PROTESTAT E STUDENTËVE – MAJ ’68

0
716

Shpërthimi botëror i fundit i energjisë utopiste

Xhelal Zejneli

Në vitet ’60 të qindveçarit XX kishte një numër të madh trazirash studentore në mbarë botën. Më 1964, nga Universiteti Berkley i Kalifornisë nisi të përhapet lëvizja për lirinë e fjalës (Free Speech Movement). Në ShBA, lufta në Vietnam ka qenë pretekst i drejtpërdrejtë i pakënaqësisë. Pos kësaj, zezakët synojnë t’i realizojnë të drejtat e veta. Trysnia e shtetit ndaj radikalëve të majtë, në atmosferën e luftës s ftohtë, ishte e madhe.

Këtu duhet përmendur edhe LSD-n. Hipikët proklamojnë revolucion politik por edhe revolucion të brendshëm. Anëtarët e Lëvizjes Bit duan mënyrë hedoniste të jetës. Veprojnë edhe Panterët e zinj, organizatë afroamerikane që predikon socializëm revolkucionar. Përhapen kultura masive, flokët e gjata. Nga kjo doli ajo që u quajt E majta e re.

Lind një lëvizje spontane e pastrukturuar e cila mori forma të ndryshme, por që kishte një qëllim të përbashkët – utopinë. Thelbësore për këtë lëvizje është zhvillimi i kontrakulturës, kulturës së re e cila i kundërvihet kulturës s vjetër. Kjo lëvizje është kundër që politika të jetë mënyrë e jetës.

E majta e re e ripërkufizoi nocionin e revolucionit, nocionin e subjekteve revolucionare dhe nocionin e jetës. Kthesat e bëra atëherë, ndjehen edhe sot.

Një lëvizje qytetare u shfaq në Irlandën Veriore. Konflikte dhe demonstrata pati në Milano, në Torino, ndërsa jeta normale në Romë u paralizua. Shpërthejnë protesta në Spanjën e Frankos – në Barcelonë, në Madrid. Në mars shpërthejnë protesta në Poloni. Vala e revoltës përfshin edhe Brazilin. Më 4.4.1968 u vra luftëtari i të drejtave qytetare Martin Luter King, Junior (1920-1968) i cili më 1964, në moshën 35-vjeçare mori çmimin Nobel për paqe.

Vrasja e këtij kleriku baptist shkaktoi trazira në 100 qytete të ShBa-së, përfshi edhe Uashigtonin. Shpërthejnë protestat edhe kundër luftës në Vietnam dhe sagregacionit. Në Siudad-Meksiko, një javë para se të fillonin Lojërat olimpike verore, policia vrau 78 demonstrantë. Protestat shpërthejnë në Tokjo, në Berlin, në Paris, në Beograd, në Zagreb. Në aspektin kohor, por edhe për nga energjia e vet, në këtë varg protestash mund të përfshihet edhe “Pranvera e Pragës”. Vala e ’68 ishte edhe kundër komunizmit sovjetik.

Më 27 nëntor 1968 demonstrata të fuqishme me kërkesa kombëtare, politike, ekonomike, sociale, kulturore shpërthyen edhe në Prishtinë si dhe në qytetet e tjera të Kosovës. Më 22 dhe 23 dhjetor demonstrata të fuqishme pati edhe në Tetovë.
Planeti nisi të vlojë. Të rinjtë kërkonin ndryshime.

* * *

Shkolla e Frankfurtit ushtroi ndikim të fuqishëm te studentët. Ata i përcillnin me vëmendje ligjëratat e filozofit dhe të sociologut gjerman Teodor Adornos (1903-1969), të Harkhajmerit apo të filozofit amerikan të lindur në Gjermani – Herbert Markuzes (1898-1979). Ushqeheshin nga veprat e filozofëve dhe të shkrimtarëve të mëdhenj – të Zhan-Pol Sartrit, të Martin Hajdegerit. Përplaseshin ndër vete për Marksin, Gjergj Llukaçin dhe Ernest Blloh-un.

Markuze ishte figurë e shquar e Shkollës së Frankfurtit, shkollë e filozofisë që merrej me rivlerësimin e Marksit. Më 1933 e la Gjermaninë dhe u vendos në ShBA. Sipas tij “ndryshimi revolucionar mund të vijë vetëm prej elitave të tjetërsuara, të tilla si studentët”.

