PROZA E MIGJENIT

0
11207

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Problematika, që trajtoi Migjeni në tregimet e në skicat, ishte ajo që trajtohej në publicistikën dhe në prozën përparimtare të kohës. Ndryshimi qëndron në zbërthimet e thella dhe përgjithësimet e mëdha të Migjenit, në krijimet me një nivel shumë të lartë artistik. Me Migjenin tregimi i realizmit kritik shqiptar njohu kulmin e tij. Tregimet “A don qymyr zotni?”, “Studenti në shtëpi”, “Të çelën arkapijat”, “Historia e njenës nga ato”, “Qershijat”, “Bukën tonë të përditshme falna zot”, në të cilat pasqyrohet jeta e fshatit dhe qytetit shqiptar në problemet më thelbësore dhe dramatike të saj, qëndrojnë përkrah poezisë së tij më të mirë. Migjeni është krijuesi I vetëm i letërsisë sonë të së kaluarës që u shfaq me të njëjtën forcë artistike si në poezi ashtu edhe në prozën e shkurtër. Me tregimin e tij në letërsinë shqiptare motivohet për herë të parë plotësisht në art problemi i shkatërrimit të personalitetit të njeriut në kushtet e një shoqërie despotike.

Në tregimet e skicat, ashtu si edhe në poezitë e tij rrihet vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore kushtëzohet nga jeta materiale, se vlerat shpirtërore e morale shkatërrohen në kushtet e mjerimit e vuajtjeve të shumta të jetës së shtresave të varfëra. Me dhembje e revoltë ai tregon se si dinjiteti legjendar i malësorit, nderi i malësores, dhe i qytetares së varfër kanë marrë fund në luftën për ekzistencë në vështirësinë për t’i siguruar fëmijës një cope bukë a për ta shpëtuar nga vdekja.

Personazhi i prozës së Migjenit është punëtori i papunë, malësori që i ka harruar hyjnitë e tij dhe i përgjërohet kokrrës së misrit, nëna që mallëkon pjellën e vet e që detyrohet të shesë vetveten, e reja dhe i riu të cilëve jeta patriarkale, me ligje e norma mesjetare, u than ndjenjat, shpresat dhe ëndrrat rinore. Në tregimin e tij Migjeni trajtoi problemet më të rëndësishme të kohës dhe u bë shprehës i kontradiktave të saj.

Personazhet e tij janë tipizme të plota të një shtrese të caktuar të shoqërisë së kohës. Ai nuk i përshkruan ato, por i krijon me anë të zbërthimeve të thella psikologjike, nëpërmjet detajeve.

Personazheve të tilla si malësorja (“A dol qymyr zotni”), Nushi dhe Agla (“Studenti në shtëpi”), ose Bakalli (“Të çelen arkapijet”) e Kola (“Bukën tonë të përditshme falna sot”), janë dhënë me forcë të rrallë artistike. Pjesën më të madhe të krijimtarisë në prozë të Migjenit e zënë skica dhe fejtoni.

Në këto krijime të rëndësishme realiteti është pasqyruar me shumë larmi dhe mjeshtëri artistike. Në prozën satirike të tij Migjeni herë kalon nën trajtim konkret të problemit të mjerimit, papunësisë, të mohimit të mëshirës kristiane e artit për art.

Një refren i qytetit tim, Mollë e ndalueme, Në kishë, Luli i vocërr, Zoti të dhashtë etj.
Në krijimtarinë e Migjenit kufijtë midis skicës e tregimit shpesh humbasin. Forma origjinale e mendimit të tij, ironia e sarkazma therëse e sidomos monologue dramatik, bëhen te skicat shprehëse të konflikteve të rëndësishme shoqërore e politike të kohës.

Prandaj mjaft nga skicat, ku ka edhe portrete të realizuara, është vështirë t’i dallosh nga tregimi.
Tregimi i tij, bashkë me atë të Kutelit, shënojnë një periudhë pjekurie të letërsisë sonë, sepse individi filloi të vështrohej gjithnjë e më gjerë në një raport të përcaktuar me jetën politiko-shoqërore.