Pse nuk regjistrohet prona e 30 trashëgimtarëve të themeluesit të Fierit Omer Vrioni?!

1
1185

Letër e hapur drejtuar ministres së Drejtësisë znj Etilda Gjonaj
Për dijeni Kryeministrit Edi Rama
Për dijeni ODAPT

Nga Av. Sergjio Mazreku

E nderuar znj ministre!

Si avokat prej katërmbëdhjetë vjetësh, kam ndjek me interes dhe kam dhënë kontributin tim modest, me shkrime dhe analiza rreth problematikave të ngjeshura të organeve të drejtësisë, përgjatë një reforme të gjërë e të thellë, e cila synon t’i zhbllokojë këto organe nga mekanizmat e ndryshkura të çdo devijimi dhe tjetërsimi të së drejtës.

Hapat e rëndësishëm që janë marrë nga ministria e Drejtësisë dhe nga ju si kryetitullare e saj, në kuadrin e reformës në drejtësi, për të përmirësuar imazhin e organeve të drejtësisë, është për t’u përshëndetur.

Por ende ekziston një rezistencë e egër e atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, që në ditët e fundit të mbretërimit të tyre korruptiv, vazhdojnë me ngut e këmbëngulje t’i bien ndesh ligjit dhe të drejtës qytetare, duke dhënë vendime abuzive, që e bëjnë të largët projektin e madh të një drejtësie që jep të drejtën njëlloj për të gjithë qytetarët.

Ka gjyqtarë që vazhdojnë të qëndrojnë në llogoren e tyre të së padrejtës dhe në bashkëpunim me punonjës dhe administratorë të korruptuar mbajnë peng ligjin dhe e pengojnë të drejtën për të shkuar në duart e qytetarëve, që janë në kërkim të saj.

Një gjyqtarë i tillë është gjyqtari i Gjykatës Administrative Vlorë, Astrit Shema, i cili ishte në listën e gjyqtarëve të shpallur për shkarkim e sipër nga ju zonja ministre, me sa duket, për shkak të “zullumeve” të tij, por që për kushedi se çfarë imtësisrash dhe yçklash burokratike vazhdoi të mbetej në detyrë, duke shtuar “oreksin” e tij me vendime gjyqësore, që nuk i shërbejnë as ligjit dhe as qytetarëve, siç është rasti në fjalë.

Siç ju thashë, unë jam me profesion avokat, i njoh mirë ligjet dhe nuk do të kisha kurajën të shkruaja në mënyrë evazive dhe të përciptë, pa fakte konkrete, po të mos isha I bindur kategorikisht në këto që po ju shkruaj.

Jam përfaqësues i 30 trashëgimtarëve ligjorë të pronave të Omer Vrionit në Fier, ish themeluesi i qytetit të Fierit në vitin 1878, prona të cilat nuk na lënë t’i rregjistrojmë, duke rezistuar me të gjitha mjetet antiligjore në emër të “Republikës” dhe të “ligjit”. Iu mohohet e drejta e rregjistrimit të pronës trashëgimtarëve të një figure historike për shtetin shqiptar dhe veçanërisht për qytetin e Fierit, ku ai ka lënë gjurmë në kohë dhe kësisosj minimum që mund të bëhet për të është të respektohen trashëgimtarët e tij, thjeshtë duke zbatuar ligjin, asgjë më shumë se kaq.

Konkretisht, gjykata adminitsrtive e shkallës së parë Vlorë, me gjyqtar Astrit Shema, në vendimin nr.270, datë 27/02/2018, ka rrëzuar kërkesën tonë të ligjshme pë rregjistrimin e pronave të ish pronarit Omer Vrioni, si të pambështetur në ligj e në prova.

