Pse Ambasada e ShBA-së në Irak u bë përsëri një objektiv i zemërimit?

0
377
Protestues ndaj ambasadës amerikane në Bagdad

Protestuesit dhe anëtarët e milicisë1 hodhën gurë të martën drejt ambasadës amerikane në Bagdad. /Wissm Al-Okili/Reuters

NPR.org1 janar 2020Përktheu Arben Çokaj

Iraku ka patur protesta të gjera për muaj të tërë, por këto demonstrime janë drejtuar drejt qeverisë së dobët, të paqartë të vendit – dhe jo ndaj SHBA-ve.

Kjo ndryshoi në mënyrë dramatike, ndërsa militantët irakenë dhe përkrahësit e tyre synuan Ambasadën e ShBA-së në Bagdad-in qendror. Në protesta të dhunshme të martën, turma ngriti zjarr dhe dëmtoi keq një portë rrethuese. Disa qindra u kthyen përsëri të mërkurën, duke hedhur gurë në ambasadë dhe duke u përballur me gaz lotsjellës nga forcat e ShBA-ve. Protestat duket se po përmbarojnë të mërkurën pasdite, ndërsa milicia që qëndroi pas demonstratave, u bëri thirrje mbështetësve të saj të largoheshin.

Megjithatë, duke pasur parasysh përfshirjen e gjatë të Amerikës në vend, zhvillimet e fundit shtrojnë pyetje, se pse po ndodh kjo tani dhe çfarë po përpiqen të arrijnë SHBA në Irak?

Çfarë çoi në trazirat e ambasadës?

Zyrtarët e ShBA-ve kanë thënë që për muaj me radhë militantët irakenë, të mbështetur nga Irani, kanë qëlluar me raketa në bazat ushtarake Irakiane, ku janë vendosur edhe disa trupa amerikane dhe kontraktues amerikanë. Të premten e kaluar, një sulm me raketa vrau një kontraktues amerikan në Irakun verior. ShBA iu përgjigj me sulme ajrore në pesë komponime në Siri dhe Irak, që i përkisnin një grupi që fajëson për sulmin me raketa, milicinë e mbështetur nga Irani, e quajtur Kataib Hezbollah, që do të thotë Brigadat e Hezbollahut. Milicia thotë se të paktën 25 luftëtarë të saj vdiqën.

Pas procesimeve të funeralit të martën në Bagdad, anëtarët e milicisë dhe mbështetësit e tyre marshuan në Bagdad-in qendror dhe Zonën e Gjelbër të fortifikuar, drejtpërdrejt në Ambasadën e SHBA-së. Siguria irakene shikoi, por nuk ndërhyri fillimisht.

Anëtarët e milicisë, të cilët nuk ishin të armatosur, nuk kaluan mbi muret e larta me tela me gjemba të asaj, që është një nga ambasadat më të mbrojtura në botë. Por ata gjetën rrugën e tyre drejt një porte të madhe që mbronte ndërtesën dhe i vunë zjarrin. Ata dogjën gjithashtu edhe një postë të dytë, të vogël me roje. Siguria e ambasadës amerikane u përgjigj me gaz lotsjellës dhe granata trullosëse.

A janë të lidhura këto ngjarje me protestat e tjera në Irak?

Jo, këto janë grupe të dallueshme me pikëpamje të ndryshme – madje edhe të kundërta. Që nga fillimi i tetorit, qindra mijëra Irakienë kanë protestuar kundër qeverisë së tyre. Shumë janë qytetarë të rinj, që kërkojnë përfaqësim të vërtetë në një sistem politik të mbizotëruar nga partitë sektare me liderë të korruptuar. Ata qortojnë ekonominë e fjetur. Dhe ata protestojnë kundër ndikimit të huaj – pikërisht të Iranit. Disa demonstrues dogjën një konsullatë iraniane në Irakun jugor në nëntor.

Ata protestues nuk janë njësoj si anëtarët dhe mbështetësit e milicisë që sulmuan Ambasadën e ShBA-së. Në fakt, milicitë e mbështetur nga Irani kanë kundërshtuar dhe madje kanë hapur zjarr ndaj protestave popullore. Qindra janë vrarë që nga tetori.

Forcat irakiane të sigurisë u dukën se i ranë më lehtë milicisë të martën, duke i lënë ata deri në Zonën e Gjelbër. Forcat qeveritare të Irakut kanë hapur zjarr ndaj protestuesve të tjerë, që provojnë të njëjtën gjë.

Si rezultat i sulmeve ajrore të javës së kaluar të SHBA-së kundër milicisë ishte ky: Ndërsa shumë irakenë kishin përqendruar zemërimin e tyre në Iran, sulmet ajrore ndihmuan për ta zhvendosur atë zemërim kundër SHBA-së. Sulmet ajrore u dënuan gjerësisht në të gjithë politikën Irakiane dhe e bënë Amerikën të duket sikur ishte edhe një herë një fuqi e huaj, që përzihet në punët e tyre.

