Nga Fahri Xharra
*Mikesha dhe miq të nderuar, më intereson mendimi i juaj, pse serbët qysh herët (1905), ende pu u zhbërë Perandoria Osmane, e formuan qendrën për studime shqiptare në Beograd ?
Përkundër asaj që studiusi i shquar francez Alen Dyselje ka thënë: “Historia na mëson se lidhur me Kosovën, serbët janë pushtues të ardhur mjaft vonë”… ata përpiqen që vazhdimisht të bindin botën se janë para nesh këndej pari. Për të bindur së pari veten e pastaj botën për ne, serbët na kanë studiuar në çdo imtësi të të kaluarës sonë si dhe rrjedhave të së tashmes. A i njohim ne serbët në atë shkallë sa ata na njohin ne? Jo aspak, ne nuk kemi asnjë studim serioz për ta. Ose thënë ndryshe, mënyra e jonë e qasjes ndaj historisë serbe është terësisht e pakontrolluar, me një nismë individuale.
Mënyra se si ne i qasemi serbëve i gjason disa shkrimeve të tyre në fundin e shekullit 19-të. Serbët e njohin mirë historinë tonë, e dijnë shumë mirë, që janë në tokë të huaj. I dijnë doket e zakonet tona; dhe sa më mirë të na njohin, aq më mirë e më lehtë manipulojnë me ne. Ky është arti i diplomacisë, të cilën ata e kanë mësuar mirë. Ne jemi larg dhe shumë larg në këtë aspekt; e më e keqja është që po largohemi edhe më shumë nga ajo që duhet ta dijmë përmendësh. Pse serbët na analizonin si komb?
Jovan Cvijiq, (12. tetorr 1865 – 16. januar 1927), ishte një gjeograf dhe etnolog serb, kryetar i akademisë mbretërore serbe dhe rektor i Universitetit të Beogradit.
Bota vëren dhe vrojton. Ne shqiptarët sigurisht që jemi në qendër të vrojtimit. Ata e dinë që ne jemi të lehtë, ata e dinë që ne nuk kemi qendër të rëndimit. Përderisa bota na vrojton, ne nuk i përfillim rregullat më elementare të qytetërimit. Vrojtuesi më i madh ka qenë dhe është Serbia.
Prej se ka ardhur dhe na është afruar, dhe e kemi fqinj, Serbia vazhdimisht vrojton, shënon dhe sipas nevojave të veta i shpërndanë ato shënime, vrojtime dhe dihet vazhdimisht për të keqen tonë. Kemi ne, farë institucioni të fshehtë apo të hapur, ku mund të lexojmë karakterin e një populli tjetër të huaj? Serbët e kanë, jo vetëm për ne por për tërë botën.
M’u kujtua Aleksa Gj. Bogosavljeviç – oficer i xhandarmërisë mbretërore të Serbisë, dhe libri i tij ”O Arnautima” ( Për shqiptarët ). Dikush mund të pyesë se ç’është për ne interesant se ç’ka ka shkruar një oficer xhandarmërie për ne…? Mua m’u duk e arsyeshme që të komentoj këtë përmbledhjen etnografike për një popull (për ne), nga një ushtarak, i cili si e thotë edhe vetë: ”unë e bëra timen dhe le të shërbej për nevojat e shtetit” (Serbisë). Çka bëmë ne për veti në këtë aspekt ? Libri i përmendur është thjesht përshkrim i një populli nga syri i një atdhetari serb (për Serbinë ky është atdhetar), që mendon më larg, libri botohet më 1897, e që të këqijat për ne në atë kohë ishin në vazhdimin e përgatitjeve. Se çfarë populli janë shqiptarët, autori i siguron lexuesit se do t’i njoftojë me këtë libër; ”duhet t’i njofim sepse neve, pas fatkeqësisë së vitit 1690 na zunë tokat tona (Shpërngulja e Madhe Serbe fxh)”. Ky thotë se serbët janë ”vëllezër prej gjaku (?) me Drenicakët, Rugovësit, Lumjanët, Shkodranët dhe Dibranët, Labjanët dhe Malësorët ”Ata janë kusherinj me serbët sepse janë të krishterë ortodoksë dhe katolikë”.