Protestat e ’68-s paraqesin shkallëzim të konfikteve sociale në mbarë botën. U protestua edhe kundër elitave ushtarake dhe burokratike. Një numër i madh i demonstarntëve u vranë, u plagosën dhe u arrestuan nga forcat policore dhe ushtarake të pushtetarëve.

Filozofë, sociologë dhe historianë prominentë thonë se shkaqet dhe rrënjët e revoltës së ’68-s ndodhen thellë në të kaluarën, revolta ndërkaq vazhdon edhe sot. Lindi miti mbi veçantinë e ’68-s.

* * *

Zëri i protestës vjen nga Sorbona – Pesëdhjetë vjet kanë kaluar nga ngjarjet e majit dhe të qershorit të vitit 1968 të cilat e ndryshuan rrënjësisht shoqërinë tradicionale të fishkur franceze të asaj kohe. Ishte një kohë kur në shoqëri mbizotëronin konceptet autoritare dhe konservatore të vjetruara. Për të nxjerrë përfundime thelbësore për revoltën e majit të ’68-s së shekullit XX, vlerësimin duhet ta bëjnë historianët e Evropës.

Pjesëmarrësit e ngjarjeve të majit të ’68-s, atëherë u ballafaquan me gogolin e deriatëhershëm të shoqërisë së mbyllur – me autoritetin – deri në atë masë, saqë vetëm të kujtuarit e majit të ’68-s në Francë, edhe pas disa dekadave ndillte ose respekt të thellë ose urrejtje.
Ndonëse bota sot dallohet shumë nga ajo e para gjysmë shekulli dhe nuk ka ngjashmëri të madhe me rrethanat që çuan në protesta masive, në ato ngjarje ka do gjëra që janë mjaft të ndërlikuara dhe të pathëna, të cilat edhe në raportin e sotëm të forcave nuk do të zbardheshin plotësisht.

Sociologu, kulturologu dhe filozofi francez Edgar Moren (1921-) majin e ’68-s e konsideron “ngjarje sfingë” për arsye se sot e kësaj dite është një enigmë e madhe. Sipas tij ’68-a nuk është revolucion i vërtetë për arsye se revolta nuk kishte për qëllim shembjen e drejtpërdrejtë të pushtetit, por është më shumë se valë e cila papritmas u ngrit nga thellësitë e oqeanit dhe iu përplas së labërguar duke i shkaktuar plasaritje nëpër të cilën ende pak nga pak depërton uji. Në vitin 1992 E. Moreni nëpërmjet gazetës Le Monde i dërgoi letër të hapur Dobrica Qosiqit me të cilën e konsideronte si njërin nga përgjegjësit kryesor të luftës në Bosnjë dhe Hercegovimë.

Sot mbizotëron mendimi i përgjithshëm se revoltat e majit dhe të qershorit të ’68-s bëjnë pjesë në radhën e ngjarjeve të cilat e kanë karakterizuar historinë bashkëkohore të Francës, si rrallë ngjarje tjetër. Revolta e cila kishte karakter spontan e bllokoi për disa javë krejt Francën dike e treguar natyrën e vet kryekëput social, ekonomik, kulturor dhe politik.

Revolta ishte e drejtuar në radhë të parë kundër një shoqërie tejet konservatore e cila vazhdonte t’i respektojë traditat, prej kohësh të tejkaluara. Revolta ishte e drejtuar edhe kundër gjeneral Sharl dë Golit (Charles de Gaulle, 1890-1970). Duke qenë dhjetë vjet president i Francës (1959-1969), një pjesë e popullsisë ishte gjithnjë më i pakënaqur me politikën e tij.

Kriza e majit e zgjoi popullsinë, e cila e përgjumur nga sukseset shoqërore dhe ekonomike të të ashtuquajturës periudhë e “Tridhjetë të famshmëve”, tanimë nisi të kuptojë se koha e prosperitetit ka përfunduar.

* * *

Të parët që u ngritën në protestë ishin studentët e Parisit. Në mars u tubuan nëpër fakultete. Më pas lëvizja e bëri për vete edhe klasën punëtore si dhe kategoritë e tjera të popullsisë në mbarë Francën. Kjo i shkaktoi revoltat sociale më të mëdha në historinë e vendit.

