Pse shpifte Paskal Milo kundër intelektualëve të Kosovës dhe heshtte vrasjet e pasluftës?

1
582

Gani Mehmetaj

Kohën kur e vranë Xh. Mustafën, Paskal Milo e përmbledh në librin “Ditari i një ministri të Jashtëm – konflikti i Kosovës 1997-2001″, por nuk e përmend fare vrasjen e intelektualit kulmor. Nuk shkruan asgjë as për vrasjet tjera nga viti 1999-2001. E ngushëlluan Rugovën të gjitha personalitetet e Perëndimit, e ngushëlluan shumica e shqiptarëve, por nuk e ngushëlloi Milo. Në vend të shprehte keqardhje për vrasjen e intelektualit kulmor, ish- ministri i jashtëm vajtoi grarishte për humbjen e të përzgjedhurve të Nanos e të Majkos në Kosovë. E shpërfilli vrasjen e Xh.Mustafës si ta kishte urdhëruar, apo si të qe në dijeni për këtë krim qe më parë.

Duke analizuar humbjen e PDK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2000, Milo në librin e tij, pamflet, shkruan: “Një pjesë e mirë e tyre veçanërisht shtresa intelektuale dhe ajo e arsimuar nuk ishte ndier keq as në kohën e Titos, as edhe në kohën e Milosheviqit”, (faqe 320). Çfarë pafytyrësie! Kurrë në gjuhën shqipe nuk është shkruar shpifje më e ndyrë e më poshtëruese për intelektualët e shtresën e arsimuar të shqiptarëve të Kosovë e të territoreve etnike.

As serbët shovinistë të Beogradit nuk ishin aq të pacipë sa të thoshin se intelektualët e shtresa e arsimuar shqiptare e ndienin veten mirë në kohën e Titos e të Milosheviqit. Përkundrazi, shovinistët serbë çirreshin në kupë të qiellit pse intelektualët e njerëzit e arsimuar të Kosovës nuk e mbështesnin Titon në sllavizimin e popullatës etnike, apo më vonë pse nuk e mbështetën fare Milosheviqin, por dolën në anën e “nacionalistëve e irredentistëve” shqiptarë. Shovinistë serbë akuzonin shtresën e arsimuar shqiptare për nxitje të nacionalizmit e irredentizmin, për përpjekje që të shkëputej Kosova nga Jugosllavia dhe për kundërvënie këmbëngulëse Milosheviqit.


Loading…


Milo shkruante ndryshe. Milo doli shovinist më i egër antishqiptarë se sa serbët e Beogradit. Nuk e bëri këtë poshtërim nga mungesa e informacionit, por nga ligësia.

Të fyesh intelektualët, pedagogët, arsimtarët e njerëzit e kulturës, të cilët u përballën më së shumti me vështirësitë gjatë viteve nëntëdhjetë, është sikur të përdhosësh shenjtorët. Milo përdhosi shenjtorët shqiptarë. Gjëma e mëkatit do t’i rëndojë mbi ndërgjegjen që nuk e ka.

Shkollimin fillor, të mesëm e universitar, e mbajtën mbi supe intelektualët e njerëzit e arsimuar në Kosovë. Ata refuzuan rrogat e Milosheviqit, nuk pranuan të punojnë as në institucionet që kontrolloheshin nga Beogradi, prandaj të gjithë mbetën pa rroga. Megjithatë punuan falas për bashkëkombësit e tyre më shumë se kurrë më parë. Pedagogët bënë punë vigane: e mbajtën gjallë arsimin, frymën kombëtare shqiptare e frymën e rezistencës, ata i mësuan fëmijët tanë se kombi e atdheu është mbi të gjitha. Për një portret të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, Nënës Terezë e Lekë Dukagjinit nëpër mure klasash, policët serbë i rrihnin e torturonin çnjerëzisht, por mësuesit e dinin se po ua nguliten nga fëmijëria portretet e caktuar do t’u thadroheshin thellë në tru. Këtë Milo s’ka si e kupton, sepse nuk merr frymë shqip.

Ndërkaq, mësuesit e arsimtarët ishin shenjtorët, heronjtë, që kurrë nuk u dolëm borxhi. Shqiptarët e Kosovës ua njohën meritat.

1 KOMENT

Komentet janë mbyllur.