TemA – Nga Enver Robelli
A ka diçka të shenjtë për terroristët që vrasin në emër të fesë islame? Duket që jo. Me sulmin kundër Xhamisë së Profetit në Medinë është kaluar vija e kuqe. Para këtij sulmi fanatikët islamikë vranë njerëz të pafajshëm në aeroportin e Stambollit (mes tyre edhe një mjek ushtarak nga Tunizia, që kishte ardhur në metropolin turk në përpjekje për të takuar dhe bindur të birin e tij që të largohej nga radhët e ISIS-it), masakruan qytetarë të Bangladeshit dhe të Irakut (kryesisht shiitë). Pas sulmit në Medinë janë arrestuar 7 sauditë dhe 12 pakistanezë. Në dy sulme të tjera janë goditur qytetet Xhida dhe Katif, ku jeton pakica shiite.
Çfarë na hyn në punë neve shqiptarëve kjo seri sulmesh? Ja një shembull: ekzistojnë në Facebook shumë faqe që gjoja e mbrojnë dhe kultivojnë islamin, në njërën prej tyre, të menaxhuar nga përdoruesit shqiptarë të Facebookut, po festohet e brohoritet: «Incidenti i mbrëmshëm në Medine mbase e sinjalizon fundin e sektit të devijuar, me lejen e Allahut».
Cili është sekti i devijuar? Shiitët? A e dinë këta njerëz që shkruajnë gjëra të tilla se në mesin e myslimanëve shqiptarë ka shumë anëtarë të tarikateve, të afërta me konfesionin shia? Bektashinjtë kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë shqiptare. A do të dalin nesër fanatikët fetarë dhe do të thotë: pështyni mbi vëllezërit Frashëri se kanë qenë bektashinj? Në forumet myslimane, në këto humnera virtuale, Skënderbeu qëmoti është bërë sllav dhe armik i shqiptarëve. Po filluam tani që edhe shqiptarët bektashinj apo të tarikateve të tjera t’i quajmë «sekt që ka devijuar», atëherë rrezikohet vetë themeli i shoqërisë. Sepse nuk jemi shoqëri myslimane. As e krishterë. Jemi shoqëri multifetare dhe multikonfesionale. A ka reaguar ndokush në lidhje me postimet urrejtëse në Facebook kundër besimtarëve të konfesionit shiit? Jo.
Evidente është se islami ka një problem të dhunës. Nuk bëjnë punë këtu fare përsëritjet e ajeteve kuranore që bëjnë thirrje për paqe. Viktimat më të shpeshta të dhunës islamike janë vetë myslimanët. Rrjedhimisht, besimtarët e vërtetë duhet ta gjejnë përgjigjen e duhur, robuste kundër kësaj epidemie të rrezikshme. Nuk është përgjigje ndaj rrezikut nëse në forume interneti ndër shqiptarë festohet kur derdhet gjaku i shiitëve në Bagdad apo në Riad. Nuk ka asnjë dyshim se shumica e myslimanëve duan të jetojnë në paqe, në mirëqenie dhe në siguri.
Myslimanët shqiptarë janë prijës në këtë synim, por ata duhet të jenë më të zëshëm kundër atyre që helmojnë fenë e tyre, për shembull figura si Zekirja Qazimi. Çka flet për shoqërinë tonë, çka flet për një qytet si Gjilani, çka flet për vlerat tona njerëzore nëse me vite të tëra një person i tillë lejohet të ushtrojë rolin e prijësit fetar dhe të merret me rekrutim të njerëzve për në Siri? Vërtet nuk e dinte askush me çka merrej Zekirja Qazimi? Mos gënjeni veten dhe opinionin. Çka flet për një shoqëri ku fakiri Shefqet Krasniqi mund të llomotit në televizor si terapeut i problemeve bashkëshortore?
Për fat të keq debati për këto tema s’po është i mundshëm me myslimanët që flasin badihava. Ata s’duan të jetojnë me fenë e tyre brenda një rendi demokratik, por rendin demokratik duan ta shfrytëzojnë e keqpërdorin për të imponuar modelin e tyre rigoroz kulturor. Kjo shihet edhe në reagimet e atyre që e morën epitetin «myslimanë të Facebookut». Nuk ka kundërpërgjigje me argumente në ndërhyrjet e tyre, por vetëm grumbuj me mbiemra cilësorë! Fyerjet si «idiot» apo «njeri i Serbisë» duken të buta në krahasim me katrahura të tjera gjuhësore.