Sistemi arsimor i Francës nuk ishte ndryshuar që kur Napoleoni e kishte rihapur Sorbonën në vitin 1808, pas Revolucionit Francez. Profesorët i lexonin me zë leksionet e vjetruara dhe gjithmonë të njëjta, në sallat pa nxehje të mjaftueshme. Protestat ishin të pashmangshme. Në vjeshtë të vitit 1967 10.000 studentë të Nantit – degë e Sorbonës në afërsi të Parisit, ngritën zërin e protestës kundër shërbimeve jopërkatëse në universitet.

Mirëpo, ngjarjet e ’68-s udhëhiqeshin nga lëvizja e pazakonshme e studentëve dhe e punëtorëve, e cila prej 50 milionë banorëve të Francës së asaj kohe, 11 milionë i nxori në grevë të përgjithshme dymujore. Punëtorët kishin vetëm kërkesa materiale – paga më të mëdha, studentët ndërkaq kërkoni kushte më të mira nëpër fakultete, duke shprehur njëherazi edhe pakënaqësi ndaj regjimit të Dë Golit. Në forma të ndryshme, demonstratat e majit manifestuan revoltë kundër çdo lloj autoriteti.

Pjesëmarrësit dhe studentët kërkonin liri morale. Një prej kërkesave të para kishte të bënte krijimin e konvikteve studentore të përziera dhe lejimin e vizitave të meshkujve në dhomat studentore të femrave. Punëtorët ndërkaq ua refuzonin dëgjueshmërinë punëdhënësve rigoroz dhe të rreptë.

Përgjithësisht, studentët e vunë në dyshim shoqërinë konsumatorë, sistemin e arsimit, kapitalizmin, pjesën më të madhe të institucioneve shtetërore si dhe vlerat tradicionale. Me fjalë të tjera, studentët kundërshtuan dhe mohuan çdo gjë që deri atëherë as që ka mundur ndokush ta mendonte.

* * *

Megjithëkëtë, në ngjarjet e Francës ndikuan një mori rrethanash në mjediset studentore dhe në ato të punëtorëve anë e kënd Evropës dhe botës, siç ishin protestat tronditëse në Gjermani, në Itali, në ShBA, në Japoni, në Meksikë ose në Brazil, kuptohet edhe në Çekosllovaki gjatë asaj që u quajt “Pranvera e Pragës”. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një front të gjerë.

Specifika e Francës dhe trashëgimia e majit të ’68-s qëndron në faktin se demonstratave masive të studentëve, më 13 maj iu bashkëngjitën edhe të gjithë punëtorët në grevën e përgjithshme. Ndërkohë mbahej një numër i madh i tryezave të rrumbullakëta nëpër të cilat ditë e natë debatohej për ngjarjet, organizoheshin kuvende të përgjithshme, debate, seanca joformale – nëpër rrugë, në fabrika, në shkolla, në fakultete, nëpër teatro, madje edhe nëpër muze.

Bazuar në trashëgiminë e atyre ngjarjeve dramatike, edhe sot në Francë e praktikojnë të mbajnë debate dhe të shtjellojnë tema të
rëndësishme, jo vetëm nëpër mediume por edhe në vende të tjera publike, mu si në ’68-n.

Lidhur me shkaqet e revoltës më të madhe të historisë së shekullit XX në Francë, që në krye të herës u bënë analiza të shumta kontradiktore dhe interpretime të ndryshme. U analizua sidomos trashëgimia e protestave, përkatësisht ndikimi i tyre në jetën e përgjithshme në të ardhmen.

Vrulli i lëvizjes së ’68-s ndikoi në mobilizimin masiv gjatë viteve ’70 sidomos në planin e politikës ekologjike dhe të pozitës së femrës.

Edhe pse pa rezultate politike konkrete, megjithëkëtë ngjarjet e ’68-s luajtën një rol të rëndësishëm në planin social dhe kulturor, duke ndikuar në një seri reformash në jetën e përditshme: sigurim social më të mirë, reformë në sistemin e arsimit, evolucion midis gjinive dhe vetvetiu edhe emancipim të femrës, legalizim të grupeve homoseksuale dhe të komuniteteve të tjera.

Në lëvizjen që ngërthente në vete ideal politik tejet liberal, të paktën kur është fjala për liritë individuale dhe për kritikat ndaj shoqërisë konsumatorë, autoritetit dhe imperializmit u theksuan sidomos problemet e përditshmërisë të grumbulluara që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.

