PUBLICISTI I URTË I PELLGUT TË LUGINËS SË MORAVËS

0
423
Ukshin Zajmi

Mehmetali Rexhepi

IN MEMORIAM: UKSHIN ZAJMI

Një njeri i urtë, gazetar, publicist veteran, letrar Ukshin Zajmi tashmë i përket amshimit!… Lajm i rëndë për të gjithë ne që e kemi njohur, respektuar dhe çmuar… Pa dyshim ikja e “Ukëzanos“, kështu e kishte nofkën që i kishte vënë vetes, varfëroi kulturën tonë publicistike…

Gjithsesi mbetëm të varfër edhe pa një njeri të mirë, njeri me artikulime të qarta në sferën e informimit; autorit të kronikave historike e shoqërore në hapësirën e Pellgut të Moravës së Gjilanit me Dardanë e Malësi të Gallapit… Uka i pandalshëm e komunikativ… Uka i veprimtarive letrare-artistike në shkollat e nivelit të mesëm në Gjilan, në Kamenicë e gjetiu…

Uka i korrespondencave, lajmeve kulturore për “Flakën e Vëllazërimit” në Shkup para Luftës e pas Luftës Çlirimtare në Kosovë… Pa dyshim artikujt e Ukshin Zajmit për rrjedhat kulturore-artistike, për depërtimin e censuruar të kulturës shqiptare në mediet e censuruara të kohës, pasqyronin ritme jete brenda nëntekstit, në të përditshmen “Rilindja”, në RTP ku kryente detyrën e korrespondentit për hapësirën e Gjilanit e të rrethinës.

Koha e hyrjes së Ukshin Zajmit në vitet e moshës së tretë, është me interes për tu theksuar përqendrimi i tij në kërkime të terrenit, për grumbullimin e të dhënave për masakrat e serbëve ndaj shqiptarëve të Gallapit për periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Nga këto kërkime të publicistikës historike, Ukshin Zajmi publikoi një seri shkrimesh në portalin e popullarizuar “Zemra Shqiptare”.

Gjithsesi, ai la një mori dorëshkrimesh me interes për sferën e studimeve historike dhe etnografike, shënime artefaktesh për lashtësinë e ilirë-dardanëve për studiues e specialistë të arkeologjisë… Ukshinin do ta kujtojmë si karakter të sinqertë, me ndjenjën e afrisë dhe mëtimin për shkëmbime të ndërsjella… Figura e Ukshin Zajmit rrezatonte kthjelltësi, mirësi dhe miqësi…Qoftë i përhershëm fanari i dritës tij Iluministe!

Gjilan, më 6 mars 2020