PSE U EKZEKUTUA DEPUTETI SMAJL HAJDARAJ?

0
518
Smajl Hajdaraj - Rugova

Deputeti Smajl Hajdaraj me Presidentin Rugova

IDRIZ ZEQIRAJ

Një figurë e kompletuar e punës intelektuale dhe e luftës çlirimtare, si ajo e Smajl Hajdaraj, ishte e pritshme të ngritej në karrierën drejtuese, politike. Banda e “komandantëve”, kishte filluar listimin emëror, për likuidim të kuadrove të LDK-së dhe të forcës të saj ushtarake, FARK-ut. Kjo bandë e dalë nga LPK-ja, me flirtim të hershëm me shërbimet informative kriminale, UDB-ën jugosllave dhe Sigurimin famëkeq të Shqipërisë, të cilët me të drejtë dhe saktësisht, Dr. Ibrahim Rugova do t’i cilësonte, ashtu siç ishin, “dorë e zgjatur e Serbisë“, kishte planifikuar marrjen e pushtetit, pas çlirimit, me dhunë e terror, ashtu siç bëri ideologu i tyre, filosllavi dhe stalinisti i egër Enver Hoxha, me bandën e komunistëve të tij.

Krerët stalinistë të LPK-së, të akomoduar hoteleve e vilave të Bllokut të zi të Tiranës, hetonin dhe planifikonin shigjetimin e kuadrit perspektiv të kampit kundërshtar politik. Disa eliminime fizike i bënë gjatë luftës, duke pasur logjistikën dhe ndihmën direkte të social-komunistëve të Tiranës zyrtare. Pas luftës e filluan me Komandant “Drinin”, alias Ekrem Rexhën, për të cilin u fol se do të kandidonte për kryetar të komunës të Prizrenit, i pakonkurrueshëm nga dikush tjetër, për të vazhduar me kuadrot tjerë komunalë të LDK-së: Shaban Manaj, Imet Rraci, Ukë Bytyçi

Arsyet pse u ekzekutua Smajl Hajdaraj

1) I kësaj perspektive parashikohej të ishte edhe Smajl Hajdaraj në komunën e Pejës. Dhe, për gjallje të tij, Peja nuk kishte shanse të binte nën sundimin e egër, rrugaçëror e vrastar të bandës kriminale të Dukagjinit. Këtë e dinin edhe “komandantët” kriminelë. Andaj, njëri syrësh, ish-anëtar i LPK-së, tani, eksponent i rrjeshtit të parë të PDK-së, (a ka emër ky?) duke qenë në shoqërim të bandës së tij, ndalon veturën e Smajlit, i drejton revolën ke koka dhe e kërcënon: “Ose hiç dorë nga LDK-ja, ose të pret plumbi kokës!

Komandanti Smajl Hajdaraj, në promovimin e Brigadës 136 në Rugovë

Smajl Hajdaraj ishte djali i dytë i Arif Rekës, i cili kishte luftuar kundër bandave komunisto-çetnike dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte përballur me akuza e gjyqe, për t’u dënuar dhe dërguar në vuajtje në ishullin-burg kroat, Golji Otok, së bashku me bashkëluftëtarët e tij: Cufë Sokol Nikçi, Ali Hysi Dreshaj, Sylë Mehmeti, Sali Rama, Haxhi Keri (i Ker Sadrisë), Bajram Ramën, Azem Jakupin, Brahim Jakupi, Bajram Haxhinë dhe rugovas të tjerë. Andaj, Smajli kishte trashëguar trimërinë e babait, plus guximin intelektual dhe shefit të bandës ia dha përgjigjen e prerë, dinjitoze: “Pushka top ty me shokë. Të heq dorë nga LDK-ja e Rugova, është njësoj sikur të heq dorë nga Kosova“. Dhe, “komandanti” i kthyer pas luftës nga mërgimi, në Kosovë, kërcënoi sërishmi: “Vazhdo se do ta pësosh“, dhe u “largua me bisht ndër shalë!

2) Smajl Hajdaraj ishte inxhinier elektrik i diplomuar. Ai kishte ndihmuar materialisht Familjen Rugova, në vitet ’90-a. Ishte shumë i afërt me Dr. Rugovën, ndonëse ishin edhe fis. Presidenti kishte shumë besim tek Smajli. Çmonte tek ai gadishmërinë, përkushtimin, sinqeritetin, fisnikërinë, burrërinë prej malësori, mençurinë dhe trimërinë.

3) “Presidenti Rugova është në rrezik jete. Na duhet një makinë e blinduar “Mercedes”, i shkruante vëllait të tij Fazliut, atëherë, nënkryetar i Nëndegës të LDK-së, në Republikën e Rheinland Pfalz-it, Gjermani, më vonë, kryetar i saj shumëvjeçarë dhe, tani, anëtar i Kryesisë të Degës të LDK-së, në Gjermani. Aksioni filloi heshtazi, në një grup të kufizuar veprimtarësh të LDK-së. Dhe, makina u sigurua. Atentati me tritol ndodhi. Makina, me të cilën udhëtonte Presidenti Rugova, për një takim me sekretarin Havier Solana, u dëmtua rëndë. Por, Presidenti Rugova i mbijetoi atentatit, në sajë të makinës blindazhë.