Ndonëse atëbotë nuk flitej për udhëheqësit e revolucionit, më vonë një numër figurash i shquan si veprimtarë të atëhershëm të lëvizjes studentore, siç janë sociologu Serzh Zhili apo Daniel Kon-Bendit, të ashtuquajturit filozofë të ri – Bernard Anri Levi (1948- ), filozofi francez Andre Glyksman (1937-2015), Kristian Zhambe, Gi Lardro, shkrimtari Rober Merl (1908-2004) dhe profesoresha e letërsisë krahasuese në Universitetin e Nju-Jorkut Kristin Ros (1935 – )

Filozofi dhe eseisti i njohur, admirues i revolucionit kuban – Rezhis Debre (Regis Debray, 1940), dhjetë vjet pas ngjarjeve shkroi se ngjarjet e majit të ’68-s janë larg asaj për t’u cilësuar si revolucion. Ato në të vërtetë i shërbyen modernizimit të sistemit kapitalist dhe amerikanizimit të shoqërisë. Në librin “Pjesëmarrje modeste në fjalimet dhe në ceremonitë zyrtare të ditëlindjes së dhjetë” të botuar në vitin 1978, Debre shkruan: “Liria morale dhe emancipimi ishin vetëm instrumente që i nevojiteshin borgjezisë së re financiare për ta dërguar në harresë borgjezinë shtetërore të ashpër dhe arkaike dhe për ta shuar idenë për kombin, për pavarësinë, për klasën punëtore dhe për revolucionin”

* * *

Njëzet vjet pas ngjarjeve të ’68-s, trashëgimia e lëvizjes studentore dhe të punëtorëve mori një kthesë të re në akuzat e studiuesve. Sociologu Gi Hokengen, në vitin 1986 shkruan: “Një pjesë e atyre të cilët morën pjesë në protestat e ’68-s, i tradhtuan idealet dhe kaluan në anën e të majtës neokapitaliste në pushtet”.

Ndërkaq, që nga fundi i viteve ’90 (të shekullit XX) e deri më sot, gjithnjë e më të rrallë janë mbrojtësit e frymës së ’68-s. Zhan-Pjer lë Gof ngjarjet e asaj kohe i vlerëson me një pesimizëm të madh. Në vitin 2001 ai shkruan se “ëndrra për barazinë sociale për të cilën aq shumë u përpoqën para më se tri dekadave, është shuar plotësisht. E majta që është dhënë pas havjarit dhe luksit është fajtore për zhvillimin individualizmit në shoqëri dhe të një lloji të ri të konformizmit”.

Pikërisht kur ishte duke u qetësuar polemika rreth ’68-s, ndërsa historianët përgatiteshin për ta marrë çështjen në duart e veta, në vitin 2007, në vlugun e fushatës presidenciale Nikola Sarkozi deklaroi se kishte ardhur koha që “t’i jepej fund frymës së ’68-s dhe tërë trashëgimisë së saj në shoqërinë franceze, për arsye se trashëgimia e atyre ngjarjeve e shkatërroi shkollën e meritave, të respektit dhe të detyrave qytetare”. Sarkozi u përpoq ta thyejë këtë frymë të luftës për të drejta si dhe kultin e mosrespektimit të autoriteteve. Sipas tij, “trashëgimia e kësaj revolte e solli cinizmin në politikë dhe në shoqëri.

Meqë s’ka më rregulla, vlera morale, respekt dhe as autoritet, çdokujt sot i lejohet çdo gjë”. Tendenca e Sarkozisë për të vendosur rend në shtet dhe në shoqëri, shpejt hasi në pengesa – u ballafaqua me greva dyjavore dhe me luftën për mbrojtjen e arritjeve sociale të fituara para dyzet vjetësh. Kjo tregon se shoqëria franceze nuk lejon ndërhyrje të pamatura ndaj revoltës më të famshme të shekullit XX. Revolta e ’68-s është shpërthimi botëror i fundit i energjisë utopiste.

* * *

Ngjarjet e “Pranverës franceze” rrodhën si më poshtë:
Më 22 mars u mbajtën protesta për shkak të burgosjes së studentëve gjatë demonstratave kundër luftës në Vietnam. Studentët pushtuan ndërtesën administrative të universitetit në Nant. U formua lëvizja “22 Marsi” në krye me studentin e sociologjisë, 23-vjeçarin Daniel Kon-Bendit;

Më 1 maj, për herë të parë pas 14 vitesh, me thirrjen e sindikatave dhe të Partisë Komuniste të Francës, organizatat e punëtorëve, me rastin e 1 Majit, defilojnë në shenjë proteste. Trockistëve, anarkistëve dhe maoistëve iu ndalua pjesëmarrja. Gjatë protestës ndodhën edhe incidente.
Më 1 maj Daniel Kon-Bendit e organizon në Nant ditën “antiimperialiste”. Universiteti vazhdon të jetë i mbyllur.