Është për të dyshuar që provokatorë të tillë e kanë lexuar dhe kuptuar Kuranin dhe janë të aftë ta kontekstualizojnë këtë libër. «Dëgjojeni fjalën dhe ndiqeni të mirën», thuhet në Suren 39:18. Kurani këtu i porosit njerëzit të dëgjojnë edhe fjalët që do të vijnë më vonë, sepse gjithçka, edhe Kurani, është i interpretueshëm, siç është edhe Bibla. Po të mos ishte as sot s’do kishte pushuar gjakderdhja. Imitimi i verbër i një bote paramesjetare më shumë flet për imituesit se sa për një fe si të tillë.
Për shembull: këmbëngulja që mbulimi i femrës është urdhër kuranor hidhet poshtë nga shkencëtarët më eminentë të islamit. Amina Wadud, profesoreshë në disa universitete amerikane (si Virginia Commonwealth University) dhe europiane (si Akademia e Feve të Botës, Universiteti i Hamburgut), mendon se nga Kurani nuk mund të lexohet një obligim fetar për t’u mbuluar. Në librin «Të rimendohet islami. Xhihadi për demokraci, liri dhe të drejta të femrave», botoi C.H. Beck, tetor 2013, Wadud i tregon Katajun Amirpurit, profesoreshë e studimeve islame në Universitetin e Hamburgut, se shamia është vetëm mjet i shprehjes kulturore. Ajo thotë se nuk e bart shaminë përherë, por mbulohet kur ballafaqohet me besimtarë konservatorë.
«Duke e shpallur shaminë si kodeks me vlefshmëri të përgjithshme, universalizohen rrethanat e kushtëzuara kulturore dhe ekonomike, të cilat në shekullin e ‘7 në siujdhesën arabike çuan në një pikëpamje të caktuar sa i përket të qenmit femra e pacenuar dhe e ndershme. Kësisoj një veçori kulturore deklarohet si porosi kuranore dhe në këtë mënyrë ajo automatikisht kufizohet, sepse jo të gjitha kulturat kanë pikëpamjen e njëjtë për pacenueshmërinë e gruas», thotë Amina Wadud.
Është mirë që ato femra që besojnë se e kanë obligim të mbulohen, ta lexojnë vetë Kuranin, e sidomos Suren 24:31. Aty askund nuk përmendet mbulimi i kokës, por vetëm i kraharorëve, i pjesëve të turpshme. A është koka pjesë e turpshme? Propaganduesit e shamisë thonë se kështu mbrohet gruaja nga ngacmimet e ndryshme (sidomos ato me konotacion seksual). Domethënë faji prapë qenka i grave: po e treguan fytyrën, po e treguan kokën, po i treguan flokët – i hëngër dreqi, hidhuni mbi to, sepse po e hoqën shaminë në rrugë apo në restorant, atëherë kjo na qenka ftesë për seks.
Fundja, për këtë do të gjeni mbështetje edhe në Kuran, aty gratë quhen ara, ku burrat mund të hedhin farën e tyre sa herë që të duan. A mos është kërkesa për bartje të shamisë vetëm shprehje e prapambetjes së burrit fanatik mysliman, i cili s’po arrin të emancipohet qe 1400 vjet për shkak të shtypjes seksuale? Hajde t’i ndërrojmë pak rolet: përse të mos bartin burrat shami që të mbrohen nga gratë që kur dalin në qytet me pishë e me qiri kërkojnë një burrë pa shami për t’ju hedhur, për ta ngacmuar, për ta dhunuar?
Çdo femër e moshës madhore le të vendosë vetë se si dëshiron të vishet në hapësirën publike, por është mirë që propagandueset e shamisë të mos na shesin dokrra se bartjen e shamisë e kërkon Kurani. Kjo është betejë kulturore e fanatikëve fetarë. Përse të ketë shqiptarë në këtë betejë? Gruaja e kryetarit turk Emine Erdoan bart shami, por shamia nuk e ka bërë as më modeste, as më të mençur, madje duket se ia ka kufizuar zhvillimin mendor. Së fundi ajo tha se në harem gratë janë përgatitur për jetë. E vërteta është se gratë në harem kanë qenë vetëm skllave (edhe seksuale). Nuk është për t’u befasuar që burri i Emines ka deklaruar se barazia mes burrit dhe gruas është e panatyrshme. Paramendojeni: e panatyrshme! Demokracia e haremit, siç e propagandon çifti Erdoan, nuk është model për ne. Myslimanët shqiptarë duhet të refuzojnë një kulturë të tillë.
Për fat të keq një pjesë e tyre nuk po e refuzon, por po e keqpërdor tolerancën tradicionale shqiptare për agjenda të xhihadit global. Vijnë hoxhallarë nga viset shqiptare në Zvicër dhe i porosisin prindërit të mos i lënë fëmijët të shoqërohen me të huaj, imamë të çmendur tallen me ata prindër fëmijët e të cilëve kanë rënë në dashuri me pjesëtarë të kombeve të tjera, teologë me agjenda xhihadiste bëjnë thirrje që prindërit shqiptarë të mos i lënë vajzat të marrin pjesë në orën e notit.
