Provokatori antikosovar nga Vjena

0
458

Zëvendëskancelari i Austrisë Heinz-Christian Strache ka deklaruar se «Kosova është pjesë e Serbisë». Kjo është po aq e vërtetë sa të thuhet: «Vjena është kryeqytet i Perandorisë Osmane».

Osmanët ëndërronin të pushtonin Vjenën, disa nacionalistë serbë vazhdojnë të ëndërrojnë pushtimin e Kosovës.

Megjithatë, autoritetet në Prishtinë duhet të reagojnë ashpër ndaj provokimeve të ekstremistëve politikë si Strache.

Por kur padroni i ri i Ministrisë së Jashtme të Kosovës thotë se «Serbia nuk duhet ta njohë patjetër pavarësinë e Kosovës», askush nuk duhet të befasohet se kjo i trimëron kundërshtarët e pavarësisë edhe përtej Serbisë.

Nga Enver Robelli

Ishte vetëm çështje ditësh kur një gazetë e Beogradit do t’i merrte një intervistë Heinz-Christian Straches, shefit të FPÖ-së austriake, një grupi politik të ekstremistëve të djathtë. Në qeverinë e re të Austrisë Strache është nënkancelar, pra zëvendës i kancelarit (shefit të qeverisë), Sebastian Kurz, i cili është kryetar i Partisë Popullore (ÖVP).

Në intervistën dhënë «Politikës» së Beogradit Strache citohet të ketë thënë: «Kosova pa dyshim është pjesë e Serbisë». Ai në muhabet me gazetën serbe tregoi se si partia e tij FPÖ e ka kritikuar ashpër njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Austria.

Megjithatë, edhe për një popullist si Strache është e qartë se pavarësia është fakt që, sipas tij, s’mund të ndryshohet.

Të dielën Strache ka udhëtuar në Beograd, ku do të takohet me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Deklarata e Straches se Kosova i takon Serbisë mund të trajtohet në aspektin humoristik. Për shembull: ajo është po aq e vërtetë sa kur thotë dikush se «Vjena është kryeqytet i Perandorisë Osmane».

Megjithatë, deklarata e Straches është e rrezikshme, sepse tani, pas hyrjes së partisë së tij në qeveri, ai flet si zëvendëskryeministër i Austrisë dhe jo vetëm si adhurues i Vladimir Putinit, si shtegtar i dikurshëm nëpër skenën neonaziste, si politikan që dëshiron të marrë votat e diasporës së madhe serbe në Austri, si kritik i Bashkimit Europian dhe si politikan i ekstremit të djathtë.

Siç dihet Perandoria Osmane nuk arriti ta bëjë Vjenën kryeqytet dhe në fund u zhduk në histori. Edhe ëndrra për Serbinë e Madhe, të shtrirë nga Karllobagu në bregdetin kroat deri në Durrës e Selanik, është shkarkuar në bërllokun e së kaluarës së përgjakshme.

Luga e ndryshkur me të cilën Vojislav Shesheli bashkë me Toma Nikoliqin dhe pionierin e tyre Aleksandar Vuçiq dëshironte t’ua nxirrte sytë kroatëve, mund të ekspozohet në Muzeun e Marrëzive Nacionaliste Serbe të dy shekujve të fundit.

Ndonëse edhe për Strachen duket se është e qartë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, ai në intervistën dhënë «Politikës» së Beogradit ka kërkuar që serbët e Kosovës të gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes apo autonomisë.

Këto deklarata janë në harmoni me agjendën e Beogradit: së pari ndarja e Kosovës (dhe për këtë projekt kryetari serb Vuçiq po kërkon partnerë shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë), pastaj ndarja e Bosnjë-Hercegovinës.

Politikanë të FPÖ-së janë mbështetës të mëdhenj të Milorad Dodikut, shefit të të ashtuquajturës Republika Srpska, i cili prej vitesh angazhohet për ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës. Sivjet, më 9 janar, kur serbët e Bosnjës shënuan ditën (antikushtetuese) të themelimit të Republika Srpskas, Dodiku e dekoroi Strachen me urdhrin e Republika Srpskas. Në manifestimin nacionalist në Banjallukë mori pjesë shefi i Grupit Parlamentar dhe nënkryetari i FPÖ-së Johann Gudenus.

Ai e pranoi edhe dekoratën në vend të shefit të tij Strache. Afërsia e Gudenusit ndaj Banjallukës nuk është vetëm politike: vitin e kaluar ai u martua në Banjallukë me Tajana Tajçiqin, një serbe me origjinë nga Bosnja, e cila jeton në Vjenë.

Sa i përket dekoratës: para Straches me teneqe të tilla nga Dodiku janë shpërblyer edhe Radovan Karagjiqi, Ratko Mlladiqi dhe Sllobodan Millosheviqi.