Më 3 maj, për t’i mbështetur studentët e Nantit, qindra studentë tubohen para Sorbonës. Me kërkesën e rektorit Zhan Rosh, ndërhyn policia dhe e mbron Sorbonën. Në Kuartin latin u arrestuan mbi 500 studentë. Për t’i shpërndarë studentët e tubur, policia për herë të parë përdori gaz lotsjellës.

Më 6 maj u mbajt demonstratë për t’u solidarizuar me studentët e arrestuar. Në Kuartin latin midis studentëve dhe policisë pati konflikte të ashpra. Pasojat ishin: 945 të lënduar, 422 të arrestuar, Liderët e lëvizjeve studentore u bëjnë thirrje studentëve që të tubohen çdo mbrëmje në orën 18.30.

Më 7 maj 30.000 vetë defilojnë në shenjë proteste në Paris.
Më 8 maj mbahet seancë në Parlamentin e Francës për të debatuar për situatën në Paris, derisa 25.000 studentë vazhdojnë të protestojnë. Sorbona vazhdon të mbetet e mbyllur.

Më 9 maj e ndërpresin mësimin studentët e Tuluzit, të Nantit,të Lionit, ndërsa pas pak ditëve mësimi ndërpritet në të gjitha universitet e Francës. Në Dizhon dhe në Lion, lëvizjes studentore i bashkëngjiten edhe punëtorët.

Më 10 maj u ngritën në Paris 60 barrikada. Studentët e pushtojnë Kuartin latin. Dështojnë përpjekjet për bisedime me qeverinë. Në orën dy pas mesnate, njësitet speciale të gardës republikane ndërmarrin sulm ndaj studentëve. Pasojat ishin: 720 të lënduar lehtë, 367 të lënduar rëndë, prej të cilëve 251 policë, ndërkaq 80 automjeteve iu vu flaka.

Më 12 maj Kryeministri Zhorzh Pompidu njofton nëpërmjet televizionit rihapjen e Sorbonës. Në ndërtesën e fakultetit, të pushtuar nga studentët në Strasburg valon flamuri i kuq.

Më 13 maj mbahet greva e përgjithshme e punëtorëve dhe e studentëve n mbarë Francën. Sipas komunikatës së sindikatave, në Paris defilojnë 800.000 njerëz, ndërsa sipas burimeve të policisë, në protesta marrin pjesë 171000 vetë. Në radhët e para të protestuesve ndodhen Fransua Miterani, Pjerë Mendesi, Gi Mole, Veldek Roshe.

Më 14 maj studentët e shpallën Sorbonën “komunë të lirë” ndërsa Nantin “fakultet autonom”. Punëtorët filluan t’i pushtojnë fabrikat, përfshi edhe fabrikën e Renosë në Kleon. Gjeneral Dë Goli udhëton për në Bukuresht.

Më 15 maj vazhdon vala e pushtimit të fabrikave. Në Paris, 2500 studentë e vënë në duart e veta teatrin Odeon, drejtori i të cilit Zhan-Lui Baro i bashkëngjitet lëvizjes.

Më 16 maj lëvizja i përfshin në radhët e veta të punësuarit e postës, të hekurudhës shtetërore dhe në qarkullimin urban.
Më 17 maj sindikatat kërkojnë paga më të mëdha për punëtorët si dhe zvogëlimin e orarit të punës.

Më 18 maj hidhen në grevë dy milionë njerëz. Dë Goli nga Bukureshti kthehet në Paris 24 orë më herët se që ishte e planifikuar.
Më 20 maj hidhen në grevë katër milionë prej gjashtë milionë francezëve, ndërsa të punësuarit e radio-televizionit protestojnë kundër kontrollit të mediumeve nga pushteti.

Më 21 maj hidhen në grevë tetë milionë prej dhjetë milionë njerëzve. Bie vlera e frangës franceze, ndërsa kapitali mbartet në Zvicër. Parisi mbetet pa qarkullim publik dhe pa shërbime komunale, postat nuk punojnë, ka edhe mungesë të lëndës djegëse.
Më 22 maj njëri prej liderëve të lëvizjes studentore Daniel Kon-Bendit i cili kishte shtetësi gjermane, u dëbua nga Franca dhe iu ndalua kthimi.

