanti mjeshtërore, sprovë në median e shkruar të asaj kohe.
3.
Gjergj Fishta, thuajse në çdo numër të gazetës “Posta e Shqypnisë”, ka një shkrim. Disa tituj: “Gemi i ullinit” (1916, nr.4), “Mbarë shekulli asht nji katund” (1916, nr. 6), “Shqipnia” (1917, nr.9), “Skëndërbeu e shqiptarët” (1917, nr.13), “Bashkimi” (1917, nr.15), “Si do të përbahet bashkimi i kombit” (1917, nr.16), “Kur do të bashkohën shqiptarët?” (1917, nr.17), “Shteti e besimi”(1917, nr.9), ”Gjuha shqipe” (1917, nr.23), ”Për faj të kujt u la Europa në gjak”, “Shqipnia e kultura”, “Qëllimi i Austro-Hungarisë për detin”, “Ushtria austro-hungare e të mëkambunit e Shqipnisë”, etj.
Fishta përmes artikujsh, analizash me sens kritik dhe polemikash të serta pasqyron realitetin e Shqipërisë dhe hedh vështrimin drejt të së ardhmes për një Shqipëri ku “të gjithë shqiptarët, pa ndërlikim besimi a partie, para atdheut e para ligjit ta mbajmë veten vetëm për shqiptarë…”;53“ Për me qenë na komb i qytetnuem lypset që na të bashkohemi…”;54“Për me i dhanë zhdrivillim të mjaftueshëm gjuhës amtare”;55“…gjuha shqipe të mbahet gjuhë mësimi ndër të gjitha shkollat fillestare të Shqipnis” 56dhe inteligjenca shqiptare të organizohet, të studiojë aspiracionet e kombit, të mundohet me mjete të ligjëshme me bashkue fuqitë kombëtare”.57Shpreh besimin “me uzdajë të zotit e me fuqi të rreptë të Katërlidhjes, asht tue marrë trup e jetë ideali i Skënderbeut”.58
Argumenton: “Proklamacioni që e Nalta Komandë Ushtarke bani më 23 të këtij mueji përmbi vetmbarështrim të Shqipnisë, autonomi të Shqipnisë s’ka pasë, as s’ka me pasë tjetër qellim e kuptim veçse bashkimin e shqiptarëve”.59 Se “Vetëm Austro-Hungaria, ndërtë gjitha shtetet e mëdha të Europës, ka dëshmue se e ka dashtë përnjimend autnominë e lirinë qytetnore të Shqipnisë”,60 ”vetëm prej kësaj dere të lumnueshme Shqipnija ka lirinë e vet të vërtetë”…Rroftë Perandori e regji apostolik, Karli I”,61“që asht mbrojtës i lumnueshëm e zemërgjanë i lavrimit katolik në Shqipni”. 62/Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr.15, f. 1/
Në faqet e shtyllat e “Posta e Shqipnisë” publikohen shkrimet e Fishtës për politikën e jashtme.
Në ta zbulohen ”Qëllimet e fshehta të Japonisë”, e cila “përditë gatohet për lufta të reja që do të bahen në Azi… me një ftyrë ujku rri tue pritë ditën që të mundet me ra pre…”, //Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr.78, f. 1/. Në artikullin “Shqipnia e ministri i Bullgarisë në Berlin Dr Rizov” bëhet e ditur se ky diplomat, në një intervistë, dhënë të përditshmes gjermane “Neue Freie Presse”, ka folur hapur për politiken bullgare të asaj kohe, zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Ballkanit. Ai thotë: “Serbisë duhet t’i lëshohet mbarë Mali i Zi (posë Lovçenit), Kosova e krejt Shqipnija verilindore, çka merr prej kufirit të Malit të Zi e deri në Durrës. Greqisë i duhet dhanë Shqipnija jugore.
