Arben Çokaj
Një aksident trafiku
Një golf i keq, përgatitet të kalojë vijën e ndërprerë në rrugën Shkodër – Koplik, te pika e karburantit në Boriç i Madh, dhe të futet për të marrë 5 mijë lekë naftë. Rreth 100 më larg apo më shumë, një maserati me targa të huaja vjen me një shpejtësi mbi 100 km. në orë, por nuk frenon fare, bën me drita nga larg “hap rrugën”, por Emrahi, shoferi i ngathët i golfit, rri në pritje, i zënë në befasi dhe pret goditjen fatale. Kingu i maseratit kishte edhe një vajzë të re në kabinë, dhe nuk iu dhimbs makina e shtrenjtë fare, por ia futi me gjithë forcë golfit të zënë në faj, duke e rrotulluar dhe shkatërrur atë plotësisht.
Brenda në golf kishte 3 vetë, shoferi dhe dy pasagjerë. Në vendin përpara ishte ulur Egzoni, i cili shpëtoi mjaft mirë, me një përplasje fytyre për tollumbacet e ajrit, që u hapën nga goditja e beftë, airbags. Kurse pas shoferit ishte ulur Andi, i cili pësoi frakturë të madhe mbi gjurin e majtë, ndërsa shoferit iu thyen të dyja këmbët…
Saga filloi pasi aksidenti ndodhi. Shkak kryesor për aksidentin nuk ka dyshim se ishte masarati, shpejtësia e tij e madhe dhe mungesa e vëmendjes nga shoferi i tij, që nuk e mori as mundimin të frentonte, por i theu nofullat vajzës, me të cilën udhëtonte. Ai gjeti edhe njohje me policinë, duke i dhënë ndonjë para nën dorë dhe e gjithë skema e historia u ndërtua në atë mënyrë: fajin e ka Emrahi me golfin e tij të mbaruar… Fajin e ka fakiri…
Pse Emrahi e kishte shkelë vijën e ndërprerë, pse ai i doli para makinës së shpejtë, që ecte si me qenë në autostradë, që kishte shpejtësi mbi 100 km. në orë, në një vend ku ecet me shpejtësi maksimale 50 km. në orë! Policia dhe avokati mbrojtës donin para të shpejta në dorë. Pak nën dorë nga shoferi i maseratit dhe pak mbi dorë, se makina e huaj e jep dëmshpërblimin me vonesë, e kush e pret atë, pasi procedurat zgjasin, të gjithë bashkë, me polici e prokurori e avokat, ranë dakord: t’ia fusim Emrahit! Hajt se Emrahi djalë i mirë, e mban! T’ia fusim gjithashtu firmës së sigurimit shqiptare… Pra, shqiptarët janë tepër të zotë me ia futë vetvetes, por tmerrësisht inferiorë ndaj të huajve!
Gjykatësja Ermira, e cila si duket i dinte rrenat e policisë dhe nuk do ua pranonte këtë akt qesharak ekspertize, quhej shtrigë nga policët, të cilët u kujdesën që t’ia mbushnin mendjen Emrahit, që ai të mos kërkonte, që vendimin ta merrte gjykata. “Lëre mos u merr me gjykatën“, i thanë se gjykatësja është shtrigë keqe. Dëgjo mikun e mirë, Emrah, jep nja 1500 Euro dhe mbylle çështjen me prokurorinë, se nuk di, ta fusin edhe më keq.
Në vend që Emrahi i shkretë, të luftonte për të drejtën e vet dhe fajin ta mbante maserati, e Emrahi me tre të tjerët e dëmtuar nga aksidenti, të merrnin nja 30-50 mijë Euro për person dëmshpërblim nga firma e sigurimit e maseratit, dhe një makinë të re më të mirë se golfi që kishte, Emrahi i shkretë pranoi me ia futë vetes, dhe i iku makina, por edhe mijëra Euro me e mbydhë atë çështje, ku ai ishte më shumë viktimë se fajtor.
Kemi rastin tjetër të ngjashëm, te karburanti Gega në Koplik, ku një makinë me shpejtësi shkoi dhe i ra makinës, që donte të futej te karburanti. Shoferi vdiq dhe atij ia lanë të gjitha fajet. Po pse pra, e njëjta polici, tani nuk ia la fajin masaratit? Sepse shoferi i masaratit shpëtoi, dhe si duket e korruptoi policinë…
Makina e Emrahit e kishte shkelur vijën e ndërprerë, për t’u kthyer te karburtanti, por makina mundet edhe të ndalet gjatë manovrës dhe të mbetet plotësisht në rrugë, e çfarë bën masarati? Vjen dhe e godet? Kur të del një objekt në rrugë, makinë, lopë, apo karrocë kali, çfarë bën makina në rrugë? Kur ke një makinë para, e ajo frenon papritur, çfarë bën masarati?! I bie makinës apo objektit para, apo FRENON? A e kuptoni, FRENON, por masarati nuk frenoi. Prandaj ai ishte shpejt dhe nuk frenoi, kështu që e kishte fajin kryesor dhe duhet të paguante dëmet e shkaktuara nga aksidenti!
Sa për referencë, për të treguar psikologjinë inferiore shqiptare në krahasim me të huajt
Në Gjermani, nëse ndodh një aksident, ku palët e përfshira në aksident janë një i huaj ose një makinë e huaj me një makinë gjermane, apo shtetas gjerman, shans nuk ke kurrë, që ekspertiza e policisë me e mxjerrë fajtor gjermanin, edhe nëse ai ka faj! E jo më kur fajin e ka vetë i huaji, ose makina e huaj, si në rastin më sipër.
Por le ta mbyllim me atë, se Hajt se Emrahi është djalë i mirë!, mbaje fort Emrah, se me qenë Emrahi djalë i keq si unë, e rihapi çështjen dhe ia rruaj nja 30-50 mijë Euro firmës së sigurimit të maseratit…