Më 24 maj vazhduan protestat në përkrahje të Daniel Kon-Benditit. Në trazirat e Lionit humbi jetën një polic, në Paris ndërkaq iu vu flaka ndërtesës së bursës. Një person humbi jetën.

Më 27 maj u mbajt një tubim i madh në stadiumin Sharleti.
Më 28 maj jep dorëheqje ministri i Arsimit Alen Pejrfit. Përkundër ndalimit, Daniel Kon-Bendit rikthehet në Francë.
Më 30 maj Presidenti Dë Gol e shpërndan Parlamentin e Francës. Në manifestimet para Champs Elise-s, marrin pjesë një milion ithtarë të Dë Golit.

Prej 1 deri në 25 qershor grevistët shkallë-shkallë kthehen në vendet e punës. Konfliktet me policinë nuk kanë të pushuar. Në fabrikën e Pezhosë në Sosho u vranë dy punëtorë.
Më 23 dhe më 30 qershor mbahen zgjedhjet parlamentare. Shumica dërmuese e pjesëmarrësve në votim, përkatësisht 79%, votojnë për të djathtën. Prej tyre, 59% për Dë Golin.

* * *

Njëri prej udhëheqësve të protestave studentore të ’68-s ishte Daniel Mark Kohn-Bendit,i lindur më 4.4.1945 nga prindër çifutë, babai nga Gjermania i cili u kishte shpëtuar nazistëve, ndërsa e ëma nga Franca. Njihej me nofkën Deni i Kuq (Danny le Rouge). Ishte flokëkuq, shtatshkurtër, anarkist dhe kundërshtar i rreptë i çfarëdo autoriteti, i hierarkisë dhe i represionit. Sipas tij, arsimi universitar në Francë është konceptuar si një fabrikë që ka për qëllim të krijojë forcë teknike për shoqërinë e industrializuar. Më 1981 pushon të jetë anarkist. Më 1986 boton librin “Ne të cilët aq shumë e deshëm revolucionin”. Tani, zyrtarisht heq dorë nga perspektiva revolucionare.

Më vonë, disa veprimtarë të ’68-s i ndryshuan sferat e interesit dhe lëmenjtë e veprimtarive. Një prej tyre ishte edhe Kon-Bendit. Në vitet 1994-2009 ai është deputet në Parlamentin Evropian, si përfaqësues i ekologëve, herë gjermanë e herë francezë. Më 1999 mbështeti ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi.

* * *

Protestave në Berlin u priu lideri prominent i lëvizjes studentore gjermane të viteve ’60 – Rudi Duçke (Alfred Willi Rudolf “Rudi” Dutschke, 1940-1979). Ishte gjerman i Gjermanisë Lindore, bir i një nëpunësi të postës. Refuzoi të shërbente në Armatën popullore të RDGJ-së (Gjermanisë Lindore) dhe doli kundër militarizimit dhe ndikimit “të vëllait të madh” – BRSS-së. Nuk kishte mendim të mirë as për ShBA-në.

Duke qenë kundërshtar i regjimit, iu ndalua regjistrimi në universitet. Më 10 gusht 1961 ikën në Gjermaninë Perëndimore. Në Universitetin e lirë të Berlinit studioi sociologjinë, filozofinë dhe shkencat shoqërore. Ndikim të fuqishëm mbi studentët gjermanë ushtroi Shkolla e Frankfurtit, përkatësisht filozofët dhe sociologët Herbert Markuze, Teodor Adorno, Bernard Hajclmajer, veprat e Sartrit, të Hajdegerit etj.

Më 1965 iu bashkëngjit Lëvizjes socialiste të studentëve e cila i udhëhoqi lëvizjet studentore në vitet vijuese. Ishte i krishterë dhe pacifist, shkruante për problemet e botës së tretë dhe kritikonte kapitalizmin. Ndër studentë kishte edhe përçarje. Ata që nuk i mikloheshin Moskës etiketoheshin si anarkistë apo si romantikë. Lideri i protestave studentore gjermane – Duçke, nuk ishte për BRSS-në dhe nuk i besonte komunizmit sovjetik. Shumë studentë të asaj kohe nuk e donin as sundimin sovjetik, as kapitalizmi9n “imperialist”. Në thelb, ata kërkonin një jetë më të mirë dhe një shoqëri më të drejtë.

