Pse jam për mini-Schengenin Ballkanik?

0
1359
Gadishulli Ilirik - Ballkan

PARAMENDONI VETËM PAK…

Arben ÇokajArben Çokaj

Gadishulli Ilirik – vendi ku banonin ilirët, paraardhësit tanë, u pushtua pjesërisht nga ardhacakët sllavë, pas shekullit të 6-7 të erës sonë… Më pas u ballkanizua nga pushtimi osman, ku shqiptarët u ndanë në 4 vilajete me shumicë shqiptare, të cilëve iu mohua gjuha dhe etnia nga padishahu, dhe gradualisht edhe u islamizuan dhe u ndanë sipas fesë…

Vjen dita, dhe del një projekt i inicuar nga Berlini dhe i mbështetur edhe nga SHBA, për mini-Schengenin Ballkanik. Kush e kundërshton më shumë se shqiptarët këtë projekt? Se foli Saliu, lideri i destruktivitetit shqiptar, doli kundër, e quajti Serbi e madhe për inat të Ramës… Folën edhe disa politikanë dhe analista shqiptarë, që e kanë ende të gjallë frikën e rrezikun prej Serbisë. Folën edhe disa kundërshtarë dhe i dhanë këtij projekti një paragjykim, bazuar mbi ndjenja të pavetëdijshme pasigurie… se projektin po e mbështetë Rama, jo ata… E Rama duhet me qenë me patjetër, pro-serb, si ata…

Çështja nuk është aq e thjeshtë, sepse askush nuk është i sigurtë se si shkon procesi dhe se kush përfiton më shumë nga ky projekt, e kush më pak. Unë e konsideroj projektin “win-win” (fito-fito), ku të gjithë fitojnë, edhe shqiptarët, e sidomos shqiptarët fitojnë! Dhe e argumentoj si më poshtë:

1. Nëse ne duam integrim në BE, duhet edhe Ballkani të jetë i integruar. Integrim në BE, dhe politikë e Schengenit është, që shtetet anëtare në këtë mini-Schengen Ballkanikpërfshirë edhe Kosovën – të jenë pjesëmarrëse me të drejta të barabarta në këtë marrëveshje ndër-shtetërore. Janë 6 vende të Ballkanit, që nuk janë në BE, dhe kryeministrat e të cilëve e kanë nënshkruar dokumentin themeltar për bashkëpunim, në mars të vitit 2017 në Sarajevë. Pra, edhe Kosova e ka nënshkruar dokumentin.

2. Tre vende duan të vazhdojnë me projektin: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Por tre vende të tjera të Ballkanit, më të pasigurta dhe me përvojë të keqe me Serbinë, nuk duan të marrin pjesë: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnia e Herzegovina. Kuptohet se vendet kanë interesat e tyre dhe duan edhe siguri më të madhe, që procesi të mos shkojë keq.

3. Shqipëria nën drejtimin e Ramës ka treguar se është e hapur për një projekt të tillë, siç parashiohet edhe në dokumentin themeltar, në “takimin e Udhëheqësve, përkatësisht: promovimin e integrimit të mëtejshëm të tregtisë, prezantimin e një hapësire dinamike të investimeve rajonale, lehtësimin e lëvizshmërisë rajonale dhe krijimin e një axhende të integrimit dixhital.Ku po e shikoni këtu rrezikun e një Serbie apo Shqipërie të Madhe?! Vendet e Ballkanit perëndimor hyjnë në një bashkësi, duke njohur shtetësinë dhe kufinjtë e njëri-tjetrit, dhe bashkëpunojnë pikërisht për këto gjëra, që thuhen aty, më lart. Ndryshe nuk ka marrëveshje!

4. BE, Gjermania dhe Merkel janë të interesuara që Ballkani t’i zgjidhë vetë hallet e veta, disa punë, disa mosmarëveshje historike, të krijojë një klimë bashkëpunimi e mirëkuptimi – ku, e theksoj, Kosova nuk përjashtohet – se asnjë vend nuk përjashtohet, vetëm përfshihet, nëse kuptohet ka dëshirë dhe përfitim. Në këtë mënyrë, liderit e vendet e Ballkanit “fuçi baroti” vijnë duke u rritur, maturuar, duke kuptuar më shumë se paqja dhe bashkëpunimi na jep mundësi zhvillimi më të mëdha se lufta, dhe gradualisht vijnë duke iu afruar pikërisht asaj, që është edhe BE, një bashkim vendesh sovrane, që zgjedhin biznesin para luftës, zgjedhin të jetojnë bashkë në harmoni me njëri-tjetrin dhe jo konfliktet.

5. SHBA e ka mbështetur projektin përmes përfaqësuesve të saj, Mathew Palmer, zv. sekretar shteti dhe i dërguar për Ballkanin, dhe së fundi edhe nga Richard Grenell, i dërguari presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi. Kjo tregon se projekti për mini-Schengenin Ballkanik është një projekt perëndimor, dhe jo serbo-rus, siç edhe po pompohet nga disa. Kështu që kujdes, por jo panik!

6. Shqiptarët shumicë në Shqipëri, Kosovë, por konsiderueshëm edhe në Maqedoninë e Veriut, dhe relativisht me numër të madh edhe në Mal të Zi e Serbi (shumica të asimiluar ose gjysmë të asimiluar e boshnjakizuar prej fesë), padyshim që përfitojnë nga kjo marrëveshje, pasi, kufinjtë që dikur i vendosën të tjerët me dhunë dhe luftëra të përgjakshme e na ndanë, ato kufinj pra, në Ballkan bien. Kështu që shqiptarët mund të jenë më të bashkuar dhe mund të bashkëpunojnë më mirë me njëri-tjetrin, nëse duan dhe i lë Vjosa Osmani.

Kjo është padyshim, pa romantizëm, një fitore e madhe për ne shqiptarët dhe i kuptoj të gjithë ata, që mbështesin KM Edi Rama, e që thonë se “Rama është vizionar“. Projekti i mini-Schengenit Ballkanik, nëse realizohet me kujdes dhe duke i njohur e respektuar të drejtat e shqiptarëve në vendet përkatëse në Ballkan, është një bekim edhe për popullin shqiptar. E ne këtu duhet të synojmë, me paqe e marrëveshje të tilla, të marrin të drejtat e mohuara për popullin shqiptar në Ballkan. Kuptohet se Kosova duhet të njihet nga Serbia si shtet në kufinjtë e saj ekzistues. Ndryshe, përse po flasim?

Konkluzion

Unë e besoj se projekti i mini-Schengenit Ballkanik është një paradhomë, ose hap përgatitor, para se këto vende të Ballkanit të hyjnë në BE. Aftësia e këtyre vendeve për të performuar si duhet, dhe kuptohet se me investime, këshilla dhe rekomandime nga BE, gjërat do të vijnë, jo brenda ditës, por gradualisht duke u përmirësuar. Prandaj, unë e mbështes projektin e mini-Schengenit Ballkanik, jam në një linjë me Berlinin, BE-në dhe SHBA-të, që ky projekt të realizohet dhe e konsideroj të dobishëm edhe për shqiptarët, por jo vetëm për shqiptarët. Popujt e Ballkanit, edhe të Serbisë luftarake, do të përfitojnë prej tij dhe shpresoj e uroj, që Ballkani të çlirohet nga grahmat e palavdishme të së shkuarës konfliktuale.