Pse vitaminat me tableta janë të rrezikshme?

0
1225

WeSpeakScience.com, 8 nëntor 2016

Dr. Argita Zalli ka lindur me 18 Shkurt te vitit 1986 ne qytetin e Fierit. Studimet e larta i perfundoi ne Universitetin e Sussex, ku studjoi Molecular Medicine. Pas dipllomimit ne Molecular Medicine, Argita perfundoi doktoraturen ne Immunology ne Universitetin e Birmingham duke punuar me shkencetare me fame botërore.

Doktoraturen e pare e kreu ne University College London (UCL), ku ne bashkepunim me emra shume te respektueshem e te njohur boteror publikoi nje reviste shkenore me impakt te madh ne fushen e psychobiology. Argita tashme punon ne nje nga universitetet me prestigjoze ne bote “Imperial College London” ku merret me kerkime shkencore, ne fushen e haematology.

Midis kerkimeve shkencore, Argita jep dhe leksione te studenteve te fushes se shkencës edhe mjeksise ne immunology, haematology dhe psychobiology. Ne vitin 2015, Argita mori cmimin si nje nga lektoret me te mira te studenteve te mjeksise ne University College London. Pasioni i Argites per shkencën dhe mjeksine beri qe Argita ne bashkepunim me binjaken e saj Dr. Detinen te krijoi nje organizate jo fitimprurese e cila titullohet we speak science. Qellimi i kesaj organizate eshte te rrisi edukimin ne nivelin e shkencës edhe mjeksise ne bote. Per me teper Argita eshte perfshire ne organizimin e disa konferencave, ne Shqiperi, Kosove dhe Maqedoni.

Adrian Rakipi:

Siç është bërë tashmë traditë, edhe këtë javë doktoreshë Argita do të na këshillojë mbi çeshtjet e shëndetit. Specifikisht sot do te ndalemi tek vitaminat. Dëgjojmë shpesh se vitaminat janë të nevojshme për të pasur shëndet të mirë. Nga studimet e fundit ka dalë në pah se jo të gjithë vitaminat janë thelbësore për të pasur shëndet të mirë. Çfarë mund të na thoni në lidhje me këto studime?

Argita Zalli:

Këshilla më e thjeshtë dhe e dukshme që japim zakonisht për të qenë të shëndetshëm është: Konsumoni fruta, perime, bëni aktivitet fizik dhe sigurisht merrni vitaminat tuaja. Ose jo dhe aq vitamina së fundmi.

Në fakt dekada kërkimesh kanë dështuar për të gjetur dëshmi domethënëse se vitaminat dhe suplementet kanë ndonjë efekt të rëndësishëm pozitiv në shëndet. Studimet e kohëve të fundit na kanë orientuar në një drejtim krejt tjetër, që dëshmon se marrja me tepri e vitaminave të caktuara mund t`ju bëjë dëm. Disa prej tyre janë lidhur me rritje të rrezikut për t`u prekur nga kanceri, ndërsa të tjera janë lidhur me rritje të rrezikut për t`u prekur nga gurët në veshka. Më gjerësisht do të ndalemi specifikisht në vitamina të veçanta.

Adrian Rakipi:

Pra e thatë dhe ju se është e nevojshme të dimë cilat vitamina duhen konsumuar në formë tablete (shtesë) dhe cilat jo. Për multivitaminat çfarë sugjerohet?

Argita Zalli:

Për dekada me rradhë është supozuar se multivitaminat ishin thelbësore për mirëqenien e përgjithshme. Konkretisht Vitamina C stimulon sistemin imun, Vitamina A mbron shikimin, Vitamina B jep energji.

Në fakt studiuesit thonë se ju duhet t`i shmangni multivitaminat. Kjo për faktin se ju i merrni këto përbërës nga ushqimi që hani. Studimet sugjerojnë se konsumimi i tyre me tepricë mund të shkaktojë dëm.

Një studim i gjerë i vitit 2011, që përfshiu afërsisht 39.000 femra, mbi 25 vjeç zbuloi se femrat që morën multivitamina për një kohë të gjatë, paraqitën risk më të rritur vdekjeje, se ato që nuk konsumonin multivitamina.

Adrian Rakipi:

Një tjetër vitaminë, që rekomandohet shpeshherë është Vitamina D. A duhet ta konsumojmë Vitaminën D në formë tablete?

