Pamfleti, 19.11.2020
Luftëtari i UÇK-së denoncoi lidhjet e forta të Berishës dhe Gazidedes me Millosheviçin dhe Arkanin, takimet mes tyre dhe përndjekjen e ushtarëve të UÇK, zbuloi si nisi konflikti i Azemit dhe Saliut me Haklajt, u ekzekutua në mënyrë mafioze dhe u dogj disa muaj më parë
Heshtja dhe mjegulla e dyshimeve kanë nisur të mbulojnë një nga ngjarjet më të rëndë të pasluftës, e cila tronditi Kosovën në fund të muajit shkurt të vitit 2020.
Qerim Kelmedi, një nga luftëtarët e UÇK-së, themeluesit e rezistencës kundër Millosheviçit në Kosovë, kundërshtar i përbetuar i UDB-së dhe veglave të Beogradit në dy shtetet shqiptare, u ekzekutua në mënyrë mafioze në 27 shkurt të këtij viti dhe më pas u dogj në makinën e tij. Për vrasjen e Kelmendit reaguan fort krerët e politikës shqiptare në Kosovë, ndërsa në Tiranë ngjarja kaloi në heshtje.
Presidenti Hashim Thaçi deklaroi se “Vrasja tinëzare e Qerim Kelmendit, njërit prej luftëtarëve më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte tronditëse për mua dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”. Ndërsa Ramush Haradinaj u shpreh se: “Sot me pikëllim morëm lajmin për vrasjen e bashkëluftëtarit të orëve të hershme të UÇK-së Qerim Kelmendi. Familjes dhe bashkëluftëtarëve u shprehi ngushllimet e sinqerta. Iu bëj thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejtë të zbardhin rastin”.
Qerim Kelmendi ka qenë një nga urat kryesore lidhëse mes UÇK-së dhe Shqipërisë, në kuadër të misionit për t’u pajisur me armatim, por edhe për t’u organizuar. Në kuadër të këtij misioni, Kelmendi zbuloi lojën e dyfishtë të Sali Berishës, i cili bashkëpunonte në prapaskenë me Millosheviçin kundër UÇK.
Qerim Kelmendi ka rrëfyer detaje tronditëse për lidhjet e Berishës dhe ushtarit të tij Bashkim Gazidede me UDB-në, si dhe organizimin e atentateve dhe pritave ndaj UÇK. Nëse një ditë do të funksiononte drejtësia në dy shtetet shqiptare, Klemendi mund të ishte një nga dëshmitarët kyç, që mund të fundoste njerëzit e UDB në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe veprimtarinë e tyre antikombëtare.
Ndër të tjera, Klemendi ka rrëfyer se “Pas fitores së Sali Berishës në vitin 1992 është bërë një listë e zezë kundër ilegalëve dhe pjestarëve të LPK-së dhe është penguar dhe ndaluar kushdo që ka bërë përpjekje që në Kosovë të kalonte ilegalisht armatim për njësitet ilegale të LPK-së në atë kohë.
Presidenti Sali Berisha në Shqipëri i strukturoi mirë pacifistët dhe strukturat e UDB-së të cilat ishin filiale të UDB-së së Prishtinës dhe Beogradit. Më lejoni t’iu shpjegoj një rast. Nga Kosova në 1991 kanë shkuar drejt Shqipërisë dy grupe të organizuara, me vullnetarë nga Kosova dhe nga diaspora. Meqë tani Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti u bënë figura të njohura, sot këto dy grupe për të cilat po flas etiketohen si grupi e Adem Jasharit dhe grupi i Zahir Pajazitit. Gjatë qëndrimit dhe kontakteve në Shqipëri njëri nga grupet ka dhënë informacione të sakta për anëtarët dhe me të arritur në Kosovë kanë nisur ti arrestojnë dhe ti përndjekin.
Ndërsa grupi tjetër që nuk dha emrat e vërtetë të veprimtarëve të tij gjatë vizitës në Tiranë, u shpëtoi arrestimeve dhe përndjekjes. Si pasojë e dekonspirimit në atë kohë, ka filluar dhe përndjekja e Adem Jasharit në Drenicë”.
Kelmendi ka rrëfyer edhe porositë e Adem Jasharit që të kishin kujdes nga Berisha.
“Përshtypjet dhe pikëpamjet e Adem Jasharit e Zahir Pajazitit por edhe gjithë bartësve të organizmit të celulave të para të UÇK-së në lidhje me Sali Berishën kanë qenë të qarta. Vazhdimisht ia kemi bërë me dije kujtdo që ka lidhje me UÇK-në se në Shqiperi, ku drejtonte Sali Berisha, të bëjmë kujdes të madh sepse nga shteti i Sali Berishës dhe nga zyra e Kosovës që ishte instaluar aty duhet të bënim kujdes njësoj sikur të ishim në Kosovë dhe vazhdimisht kemi marrë masa mbrojtëse, nga survijimet dhe përndjekjet e mundshme. Me keqardhje e them se shteti i Sali Berishës, qeveria Bukoshi, Zyra e Kosovës, kishin ndërlidhje me nëntokën e zezë të UDB-së. E them me bindje dhe mendoj edhe sot e kësaj dite kështu”.
Qerim Kelmendi ka shtuar se “ne kemi patur asokohe të dhëna të sakta në lidhje me këto marrëdhënie. Po ju jap një detaj. Në mënyrë operative dhe të sigurt, ne jemi informuar se Sali Berisha në vitin 1992 është takuar personalisht me Zhelko Raznatoviç Arkanin dhe një oficer të UDB-së të quajtur Ratko Djokiç. Takimi është bërë në një periudhë që ne të LPK-së sapo kishim nisur organizimin konkret në terren. Takimi është zhvilluar në Shkodër tek një lokal pranë ish-pularisë së Shkodrës. Lokali ka qenë në pronësi të Myftar Çelës i cili ka qenë dhe President i klubit “Vllaznia” dikur”. /Pamfleti