Hajdar Paçarada-Dumoshi
Në vend të recensuesit:
Mbresa e parë: Poet modern dhe prozator, vlerat poetike të cilit nuk komunikojnë lehtë me shijen ekzistuese, Pra, përballja e një shije me shijen e mjedisit.
Mbresa e dytë: Ideali estetik si synim parësor në prozën poetike të Meti Rexhepit…
Pikënisja
Pikënisja e analizës së një vepre letrare nga përmbajtja dhe forma e saj, zanafillën e vet e ka të lashtë, pikërisht tek “Poetika” e Aristotelit, që sot në Qytetërimin Perëndimor konsiderohet vepër fondamentale e mendimit teorik për letërsinë.
Stili
Stili është vetë autori, sikurse pohonte Alice Buffon. Mjafton që autori t’i përmbahet vetvetes dhe të ketë stil të veçantë, të ndryshëm nga stilet tjera. Tek shkrimtari Meti Rexhepi dallojmë fytyra fjalësh dhe mendimesh, që autorin e bën të veçantë.
Linjat
Linjat që Meti Rexhepi i heq zakonisht janë të buta, delikate, me një ndjenjë të përkorë. Ç`është më e rëndësishmja, brenda tyre zgjeron hapësirë atdhedashurie, humanizmi e adhurimi për mundësitë e pashfrytëzuara të njeriut:
a. zbërthimi i ngjitjes shkallë për shkallë drejt cakut dhe caku si i tërë ;
b. pasuria e fjalësit në prozën e Meti Rexhepit kristalizohet në përkimet që rrjedhin nga morfologjia nëpër shtratin e sintaksës;
c. stili i të shkruarit merr ngjyra kontrastesh figurative të mendimit reflektues;
ç. porosia për sojin njerëzor e shpie në një filozofi: të hysh në pleksjen e të bukurës me shëmtinë dhe, të dalësh prej të shëmtuarës me të bukurën, pa ia shqyer kostumet e bukura, kësaj të dytës nga gjembat e të parës;
d. teoria e zhurmuesve në vendet totalitariste, kushtëzoi situata të fundme ekzistenciale: “Kush do të ngadhënjente nëse iu dorëzua vetëvrasjes Flokëverdhi? Flokëverdhi a NKVD-ja?… “Lamtumirë miq! Shekulli si i tillë le të rrjedh pa mua!..” Cituar nga “Letra shkruar me gjak”, te “Kallinjtë e Çatisë” të autorit Meti Rexhepi.
Cilit lloj të shkrimit i përket kjo vepër? Vepra sikur kjo: a provokon qasje ndër-gjinore? Në fakt, vepra si e këtillë është cikël esesh të rreshtuar brenda prozës poetike.
Dallimi mes mençurisë dhe rrugës së mendimit filozofik, është si kontrasti mes jetës meditative dhe gëzimit, të qenies së kënaqur, që jeton edhe “pa meditim”; prej heshtjes së lexuesit dhe kolegëve, ose prej cilësdo arsye e shkasi, veçmas ose së bashku, kanë lënë vragë në shpirtin e Meti Rexhepit… Prej këtij shpirti nga i cili vjelim herë fruta të ëmbël ngushëllimi dhe dashuri Arb-dhetare, herë pemë të hidhura, që të bëjnë të rrudhësh gojën, kur përsëriste fjalët: jeta është e pakapshme…
Ai thotë: ja si jetoj: duke përsiatur për lajthitjet ciklike tekanjoze të jetës… I del përballë asaj, por bie nën tiraninë e saj, meqë guxoi t`i shkëpuste disa nga finesat e bukura; ndaj duhej t`ia paguante koston vetmisë… E lamë të vetmuar… Fillikat me lexuesin…Por, me cilin lexues? Me atë: lexuesin anonim… Me lexuesin e emëruesit të përbashkët: identifikimin. Ndoshta për unin e tij poetik mjafton edhe kaq?
Të thuash se Mehmetali Rexhepi është shkrimtar-filozof është njëkohësisht hakmarrje dhe teprim; sepse aq më tepër është këshilltar i mendimit, gjykues dhe ngushëllues i botës dhe njeriut… (Nëmët).
