Brahim Ibish AVDYLI:
GADISHULLI ILIRIK
Ylliria, Illyria, Iliria
cila është e vërtetë,
Ballkan të thonë ata
që kanë harruar prejardhjen,
njëmijë gjuhë artificiale i flasin
të përdhunojnë më tutje
si me gjuhën barbare.
Ti, heshturazi pret
të përfundojnë lojën e frikshme
e t`a gjëjnë rastësisht
se prej cilit yll kanë zbritur,
çfarë gjuhe ka qenë
gjuha e parë
apo nuk kanë ditur të flasin.
Vështirë mund të jeshë
pasqyrë magjike
për ata që prore
e pështyjnë vetveten
me emra të marrur zgripc
nga lindja e largët,
le të të quajnë
dreç me bishta
të mundohen t`a fshehin
origjinën e vet,
ty, bijtë e Yllit
kështu të patën quajtur
e prap atdhé i të parëve ke mbetur!…
DIELL E HËNË
I MBAJ NËN SJETULL1)
Kur mendojnë
se tashmë u kërrusa
e të zvarritem,
pa zë të thekshëm
nga zemra e tokës
çastet i munëroj.
Drejtohem dikur
si plep i gjatë i fjalëve
në një varg të gjelbërt
e i lëshoj të fluturojnë
zogjtë e pakrahasur të këngëve.
Djalë malsori jam
pak kryelartë,
shtegëtoj nëpër të gjitha plagët
e ua marr
të idhtit nëpër vargje,
ndërroj pak ngjyrë
e thinjem me përplasjet,
sepse, në jetë kur erdha
babai i shenjtë i kohërave
më këshilloi
prandaj, kurdoherë
Diell e Hënë i mbaj mbi vetull
Diell e Hënë
i ruaj nën sjetull!…
1) Me datën 01 maj 2015, kjo poezi e ka marrë çmimin e parë, në Festivalin e VIII traditional poetik, si disa poezi të tjera më parë, nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, në Bad Neuenahr, afër Bonn-it të Gjemanisë, i së cilës është poeti anëtar i Kryesisë.
UJDINA
Vi te shkëmbi kryesor
nga thellësa e viteve
me fuqinë e Mujit
i shoh fushat e gjëra
të mbetura me gurë e bar
deri te gurapeshku
nuk e lëvizin vitet
me dëshminë e Mujit…
Tani, shekujt po maten
kush e gjuan gurin më largë
deri në kohën tonë!…
Nga të dy anët e shoh
kodrën e lartë në maje të ultësirës,
e nga largë i ngjanë elefantit,
kur afrohem i vërej
tre burra të kohërave
me shpirt që përleshen-
i pari e ka zënë për kokë
i treti ia futë nga pas
ndërskëmbcën
në një përleshje të përjetshme…
Ndaluni o burra,
sikur u them
keni hypur mbi maje të kodrës
qe miliona vite
e prore përlesheni,
vendin tuaj e latë thatë
në atë fushë të gjërë
tej Tërstenës,
nëpër gjenerata e rrëfen
ujdinë 2) e lashtë ujdina-
ngrituni
e jepjani dorën njëri-tjetrit
se më plasi syri i shekujve
ndër lotë!
2) Në të folmen e hershme arbëreshe dhe gegërishte, fjala „ujdinë“ do të thotë d`akordim, ranë në ujdi, e bënë ujdinë, p.sh. kush po del i pari, kryesori, cili ka të drejtë… Burrat e ndajnë këtë pleqëri, prej paternitetit…
KASHTELLA
Kashtella
edhe sot të themi kështu,
kështjellë e paepur
e burrave në luftë.
Groponi në rrethinën e saj
se aty rri e heshtur
një kështjelllë ilire
me pak gjurmë të viteve
për t`ua shpërndarë
të gjithë shekujve
të vërtetën e bujshme
të qenies së vet
nga historia…
Nuk është Kashtella
kur janë ndërrar kohërat-
është fjalë e paepur
e yllirishtes së vjetër!
KËNGË E PREKSHME
Thepi i gurit
në maje të maleve dinarike
i bjen lahutës së shekujve
pa pushim
e kënga e tij e pandalur
shtegton
nëpër mileniume
i ka vardisur të ulur
shëmbinjtë e tjerë
varg e vi
deri në ultësirën e fjalëve.
E dëgjojnë pa zë
e pa vesh të gurëve
prej themelimit
të koncertit të maleve…
Nëpër këtë udhë bie
sa herë, trup e tërthor
i dëgjoj vargjet e pathëna
të një këngë të prekshme
me lahutë…
Kush e di
sa dhembje më zgjohen
fund e krye
e më zhdaraviten
me tonin melankolik
vargjet e kësaj kënge
që s`mund të thuhet
as në koncertin e sotëm!…
Autobahn Rijekë-Dubrovnik
03.05.2015
DORA ILIRE
Si të shpjegoj
emrin tënd,
nga shekujt zâ dhe arë
kanë qenë të parat
e që atëherë
të thërrisnin Zarë,
fushat të shtrihen
të mbetura shkretë,
ndonjë gjeth
me gjysëm shpirti
veten e mbanë gjallë,
e në fund të arave
merr frymë e ringjallet
yllirikja
me një vreshtë
që në ty kohërat i skuqë,
sepse arbërit
të japin jetë
kurdoherë
që të mos vdesësh-
kështu ke mbetur
të dëftosh
nga zemra e gurëve
dëshminë
për Zotin
e arat e shumta
që atëherë
presin me dhembje
dorën ilire!