Çfarë është duke bërë ShBA në Irak?

Ambasada e madhe amerikane në Bagdad, një kompleks mbi më shumë se 100 hektarë përgjatë lumit Tigris, ka qenë një simbol i gjurmës së madhe amerikane në Irak. Është sulmuar nga kryengritësit për vite me radhë.

ShBA ka tani rreth 5000 trupa në Irak. Pasi Presidenti Barack Obama i tërhoqi të gjitha forcat luftarake amerikane në vitin 2011, kur Iraku ishte kryesisht paqësor.

Por deri në vitin 2014, ISIS kishte dalë nga Siria dhe kishte marrë përsipër një pjesë të Irakut veriperëndimor, përfshirë qytetin e madh të Mosulit. Fuqia ajrore amerikane dhe trupat irakiane u kthyen dhe ndihmuan forcat irakene – të cilat përfshinin Kataib Hezbollah dhe militantët e tjerë muslimanë shiitë – të mposhtnin ISIS-in në një seri betejash të egra, duke lënë mijëra të vdekur.

Tani trupat e SHBA-së ndihmojnë forcat speciale irakene të gjurmojnë qelizat e gjumit të ISIS dhe të parandalojnë përpjekjet e vazhdueshme të grupit, për të rindërtuar dhe luftuar një luftë guerile.

Kjo nuk është gjithçka që po bën SHBA. Akoma po përpiqet të stabilizojë dhe forcojë qeverinë e brishtë të Irakut. Iraku ka treguar shenja të demokracisë – disa zgjedhje reale, liri relative në krahasim me shtetet e tjera të rajonit. Por qeveria është mbushur me korrupsion, mezi zbaton sundimin e ligjit dhe shpesh ka dështuar në parandalimin e bombave dhe atentateve politike. Të gjitha grupet kanë vuajtur, përfshirë myslimanët suni dhe shiitë, të krishterët dhe pakicën etnike kurde.

Cila ka qenë qasja e Presidentit Trump?

Presidenti Trump është angazhuar pak me liderët irakenë, në krahasim me paraardhësit e tij, George W. Bush dhe Barack Obama. Ai nuk u takua me kryeministrin e Irakut kur shkoi atje, që të shihte trupat e ShBA-së në vitin 2018 – një nënvlerësim i vërejtur nga irakianët. Në Nëntor, Zv. Presidenti Pence bëri të njëjtën gjë.

Trump ka premtuar që të sjellë “ushtarët tanë në shtëpi nga luftërat e pafund“, por thotë se disa forca amerikane janë të nevojshme në rajon për të siguruar që ISIS të mos kthehet. Ai kryesisht thotë se prania e SHBA është e rëndësishme për të kundërshtuar fqinjin shumë më të madh të Irakut, Iranin. Kjo qasje është bërë gjithnjë e më shumë jopopullore në Irak.

Trump fajësoi sulmin e ambasadës së së martës në Iran, për shkak të mbështetjes së saj për milicinë që siç duket e drejtoi atë.

Shumë kritikojnë mungesën e angazhimit të Trump me udhëheqjen e Irakut. “Kur shikojmë rekordin që kemi arritur duke u mbështetur në forcë, rezultatet janë plotësisht negative, kështu që është koha të provojmë diçka ndryshe“, thotë Andrew Bacevich, presidenti i Institutit Quincy dhe një veteran i ushtrisë që shërbeu në Irak. “Unë besoj se nëse palët në rajon arrijnë në përfundimin se, Shtetet e Bashkuara nuk do të luajnë rolin e policisë në rajonin nga tani deri në fund të kohës, kjo hap mundësi të tjera për zgjidhjen e dallimeve, pa përdorimin e dhunës.”

Në shumë mënyra, skenat që u luajtën të martën rrethuan forcat që godasin Irakun. Në njërën anë është Ambasada Gjigande e ShBA-së, e fuqishme por pas mureve. Nga ana tjetër, grupe që mbështesin Iranin – duke thirrur epitete dhe duke i mbajtur amerikanët të mbyllur. Dhe në mes është një vijë e hollë trupash nga qeveria e Irakut, duke kërkuar të shmangë një luftë me njërën prej fuqive më të mëdha.

Shënim:
1. militiamilicia – një forcë ushtarake që është ngritur nga popullata civile për të plotësuar një ushtri të rregullt në emergjencë.

Burimi: https://www.npr.org/2020/01/01/792739572/why-the-u-s-embassy-in-iraq-became-a-target-of-anger-again