Kriza është bekimi më i madh për njerëzit dhe për kombet, sepse shtrëngesat e zgjerojnë, e thellojnë konceptin e kërkimit, vendndodhjen e rezervave të energjisë në shterpësinë e pretenduar…
Kreativiteti lind nga ankthi, ashtu sikurse dita lind nga nata e errët. Pikërisht në kohë krize bëhen shpikje, zbulime dhe strategji të papara. Kush e kapërcen krizën, kapërcen vetveten, pa mbetur pas nga të tjerët.
“Ata që ia atribuojnë dështimet dhe vështirësitë e tyre krizës, shkelin me këmbë talentin e tyre, dhe vlerësojnë problemet më shumë se sa zgjidhjet.”(A. Einstein)
Autori i këtij konteksti shkrimor në tërë krijimtarinë e tij, nuk dëshiroi përsëritje të gabimit, assesi shumëzimin tek të tjerët. Për këtë autor vlen pohimi: se këtë botë e bëri një Zot, unë nuk do të doja të isha Ai, as aty ku padija do të ma shkatërronte zemrën.
Nderi ideo-reflektues në veprën e Meti Rexhepit është ndërgjegjja e jashtme, gjithnjë pa u fshehur nga ndërvarësia e të brendshmes.
Postulatet e nderit shkrimtari objektivisht i ngre në lartësi të opinionit, për opinionin që të tjerët mund ta kenë për vlerat tona. Vështruar nga këndi subjektiv, shpërfaqet frika jonë nga një opinion i tillë… Mirëpo, vlerat tona do të na jepnin vetëbesim, vetëm nëse bëhen të krahasueshme me të tjerët. Kriteri krahasimtar është busull e orientimit tonë në hapësirë dhe kohë.
Sërish kthehemi te fillimi. Fillimi mbi themelin e çdo diturie është gjuha, etimoni, ajo që popujve ua mbanë gjallë kombin. Shtetet rrënohen e zhduken, por e vetmja që e shquan dhe e bën të identifikohet një etni është gjuha.
Meti Rexhepi në këtë fushë hap hulli dhe, duke lëvruar mbjell dhe kultivon fjalë e shprehje, të cilat e pasurojnë hambarin leksikor të shqipes.
Libri “Kallinjtë e Çatisë” ngërthen porosi, natyrisht arti poetik nuk zbërthen formula, ngase trajtat e zbërthimit përkojnë me qasjen diskurseve retorike dhe, stili figurativ nuk e dorëzon sovranitetin tek humbja e mëvetësisë. Midis skajeve të banalitetit, vrazhdësisë dhe fisnikërisë vegjeton autori.
Simfonia muzikale e tekstit
Proza poetike e Mehmetali Rexhepit është një univers, që i ngjan gjithkujt dhe askujt. Kur i ofrohesh të duket se është ndikuar nga ky ose ai shkrimtar, nëse futesh pak më thellë kjo bindje shkrihet dhe humbet në nismë dhe mbarim. Çfarë ka në të? Nisje pa një fund… Në fakt është një muzikë e ngrirë, e cila si krijim në letrat tona është origjinale. Vetëm nëse e gjen temperaturën e distancës intelektuale, ajo fillon të shkrihet në nota këndimi. Kënaqësia përjetohet brenda leksikut, brenda periudhave me ose pa pushimore të frymëmarrjeve meditative, të cilat e bëjnë të plotë si koncept-dije, apo simfoni instrumentale të gjitha kohërave, instrument gjuhe.
Këtë dukuri të krijimtarisë së këtij autori, deri më sot, kritika letrare nuk e ka vënë në pah, ose nuk ka mund t’ia zërë fillin e mënyrës së të shprehurit për prozën meditative në transedencën-kohë. Leksiku që e pasuron gjuhën me fjalë të përbëra, të njësuara në universin letrar, e ujisin aortën e quajtur gjuha shqipe.