Pse nuk është i mundshëm debati me myslimanët që flasin badihava? Do të doja të vendosja këtë titull mbi këtë shkrim: Debati mes shqiptarëve të të gjitha feve është i mundshëm. Por e pamundshme të bëhet debat me ata që gëzohen që Londra u bë me kryetar mysliman dhe që heshtin ose nuk u bën përshtypje kur fanatikët islamikë dëbojnë pakicën e jezidëve nga Iraku.
Për një botë më të mirë duhet pasur vullnet që e mira t’i përfshijë të gjithë. Nuk ka paqe e mirëqenie vetëm për të krishterët apo vetëm për myslimanët. Apo vetëm për hebrenjtë. Janë disa të drejta universale që duhet të vlejnë për të gjithë. Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm, kjo mund të jetë njëra nga porositë me kuptimplota, përndryshe kështu tingëllon neni i parë i Kushtetutës së Gjermanisë. Parakusht për këtë është respektimi i rendit demokratik. Nuk është demokraci nëse fanatikët myslimanë tentojnë që modelin e tyre kulturor t’ia imponojnë të tjerëve. Si të gjitha fetë monoteiste edhe islami me librin e vet të shenjtë duhet të adaptohet në rrethana të rendit demokratik. A është e mundshme kjo? Po, por vetëm nëse bota nuk shihet si hapësirë për sundim nga ymeti mysliman.
Teologu i famshëm i islamit Mohammad M. Shabestari ka plotësisht të drejtë: «Çështja nuk është nëse islami është kompatibil me demokracinë, por a do të lejojnë myslimanët që sot të krijohet ky kompatibilitet». Myslimanët shqiptarë mund të jenë avangardë në këtë udhëtim nëse islamin e shohin si fe të paqes dhe jo si fe që shquhet me një regjistër të pafundmë ndalesash. Njeriu s’mund të shkojë në parajsë i lidhur me zinxhirë.
Po shihet qe nuk e ke kuptuar Islamin. Sepse ne fund te artikullit ti thekson se Shqiptaret Musliman duhet bere kete apo ate veprim… se pari Islami nuk lejon kombe. Kjo eshte fundament. Pra nese nuk lejon kombe dmth nuk lejon Shqiptar. Nese nuk lejon Shqiptar …dmth nuk ka Shqiptar Musliman, ose Musliman Shqiptar… por ka MUSLIMAN. Ose je SHQIPTAR OSE MUSLIMAN.
Mbrenda Islamit nuk ka asnje devijim …Wehabi, Hanefi po çfaredo tjeter devijimi,.. sepse Islami eshte devijm komplet. Sepse Islami eshte dhune e terror. Un deri sot nuk kam pa ndonje Musliman normal… por vetem Diagnoza Islamike…
Deri sot ne Siri nuk eshte vra ose ka luftuar asnje Shqiptar. Te gjithe ata qe luftojne ne Siri jane Musliman, qe ishin Shqiptar ne kohen e kaluar. Ne Siri luftojne ata qe e lexuan librin musliman Kuran. Ne Siri nuk ka shkuar asnje Shqiptar qe ka lexuar Abetaren, Lugjet e Verdha, Lahuten e Malcise, Bageti e Bujqesi, edhe qindra libra Shqip.
Pakica kombetare Muslimane (afro 15-20 mije) ne Kosove e ka historine e vet, ndersa ne SHQIPTARET (2.9 Milion me diaspore) e kemi HISTORINE dhe GJEOGRAFINE tone.
Keta jane Musliman : Visar Duriq, Naim Tërnava, Xhabir Hamit, Irfan Salih, Ferid Agani, Fuad Ramiqi, Gezim Kelmendi, Amir Ahmeti, Sabri Bajgora, Mazllam Mazllami, Bilall Sherifi, Enes Goga, Lavdrim Muhaxheri, Lutfi Haziri,… edhe nja 15-20 mije te tille.
Per mua vetem kur je SHQIPTAR je SHQIPTAR, ndersa atributet tjera te ngjitura jane te dores se dyte, per shembull atributi Musliman, Katolik, Ortodoks, Ballist, Futbollist, Kosovar, Çam, Mjek, Bandit, Hajn, Vrases, Humanist, Terrorist, Marksist, Wehabi, Baskebollist, Komunist, Verior, Jugor, Frizer, Gomister, Peshkatar, Gazetar, Patriot, Tradhëtar, etj etj …jane irelevante per perkatesine kombetare.
Ose je SHQIPTAR ose Musliman. Te dyjat nuk i lejon religjioni Islamik.
Komentet janë mbyllur.