Pas deklaratës së Straches se Kosova na qenkësh pjesë e Serbisë nuk duhet pritur ndonjë ndryshim të politikës austriake ndaj Kosovës. As tërheqje të njohjes. Kancelari Kurz, presidenti Alexander Van der Bellen, socialdemokratët e SPÖ-së në opozitë dhe parti e grupe të tjera me njohuri për historinë e Ballkanit do ta injorojnë deklaratën populliste të Straches. Ministrja e Jashtme Karin Kneissl, e cila është jopartiake, por në qeveri ka hyrë si kandidate e FPÖ-së, është përkrahëse e të drejtës së vetëvendosjes së popujve dhe para disa vitesh ka shprehur dukshëm simpati për pavarësinë e Katalonisë.

«Republika e Katalonisë? Jo vetëm në Ballkan lindin shtete», shkroi ajo në një editorial të botuar në gazetën «Die Presse».

Me atë rast ajo bëri një paralele mes Katalonisë dhe Sllovenisë. Kneissl ka raportuar me vite të tëra nga Sllovenia si korrespondente e «Die Presse».

«Si do të ishte nëse Katalonia do ta shpallte veten të pavarur me referendum dhe ditën tjetër do të kërkonte hyrjen në BE?

A do të refuzohej një vend i tillë demokratik, i cili ekonomikisht është më shumë se i aftë për të mbijetuar? BE negocion madje edhe me Kosovën!», shkroi Kneissl.

Megjithatë, deklarata e Straches nuk duhet të injorohet në Prishtinë. Kjo deklaratë trimëron edhe kundërshtarët e tjerë të pavarësisë së Kosovës në Europë. Provokimet e tilla nga popullistët e Vjenës kanë qenë të pritura, sepse vendosmëri për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës nganjëherë nuk shihet as nga vetë ata që në Prishtinë kanë grabitur poste me një grusht vota dhe bëhen sikur përfaqësojnë Republikën e Kosovës.

Për shembull: kur padroni i ri i Ministrisë së Jashtme të Kosovës për mediat italiane thotë se «Serbia nuk duhet ta njohë patjetër pavarësinë e Kosovës», askush nuk duhet të befasohet se kjo i trimëron kundërshtarët e pavarësisë edhe përtej Serbisë.

Strache i jep vetes të drejtë të flasë edhe për dizajnimin e territorit të Kosovës, flet për parimin e vetëvendosjes për nja 60 mijë serbë në komunat veriore të Kosovës, për autonomi dhe për sjellje «të pamëshirshme» të Kosovës ndaj pakicës serbe.

Provokimi i Straches kundër Kosovës është edhe një shembull se si mediat e Beogradit arrijnë të bëjnë politikë. Intervista e Straches të dielën u citua gjerësisht nga gazetat në Austri, nga agjencitë dhe televizionet gjermane dhe mediat në Ballkan.

Me çka merren mediat e Prishtinës, Tiranës dhe Tetovës? Me luftërat e përditshme meskine politike, me debate mes tregtarëve të flamujve, me statuset e politikanëve në Facebook – kuptohet brenda horizontit provincial.

A keni parë ndonjë gazetar të Prishtinës apo Tiranës që viteve të fundit ka shkuar në Berlin, Paris, Londër apo Vjenë të intervistojë një politikan të nivelit të lartë? Apo ndonjë veteran të pensionuar të politikës?

Apo ndonjë gjeostrateg a politolog? Nëse Strache flet për të drejtën e vetëvendosjes të 60 mijë serbëve të veriut të Kosovës, si do të ishte nëse do të gjendej një politikan perëndimor, i cili do të thoshte: «Ngadalë, e për 600 mijë shqiptarët e Maqedonisë a vlen parimi i vetëvendosjes? Për 100 mijë shqiptarët e Preshevës?» Nuk duhet pasur iluzione.

Edhe pas provokimit të Straches mediat shqiptare në trekëndëshin Suharekë-Strugë-Sarandë do të vazhdojnë të bëjnë atë që tashmë janë mësuar ta bëjnë: gazetari nga tavolina apo – edhe më keq – nga kafehanet.

(Nuk është se të gjitha mediat janë para falimentimit. Drejtori i televizionit publik këto ditë po krekoset se ka shkuar në Korenë e Jugut ku po mbahen Lojërat Olimpike.

Me paratë e harxhuara nga ky udhëtim në Lindjen e Largët me siguri do të mund të bëhej ndonjë punë më e mençur publicistike. Por kjo le të mbetet si fusnotë në këtë shkrim).

Sa i përket Straches: ai qëmoti është pozicionuar si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, të cilën e quan «zemër të Serbisë», madje ai ka bartur edhe një T-Shirt me shënimin: «Kosova është zemra e Serbisë» dhe ka marrë pjesë në tubime në Beograd kundër shtetësisë së Kosovës.

Për të treguar afërsinë me ortodoksinë serbe, Strache bart në dorë një «brojanica», njëfarë tespihe-byzylyku që e bartin sidomos popët ortodoksë dhe besimtarët e përkushtuar. Strache po ashtu është deklaruar si adhurues i muzikës së Cecës, ish-gruas së kriminelit të vrarë të luftës Arkan.

Gjatë një koncerti në Vjenë Strache bëri disa fotografi me divën e turbo-folkut serb, të cilat i postoi edhe në Facebook. Strache po ashtu është vizitor i shpeshtë i «zhurkave serbe» në Vjenë.