Proza ”bukë e mjaltë” e Meti Rexhepit në disa raste ofron freski, vetëm për të pushuar lexuesi, për të marrë frymë në përballjen e ardhme me metafora të dendura, të zbërthyeshme jo për të gjithë, sikurse është proza e një modelimi të këtillë poetik.
Trajtimi i universit intelektual në krijimtarinë e Meti Rexhepit, fillon dhe mbaron në zanafillën e atdhe-dashurisë, por e shtruar në narrativen ndryshe nga proza e sotme dhe e djeshme shqipe.
Shtrohet pyetja: si duhet të gjendet filli i perit të mendimeve në këtë formë të shkruari?
Forma e të menduarit është spirale estetike-dije-poetike, e shtruar përmes fjalive të zgjeruara, paksa të lodhshme… Shfaq veçanti si në dendësi, ashtu edhe në përmbajtje, që përkon me thënien e Albert Camus: Qëllimi i një shkrimtari është, që të mos e lërë civilizimin të shkatërrojë veten. Një rruge të tillë rend edhe autori ynë.
Shkrimtari i kësaj qasjeje në krizën më të thellë të dijes njerëzore (Covid-19) shkruan; nuk i nënshtrohet krizës së përgjithshme njerëzore!
Përmbyllje përsiatjesh
E tërë proza është një pikturë me tablo, për të cilat nuk do të vlenin recensionet e klisheve të deritashme, asisoj që i hasim dendur në letrat tona. Recensioni i formës skematike nuk i bën nder kësaj mënyre të sprovës shkrimore. Të thuhet se tabloja është me këtë a atë ngjyrë, ritmet kanë atë ose këtë ton, është njësoj, sikur të thuash se nga pentagrami i kompozimit, nga nota do deri në do, notat përbrenda janë të njëjta! Një përkufizim absurd! Dialogu mund të ketë ngërthesa të mbyllura, por dhe sipërore, të thella a të cekëta:
“- Në filozofi mund të hysh i ri e të dalësh i plakur…
– Por mund të hysh plak e të dalësh fëmijë!…” (Modeli i lëneshës)
Pra, të lexosh e ta shijosh ashtu si është shkruar, me përjashtimin vetëm nëse e gjen çelësin; mirëpo, jo çfarëdo çelësi recensionesh mund të jetë i saktë, në kuptimin kreativ, për të hyrë në laboratorin e shkrimtarit, pasi që brenda është një univers shumë shtresor, i cili ka vend për të gjithë dhe për askënd… Nga ky postulat del refuzimi i kuptimit të injorancës.
Periudhat në prozën poetike të Meti Rexhepit janë sikur “Rruga e Qumështit”, sa më thellë të futesh, aq më tepër fundosesh në bukurinë e shtjellimit, të përshkuar si lot i vakët nga syri, djersirë e ftohtë nga balli… Termometër temperaturash… Loti ndjell gjendje valësh të trazuara: edhe gëzimet e hidhërimet janë njësoj të shqetësuara… Djersa mendja-dija, mundi burojnë nga një natyrë njerëzore tejet e shqetësuar… Pikëmbështetjen e llozit të kërkuar nga Arkimedi për ta lëvizur botën, ky prozator e gjeti në truallin e hartës së shqyer të etnisë. Ndoshta kjo nuk do të ishte pika më e fortë për llozin e Arkimedit, por padyshim për poetin Meti Rexhepi është pikë-gjetje e referencës, e lajtmotivit në rrjedhën e shtjellimit të autorit.
Kjo mënyrë e të shkruarit është e pakët, për të mos thënë e mangët në letrat e shqipes.
Shkrimtari Mehmetali, iu referuam Meti Rexhepi, është origjinal. Shtjellimi letrar është prodhim shpirtëror i tij. Gjithnjë kur merret me të shkruarit eseistik, po jo dhe me atë procedim të rrëfimtarit, mbase kështu do ta ndiqte udhën e kallëzimtarit, ndërsa në këtë udhë densiteti i prirjes tij do të ishte më i ulët.
Seneka-Plaku thoshte: Jepu udhëzime vetëm atyre personave, që kanë gjetur dijen, pasi kanë zbuluar injorancën e tyre.
Prishtinë, më 10 nëntor 2020