I dënuari për rastin e këtij atentati, në Burgun e Dubravës, do të deklaronte se “po të ishte makinë e zakonshme, pra, jo e blinduar, do të hidhej në erë, me gjithë Presidentin Rugova!” Pra, Rugova i mbijetoi atentatit. Por, tërbimi i “komandantëve”, pse Rugova frymonte ende në këtë botë, edhe pas atentatit, ishte i madh. Shfrimi hakmarrës i “komandantëve” vrastarë, do të binte mbi atë që ideoi dhe realizoi veturën blindazhë, tashmë, deputetin e Parlamentit të Republikës të Kosovës, Smajl Hajdaraj.

Kush e ekzekutoi deputetin Smajl Hajdaraj?

Janë shumë qindra vrasje politike, dhe jo vetëm 100 apo 200, siç duan t’i minimizojnë vrastarët me tellallët e tyre, të listuara, të urdhëruara për likuidim fizik, për t’i hapur rrugën pushtetit të përgjakur, hajnisë zyrtare, haraçit të egër, të cilin e vilnin bandat, për shefat e tyre “komandantë” pa ushtarë, por, me banda të gatshme, për shantazh e kërcënim, kidnapim, turturë, deri në vrasje.

Dhe, duke qenë vrastarët në kupolë të shtetit dhe të pushtetit, me aleate e mbështetëse Serbinë, si dhe përgjumjen e neglizhencën e qëllimshme të ndërkombëtarëve, me gjithë faktet e bollshme të krimeve serike të “komandantëve”, në mesin e tyre edhe të deputetit Smajl Hajdaraj, nuk janë hetuar, nuk janë zbuluar dhe as ndëshkuar listuesit emërorë, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e kuadrove të FARK-ut, të veprimtarëve të LDK-së dhe të tjerë konkurrentë politikë.

Janë të paktën 4 (katër) pista, nga ku duhet të fillojë hetim-zbulimi i ekzekutimit zyrtar të ish-komandantit, deputetit Smajl Hajdaraj:

1) Porosia e parë, deri me kërcënim me revole, për Smajl Hajdaraj, për ta braktisur LDK-në, nga eprori i PDK-së; (a ka emër ky?)

2) Vetëdenoncimi i një komandanti të UÇK-së, katër muaj para ekzekutimit, tek Smajl Hajdaraj, të cilit Shtabi ia kishte dhënë edhe revolën, se “jam i ngarkuar, për me të vra, por unë nuk e bëj këtë“; (a ka emër ky?)

3) Ekziston edhe një letër, e lënë nga Smajl Hajdaraj, ku flet për luftën e UÇK-së, çlirimin e Kosovës dhe grupin, që e pengonte organizimin ushtarak në Rugovë;

4) Krisma e armës, në korridorin e banesës, në katin përdhes, alarmoi familjen. Vajza e Smajlit, duke parë babain të shtrirë për tokë dhe të përgjakur, shpërthën në qarje të zëshme. Polici i uniformuar, që po e shoqëronte ekzekutorin, për ta lehtësuar aksionin vrastar, krejt gjakftohetë, i thotë vajzës, të rënë në dëshpërim të skajshëm: “Pse po bërtet? Nuk asht ba nami pse asht vra baba!” Dhe, polici, në detyrë, është identifikuar. (a ka emër ky?)

Shantazhimet dhe kërcënimet e “komandantëve”, për kundërshtarët politikë, kanë qenë të shumëta. Por, për mënyrën, peshën e kërcënimit dhe të lëndëzimit me ekzekutim, shquhen tri rastet: paralajmërimi serioz për vrasjen e ministrit të luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, kryetarin e LDK-së të Istogut, Shaban Manaj, deputetin Smajl Hajdaraj.

Anatema dhe shpifja më flagrante ka qenë dhe vazhdon edhe sot, se “Kolonel Tahir Zemaj dezertoi dhe ua dorëzoi armët pushtuesëve!?” Realisht, fitimtari i Betejës së Loxhës, Kolonel Zemaj, nuk ka dezertuar kurrë, as nuk ka dorëzuar armët pushtuesit. Përkundrazi, në koordinim me Komandantin e UÇK-së për Rugovën, Smajl Hajdaraj, shpëtuan mijëra qytetarë nga Dukagjini, duke i spostuar nga zonat e luftës, gjë që, në këtë përmasë dhe kaq profesionalisht e mençurisht, nuk ka arritur ta bëjë askush në Kosovë.

Bazuar në veprimtarinë politike dhe ushtarake, të Smajl Hajdaraj, është logjike edhe kërkesa e shumicës dërmuese të shqiptarëve, që komandanti dhe deputeti i ekzekutuar Hajdaraj, nga argatët e Serbisë, të nderohet e përjetësohet me shtatore në qytetin e Pejës.

Shpresojmë dhe besojmë, se Kuvendi Komunal i Pejës, me kryetarin e suksesshëm, Gazmend Muhaxheri, do ta këtë në konsideratë, kërkesën, vullnetin e Rugovës, Pejës, Dukagjinit, Kosovës dhe të shqiptarëve të kudondodhur, me bindjen se Smajl Hajdaraj e meriton këtë vlerësim dhe Peja do të begatohej me një stoli domëthënëse kombëtare.

Lavdi jetës dhe veprës të intelektualit, veprimtarit kombëtar, komandantit dhe deputetit Smajl Hajdaraj!