“Serbi” Knez Pavle Karagjorgjevic, si fëmijë në veshje kombëtare Shqiptare! Ja një shembull i madh se si serbët duke i bluar në mullirin e dhunës asimiluese popujt e kulturat e huaja, e krijuan historinë e madhështisë së tyre false.
”Kemi humbur mjaft kohë, duhet të punojmë më shumë për Serbinë tonë duke njohur vetvetën dhe të tjerët që na rrethojnë” – thotë autori. Por pa dashtë e cekë se shqiptarë ka në Srem, në Nikinci dhe në Ratkoci afër Mitrovicës së Sremit (Serbia e sotme). Pse po them pa dashtë, sepse e sjegon shumë mirë se si erdhën shqiptarët në këto anë: me shpërnguljen e madhe serbe. Një shpërngulje e rrjejshme serbe dhe në të njëjtën kohë një largim i së paku 4000 familjeve ortodokse shqiptare nga Kosova.
Një mashtrim epokal për shqiptarët. ”Aty u vendosën Kelmendasit dhe që edhe sot e kësaj dite i ruajnë doket dhe zakonet e tyre ( Viti 1897 fxh)” ”Shqiptarët nuk janë pak, por ndjenjë për shtetformim nuk kanë” dhe vazhdon ”sipas traditës sonë (serbe fxh) dhe të drejtës sonë historike, duhet që kërkojmë të drejtën për posedim të Serbisë së Vjetër (Kosovës) dhe Maqedonisë e posaqërisht në ato anë, që banohet me shqiptarë se pa ata Sërbia e Madhe nuk mund të paramendohet.” (O Arnautima)
Por serbët kishin strategji shumë afatgjate. Në vitin 1905 u themelua Universiteti i Beogradit që ishte vazhdimësi e një Shkolle të lartë… Dhe që në atë kohë kishte lindur nisma për mësimin e gjuhës shqipe nga serbët me një urdhëresë administrative që ”të futet mësimi i gjuhës shqipe dhe literaturës së saktë dhe t’i besohej vetëm një lektori”. Në historikun e katedrës se Albanologjisë në Beograd lexojmë: ”Mësimin duhet ta mbante Zhorzh Meksi, profesor nga Athina, por pa sukses(?).” Në vitin 1907, rektori i Universitetit të Beogadit u bë Dr. Jovan Cvijiçi. (antishqiptari i përbetuar fxh) dhe me atë rast thoshte: ”…duhet të fillojnë studimet për etnografinë, gjuhën dhe dialektet e Shqiptarëve si dhe turqve të Ballkanit. Gjuhëtarët tonë (serb fxh) duhet të bëjnë gramatikën e shqipes dhe të mbledhin të gjitha ato që vijnë nga ky popull…”.
E njihni Jovan Cvijiçin? Nga historiku: ”Në rrethin e seminarit në vitin 1920-21 u fut Historia dhe gramatika e gjuhës shqipe, e cila datë edhe njihet si fillimi i albanologjisë në Universitetin e Beogradit”. Në atë kohë, për këtë hap, meritat më të mëdha i kishte indoeuropianisti Henrik Bariçi (“serbi” katolik i Dubrovnikut), i cili kishte studjuar në Grac dhe Vjenë. Në mes të fatkeqësisë ka fat, thotë populli. Pas luftës së dytë botërore, viti shkollor 1948-49, ligjërues i gjuhës shqipe u zgjodh Dr. Vojisllav Danqetoviçi (serb nga Kosova, i cili e njihte gjuhën shqipe që nga lindja e tij, (shqiptar ortodoks i Kosoves fxh).
Serbët as që e kanë menduar ndonjë herë që shqiptarët do të shkolloheshin aty. Katedra e Albanologjisë ishte krijuar për nevoja ekskluzive serbe; por ja që nga aty filloi studimi i gjuhës shqipe nga shqiptarët. Pra, a i njohim ne serbët në atë shkallë sa ata na njohin? Jo aspak, ne nuk kemi asnjë studim serioz për ta. Ose thënë ndryshe mënyra e jonë e qasjes ndaj historisë serbe është tërësisht e pakontrolluar, me nisma individuale.