Protesta është beteja e vërtetë e opozitës, kundër reformës!

0
401

Nga Mero BazeTemA

Në të vërtetë, kjo e hënë që vjen mund të konsiderohet dita e parë e reformës në drejtësi. Është dita e parë që ne do të kemi një institucion të ri, pas dy vitesh që hartojmë ligje dhe bëjmë beteja në ekrane për reformën.

Për këtë arsye, e hëna është konceptuar si një betejë finale për reformën në drejtësi. Shumica me mbështetje të Bashkimit Europian dhe SHBA, po hedh një hap para në ngritjen e institucioneve, duke zgjedhur prokurorin e ri të Përkohshëm, ndërsa opozita e bashkuar do të protestojë në rrugë kundër fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi.

Të gjithë paranojakët e reformës dhe gjithë ëndërrimtarët e saj, janë përleshur deri më sot duke shantazhuar njëri-tjetrin për suksesin apo dështimin, por betejat kanë qenë virtuale. Të gjithë që kanë bërë sikur janë me reformën, të gjithë e kanë përjetuar votën pro saj, sikur e kanë për kundërshtarin, por të hënën kjo betejë virtuale mbaron.

Të hënën nis reforma dhe në zyrën e kryeprokurorit hyn prokurori i ri i përkohshëm, që do të fillojë të zbatojë reformën, Pas tij do të ngrihet SPAK dhe institucionet e tjera, që të shpresojmë se do t’i japin fund apatisë së drejtësisë në Shqipëri.

Ndaj e hëna është një ditë e madhe e rëndësishme, që nuk mund të kalonte aq lehtë.

Do të ishte turp për opozitën ta kalonte në heshtje dhe hipokrizi duke duartrokitur, siç ka bërë deri tani. E hëna është dita që ata duhet të jenë të vërtetë me reformën.

Vendimi që kanë marrë për të dalë në rrugë është vendimi i vërtetë, dhe duhet respektuar.

Po kaq të vërtetë duhet të jenë dhe anëtarët e shumicës në pushtet në parlament. Edhe pse ata janë ngushtuar në tre kandidatë, ata duhet të marrin një vendim të drejtë, të bindur se po zgjedhin më të mirin mes tre kandidatëve.

Pastaj beteja do të jetë e gjatë mes rrugës dhe parlamentit. Dhe është beteja e vërtetë për drejtësinë në Shqipëri.

Balloja me maska duhej të merrte fund një ditë dhe ideja që të gjithë ishin dakord me reformën kundër një armiku të padukshëm, duhet të merrte fund.

Të gjithë ata që besojnë tek reforma, duhet doemos të mbështesin reformën dhe institucionet e reja që ajo parasheh, siç është dhe prokurori i përkohshëm i parashikuar në Kushtetutë.

Por dhe ata që nuk e duan, kanë të drejtë të hidhen në luftë.

E hëna është dita e sinqertë e opozitës sonë, e PD dhe LSI, e atyre që kanë paranojën, se reforma ka punë vetëm me ta. Në të vërtetë, reforma ka për të bërë kërdinë dhe brenda socialistëve, por fakti që ata janë në pushtet dhe mes pushtetit dhe reformës zgjedhin pushtetin, ata janë të matur dhe po mbështesin reformën. Është barra e kryqit që u ra ta mbajnë mbi shpinë.

Pala tjetër do të dalë në rrugë me armë në dorë. Dhe nuk kanë faj. Për herë të parë po kuptojnë se mund të mos e kenë në dorë të ardhmen e tyre përballë ligjit. Është fundi i botës për dikë, që ka qenë i bindur gjithë jetën, se është i paprekshëm.

Nga mënyra si sillen e si flasin, duket se kanë shënuar dhe armiqtë e tyre. Janë dy ambasadorët e Perëndimit në Shqipëri, Donald Lu e Romana Vlahutin. Ata u prishin skemën dhe u shtojnë frikën, se reforma është e vërtetë dhe në dorë të Perëndimit. Se po të ishin të bindur se po e merrte Edi Rama, do kishin bërë festë. Nuk do ishin me armë në dorë në rrugë.