Argita Zalli:

1Po! Thuajini po konsumimit të Vitaminës D. Vitamina D nuk është prezente në shumicën e ushqimeve që ne hamë, por është një përbërës thelbësor që i mban kockat tona të forta, duke na ndihmuar në thithjen e kalciumit. Marrja e rrezeve të diellit ndihmon në prodhimin e Vitaminës D gjithashtu, por në dimër bëhët e vështirë për ta përfituar atë në sasi të mjaftueshme. Disa studime të kohëve të fundit kanë zbuluar se njërëzit, që marrin suplemente të Vitaminës D çdo ditë jetojnë më gjatë se ato që nuk e marrin.

Adrian Rakipi:

Kemi dëgjuar se antioksidantët janë promotorë të shëndetit. A mjaftojnë antioksidantët që marrim nëpërmjet ushqimeve apo duhet t`i marrim shtesë?

Argita Zalli:

Vitaminat A, C dhe E janë antioksidantë, që i gjejmë në sasi të mëdha në shumë fruta, veçanërisht tek frutat e pyllit dhe tek perimet, prandaj dhe janë të mjaftueshme për të siguruar një shëndet të mirë. Ka rezultuar se ato kanë aftësi të mundshme në mbrojtjen kundër kancerit.

Megjithatë studimet e fundit sugjerojnë se marrja e tepërt e tyre mund të jetë e dëmshme. Një studim i gjerë dhe i gjatë në kohë, që përfshiu mëshkuj duhanpirës zbuloi se ato, që marrin Vitaminën A në mënyrë të rregullt janë më të predispozuar për t`u prekur nga kanceri i mushkërive se ato që nuk marrin. Një rishikim i vitit 2007 i disa eksperimenteve për tipe të ndryshëme suplementesh antioksidante doli në përfundimin se trajtimi me beta karoten, Vitaminë A dhe Vitaminë E mund të rrisë vdekshmërinë.

Adrian Rakipi:

Vitamina C mund të themi me siguri, që është një nga përbërësit që të gjithë e njohim mirë. Çfarë sugjeroni ju për konsumimin e Vitaminës C?

Argita Zalli:

1Promovimi i shtuar i rëndësisë së Vitaminës C ka filluar nga një sugjerim i kimistit Linus Pauling në vitin 1970 dhe arriti kulmin me formen e Airborne dhe Emergen-C. Studime të shumta të kohëve të fundit kanë treguar se Vitamina C ka të bëjë shume pak ose aspak me parandalimin e gripit të zakonshëm. Njëkohësisht megadoza e saj prej 2.000 miligram ose më shumë rrit riskun për të pasur gur në veshka, të dhimbshëm.

Pra më e mira do të ishtë që Vitaminën C ta merrnit nga ushqimi juaj.

Luleshtrydhet dhe agrumet janë të pasura me këtë përbërës.

Adrian Rakipi:

Vitaminën B3 nuk e njohim shumë. Ama e dimë që ka veti pozitive për shëndetin tonë. Cilat janë ato? Në çfarë ushqimesh mund ta gjejmë atë? A është e dëmshme marrja e saj me anë të suplementeve?

Argita Zalli:

Për vite me rradhë Vitamina B3 është promovuar me ngulm, duke nxjerrë në pah pretendimin se trajton çdo gjë, nga sëmundja e Alzheimerit tek sëmundjet e zemrës. Zgjidhja më e mirë është marrja e saj përmes ushqimit, duke ngrënë salmon, ton ose panxhar.

Megjithatë studimet e fundit kanë dalë në përfundimin se marrjes me tepri të këtij përbërësi duhet t`i vijë fundi.

Një studim i gjerë i vitit 2014, që përfshiu më shumë se 25.000 njerëz më sëmundje zemre, te cilët iu nënshtruan dozave afatgjata aktive të Vitaminës B3 për të rritur nivelin e kolesterolit “të mirë”’ose HDL doli në përfundimin se kjo gjë nuk reduktonte incidencën e infarktit të zemrës, hemoragjisë cerebrale apo vdekjes.

Gjithashtu njerezit në studim që morën suplemente B3 ishin më të predispozuar se ato që iu nënshtruan efektit placebo për të zhvilluar infeksione, probleme me mëlçinë apo hemoragji të brendshme.

Adrian Rakipi:

Së fundmi po flitet shumë për probiotikët. Megjithatë studimet tregojnë rezultate te dyzuara. Fillimisht çfarë janë probiotikët dhe çfarë rekomandoni ju në lidhje me konsumimin e probiotikëve?

