Ndërtimi i Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë është drejt përfundimit.
Objekti në fjalë do të zgjidhë çështjen e faljes së besimtarëve, por përtej këtij aspekti, është edhe një tjetër që është trajtuar shpesh.
Xhamia ngrihet mbi një truall për të cilin ka kontestime dhe që po trajtohet në proces gjyqësor. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nuk e ka konsideruar problem një gjë të tillë, por për disa besimtarë kjo është çështje që ka rëndësi – raporton ResPublica.
Në këtë kuadër Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë, ka dhënë një përgjigje bazuar mbi ligjin islam, meqenëse shpallja e objektit si të papërshtatshëm, apo edhe çdo keqkuptim mbi të nuk është çudi që të provokojë bojkot.
Teksa parashtrojnë kërkesat e ligjit dhe traditës islame, hoxhallarët pranojnë ndër të tjera se “çështja ka një problem të pazgjidhur”.
Lidhja nuk arrin të shprehet në mënyrë shteruese mbi këtë moment teksa shton se: “Në të tilla kushte, ne e kemi të vështirë, të japim një përgjigje të detajuar përfundimtare për këtë pikë, sepse ajo kërkon zgjidhje nëpërmjet gjykimit mes palëve dhe jo fetva”
Pyetjes së besimtarëve nëse “cenohet apo jo vlefshmëria e shfrytëzimit të truallit për qëllime të besimit”, Lidhja pranon se “po”, kjo e drejtë cenohet nëse kompensimi është i padrejtë.
Njësoj si në rastin e vrasjeve të provokuara nga vendimet e drejtësisë, që kanë riaktivizuar drejtësinë kanunore, edhe në këtë rast, është ligji fetar, që po ndihmon besimtarët.
“Në parim mund të themi se, për çështjen e vlefshmërisë së namazit në rastin e një toke të grabitur me pa të drejtë (erdun magsubeh), mendimi më i saktë dhe i shumicës së dijetarëve është se namazi në të është i saktë, për shkak se saktësia e namazit nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë vlefshmërie me statusin juridik fetar të tokës, sepse nuk prek as kushtet dhe as shtyllat e tij, edhe pse personi që e ka grabitur apo ai që e di, ngarkohet me gjynah.
Kjo ka të bëjë me rastet kur toka ku falet namazi është e grabitur (magsubeh), ndërsa në rastin kur kemi të bëjmë me një shpronësim, për të cilin ka kontestime për vlerën e tij dhe jo me një gasb (grabitje pa asnjë dëmshpërblim) dhe prek vetëm një pjesë të vogël të xhamisë, çështja këtu ndryshon…
Nëse në përfundim të proceseve gjyqësore pronarët në fjalë nuk marrin nga shteti të drejtën që u takon, atëherë ata kanë të drejtën e tyre morale që të kërkojnë nga institucioni përfitues, plotësimin e kompensimit për atë pjesë toke, që preket nga kompleksi i namazgjasë”– shprehet Lidhja.