Zadar, 03.05.2015
JASHTË KOHËS
Largë ndjenjave tuaja
largë të gjitha përpëlitjeve
largë shpurdhjes së pafund
largë mendimeve të veçanta
largë edhe prej të gjitha veprimeve
largë madje prej zgjedhjeve tuaja
largë çdo kohe vendimtare
largë edhe prej atdheut tim
largë ditëve të bardha pa mua
largë çdo gjëje që përsëritet
largë tërësisht prej çdo dite…
E pra, paskam lindur gabimisht
e ndodhem jashtë kohës!
EKZISTENCA E PAQENË
1.
Mëngjeseve
e mbrëmjeve
u kaloj pranë
nëpër shëtitoret e këtushme
me mendime të gjymta
të së kaluarës
e të ardhmes së grisur
nëpër duar,
pak lotë më rrjedhin
nëpër fjalët që ikin
parpritmas nga e tashmja
nëpër betejat e jetës
edhe të së kaluarës
me fytyrë të deformuar të qenies.
2.
A është e mundur
t`u kaloj pranë
nëpër ditë
pikëtakohemi në çdo çast
e nuk më shihni,
sikur nuk e mendoni
se po i ndal gabimet tuaja
për të mos u rrëshqitur
në humnera
të viteve,
e as nuk më faleminderoheni!
3.
E pra
nuk e di a ekzistoj
në këtë kohë
kur gjurmët me shlyen
e fjalët e mia
i ndjej
të përsëriten
nëpër gojët e tua
pa esencën e vet,
e kuptoj
se nuk kam qenë
as në ekzistencë
me portretin e shkalmuar!…
FLAKA E NDJENJAVE
Edhe njëherë
iu ktheve
Diellit të ëndërrave tona
kur i rash
pash më pash
lumit të thellë të ndarjes.
E kuptove
se i pate trembur zogjtë
me një curil të ftohtë
nga degët
kur pritnin ngohtësi
e u larguan
me përpëlitje
përtej qiellit të kaltër
të dëshirave…
Ja pse të thashë
me gojën e pafajsisë
në atë ëndërr
në atë zgjëndërr
ndonëse largë
qe hapisëra-
shkumb i bëri
flaka e ndjenjave!
Rapperswil,
26.02.2016.
TË FSHEHTAT E JETËS
Sa bëhësha gati
t`i merrja lehtas fluturat
befas më iknin
të fshehtat e jetës,
zigzakeve ecja këmbë
përpjetësave të mendimit
deri te kulmi i teposhtëzave
rrebtimës së dhembjeve
e nuk kisha kohë
të qetësoja zemrën
nëpër përplasjet e fjalëve
rrugëve të së drejtës…
Këmbët e ariut
të maleve tona
i sulja nëpër kryqendrat e botës
ndonëse freskia e lisave
më mungonte,
e nuk e di
si më erdhi kjo jetë
me fshehtësinë që nuk shihet,
mund të them
se kënga lindi me mua
e vaji nuk ndahet prej meje
derisa të vdes,
nuk dëgjohet
as kur shpirti vajton,
e kush e ndien ultrazërin
dhembjes së pafund,
e kotë është
kënga e vaji nuk dallohen!
NË BULËZIMIN E KËNGËVE
– Mbesës sime, Leonitës.
1.
Më duket
se më shikon
me pikëllim
përtej rrugëve të largëta
apo në luhajen tënde
vetëm
dikund
në parkun simbolik.
Ku e di çka kërkon
përtej bjeshkëve
në qiellin e fëmijërisë,
ndoshta po kërkon
gazin e tretur,
nuk mund t’a di
sa mbërrin mendimi yt,
dridhem
e plasi
në dhembjen
e mungesës sate!…
2.
Sa fotografitë tuaja
janë shtuar në vitirinë
sikur duan
të mi ndalin lotët
me buzëqeshjen e shtirë,
unë i shoh
sytë e etur të fëmijërisë
për të gjithë ate
që të mungon,
i shoh
të gjitha ato
që bulëzojnë
në driten e syve!…
3.
Atëherë
vetëm më ipet
përsëri të qaj
e pres
deri sa të rritesh
për gjërat
që nuk thuhen,
me bulëzimin
e këngës
së pakënduar
edhe nëse jam
përtej
jetës së përjetshme,
dije se gjyshi
të ka dashur
shumë
Leonita
e nuk ka pasur gjasa
të të mbërrij
me të mundshmen!…
DRAMË E PAPRITUR
1.
Ecë përtej
nëpër dhembjet
e humbjes sate,
e askund
assesi
të qetësoj vargun e lotëve.
