Propozimi për futjen e gegnishtes në liturgjitë katolike, Gjergj Meta jep arsyet kundër

0
952
Katedralja e Shkodrës

Vladimir Stojani Burill poston në Facebook, 31 mars 2016

Kuriozitetit të studiueses Ledi Shamku Shkreli se përse liturgjitë katolike nuk kryhen sipas traditës së gegnishtes i është përgjigjur prift Dom Gjergj Meta. Pyetja e studiueses ishte si më poshtë: “Duke qenë se repertori i çdo gjuhe, pra edhe i shqipes se nuk e kemi sui generis, përbëhet nga regjistra e sidomos nga nënkode e ligjërime sektoriale, e duke qenë se:

1. Ka sllavishte kishtare (që nuk është sllavishtja letrare), ka greqishte liturgjike (që nuk është greqishtja letrare) etj., etj. me radhë; dhe:
2. Shqipja e liturgjisë ortodokse nuk është kodi standard po koineja toskë (pak a shumë ajo e ushtruar nga Noli) dhe
3. Edhe liturgjia katolike në shqip ka traditën e saj – vijmë tash te pyetja: çfarë e pengon liturgjinë katolike në shqip me ndjekë traditën, duke i dhënë kështu edhe shqipes përmasën e duhur të repertorit? E kam pyetje, madje dilemë, jo objekt sherri.
Kështu që kush ka përgjigje keqane joprofesionale, lutem t’i kursejë s’paku këtu”-shkruan Ledi Shamku në një postim të saj.

Në përgjigje të kësaj pyetje Dom Gjergj Meta thotë në “Peregrinus.al” se kush kërkon sot nga meshtarët që të kultivojnë gjuhën apo letërsinë apo historinë, bëjnë një gabim ideologjik, sepse risjellin një model të para 80 vjetëve në mënyrë akritike në kushtet e sotshme, dhe kjo është pura ideologia, përveçse padrejtësi historiografike sipas tij.

Unë nuk mendoj që Kisha katolike duhet të marrë në liturgji gegnishten si standard të saj, sepse në këtë mënyrë do të bënim të njëjtin gabim të vitit ‘72 kur shqiptarëve iu imponua një standard. Ne nuk mund ta bëjmë këtë për sa kohë që katolikë ka në Vermosh e në Gramsh, në Korçë e në Zadrimë. Por Kisha katolike dhe operatorët e saj (meshtarët në mënyrë të veçantë) do të duhet të flasin gjuhën e njerëzve, të dinë mirë gegnishten e Vermoshit e të Mirditës, po ashtu toskërishten e Vlorës e të Korçës, atë të Shqipnisë së mesme e po ashtu të dinë mirë standardin e ‘72-shit. Thonë që Zoti shkruan drejt në vija të shtrembëta; e pse nuk u lëvdoka e u lutka edhe me standardin e ‘72-shit?! Unë mendoj që padrejtësitë historike nuk korrigjohen në këtë kontekst“.

Më tej Dom Gjergj Meta shprehet se është dakord me vendimin e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë për marrjen e standardit të ‘72-shit si gjuhën zyrtare të saj. “Kjo nuk e pengon Kishën që të dijë të shprehet edhe në gegnisht apo toskërisht, pasi duhet ta bëjë në sajë të misionit të saj. Por po aq nuk jam dakord me Konferencën Ipeshkvore që ka ndryshuar lutjet themelore si lutja “Ati ynë” apo “T’falem Mari”, edhe pse kjo do të hante një diskutim tjetër. Mendoj që Kisha dhe liturgjia nuk janë tashmë vendi ku duhet kultivuar gjuha, pasi ajo tashmë ka (falë Zotit) vendin e vet, por Kisha është e gatshme gjithmonë që të pranojë në gjirin e saj rrjedhën e gjuhës e të mos mbetet peng e asnjë standardi, e asnjë nënkodi.” shkruan Meta.