Ky prijës karizmatik i revoltës në Berlin ishte luftëtar kundër nazizmit, njeri që e thoshte atë që e mendonte dhe që dëshironte ta thoshte gjenerata. Brezi i ri kërkonte ndryshime në shoqërinë gjermane. Në emër të Lidhjes socialiste të studentëve të Gjermanisë, Duçke i paraqiti të metat e kulturës gjermane: reformat jodemokratike që u ishin imponuar universiteteve dhe shoqërisë dhe hipokrizinë e ish-nazistëve, të cilët, 20 vjet pas Luftës së dytë Botërore, përsëri ndodheshin në pozita të forta të qeverisë. E kritikoi ashpër organizimin e shoqërisë, duke konsideruar se nga struktura ekonomike dhe sociale ekzistuese përfiton vetëm një numër i vogël njerëzish.

Duçke dhe studentët gjermanë pyetnin: Ç’popull është ky, i ndarë, pa identitet, i fuqishëm, por shpirtërisht gjithnjë më i varfër?! Rinia studentore gjermane nuk donte të jetojë në një shtet të tillë.

Ka shumë që mendojnë se lëvizja e ’68-s gjermane ka qenë i suksesshëm dhe se ka ndikuar fuqimisht në reformat politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të Gjermanisë. Trazirat studentore nuk kaluan pa viktima. Gjatë protestave në Berlin, në qershor të vitit 1967 policia vrau studentin Ben Onezorg. Dhuna s’kishte të ndalur. Kishte të tillë që shkruanin nëpër mure: “Ngulfateni Duçken me gaz”! “Duçke, armiku numër 1 i shtetit”! Më 11 prill 1968 neonazisti Jozef Bahman, liderin karizmatik të lëvizjes studentore gjermane e qëlloi me tre plumba – dy në kokë dhe një në shpatull.

Duçke mbijetoi, por me pasoja të rënda. Pas tentimit të vrasjes, atentatori neonazist deklaroi: “Më vjen shumë keq që s’pata një pushkë automatike, për ta sharruar këtë derr të ndyrë komunist”. Me gruan Grethen Duçke-Kloc dhe me dy fëmijët, Duçke u vendos në Itali, më pas në Angli. Në vitet 1971-1979, bashkë me familjen jetoi në Danimarkë. Kishte sulme epileptike të rregullta, njësoj si autori i “Krimit dhe ndëshkimit” – Fjodor Mihalloviç Dostojevski. Sulmi epileptik fatal ndodhi në natën e Krishtlindjeve më 1979. Prijësi prominent vdiq.

* * *

Ikona e ’68-s gjermane, dalëngadalë nisi të shkojë në harresë. Por, disa ende krenohen me të, e disa të tjerë ndjehen të lumtur se është harruar. Të rinjtë e sotëm janë larg do farë idealeve apo kritikës së sistemit politik. Ata sot synojnë individualizmin dhe jo grupin.
Themeluesi i Institutit për hulumtimin e kulturës së të rinjve, në Hamburg – Bernhard Haljcmajer thotë: “Të jemi të lumtur për secilën ditë që e kalojmë, në të cilën politika nuk është në qendër të vëmendjes së njerëzve”. Por, askush nuk do të merrej me politikë, sikur politika të mos merrej me ne. Sot, pothuajse askush nuk çanë kokën se ndokush mezi e lidh fillimin e muajit me fundin e tij.

Autori i librit “Revolucioni i jetës së përditshme” – Raul Vaneigem thotë se veprimi i ditëpërditshëm është bari më i mirë kundër sëmundjeve të shoqërisë së spektaklit. Ndërsa autori i librit “Shoqëria e spektaklit” – Guy Debord thotë: “Spektakli manifestohet nëpërmjet sistemeve të komunikimit, mediumeve, qendrave tregtare dhe formave të tjera të teknologjisë moderne të cilat e bëjnë njeriun vëzhgues pasiv, pa ndjenja, pa dashuri dhe pa kënaqësi. Me fjalë të tjera, tjetërsimi fshihet edhe në jetën e përditshme. Shoqëria e spektaklit dhe rehatia konsumuese duhet të eliminohen për arsye se veprimin e zëvendësojnë me pasivitetin, të menduarit me topitjen, të jetuarit me materializmin.