Vazhdon
me lot gjaku
edhe pse
do t`a kisha fshehur
dhembjen e pamatur,
fëshfërinë
nëpër fushën e përlotur
frymë e fortë
derisa larg meje
shëndritë
pranvera
e nuk ndalet
breshërima e tij
as në muajin e gjatë
të humbjeve…
2.
Nuk e di
si dole aq partitur
duke përplasur fort
derën
e zemrës sime,
më fshive nga faqja
deri në Block,
trëndafilat e zemrës
rriteshin në shpirt
vetëm për ty,
e ku të gjëj
në këtë xhungël
të shpërfillur,
athua të vrau
vërtetë
sinqeriteti im?!…
3.
Bëhem përditë
fëmijë i ngashërimeve
e njerëzit
vetëm buzëqeshin
kur u kaloj përballë
me vrazhgat
nëpër faqe
që s`më ndalen nga vlimet.
Prita gjatë
të hapej dera
për rrezet e ngrohta,
nuk e di
a je dhembja
apo vdekja ime
brenda dhomës!…
4.
Tani
e nêmi veten
e vraftë Zoti i Madh
zemrën
që nuk më pëlcet,
desha të të shoh
vetëm edhe njëherë
me pamjen tënde,
po të thërras
me ëndërrat e rinisë
edhe pse
nuk më lajmëroshesh-
je bërë
gur Sizifi mbi mua!…
5.
E gjithë koha
me shkoi vetëm-
ku je moj lule
e sertë
e vetmisë,
a është vërtetë
idili i dashurisë
apo tragjedia e dhembjes,
më mirë
të kisha vdekur
e të mos i dëgjoja
akuzat e paqena
pranë varrit!…
Raperswil,
28.03.2016
KONTRAVERZA E DASHURISË
1.
Nuk e kuptoj
përse vinte ky mllef
papritmas
mbi dhembjen tonë,
vetëm pse e bëra
një paraqitje njerëzore
pranë thënies së njeriut
të personazhit që digjej
me dashurinë e paqenë
për një serbe?!…
Atëherë
vjelle vrerë,
papritmas vlove
uraganin e mllefit!
2.
Nuk e logaritja
se do të më marrësh
e do të më lësh
përtej dashurisë
me urrejtje pa shkak,
nuk lidheshin në një hu
atkojtë bardh e të zi-
i sjellte i yti
të zezat e fatkeqësisë
mbi atin e bardhë të dhembjes
e ai digjej i tëri
kundër armikut!…
3.
A është kjo
zonjë e bekuar
kontraverza e dashurisë,
e mirja dhe e keqja
nuk lidhen në një vend,
ku futet
dreçi i verdhë
nuk pushon engjulli
as uj nuk pi…
e dashuria
nuk ka vend për të dytë!
GABIMET FATALE
1.
Në vend se të prisja
përmirësimin e gabimeve tuaja
të kërkova falje
në emrin e Zotit
për dashurinë e ndezur
parpritmas
drejt qenies suaj!
Tri gabimet fatale
njëren pas tjetrës i bëre,
të katërtën e të pestën
nuk i numërova,
të tjerat zhdukeshin
nën orbitën e ndjenjave…
2.
Tani
nuk e di në cilin vend
mund të gjëj dashurinë
nuk e di në ç`masë
vlojnë ndjenjat
në moshë të pjekur-
e di se jam
zemër fëmije
lotin e dhembjen
i kam
nëpër ëndërrat e tretura!…
3.
Ti
e kthen të drejtën
nga të duash
e zbrazë mllefin
deri në çthuarje,
dashuria zverdhet
para fjalëve tua,
dhembja ime loton
gojën e mbylli
para Zotit!…
4.
I lutem Atij
të paguaj
ndjenjat e vërteta
edhe në qoftë se kam bërë
ndonjë gabim
nuk i shpëtoj
dënimit të tij,
ti, kënaqu
në botën e vizioneve,
nuk mund ta ndalësh
Diellin që na sheh
e nuk flet!…
SIKUR JETË
Sikur dritë,
dritë nuk është
shkëlqen
në shkëlqimin e zi
e të vjedh keqas
sytë
terr e dritë
dritë e terr
errësirë,
nuk duket asgjë
mjegull
xixëllimë
në mes të errësirës…
Koha e jonë qenka
e pakohë
të mashtron,
asgjë
nuk mund të shtoj
e as të mungoj
jetë i thënçin-
dimër në verë
e verë në dimër!…
Tiranë,
25.04.2016
FATZEZA TI
– H.M.
Dashuria e zezë
fat-skurrë,
fatzezë për mua
ishe ti,
fletënatën e shpërdaje
kudo
hapësirave të errta
edukatë nuk të kishte dhënë
as familja
ndonëse të thërrisnin
“zonjë e madhe”,
e dashuriçkat e shkurtëra
i ktheje për monedha
që të vërtiteshin
nëpër duar…
Ajme për lotët e derdhur
në javët e çuditshme,
nuk përballen me ty
çastet e mia
të bjerruna,
a mendon se do të kalojmë
nëpër gjyqin e Zotit
në jetën e gjatë,
atje
nuk bëjnë punë
gënjeshtrat e tua
fatzeza ti!