Pse shqiptarët – mercenarë të së keqës?

0
384
Fahri Xharra - Gjakovë

shkruan Fahri Xharra

Djema! Ju më shikoni si prift, por unë nuk u linda kësisoji, por shqiptar dhe shqiptar dua të vdes” – At Stath Melani

Emri mercenar i përshkruan nga prejardhja të gjithë ata që afrojnë ndonjë shërbim ne kundërshpërblim-pagese. Mercenarius vjen nga latinishtja, rrjedh nga fjala merces – rrogë, pagë, pagesë. Një mercenar është një luftëtar i huaj në një konflikt të huaj; “i rekrutuar në shtetet e huaja” dhe i cili “merr pjesë drejtpërdrejt në një armiqësi”. Ky luftëtar duhet të ketë “përparësitë vetjake”, që të marrë pjesë ne atë konflikt apo atë luftë, duke qenë “shumë mirë i paguar, bile shumë më mirë” sesa të obliguarit e asaj lufte apo konflikti. Një mercenar është një luftëtar i zanatit të luftës i rekrutuar me para nga një Shtet, një ndërmarrje apo ndonjë lëvizje politike në mënyrë të ligjshme apo jo, jashtë sistemit të rregullt të ndonjë vendi.

Përditë e më tepër po jemi dëshmitarë të një dukurie, e cila na bën që si komb të jemi më larg botës së civilizuar. Jo pse ata na largojnë, por ne po ia kërkojmë vetes këtë largim nga e vërteta pa të drejtë ankese dhe pa të drejtë arsyetimi ndaj brezave që do të vijnë.

Po, për kë? Po, për çka? Për cilin atdhe? Pse jemi aq të lehtë, që të rekrutohemi? Për kë? Kush po na rekruton? Çfarë lakmie e dreqit të mallkuar (përveç marrisë), na shtyn që të lidhemi më forcat më të errëta e më të urryera të botës? Ku janë fajet? Duhet të dihet një gjë. Krejt propaganda fetare është në duart e Serbisë. Të vetëdijshëm apo jo, me para apo pa to, të gjithë jemi në kurthin e atyre, që të ardhmen tonë e shohin ndryshe e jo ashtu se si e duam ne. Ne vetëm jemi duke i shkuar mbrapa një të papriture, e cila do të na kushtojë shumë shtrenjtë. Brezat kanë për të na mallkuar.

Ku janë intelektualët që nuk flasin? Pse janë pseudointelektualët (intelektualët e rrejshëm) aq të zëshëm në mohimin e çdo gjëje që vlen? Vallë, çfarë lloji i mbinjeriut janë ata që kënaqen duke na ngrehur zvarrë në errësirën e së kaluarës tragjike? Mercenar është edhe ai që me shkrimet dhe paraqitjet e tij publike lufton për kauzën e tjetërkujt. Ai merr pjesë në një armiqësi, për të përfituar më shumë materialisht. Heu mos kofshin! Kush po i ndjell këta mercenarë të së keqes, që t’i qesin hije të keqe e të pashlyeshme tërë kombit?

Kush krekoset me shkrimet që na ndajnë identitetin tonë? Kush njollos figurat e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Nënës Tereze vetëm e vetëm të njollosë kombin, historinë, arritjet dhe më e keqja, të na lërë pa ardhmëri? Të dalësh në anën e kurrkujt për një grusht parash, apo nga një infeksion patogjen të shpëlarjes së trurit, mbetesh vegël pa vlera, që nuk i dhimbsesh as dreqit.

Mohuesve të historisë ju rikujtoj fjalët: “Ilirët kanë krijue të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyne e morën nga ilirët, çka dëshmon se ishte aq e lavrueme sa edhe shkruhej, se ishte themeluesja e atij alfabeti që bota mbarë sot e quen “alfabeti latin”, se ajo zë vend si degë e veçantë në kuadër të trungut të gjuhëve indoevropiane dhe si e tillë, ajo konsiderohet se qysh në fazat ma të hershme parahistorike ishte gjuhë folëse pellazgo-ilire me elemente karakteristike të mëvetësishme.” (Daniel Gazulli)

Nuk jemi ne ata e as që na takon neve të bëhemi pjesë e mohuesve dhe shtrembëruesve të historisë sonë. Le t’i mbajnë ata, ato mashtrime përveti se e kemi tokën tonë e cila ka nevojë më shumë se kurrë për ne. Ne kemi mbirë gjithmonë aty ku na kanë shkulur, dhe po të na shkulin përsëri, ne përsëri do të mbijmë. Edhe kur na kanë shkelur trupin tonë gonxhet tona përsëri kanë çelur. Për kundër përplasjeve të tmerrshme mbi popullin tonë gjithmonë ka çelur një syth këtu, një syth aty, ku ata më së paku e kanë pritur. Me sulme biologjike të mortajës së zezë, të variolës vdekjeprurëse, të helmimeve me gazërat toksike, të vrasjeve masive, të dhunimeve të panumërta, të shpërnguljeve të mëdha ne përsëri jemi kthyer dhe ikur nga buza e greminës.

Heeeej ! Nuk po kam zë më shumë që të thërras e të kthjelli mendjen e mykur e të shitur të atyre, që nuk janë të vetëdijshëm për vepren e madhe të shqiptarëve në shpëtimin, në kohë të duhur të popullit historikisht të përndjekur hebrejve të cilët gjetën strehim në tokat iliro-shqiptare gjatë shekullit të dytë para krishtit, në shekullin XVII-të hebrejve të ikur nga Inkuizicioni në Spanjë dhe gjatë luftës së dytë botërore. Hebrejtë na janë mirënjohës dhe kemi vendin e nderit si populli i vetëm në Europë që iu ka dalur krah në qaste të vështira. ”Sikur të ishin të gjithë të njëjtë me shqiptarët, bota do të ishte ndryshe” thoshte John Withers II.

Ne shqipëtarët, krenarinë tonë e mbështesim përveç në historinë tonë antike të vjedhur edhe në katër shtyllat që na mbajnë fortë në mesin e popujve të civilizuar të Europës: Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, Nënë Tereza, Ismail Kadare, dhe shpëtimi e strehimi i hebrejve gjatë historisë.

Pse jemi aq të lehtë, që të rekrutohemi? Për kë? Kush po na rekruton? Çfarë lakmije e dreqit të mallkuar, na shtyn që të lidhemi më forcat më të errëta e më të urryera të botës? Ku janë fajet? Duhet të dihet një gjë. Krejt propaganda antishqiptare është në duart e Serbisë. Të vetëdijshëm apo jo, me para apo pa to, të gjithë jemi në kurthin e atyre që të ardhmen tonë e shohin ndryshe e jo ashtu se si e duam ne. Ne vetëm jemi duke i shkuar mbrapa një të papriture e cila do të na kushtojë shumë shtrenjtë.

Fahri Xharra, Gjakovë