Nga Isak AHMETI
(Anton Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Il fulgore della belleza. Riflessioni poetiche sull’arte della parolla. Cosenza, Luigi Pellegrini Editore, 2014).
I. Vlerësime të përgjithshme
“Prushi i bukurisë” me nëntitullin:Përsiatje poetike për artin e fjalës , i Anton Nikë Berishës është një vepër poetike-artistike , e veçantë dhe origjgjinale , shumëkuptimore dhe me vlera shumështresore,është përsiatje poetike-estetike për artin e fjalës.Aty poeti përsiat mbi rëndësinë e fjalëve , mbi mënyrën se si ato përftohen e zgjedhen , vihen pranë e pranë njëra-tjetrës , ballafaqohen , qëndisen me mendje e zemër me qëllim që të kumtojnë gjëra të bukura , që krijojnë vepra të lartësuara , sublime që na ndihmojnë në pasurimin e shpirtit për të njohur më mirë veten dhe botën që na rrethon(Albana Alia).
“Prushi i bukurisë ” që është vlerësuar dhe çmuar lart nga studiuesit shqiptarë dhe italianë, është një poemë e përkryer , me elemente të theksuara estetike-poetike, për fjalën , për fjalën që trajtohet poetikisht në të gjitha dimensionet e saj.Fjala për poetin në fjalë është” dritë”, “himn” , “prush i heshtur” etj. Në këtë kuptim , prandaj , poeti këndon:
“Je drita e Hyjit që pareshtur lind
Je virgjëreshë joshëse që nuk di të plaket
Je himn i mrekullive që ndodhin
Je prush i heshtur që i ngroh
Je rrjedhë e ngrohtësisë së Diellit
Je bukuria vetë- dhuratë e Hyjit:
Je çekani dhe kudhra ku ribëhet jeta
Je zëri lashtësor i fjalëve – vesë e ylberit,
Je prehje e hirshme që përherë vetëlind
Je shprehësia e detit të mendimeve
Je reshje e bardhësisë së agimeve-
Je bukuri e stolisur e përfytyrimit,
Je lavdia mbresëlënëse e veprimit
Je plim i reve të bardha, kurorë nusërie
Je jehu i zërit të shqiponjave
Je heshtje që flet vijimisht
Je pengu i zjarrit të dashurisë
Je dëshmi e qenësisë së heshtjes
Je përsosja e kërkimit të plotënisë,
Je shpirti mistik i secilës lindje
Je përkëdhelje e pikërrimës së shiut.
Dhe jo rastësisht në Parathënien e librit të vet”Prushi i bukurisë”,që fillimisht është botuar shqip dhe italisht në përkthim të përkthyeses dhe studiueses Albana Alia, poeti do të shkruajë:
“Qenësia e letërsisë përligjet para së gjithash për njohjen që bën përmes artit, artistikes ,që është shumëfish më e qenësishme se njohja e zakonshme për arsye se ajo bëhet përmes strukturave tekstore-kumteve poetike , që janë rrjedhojë e përfytyrimit, e pasurisë së botës shpirtërore dhe mendore të krijuesit”.Në të vërtetë , forca e fjalës, vlerëson Giuseppe Napolitano , është si ajo flaka olimpike , hyjnore , fjala që bëhet letërsi “Je rrëfim që rrëfimin e nxit,/të kaluaren e afron dhe e bën të sotme/ i jep frymën e kohës konkrete;/je e sotmja e veshur me të nesërmen /për të qenë e mirëfilltë dhe ajo që vjen”.
Fjala artistike për poetin është art që mbetet përherë Bukuri e prushtë; ajo për poetin, konstaton G.Napolitano , është gjithçka : bukuri , esencë , dritë , burim ,dashuri , realitet , imagjinatë , mendim , përsiatje , magjepsje , pushtet , rizgjim i ndërgjegjes, freski , ujëvarë të detit , përkëdhelje e pikërrimës së shiut , shkëmbësi që i mbijeton shekujt , fuqi e dallgëve të detit , frymësia e parajsës , gurgullimë e ujit që buron nga zemra e tokës etj.
Vlen të theksohet se në traditën biblike Fjala apo Logos-i ekzistonte përpara krijimit , sepse i përkiste mendimit hyjnor që ,si e tillë, Hyji ua dërgoi njerëzve për t’ua shpallur mesazhin e shpëtimit dhe shi për këtë , i ndikuar dhe frymëzuar edhe nga Bibla ,poeti Berisha këndon “Përtej harrimit e pata djepin-Bukuri”. Në tekstin poetik të Anton Nikë Berishës gjenden edhe gjurmë intertekstuale, të dukshme (në kursiv) dhe të padukshme: me Biblën dhe vepra të autorëve që u përkasin epokave të ndryshme të cilët, nëpërmjet aforizmave, sikur kërkojnë të sjellin një kuptim plotësues të Bukurisë së Fjalës artistike në rrjedhën e amshuar (Albana Alia).