Argita Zalli:

1Probiotikët janë suplemente bakteriale të kushtueshme, që mund të kushtojnë më shumë se 1$ për tabletë, por që gjenden në mënyrë natyrale në sasi të vogla në kos dhe ushqime të tjera të fermentuara. Ato janë kthyer në nje biznes të madh me fitime prej më shume se 23.1 miliardë $ në 2012.

Ideja që qëndron pas tyre është e thjeshte: Mbështetja e triliona baktereve që qëndrojnë në zorrë, të cilat luajnë një rol thelbësor në përmirësimin e shëndetit tonë. Vendosja e kësaj ideje në një plan praktik është më e komplikuar. Deri tani efektet e probiotikëve janë të paqarta. Disa herë ndihmojnë, disa herë jo. Prandaj në vend se të merrni tableta të mbivleresuara, hani kos.

Adrian Rakipi:

Zinku është një nga përbërsësit e nevojshëm për të pasur shëndet të mirë. A rekomandohet marrja e tij si suplement?

Argita Zalli:

Mos hezitoni për të marrë zinkun si suplement.

Ndryshe nga Vitamina C, për të cilën studimet zbuluan se nuk ka ndikim në parandalimin apo trajtimin e gripit, zinku mund të jetë i dobishëm. Ky mineral mendohet se ndërhyn në replikimin e rinoviruseve, viruse që shkaktojnë gripin e zakonshëm.

1Një rishikim i një studimi të vitit 2011doli në përfundimin se njerëzit që ishin sëmurë dhe morën zink kishin grip që zgjaste më pak si dhe simptoma më të lehta.

Adrian Rakipi:

Kur folëm për antioksidantët përmendëm Vitaminën E. Në çfarë forme e rekomandoni ju marrjen e saj?

Argita Zalli:

Antioksidanti, Vitamine E është popullarizuar për aftësinë e supozuar në mbrojtjen kundër kancerit. Megjithatë një studim i gjerë i vitit 2011, që përfshiu rreth 36.000 meshkuj zbuloi se rreziku për t`u prekur nga kanceri i prostatës rritet tek meshkujt që marrin Vitaminë E, në krahasim me ato që iu nënshtruan efektit placebo.

Ndërkohë që një studim i vitit 2005 ka lidhur dozat e larta të vitaminës E me një rrezik të rritur mortaliteti. Prandaj nëse kërkoni të merrni më shumë Vitaminë E servirini vetes një sallatë të freskët me spinaq dhe shmangeni atë si tabletë. Perimet me gjethe të gjelbra si spinaqi janë të pasura me Vitaminë E.

Adrian Rakipi:

Acidi folik është një tjetër përbërës për të cilin flitet së fundmi si një domosdoshmëri për shëndet të mirë. Çfarë funksioni ka ai dhe kujt i rekomandohet konsumimi i tij në formë suplementi?

Argita Zalli:

1Acidi folik është një Vitaminë B, të cilën trupi ynë e përdor për të formuar qeliza të reja. Instituti Kombëtar i Shëndetit iu rekomandon femrave, të cilat janë shtatzënë ose duan të mbeten shtatzënë të marrin 400 mikrogram acid folik çdo ditë, sepse organizmi i tyre ka nevojë për këtë përbërës kyç, kur ato mbajnë brenda vetes një fetus në zhvillim.

Përveç kësaj, shumë studime e kanë lidhur konsumimin e suplementeve te acidit folik përpara dhe gjatë shtatzanisë me ulje të rrezikut për defekte të tubit nervor, defekte lindjeje serioze dhe jetëkërcënuese të trurit të fëmijës, shtyllës apo palcës kurrizore.

Adrian Rakipi:

Duket nga këto studime se çdo produket sado i shëndetshëm të jetë duhet të merret me masë. A do të thotë kjo se duhet të jemi të kujdesshëm kur konsumojmë vitamina edhe nëpërmjet ushqimeve?

Argita Zalli:

Ju e thatë shumë mirë. Çdo gjë, sado e mirë qoftë duhet të konsumohet me mase. Megjithatë ne e kemi thënë shpeshherë në intervistat tona që zgjidhjen për çdo gjë e rigjejme tek natyra. Nevojat për vitamina mund t`i plotësojmë shumë mirë nëpërmjet ushqimeve të ndryshme, pa pasur frikë për efekte negative, ndërsa në raste të veçanta pas konsultimit me mjekun mund të aplikojmë dhe marrjen e tyre si suplement.

COPYRIGHT: Ky artikull është publikuar nga Gazeta Intervista ku gazetari Z. Adrian Rakipi ka intervistuar Dr. Argita Zalli (Imperial College London).