Çka shtrihet prej Vlone e teposhtë dhe atë rryp ndërmjet Durrësit e Vlorës” duhet ta marrë Bullgaria./Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1918, nr.12, f. 1-2/ Në vijim të ciklit të shkrimeve për politikën e jashtme, Fishta, pasi paraqet gjendjen e Rusisë në përvjetorin e Revolucionit të tetorit 1917, pyet dhe përgjigjet si do të jetë “Rusia në kohët e ardhshme”: /Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1918, nr.29. 1/. Një tjetër artikull analitik i Fishtës është ai me titull “Për faj të kujt u la Europa në gjak” /Po aty:/Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr.78, f. 1/
Gazeta “Posta e Shqipnisë” mbyllet shkrimin “Shqipnia e shqiptarëve’. /Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr.89, f.2-3/
(vijon)
27. Die homerische Frage und das albanische Grossepos von Max Lambertz, në “Shejzat”, 1961, nr. 11-12, fq. 385-391
28. Ana Luka, fjalim në paraqitjen e veprës së Fishtës, mbajtur në Romë me 30 korrik l99l
29. Për këtë pseudonim shih: Filip Fishta – Shënime bio-bibliografike mbi Gjergj Fishtën- revista “Shkëndia”, Tiranë, 1941, f, 607
30. Willy Kamsi – “Albania” 1897-1909 – Bibloogrfi kronologjike, Shkodër 2008
31. Shih Revitën: “Albania” Vol. I, VIII, 1904, nr. 6, f. 10
32. Revista “Albania”, Volumi E. IV/, 15 tetor 1900, nr. 9, f.21-23
33. Revista “Albania”, Vol. G VI, mars 1902, nr. 3, f. 63
34. Revista “Albania”, Vol. H, maj 1903, nr. 5, f. 74
35. Revista “Albania” Vol. IX, nr. 7 1905, f. 154-155
36. Gjergj Fishta – Vepra – Publicistika, Botimet Fishta, Lezhë, vëlll. 9, 1913, nr. 2, f. 36-42; 1913, nr. 3, f. 74-78; nn 1914, n r. 5, f. 138-141
37. Revista “Hylli i dritës”, Shkodër, 1913/ 1, f. 33
38. Gjergj Fishta – Vepra – Publicistika, Botimet Fishta, Lezhë, vëlll. 9, 1914, nr.4, f. 75
39. Revista “Hylli i dritës”, Shkodër, 1913/4, f. 74
40. Artikulli Gjuha e mësimit /Gjergj Fishta – Vepra – Publicistika, Botimet Fishta, Lezhë, vëlll. 9, 1914, nr.8, f. 134
41. Revista “Hylli i dritës”, Shkodër, 1913/ 1, f. 23
42. Revista “Hylli i dritës”, Shkodër, 1913/3, f. 65
43. Shih art. “Kanibalizmi sllav ose vdekja e shëmtuemee P. Luigj Paliqit, OFM”- Revista “Hylli i dritës”, Shkodër, 1913/ 1, f. 56
44. Gjermania, Franca, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia
45. Revista “Hylli i dritës”, Shkodër, 1914/5, f. 95
46. “Hylli i Dritës”. Nr. 10, f. 165
47. Fjala është për vendimin mbledhjes së Londrës që shpalli mbretni në vete…
48. Shih “Hylli i “Dritës”, 1914, nr. 10, f. 165
49. “Rrokull botës” (3) /HD, 1914,6, f. 191-198
50. Gjergj Fishta –Revista “Hylli i dritës” – Publicistika”, Vëllimi 9, f 15, marrë nga: Revista “Hylli i dritës”, Shkodër, 1913/ 1, f. 4-6
51. Gjergj Fishta – Vepra – Publicistika, Botimet Fishta, Lezhë, vëlll. 9, 1913, nr. 3, f. 74-78
52. Shih: “Rrokull Shqipnisë” (4) – Revista “Hylli i dritës”, Shkodër, 1914/4, f. 129-134, (vëllimi, 9, f. 86
53. Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr.16, f. 2
54. Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr.15, f. 1
55. Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr.24 f.12
56. Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr. 23, f. 1
57. Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1918, nr.58 f.1
58. Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr.12 f. 1
59. Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr.16, f. 1
60. Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr.57, f.21
61. Gazeta “Posta e Shqipnis”, Shkodër, 1917, nr.15, f. 1
62. po aty