Poema “Prushi i bukurisë” si për nga mbarështrimi artistik , por edhe për nga qasja , nga ndërtimi dhe mënyra e shqiptimit lirik,del të jetë ndër poemat më të vlerësuara të poezisë sonë, duke përjetuar tri ribotime brenda një periudhe të shkurtër.
II. Struktura e poemës”Prushi i bukurisë”
Poema”Prushi i bukurisë” në katërmbëdhjetë këngë , në katërmbëdhjetë pamje-përfytyrime poetike , të bukurisë së artit të fjalës ,të cilave u shtohet në fund edhe një poezi e ndërtuar me të gjitha vargjet e para të çdonjërës duke formuar kështu edhe akrostikun Prushi i bukurisë.Poema në fjalë ka edhe nëntitullin:Përsiatje poetike për artin e fjalës , që vë në dukje argumentin poetik , një udhëtim në kërkim të Bukurisë.Për këtë lloj strukturimi poetik është thënë nga studiues të ndryshëm,shqiptarë dhe italianë, se është shfrytëzuar tradita poetike , se ndarjet janë sa vargjet e një tingëllimi(soneti); ato janë quajtur pjesë , pamje , këngë apo ndarje(Zimo Krutaj).
Katërmbëdhjetë vendndalimet edhe kësaj radhe , që nuk duket të jenë nxitur nga numri i vargjeve të një tingëllimi(soneti) sesa vendndalimve të Udhës së kryqit ,ku poeti i shtjellon poemat e tij të gjata , të ndara në pamje, pjesë , këngë ose kapituj , edhe pse ,siç vepron në pasqyrën e lëndës , me ç ‘ rast vargjet fillestare ,të katërmbëdhjetë vendndalimeve poetike , nga të cilët përbëhet libri ,me një titull dhe një nëntitull shumë dompthënes , përbëjnë një tingëllim , që mund të lexohet si një tekst poetik(G.Napolitano). Duke e veçuar një shprehje , një definim të sëcilës prej katërmbëdhjet pamjeve ose situatave , përftohet një sintezë(G.Napolitano), njëra nga mundësitë e shumta të mendimit të poetikës së Berishës ,të kuptimit të tij për poezinë e për bukurinë e fjalës ,të fjalës si subjekt dhe objekt i bukurisë:
“Fjala pushton kohën dhe hapësirën;fjala është çekani dhe kudhra ku ribëhet jeta ,/ ku brumosen përfytyrimet , shkëlqim i zjarrtë i mëshirës hyjnore,/që na e mban frymën,jetën;shkëndijë flakëruese e trurit, e mendjes, grishje e përjetim i bukurisë,/amzë e pasurimit të shpirtit nëpër mote,/çelës i artë i zbulimit të fshehtësive, ushqim i mendjes dhe i zemrës njëherësh ,gurrë e frymëzimit , muzikë e shpirtit “…Është me rëndësi të theksohet se vargje dhe strofa të tëra,thuajse në të gjitha këngët e poemës “Prushi i bukurisë” i janë kushtuar dashurisë , madje edhe vetë poema është shkruar në emër të dashurisë për fjalën , si një dëshmi që ngjiz e mbart e bukura në shpirtin e njeriut.
I shtjelluar në në katërmbëdhjetë pamje ,sa të veçanta aq edhe të pasura,kjo vepër e Berishës shpreh disa nga qenësitë që e kanë cilësuar artin e fjalës nëpër rrjedh të kohëve dhe që e cilësojnë edhe sot e gjithë ditën. Në këtë vepër,shkruajnë Albana Alia&Labinot Berisha, gjithçka shprehet nëpërmjet një strukture tekstore poetike skajshmërisht të përpunuar.
III. Në përmbyllje
Krejt në fund vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se vepra”Prushi i bukurisë” me kohë ka zgjuar interesimin jo vetëm të shkrimtarëve por edhe të studiuesve të letërsisë.Autorë dhe studiues të shumtë, shqiptarë dhe italianë, kanë shkruar për këtë vepër duke e cilësuar atë si përmendore poetike për artin e fjalës.Ekziston edhe libri “Prushi i bukurisë”-Një përmendore poetike ku janë përfshirë njëzet e gjashtë punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për veprën në fjalë.Autorët që kanë shkruar për këtë vepër janë:
Sergio Paolo Foresta , Prend Buzhala , Dante Mafia , Agron Tufa , Giuseppe Napolitano , Albana Alia , Enrico Bagnoto, Sabit Rrustemi , Francesco Fusca , Zimo Kurtaj , Gianni Mazzei , Fatmir Minguli , Gianni Antonio Palumbo, Eris Rusi ,Fiorella de Rosa , Beatriçe Balliçi , Alessandro Gaudio , Natasha Xhelili , Flavio Nimpo , Griselda Doka,Vincenzo Bruno , Hamdi Erjon Muça , Rosela Fusco , Mateo Pulizzi,etj