Pse na indinjoi qëndrimi i historianit Pëllumb Xhufi!

0
776
Leonora Laçi

Leonora Laçi

Duhet të kuptojmë disa të vërteta të hidhura, se problemi nuk është “Xhufi”, sepse qendrimet e tij ndaj persekutimit komunist nuk janë diçka e re për ne.

“Rasti Xhufi”, është shqetësues, jo vetë ai, por rëndësia, që mori këto ditët e fundit, ngriti disa pikëpyetje e ngacmoi mendje njerëzish. Nganjëherë, më duket sikur ai e kërkon këtë vemendje dhe ne po ia ushqejmë egon e tij.

Por, patjetër që të gjithë u ndjemë të fyer, që ende sërisht sot enden nëpër studio televizive njerëz, që hedhin baltë dhe shkelin me dy këmbë mbi kufomat e persekucionit komunist.

Rënia e sistemit diktatorial dhe kapërcimi i kohës me shpejtësi jo vetëm që nuk i ndryshoi bindjet e disave, por i bëri dhe më fanatikë për të mbrojtur të kaluarën komuniste, që arrijnë deri aty sa me arrogancë e neveri fyejnë një pjesë të popullsisë, duke u shprehur se Kampi i Tepelenës nuk ka qenë aq famëkeq sa Aushvici, siç përshkruhet nga të mbijetuarit.

Në radhë të parë, ne duhet të vetëdijësohemi se për Xhufët dhe shokët e tij ajo periudhë ka qenë kohë e artë dhe as që i ka interesuar të njohin krimet e komunizmit.

Por, po ashtu s’duhet të kryqëzojmë çdo kënd që nuk mendon si ne, thjesht kërkojmë pak respekt, e këtë respekt, duhet fillimisht t’ia japim vetës, e pastaj ta kërkojmë nga të tjerët.

Nuk mund të lë pa vënë në dukje që në fund të Janarit të këtij viti historiani i Mesjetës u ftua në Detroit (Michigan, SHBA) në konferencën ndërkombëtare për “550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbeut”. Konferencën atje e organizuan dy kishat shqiptare Zoja Pajtore dhe kisha shën Palit e diaspora.

Këto dy kisha kanë qenë vatra të nacionalizmit shqiptar, ku i kanë shërbyer interesave kombëtare kur është dashur. Ajo çfarë më çudit është se një historian që nuk njeh krimet e komunizmit ftohet nga kishat katolik shqiptare (!!) Mos ndoshta organizatorët nuk i njihnin bindjet e tij?! A mos duhet ta marrim këtë si fyerje, ku kleri katolik atje shkeli mbi eshtrat e 38 klerikëve martirë të shpallur nga Selia e Shenjt?!

Gjithsesi, Xhufët nuk mund të binden për ekzistencën e krimeve të komunizmit dhe sikur t’ja faktojmë gjithë ditën.
Demokracia, i lejon të gjithë të shprehin edhe mendimin ndryshe, por në këtë rast, quhet abuzim me fjalën e lirë.

Si atëherë, si tani, historianëve të periudhës komuniste nuk u ka hyrë gjëmb në këmbë madje dokumentet e “imperializmit amerikan”, që deri dje i kanë quajtur shpifje sot po i marrin si të mirëqena e madje dhe po i interpretojnë sipas dëshirës.
Ju lutem, të mos mundohemi të mbushim mendje të kalbëzuara nga ideologjia komuniste…

Janë disa probleme kapitale që duhet të ngrihen:
Së pari, mungon një ligj që të pengojë mohimin e ekzistencës së krimeve të komunizmit.
Së dyti, në mediat audiovizive nuk është hera e parë që provokohet në këtë menyrë dhe gazetarët duhet të jenë më të përgjegjshëm për të tilla raste, duke pas parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështje.

Së treti, është e dukshme dobësia e shtetit shqiptar, që në tekstet e historisë në arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë mungojnë tema të caktuara, për ndërgjegjësimin mbi krimet e komunizmit.
Edhe në versionin zyrtar “Historia e Popullit Shqiptar”, botimi i vitit 2009, ka pak rreshta të papërfillshëm për këtë çështje.

Së katërti, së fundmi të huajt japin fonde për konferenca e botime të ndërmarra nga organizata të ndryshme, që shpesh dalin nga konteksti për të cilin kanë marrë fonde, dhe promovojnë nostalgjinë komuniste, sesa shkruajnë për krimet e tij.

Së pesti, sot në 2018, që jemi vonë në kohë, shumica e të mbijetuarëve nuk jetojnë më, s’na kanë pritur dot për të dëshmuar vuajtjet e tyre… Por fatmirësisht kemi botimet e Atë Zef Pllumit e studjueses Fatbardha Mulleti Saraçi.

Së gjashti, problemi ynë është se na mungon një parti përfaqësuese e zërit të të përsekutuarve, që të marrë seriozisht në konsideratë çështjen e tyre.

Së shtati, problem tjetër është dhe ekzistenca e dhjetra shoqatave, që duhet të kordinohen në një linjë pune të përbashkët, pasi kanë të përbashkëta varret, vuajtjet, problemet, nëpërkëmbjen etj.

Gjenocidi komunist shqiptar nuk ka kursyer askënd, pavarësisht moshës, gjinisë, bindjes politike a përkatësisë fetare.

Problemi ynë nuk është Xhufi, pasi të bindim atë, nuk fitojmë asgjë.
Tranzicioni ynë historik nuk ka përfunduar ashtu si nuk ka përfunduar ende beteja me veten, që më pas të merremi me të tjerët.

https://leonoralaci.wordpress.com/
https://independent.academia.edu/LeonoraLaçi