Në kundërshtim me ligjin, gjyqtari Astrit Shema ka bërë interpretim për sa i përket dispozitivit të vendimit nr.388, datë 30/07/1997për ish pronarin Omer Vrioni, objekt i kërkesë padisë sonë, për sa kohë që është shprehur qartë në arsyetim si gjykata e rrethit gjyqësor Fier në vendimin e datës 28/09/2015, ashtu dhe vendimi gjyqësor i Gjykatës së Apelit Vlorë më 5/04/2017. Këto vendime vinin nga shqyrtimi i dy vendimeve të mëparëshme të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të bashkisë Fier, të dhëna në favor të ish pronarit Omer Vrioni, ku konstatohet se atij i është njohur pronësia për një godinë si dhe për 78.772 m2 dhe i është kthyer kjo godinë dhe një sipërfaqe toke truall preh 8306 m2 si dhe kthimi I 17.200 m2 në shoqëri aksionere, pra një sipërfaqe toke e përgjithshme prej 26.506 m2, sipërfaqe kjo në të cilën është ngritur dhe funksionon fabrika më e madhe e vajit floriol në Ballkan.

Ne si trashëgimtarë të kësaj prone e njohim dhe e çmojmë iniciativën e lirë të biznesit dhe nuk kemi punë me këtë sipërmarrje gjigande të privatizuar në truallin tonë, por vetëm me truallin në fjalë, pronarë të së cilit jemi dhe dokumentat e plota të së cilit gjenden në Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekave Tiranë.

E thënë më shkoqur, gjyqtari Astrit Shema, duke dhënë një vendim gjyqësor arbitrar dhe të pambështetur në ligj, bëhet palë me juristin e zyrës hiptekore Fier z. Adriatik Hoxha dhe të përfaqësuesin e Avokaturës së Shtetit z. Elton Bicja, persona këto që gjenden në këtë proces gjyqësor në një pozicion të kundërligjshëm dhe në shkelje flagrante të detyrave të tyre institucionale.

Pasi ka thyer ligjin, duke mos e rregjishtruar pronën e 30 trashëgimtare t ë ish pronarit Omer Vrioni, në kundërshtim me shkresën e lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Hipotekave të Shqipërisë, që e urdhëron ta rregjistrojë këtë pronë, e thyen për herë të dytë atë, duke paraqitur në gjyq juristin në fjalë, i cili në bashkëpunim me avokatin e shtetit, të mbështetutur në mënyrë krejt të njëanëshme dhe në shkelje flagrante të ligjit nga gjyqatari Astrit Shema, urdhërojnë mosrregjistrimin e pronës së ish pronarit Omer Vrioni nga ana e 30 trashëgimtarët ligjorë.

Duket se një shtrëngim i madh e detyron gjyqtarin A. Shema të japë një vendim të tillë të pa mbështetur në ligj, siç detyron z. Adriatik Hoxha dhe z. Elton Bicaj, me sa duket, po për shkak të shtrëngesave të kësaj natyre, të dalin në një pozicion të kundërsligjshëm dhe në shkelje flagrante të detyrave të tyre institucionale.

Por kjo është çështja e tyre dhe jo e imja si avokat dhe përfaqësues i 30 trashëgimtarëve të ligjshëm të ish pronarit Omer Vrioni.
Çështja jonë është të kërkojmë me të gjitha rrugët dhe mjetet demokratike e ligjore të rregjistrojmë pronën e lënë nga i pari ynë, i cili ishte një person i nderuar që bëri aq shumë për Fierin dhe shqiptarinë.

Detyra jonë është të marrim kontakt dhe të kërkojmë ndihmë nga të gjitha instancat e shtetit të së drejtës,ku bëni pjesë dhe ju zonja ministre, që e keni obligim ligjor dhe institucional të verifikoni raste të tilla dhe t’i jepni fund praktikave abuziviste me ligjin dhe të drejtën, nga ana e atyre që e kanë për detyrë të japin drejtësi njëlloj për të gjithë.
Ky vendim është apeluar me datë 12/03/2018 pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, për ndryshim vendimi.

Me respekt
Av. Sergjio Mazreku
Si dhe të gjithë trashëgimtarët ligjorë.

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar

1 KOMENT

  1. Jam befasur me kete leter, qe per autor real dihet se ka Duk Haten dhe jo Sergjio Mazrekun, se kush e njeh avokatin e di mire qe nuk ka kapacitet mental per te shkruar. Po ashtu te gjithe ata qe e njohin e dine se avokat Sergjio nuk ka karakter te tille shpifes dhe fyes per nje gjyqtar te nderuar si z. Astrit Shema. O Sergjio shih me pare hajdutet e vertete, qe te kane vjedhur pronat e mos lufto me mullinjte e erës.

Komentet janë mbyllur.